E premte, 03.05.2024, 05:25 PM (GMT+1)

Kulturë

Shpendi Topollaj: Kadri Tarelli plotëson historikun

E hene, 20.01.2014, 08:17 PM


LIBRI I KADRI TARELLIT PLOTËSON HISTORIKUN E ARSIMIT NË DURRËS

(Rreth librit publicistik “Misionarë në udhën e dijes”)

NGA SHPENDI TOPOLLAJ

Ai që e ka lexuar me vëmendje “Odisenë” e Homerit, do konstatojë se fantazisë njerëzore nuk i ka shpëtuar qysh herët, respekti dhe adhurimi për figurën e nderuar të mësuesit, të mishëruar aq bukur në personazhin e edukatorit të Telemakut, Mentorit, emri i të cilit veçanërisht pas shekullit të XIX - të, mori një kuptim më të gjerë.

Ashtu si për njeriun më të dashur nënën edhe për mësuesit, njerëzit e zakonshëm dhe ata të shquarit, janë shprehur përherë me fjalë të zjarrta zemre dhe me mirënjohje. Viktor Hygoi, me atë forcën e pamposhtur të gjykimit, pasi i ka quajtur ata deputetët e parë të popullit, e ka thënë qartë se “E ardhmja është në duart e mësuesit të shkollës.”

Personalisht, në njerin nga librat e mi, në kushtimin në faqen e parë të tij, kam shkruar: “Gjylizare Çiços, mësueses time të shtrenjtë të letërsisë, në bangat e shkollës së mesme ushtarake “Skënderbej”, zëri i ëmbël i së cilës më tingëllon i freskët edhe sot e kësaj dite.”  Dhe është pikërisht ky nderim dhe detyrim i pandryshuar që më jep një kënaqësi të veçantë sa herë më bije rasti të lexoj ndonjë libër, kushtuar punës së palodhur dhe aq të çmuar të mësuesve. Ja dhe pse u gëzova, kur miku im i vyer, mësuesi me përvojë dhe intelektuali autoritar Kadri Tarelli, më solli librin e tij të porsabotuar “Misionarë në udhën e dijes”.

Kryesisht jemi para një përmbledhje shkrimesh publicistik të shkruar ndër vite dhe të kompozuar në shtatë kapituj të larmishëm, por gjithmonë me temë bazë punën në arsim, apo të shkruara me një stil të këndshëm dhe të thjeshtë, të cilët jo vetëm të çelin horizonte e perspektiva, por edhe të ngjallin reminishenca të bukura. Në këtë mozaik editorialesh, portretesh, reportazhesh, opinionesh, vlerësimesh, skicimesh letrare apo historike, ne, përveç respektit për mësuesit e çdo kohe dhe punën e tyre plot pasion e përkushtim, vëmë re edhe kulturën e spikatur të autorit, shpitin e tij të madh dhe modestinë, tipare këto që shkrimtari i njohur Viron Kona i ka përmbledhur me pak fjalë: “Nëpërmjet shkrimeve, njoha portretin e tij, tipin dhe karakterin, kështu që kur u takuam, ishim si të njohur prej kohësh.”

Kadriu është kujdesur që, në krye të çdo shkrimi të zgjedhë dhe të vendosë nga një citat të goditur. Kjo është një gjë mjaft e frytshme dhe me sa duket, ai ka pasur parasysh porosinë e filozofit Seneka, i cili qysh në kohën e tij shprehej se, “Arsimimi i njerëzve duhet të nisë me fjalë të urta”. Dhe e fillon këtë, duke ju referuar Sami Frashërit tonë, i cili duke i dhënë diturisë vendin që i takon, (se vetë e kishte bibliotekën me 20.000 vëllime), ka thënë se libri është shoku më i mirë. Autori vazhdon me mësuesin e Aleksandrit të madh, Aristotelin, i cili mendonte se edukatorët duhen nderuar më shumë se sa prindërit, pasi ata u japin nxënësve diçka më shumë se jeta; artin e të jetuarit mirë.

Sot, ka një çoroditje, shpesh paradoksale, në vlerësimin e rolit të mësuesit, aqsa edhe politika për qëllimet e veta të ngushta, e nëpërkëmb misionin fisnik të tyre dhe sakrificat, mundin dhe përpjekjet e pareshtura që bëjnë, pa folur për ndershmërinë që ata i karakterizon. Ndaj, kur lexon këtë libër, ndesh në çdo faqe të tij, realizëm, mirësi, nderim dhe vazhdim pune me qetësinë që të jep këshilla e fiorentinasit Dante Aligeri; “Ndiq rrugën tënde dhe mos vështro se ç`thonë bota.”

Shembulli i mësuesit plot kualitete Hasan Ulqini, që i gëzohet si një fëmijë dhurimit nga nxënësit e tij të një libri, ku në të ishin përfshirë dhe disa studime të tijat dhe për të cilën ai thotë se prekem dhe mallëngjehem nga gjesti i tyre simbolik, që për mua është dhurata më e bukur e jetës time, një thesar, një det lumturie, është shumë domethënës. Po ashtu, trajtimi biografik i jetës dhe cilësive profesionale të disa personaliteteve të arsimit ndër vite, nga ata që lanë gjurmë të pashlyera në kujtesën e nxënësve të tyre apo të historisë së arsimit, ja shton këtij libri seriozitetin. Njerit prej tyre, emri Sulejman Ali Zalla i kishte mbetur, thotë autori, vetëm nëpër dokumentet zyrtare, sepse populli dhe nxënësit e quanin “Sulë Shqipja”. Më kujtohet, se kur isha i ri dhe shkoja në Pogradecin e Lasgushit, më bënte shumë përshtypje emri “Gjokë Shqiptari”, i një shkolle atje buzë liqerit. Më vonë mësova se atë ashtu e kishin quajtur njerëzit, për kontributin që ai jepte për edukimin arsimor, kulturor dhe sidomos atdhetar të nxënësve. Sulë shqipja dhe Gjokë Shqiptari. A ka pra, shpërblim më të madh se ky? Vështirë ta mbajë këtë titull edhe ndonjë burrë shteti.

Kadri Tarelli, me shumë ndjenjë na vizaton edhe portretet e disa mësuesve patriotë që diktatura, pa asnjë faj, i ndëshkoi rëndë si Arshi Pipa, Prenk Kaçinari, Zihni Dervishi, Eqerem Shijaku, Myzemil Osmani, Islam Alikaj, Rukije Rama, Haki Taha e shumë të tjerë, apo dhe i cek ata me respekt, si Shpëtim Myshketa, Vaso Papaj, Myftar Gjonbalaj, etj. Njeri prej tyre, Zihni Dervishi, që ka qenë bashkëvuajtës me Arshi Pipën dhe Prenkën në tmerret e kënetës të Maliqit shprehet: “Të gjithë profesorët që transferoheshin në Durrës ishin personalitete me emër, por me “njollë” në biografi, dhe Durresi ynë, ishte i vetmi qytet, ku mund të kontrollohej me lehtësi kushdo, pasi ishte si një ishull i rrethuar me det. “Ura e Dajlanit” ishte i vetmi kalim, nga ku mund të hyje dhe të dilje nga qyteti.” Por xhelatëve komunistë që s`i shihnin dot me sy intelektualët nacionalistë, apo që ishin me prejardhje nga familjet e pasura, u kishte shpëtuar një detaj: populli i këtij qyteti i ka mbrojtur dhe përkrahur të tërë ata që vinin gjithë forcat e dijet në shërbim të edukimit të fëmijëve të tyre, gjë që e konstaton dhe e evidenton edhe autori i këtij libri.

Por, ai nuk kufizohet vetëm me mësuesit e viteve të shkuara. Në penën e zhdërvjelltë të Kadriut përfshihen edhe ata të tanishmit, qoftë nëpërmjet skicimeve të posaçme, qoftë duke lakuar punën e tyre nëpër reportazhet problematike apo të veprimtarive të ndryshme arsimore brenda apo jashtë vendit. Ai, përgjithson përvojen pozitive të disa shkollave të dëgjuara të Durrësit si “Vinçenc Prendushi”, “Shaqe Mazreku”, “Qemal Mici”, “Marie Kaçulini”, “Demokracia”, “Gjergj Kastrioti”, “Naim Frashëri”, “Iliria”, “Benardina Qeraxhia”, etj. Në gjithë këto emra, nuk mund të linte pa folur, për perspektivat e shkollës së re “Kasa”, ku ai, së bashku me presidentin e saj, arsimdashësin Jonuz Kasa, kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm, duke krijuar kushtet didaktike dhe pedagogjike, të cilat kanë hedhur bazat dhe kanë krijuar një traditë të lavdërueshme dhe qartazi të dallueshme ndër gjithë shkollat e tjera. Në këtë shkollë ka zënë vendin e vet, ai proverbi arab se “Më mirë një kasolle me kashtë, por brënda saj një mësues i mirë.” Dhe mësuesit e mirë e kanë kthyer këtë shkollë që nisi nga e para, në një model të mësimdhënies bashkëkohore.

Më tej duhet theksuar se, në këtë libër trajtohen edhe një sërë problemesh teorike me të cilat ndeshet puna e arsimtarëve nëpër shkolla dhe që konsistojnë te programet mësimore, tekstet, baza didaktike, frekuentimi, disiplina, aftësimi profesional, futja e metodave të reja, lufta kundër asaj që quhet “braktisje e fshehtë”, detyrat e drejtoreve, dispozitat normative,   karakteristikat e nxënësve, përfitimet nga shkëmbimi i  eksperiencave edhe me shkollat e huaja.

Dhe kuptohet që shqetësimi më i madh i këtij autori është, kur bëhet fjalë për gjuhën tonë të bukur shqipe e cila qysh herët tërhiqte vëmendjen e Buzukut, se ajo po bdardet e po bastardohet. Si mësues i përgjegjshëm, Kadri Tarelli, gati thërret: “Ngrehu Naim e Sami, ngrehu Fishta, Mjeda e Fan Noli! Ngrehuni ju dijetarë të kombit, se po shuhet “gjuha shqipe”, gjuha për të cilën shkritë mendjen dhe zemrën tuaj.”

Përshkrimi i vizitave në Kosove, Suedi, Turqi është i këndshëm për t`u lexuar dhe me interes për të përfituar.

Ashtu sikurse mbart brenda vetes mjaft emocion, puna me fëmijët me emrat Larglindje, Vlora, Berati e Saranda të ardhur këtu gjatë barbarisë të hordhive serbe në Kosovën tonë, barbari që ngjante në egërsinë e saj me ato të Xhingis Khanit e më pas të Timurlengut të shekullit të XIV–të, apo me të ardhmen e Kosovës dhe Çamërisë, për të cilën thotë në një thirrje të hartuar prej vetë Kadriut se: “Për Kombin asnjëherë nuk është vonë dhe gjithçka nuk është e tepërt.” Në njërin nga shkrimet e tij, Kadriu  ka sjellë fjalët profetike të mësuesit kosovar Bajram Gashi (Salihi), i cili ka shërbyer në Shënavlash dhe që para vrasjes, gjatë luftës së dytë botërore, tha fjalët profetike: “Kur t`i bajnë djemt e Kosovës 30 vjet shkollë, atëherë do të çlirohet Kosova... T`i çoni fëmijët në shkolla, mbasi shkolla asht pshtimi jonë…”

Edhe pse i diplomuar në degën Histori - gjeografi, gjë që ai e tregon edhe në shkrimet e kësaj përmbledhjeje, pasioni i madh i Kadri Tarellit mbetet letërsia. Kjo është edhe arsyeja që këtu janë përfshirë si shkrime letrare ashtu edhe reçenca për krijimtarinë e të tjerëve. Ato janë ndalur te titujt “Bukuri suedeze” të Viron Konës, “Më shumë heroizma se sa grurë” të Ullmar Kvik, “Genocidi mbi kulakët” të Xhafer Sadikut dhe “Drejtori i shkollës” të shkencëtarit modest Stavri Llambiri. I lexon këto vëzhgime, si një nga llojet e kritikës dhe bindesh se forca analitike e këtij autori dhe dashamirësia ndaj krijuesve të tjerë, do ta shtyjë detyrimisht drejt plotësimit të një libri të veçantë, kushtuar vetëm këtij zhanri letrar.

Dhe ashtu sikurse ka bërë me këtë libër mjaft të vlefshëm, qoftë dhe për plotësimin e historisë së arsimit në Durrës, Kadriu, duke vazhduar të shkruaj, do të marrë gjithë përgëzimet tona dhe e siguroj se, nuk do të ketë arsye të kujtojë ato fjalët e komediografit latin Plauti: “Oleum et operam perdidi”, pra që “Kam humbur vajin dhe mundin”, gjë që thuhet kur kemi punuar kot.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora