Faleminderit
Meri Lalaj: Duartrokitja e fundit, amaneti i fundit, foto e fundit
E diele, 06.10.2013, 01:59 PM
Duartrokitja e fundit, amaneti i fundit, foto e fundit
Nga Meri Lalaj
Teksa mora vesh
lajmin e hidhur se Drita Pelinku u nda nga jeta, dola në ballkon dhe për çudi
flamuri ynë i kuq kombëtar, që e kam në dritare ishte përkulur në gjysmështize.
Artistja e madhërishme Drita Pelinku u largua përgjithnjë pasi bëri edhe një
rrotullim të fundit përqark Teatrit Kombëtar. Ajo u largua në një ditë të bukur
vjeshte plot diell midis turmës së njerëzve, që po e përcillnin duke e
duartrokitur. Një jetë e tërë mbi 60 vjet vetëm duartrokitje nga publiku i saj
i dashur, që nga dita e parë e daljes në skenë deri në ditën e fundit të jetës.
Ndër bisedat e fundit me Dritën, më la një amanet, një porosi, një dëshirë: që
disqet me filmat e saj, intervistat televizive, kronikat, librat e shkruar për
të, nderimet nga shteti shqiptar të gjitha këto të dorëzohen në Arkivin Qendror
të Shtetit. Kam biseduar me zonjën Nevila Nika, drejtoreshë e këtij Arkivi, e
cila u shpreh e gatshme për t’i vendosur në vendin e duhur. Drita Pelinku është
një vlerë kombëtare për ne shqiptarët. Kemi humbur aq shumë nga vlerat tona
kombëtare kulturore, prandaj duhet të bëjmë kujdes. Gjendja e saj shëndetësore
në javët e fundit u rëndua së tepërmi dhe nuk pati mundësi që të përzgjidhte
materialet me duart e saj. Kështu del për detyrë që amaneti i saj të çohet deri
në fund.
Drita iku nga
jeta më 2 tetor 2013, ditë kur Instituti Femnor “Nana Mbretneshë” në të cilin
ajo mësoi, kishte 80-vjetorin e saj dhe askush nuk e përmendi këtë ngjarje.
______
Drita Kripa (Pelinku)
Nga Meri Lalaj
Pasi mbaroi
shkollën fillore në Vlorë, Drita erdhi në Tiranë, më parë kishte ardhur motra e
saj dhe të dyja vijuan mësimet në Institutin Femnor “Nana Mbretneshë”.
Drita Pelinku,
aktorja jonë e mrekullueshme edhe sot e kësaj dite reciton vargjet e Vinçenc
Prenushit apo të Dantes nga “Komedia Hyjnore”, vargje të cilët i mban
përmendësh që nga koha kur ishte nxënëse e Institutit “Nana Mbretneshë”, madje
që aty u përvijua edhe e ardhmja e saj si artiste. Në kohën që Drita ishte
nxënëse, vajzë e vogël kujton pushtimin fashist: “Ne fëmijët po rrinim tek shkallët
e shtëpisë së xhaxhait (xhaxhai ishte kujdestari i saj dhe e merrte nga
konvikti të shtunave e të dielave) dhe atë të shtunë të 8 prillit, të habitura
shikonim ushtarët italianë me pendë majë kapeleve të tyre, kur befas pamë se
nga sytë e xhaxhait rridhnin lotët. Isha fort e vogël dhe e kuptoja se po
ndodhte diçka e madhe, diçka e pa
kuptuar se çfarë kishte ngjarë me Atdheun tim. Kur vajta në shkollë të
hënën veshur me përparësen e zezë dhe jakën e bardhë, vajzat më të rritura
erdhën e më thanë: “Hiqe jakën e bardhë se jemi në zi. Nuk kuptoja, por hoqa
jakën e bardhë. ” Pas vrasjes së Qemal Stafës, Drita mësoi përmendësh poezinë
kushtuar heroit dhe ua recitoi shokëve duke shprehur gjithë dhimbjen që mbante
në shpirt brezi i saj në çast njëri prej tyre u shpreh: “Ti, Drita do bëhesh
artiste!” (Drita i kujton ende krejt vargjet e poezisë së dikurshme.) Drita
mori pjesë në rezistencën antifashiste, ajo u binte rreth e rrotull rrugëve të
Tiranës duke shpërndarë trakte mu nën hundën e pushtuesve.
Menjëherë pas
çlirimit të vendit ajo konkuroi për aktrim. Në janar të vitit 1945 filloi
mësimet në të parën shkollë të artit dramatik si e vetmja vajzë midis djemve.
Në vitin 1946 ishte aktore profesioniste e Teatrit Popullor. Drita Kripa tashmë
bëhet Drita Pelinku, u martua me këngëtarin e operas Hysen Pelinku, të cilin do
ta ketë pranë në çdo hap të jetës. Në ditarin e saj Drita shkruan: “Muajin e
mjaltit e kaluam në Pragë, ku do të organizohej Festivali i Parë i Rinisë
Botërore. Aty merrte pjesë Ansambli i Këngëve dhe Valleve me solist Hysen
Pelinkun.”
Drita kreu një
kurs dyvjeçar nën udhëheqjen e Vladimir Kriçkos, regjisorit të talentuar rus
duke marrë leksione në mjeshtëri aktori, letërsi botërore e psikologji. Por
shkolla më e madhe për të ishte dhe është se nuk e lëshoi kurrë librin nga
dora, gjithnjë duke punuar me fjalën e bukur shqipe. Më shumë se 60 vite në
skenë me rreth 150 role në teatër dhe mbi 15 role në kinematografi. Drita
Pelinku ka luajtur kryerole të dramaturgjisë botërore.
Drita është
shquar me një veprimtari të gjerë edhe në fushën e pedagogjisë. Ata breza
studentësh të përgatitur nga pedagoge Drita Pelinku janë sot personalitete në
fushën e teatrit dhe kinematografisë, ata kanë pasur nderin dhe fatin e madh të
punojnë dhe të mësojnë nga mjeshtëria, pasioni dhe talenti i Dritës. Ajo punoi
35 vite si pedagoge.
Gjithashtu Drita
ka punuar në fushën e regjisurës jo vetëm me pjesët me studentët por duke vënë
në skenë pjesë të suksesshme, si në skenën e Teatrit Kombëtar ashtu edhe në
Teatrin “Petro Marko” të Vlorës dhe në Teatrin e Kombësive në Shkup.
Një fushë tjetër
në të cilën Drita ka dhënë ndihmesën e saj janë edhe shkrimet kritike plot
vlera për shfaqjet dhe interpretimet e kolegëve të saj.
Drita Pelinku
është një artiste e mirënjohur jo vetëm në çdo skaj të Shqipërisë, por edhe
kudo ku jetojnë shqiptarë, të cilët e thërresin me emrat e personazheve.
Artistja e madhe
është nderuar me shumë diploma, çmime, dekorata e të tjera. Në vitin 1986 i
është akorduar titulli “Artiste e Merituar”, po në këtë vit i jepet çmimi
kombëtar “Ismail Qemali”. Në vitin 1997 nga Bordi Drejtues i Institutit
Amerikan të Biografive për arritjet në karrierë dhe kontributin për artin është
zgjedhur ndër 500 personalitetet më me ndikim të botës. Në vitin 2000 është
vlerësuar nga Presidenti i Republikës me titullin “Mjeshtre e Madhe e Punës”
dhe është shpallur “Personalitet i shquar i qarkut të Tiranës”.Në vitin 2006
Teatri Kombëtar e ka nderuar “Fisnikëria e skenës së Teatrit Kombëtar”. Në 80
vjetorin e lindjes së Dritës në oborrin e Teatrit Kombëtar, siç është bërë
zakon për aktorët, është mbjellë një pemë me emrin e saj. Drita u shpall
“Qytetare Nderi” e qytetit të Vlorës dhe në vitin 2012 Presidenti i Republikës,
Zoti Bamir Topi e nderoi me titullin e lartë “Nderi i Kombit”.
Artisti i
Popullit dhe Nderi i Kombit, Kadri Roshi, ka shkruar për Dritën: “Kam një
detyrim të madh shoqëror për të cilin kisha menduar t’i bëja edhe një letër
presidentit. Do të veçoja marrëdhëniet artistike me aktoren që mendoj se rrallë
do t’i vijë skenës shqiptare dhe që asnjëherë nuk është vlerësuar, aktoren për
të cilën e kam të vështirë të gjej ku ka lozur e nuk ka pasur sukses, aktoren
që kur bisedon me të nga ana profesionale dhe më i miri aktor do ta kishte
zili. Dhe kjo është aktorja e madhe Drita Pelinku. Por që është dëgjuar pak.
Nuk po flas as për vajzën time, as për djalin tim. Por jam i bindur se flas për
artisten e madhe Drita Pelinku. Ajo është artiste e popullit.”
Aktori Timo
Flloko ka thënë për Dritën: “Është një nga ato aktoret që ka mbajtur një peshë
të madhe artistike në Teatrin Kombëtar. Një aktore me potencë të thellë dhe me
një profil të spikatur të individualitetit të saj. Unë do t’i thosha se ajo
është ende e re, ka fuqi krijuese dhe kjo është ajo që befason. Me sa duket
arti të mban gjithmonë të ri!”
Drita Pelinku në vitet e fundit luajti me mjeshtëri në monodramën “Rouz” duke bërë që publiku të mbante frymën, ajo interpretoi në dramën e Artur Milerit “Shtrigat e Salemit” dhe është duke përgatitur një rol të ri në një dramë të Mihal Luarasit.