E merkure, 01.05.2024, 03:19 PM (GMT+1)

Kulturë

Xhelal Marku: Bardhok Gjikola - figura simbol

E diele, 19.01.2014, 06:53 PM


Bardhok Gjikola – figura simbol e ndërtuesit të pasionuar

(Monografi)

Nga Xhelal Marku

Kur viziton Kullën e Gurtë  200 vjeçare të Gjikolajve në Komunën e Selitës Mirditë, të shpallur Monument Kulture prej vitesh, befasohesh jo vetëm me vlerat e saj të veçanta arkitekturore, por dhe me traditën e shkëlqyer të  bujarisë e të mikpritjes, si dhe me historinë atdhetare të breznive të Kullës, që i dhanë asaj një emër të njohur në krahinë e më gjërë. Tek ky prag, lindën dhe u rritën ndër vite breza të tërë trashëgimtarësh, që me dashurinë për Kullën, ia rritën vlerat asaj. Katër fëmijë rritën në këtë Kullë edhe prindërit e nderuar Pjetër Gjetë Gjikolaj e Mara Preng Gjikolaj:  Bardhokun, Dilën, Palin e Shkurtën. Kur lindi Bardhoku në vitin 1938, që ishte dhe fëmija i parë i tyre, thuhet se gëzimin e Kullës, sipas traditës e përshëndetën edhe me të shtëna armësh. Kështu, e mbushur me plot zëra trashëgimtarësh, gumzhiti ndër vite Kulla e Gjikolajve, e cila sot në gjininë e saj numron mbi 200 veta. Një trashëgimi e pasur dhe e virtytshme e kësaj dere, që i pati hije besa, trimëria e burrëria në gjithë historinë e saj.

Nga Kulla drejt Kantjereve

Që kur ishte fëmijë, Bardhok Gjikola e pyeste shpesh babanë e tij për historinë e Kullës dhe për ndërtuesit e saj të talentuar. Dashuria për Kullën e bëri atë kureshtar e pasionant për artin e bukur e të vështirë të profesionit të ndërtuesit, ndaj edhe kur luante me moshatarët e vet, prindërit dhe të afërmit e kishin dëgjuar shpesh tek thoshte: “...Do të ndërtojmë një kullë. Do të luajmë kullash, etj...”. Dhe fillonte të imitonte ndërtuesit me çakçuket e tij të gëdhendjes mbi gurë. Kështu, kujtimet dhe ëndërrat filluan të ktheheshin në pasion tek Bardhoku i vogël, i cili qysh në moshën 12 vjeçare, i mbetur jetim nga babai dhe për arsye ekonomike, do ta linte Kullën, për të marrë udhët e kantjereve të ndërtimit dhe u bë një shtegtar i njohur i armatës së madhe të ndërtuesve. E pabesueshme kjo, por që shpejt u kthye në një realitet jetik për Bardhok Gjikolën. Vullneti dhe këmbëngulja e tij e bënë atë të radhitej përkrah vullnetarëve të parë në ndërtimin e Hidrocentralit të parë në vend, atij të Selitës në Tiranë. Nëpunësi i kuadrit për Kantjerin e këtij hidrocentrali, Hamdi Valteri, për shkak të moshës së vogël që kishte Bardhoku, nuk pranoi ta rregjistronte atë si vullnetar në Kantjer, ndaj u desh ndërhyrja e ish Sekretarit të KQ të Rinisë, Shahin Skura, një njeri autoritar dhe i respektuar nga rrethi i Matit, që ai të rregjistrohej. Kështu, Bardhoku filloi punë në brigadën vullnetare, që drejtonte Luani i Tuneleve, Heroi kuksianë Sali Vata. Pasi kaluan tre muaj punë vullnetare, Bardhoku shfaqi dëshirën për të vazhduar më tej punën në Kantjer, një kërkesë që gjeti miratim të plotë nga drejtuesit e ndërmarrjes. Ishte një dëshirë, që merrte shkas edhe nga konsiderata dhe respekti, që ai kishte krijuar në këto pak muaj për drejtuesit e Kantjereve të Ndërtimit të Hidrocentralit, si: Sali Vata, Sabri Shini, Rrapush Ndregjoni, Dervish Mehmeti, etj. Gjatë punës në ndërtimin e Hidrocentralit të Selitës në Tiranë, Bardhoku u kualifikua edhe profesionalisht, duke mbaruar Shkollën Teknike të Emergjencës për teknik ndërtimi. Pas këtij kualifikimi, ai do të transferohej në një tjetër vepër të rëndësishme  hidroenergjitike të asaj kohe, në ndërtimin e Hidrocentralit të Ulzës në rrethin e Matit, ku u emërua teknik ndërtimi. Edhe në ndërtimin e kësaj vepre, ku drejtonte një nga figurat më të shquara të sektorit të ndërtimeve, ish ministri i ardhshëm i ndërtimit për disa vite – Rrahman Hanku,  Bardhoku shfaqi cilësitë më të mira të ndërtuesit të palodhur e energjik, duke prirë me shembullin e tij personal në çdo punë e në çdo detyrë, që iu ngarkua. Ndaj, ai, shumë shpejt u emërua edhe përgjegjës turni dhe më pas edhe përgjegjës sektori, në Kantjerin, ku drejtonin emra të njohur të fushës së ndërtimeve, si: Sabri Shini, Emin Mysliu e Robert Semiri. Puna në këto Kantjere, ishte një shkollë e madhe për Bardhokun, e cila e kaliti atë fizikisht e profesionalisht. Këtu, ai mësoi nga përvoja e mjeshtrave të ndërtimit, përfitoi vlerat më të mira nga aftësitë e tyre organizuese e drejtuese, u kalit përmes vështirësive, vlera të cilat do t’i shfaqte bindshëm përgjat 47 vjetëve në punën e tij drejtuese  në ndërtim  në shumë rrethe të vendit. Kësisoj, Bardhok Gjikola konsiderohet si një legjendë e ndërtimeve shqiptare, me një kontribut mbi gjysëmshekullor. Në Ndërmarrjen e Ndërtimit të Hidrocentralit të Ulzës, Bardhoku qëndroi plot gjashtë vjet, ku u njoh dhe afirmoi aftësitë dhe vlerat e tij si teknik e si kuadër drejtues në Kantjer. Këtu, ai pati dhe mbështetjen e pakursyer dhe bashkëpunimin e dy kuksianëve të nderuar: Selim Domi nga Ujmishti – ish kryetar i Bashkimeve Profesionale të ndërmarrjes dhe Gani Omuri nga Kolesjani. Puna në ndërtimin e Hidrocentralit të Ulzës, ishte më shumë se një shkollë për të riun e at’hershëm Bardhok Gjikola, ku fitoi përvojë, kulturë profesionale, përkushtim dhe afirmim të vlerave të tij si ndërtues i zoti e me perspektivë. Dhe pikërisht kjo vepër e madhe e kohës e projektoi atë, si një nga figurat më të njohura të fushës së ndërtimeve në vend. Kështu nisi Bardhoku rrugën e gjatë e të vështirë të ndërtuesit, ku bëri emër dhe karrierë të shkëlqyer jo vetëm në Mirditë, por edhe në 17 rrethe të tjerë të vendit, si në: Pukë, Kukës, Tropojë, Lezhë, Shkodër, Mat, Pogradec, Elbasan, Kurbin, etj. Puna e tij është vlerësuar jo vetëm nga ndërtuesit dhe specialistët e kësaj fushe, por dhe nga mbarë opinioni vendas, si dhe nga kushdo tjetër, që e ka njohur Bardhokun nëpërmjet punës, si organizator e drejtues i zoti e kompetent, por dhe shumë human e i komunikueshëm me njerëzit. Kështu, ai, kërkesën e llogarisë për mbarëvajtjen e punëve në ndërmarrjet e kantjeret e ndërtimit, ku punoi e drejtoi për shumë vite me rradhë, nuk e shkëputi për asnjë çast nga preokupimi i tij për të zgjidhur paralelisht edhe hallet e punëtorëve, për t’u plotësuar kërkesat e tyre dhe për t’u krijuar atyre kushte sa më të përshtatshme për punë. Madje, Bardhoku i ka ndihmuar punonjësit dhe specialistët e ndërmarrjes  edhe jashtë  dyerëve të saj, për zgjidhjen e problemeve të tyre familjare, siç ishin: strehimi, punësimi, shkollimi i fëmijëve, etj, me synimin e vetëm human për t’u krijuar atyre kushte sa më të përshtatshme për punë. Në rast festash, Bardhoku kishte krijuar një traditë të bukur në ndërmarrje, ku transportimi i punëtorëve pranë familjeve të tyre në fshat, bëhej i organizuar, duke vënë në dispozicion makinat e ndërmarrjes, ku shpesh i shoqëronte edhe vetë me praninë e tij, duke festuar bashkërisht me ta, si mik, si shok e si drejtues. Tek këto lidhje e marrëdhënie të mira me punonjësit, Bardhok Gjikola kishte edhe sekretet e mbarëvajtjes së punëve të tij në çdo detyrë, që iu ngarkua. Ndaj kurdoherë, thirrja e tij për të punuar pa orar dhe me metodën e aksionit, për të arritur grafikët e punimeve, ishte e mirëpritur dhe do të gjente mbështetjen e duhur tek të gjithë punonjësit e ndërmarrjeve të ndërtimit, ku ai ka punuar e drejtuar. Kjo ishte dhe metoda e suksesshme e punës së tij drejtuese, që i dha Bardhok Gjikolës emër, progres e besueshmëri për fjalën e mbajtur në dorëzimin para afatit të shumë veprave industriale në vend, duke filluar me ndërtimin e Fabrikës së Pasurimit të Bakrit në Kurbnesh në vitin 1959, Uzinën e Bakrit në Rubik në vitin 1962, si dhe shumë vepra të tjera industriale të ngritura në Reps, Spaç, Kaçinar, Fushë-Arrëz, Laç, Kukës, në Ndërmarrjen e Ndërtimit të Hekurudhave e deri në Kontrollin e Lartë të Shtetit. Në konceptin e Bardhokut si drejtues, puna e tij nuk kishte orar. Ajo mbaronte vetëm atëherë, kur arrihej objektivi i caktuar. Kështu, ai u bë një emër i kërkuar në sektorin e ndërtimeve në vend, tek i cili besohej shumë. Ndaj, përgjat 53 vjetëve të punës së tij në ndërtim, Bardhok Gjikolës i janë bërë gjithsej mbi 30 lëvizje dhe emërime në punën e tij drejtuese. Aty ku puna nuk ecte, ishte Bardhoku që do të emrohej drejtues, për shkak të besueshmërisë, që ai kishte krijuar në vite tek eprorët e tij në dikaster. Por, më e rëndësishme është, se gjatë gjithë punës së tij drejtuese, Bardhok Gjikolës nuk i ndodhi asnjë aksident me vdekje në punë, ndonëse punoi e drejtoi në sektorë e në terrene mjaft të vështirë e malorë, duke mbetur kështu, siç thotë bashkëfshatari i tij, poeti Gjokë Beci “...Imazhi i gurit të bardhë, që shëndrit”. Nëpërmjet punës ai u kualifikua teknik ndërtimi, ekonomist e deri asistent inxhinjer. Në 57 vjetët e punës së tij të pandërprerë, 53 vjet i përkasin vetëm sektorit të ndërtimeve, ku përgjat 36 vjetëve Bardhok Gjikola ka qënë drejtor. Vetëm në Mirditë, ai ka rregjistruar 25 vjet punë në ndërtim dhe për 24 vjet me rradhë, ka qënë drejtor i Ndërmarrjes së Ndërtimit në Rrëshen. Një rast i rrallë në jetën e një ndërtuesi me kaq veprimtari e vlerësime, që kanë lënë gjurmë të pashlyera në historinë mbi gjysëmshekullore të industrisë së ndërtimeve në vend,  për të ardhur më pas në vitin 2012, ku në prag të 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, Bardhok Gjikola shpallet edhe “Qytetar Nderi” i Bashkisë Rrëshen, si drejtori dhe ndërtuesi shembullor, që vuri gurin e parë në themelet e këtij qyteti, i cili këtë vit, në pranverën e 2014-tës, do të festojë 65 vjetorin e krijimit të tij. Kështu, përmes punës në Kantjeret e ndërtimeve, u rrit, u kualifikua, u kalit, u afirmua dhe bëri emër Bardhok Gjikola, si një nga figurat më të njohura të historisë së ndërtimeve në vend, duke u radhitur përkrah emrave më të shquar të kësaj fushe, si: Josif  Pashko, Rrahman Hanku, Emin Mysliu, Shkëlqim Bumçi, Nuzet Xheneti, Pirro Kona, Mustafa Kërçuku, etj. Ai përfaqëson njeriun e drejtë, aktiv dhe autoritar në Mirditë, i cili edhe pas daljes në pension nuk e ndërpreu për asnjë çast veprimtarinë dhe kontributin e tij human për shoqërinë.  Ndaj, shumë shpejt, Bardhoku u bë i njohur edhe si mediator i Qendrës së Ndërmjetësimit të Pajtimeve në nënprefekturën e Mirditës, thotë kordinatori i saj, juristi Anton Lleshi, sepse fjala e tij kishte peshë, ndëgjohej me vëmendje e zinte vend dhe njerëzit besonin në ndershmërinë dhe paanësinë e tij.  

Kulla e Gurtë – sreha e parë për ndërtuesit e Minierës Kurbnesh

Ishte viti 1959, kur Bardhok Gjikola vjen në vendlindjen e tij, në Kurbnesh, tashmë në cilësinë e  drejtuesit të njërit nga Kantjeret e para të Ndërtimeve në Mirditë, atij të Kurbneshit. Ky kantjer, që shënon dhe fillimet e historisë së Ndërmarrjes së Ndërtimit në rrethin e Mirditës, aso kohe do të ndërtonte disa objekte, si: Fabrikën e Pasurimit të Bakrit, Minierën e re, urën mbi Lumin Urakë, si dhe qytetin e ri të minatorëve - Kurbneshin. Kështu, Kurbneshi një zonë e panjohur më parë, u kthye në një kantjer të madh ndërtimesh, ku lëviznin shumë mjete dhe punëtorë, duke i dhënë jetë e gjallëri gjithë krahinës së Selitës. Në kushtet, kur çdo gjë do të niste nga e para, kuptohet që edhe vështirësitë e Kantjerit ishin të mëdha. Ndaj bashkëpunimi i ndërtuesve me banorët e Zonës ishte zgjidhja më e mirë dhe më e shpejtë për krijimin e kushteve të akomodimit në Kantjer, ku mungonte gjithshka dhe në radhë të parë mungonte strehimi i ndërtuesve. Përballë kësaj situate, ishte përsëri Kulla e Gurtë e Gjikolajve, ajo, që me bujarinë e saj karakteristike e tradicionale, hapi dyert e mikpritjes për strehimin e ndërtuesëve dhe të minatorëve të rinj. Dikur në këtë kullë mblidheshin e kuvendonin burrat e shquar të krahinës, për t’u dalë zot trojeve amtare, ndërsa në vitet ’60, ajo u bë streha më e dashur dhe më bujare për ndërtuesit. Është e pabesueshme, që fillimisht në këtë kullë ndërtuesit gjetën edhe shërbime falas, duke u pritur si miq shtëpie dhe jo si punonjës të përditshëm të Kantjerit. Ndaj, Kulla e Gjikolajve kujtohet si streha e parë e minatorëve dhe e ndërtuesve të rinj, ku u ulën e diskutuan së bashku, me projekte në dorë, inxhinjerë e drejtues. Atëherë, Bardhok Gjikola, i emëruar drejtor Kantjeri, ishte vetëm 22 vjeç, i cili me përvojën e fituar në ndërtimin e Hidrocentraleve të Selitës e të Shkopetit, diti t’i kapërcejë me sukses të gjitha vështirësitë dhe të realizojë në kohë dorëzimin e objekteve. Kjo ishte dhe prova e parë, por dhe më e vështira për Bardhokun si drejtues, që megjithëse në moshë të re, afirmoi vlerat e punës së tij organizuese e drejtuese. Ai e drejtoi Ndërmarrjen e Ndërtimit Rrëshen për 24 vjet me rradhë, duke rritur vazhdimisht prestigjin dhe autoritetin e saj e të vetvehtes si drejtues. Ndaj, mbi bazën e rezultateve të arritura, ndërmarrjes së ndërtimeve në Mirditë iu besuan edhe disa objekte ndërtimi jashtë rrethit, si: Hekurudha Hotolisht-Pogradec, Uzina e Ferrokromit në Burrel, disa objekte të rëndësishme në Hidrocentralet e Vau-Dejës e të Fierzës, si dhe vepra të tjera voluminoze në rrethin e Kukësit, etj.

Në Festën e Shelbumit

Selita ka në traditën e saj një festë të veçantë, ku mblidhen e festojnë së bashku me gjithë far e fisin në muajin e fundit të pranverës. Festa e Shelbumit quhet ajo, e cila organizohet kryesisht për të respektuar miqtë, që e frekuentojnë rregullisht këtë ditë të shënuar e të përvitshme, që shënon datën 9 Maj. Midis miqëve të festës së vitit të kaluar (2013), në shtëpinë e minatorit veteran Ndue Dod Gjikola, një vend të nderuar zë edhe kushëriri i tij Bardhok Gjikola, të cilin gjithë fisi e respektojnë si figurën më përfaqësuese të tyre. Në këtë festë vjen si një surprizë për Bardhokun edhe një këngë enkas për të, e kompozuar nga Servet Cara, me tekst të poetit Viktor Gjikola e kënduar nga këngëtarja e njohur mirditore Prena Beci. Ajo u këndue në mjediset e Kullës së Gjikolajve, duke ndezur atmosferën festive të kësaj dite. Kënaqësi dhe emocione tek pjesëmarrësit, që zërin melodioz të këngëtares Beci e shoqëruan me duartrokitje të gjata e ritmike. Kjo këngë, erdhi si një tjetër vlerësim për Bardhok Gjikolën me rastin e 75 vjetorit të ditëlindjes së tij, i cili sot mban katër dekorata për punën, si dhe titullin: “Qytetar Nderi” i Bashkisë Rrëshen. Për të është shkruar dhe një libër nga miku i tij Nikoll Brozi, me titull: “Bardhok Gjikola, nga Kulla drejt Kantjereve”. Dhe në tërë këto vlerësime, Bardhoku çmon veçanërisht kontributin e bashkëshortes së tij Angjelina, si dhe të fëmijëve: Gjovalini, Luani, Violeta, Dhurata e Moza, që e kanë ndihmuar e mbështetur atë vazhdimisht në punën e tij. Por, këto vlerësime për Bardhokun, janë një kënaqësi e veçantë edhe  për Nënë Marën 104 vjeçare, që arritjet e të birit e gëzojnë pamasë dhe ia shtojnë jetën asaj. Atë e lumturon edhe trashëgimia e mrekullueshme e breznive të saj, me plot nipa e mbesa, njëri më i mirë se tjetri. Ndaj me kthjelltësinë e kujtesës së saj, ajo shprehet shkurt: “Hallall bir! Jam e lumtur me ju. Ju paça Nana me jetë të gjithëve!”. Dhe tek dëgjon këto fjalë entusiazte nga goja e nënës së tij, që ka kapërcyer shekullin, Bardhoku 75 vjeçar ndjehet edhe më i ri e më energjik, ashtu si shumë vite më parë. 



(Vota: 105 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora