E shtune, 05.10.2024, 02:28 PM (GMT+1)

Kulturë

Ramiz Lushaj: Qytetërimi i bjeshkëve të mia

E diele, 15.09.2013, 10:02 AM


QYTETËRIMI I BJESHKËVE TË MIA

Me Mustafajt e Kolgecajve, (në bjeshkë e në vrri)

Esé nga RAMIZ LUSHAJ

“Shtëpi bjeshke” në Mullafc të Malësisë së Gjakovës (Tropojë) të lartueme me gurë e të mblueme me dërrasa, fjalaflasin për një qytetërim të vendlindjes time, edhe në lartësi mbi 2.000 metra mbi nivelin e detit, me një modernitet që mund t’ua kenë zili edhe qindra “shtëpi plazhi” në bregdetin shqiptar dhe “kulla të fushës” në gjithato zona të vendit.

Teksa fjalnoj për këto “shtëpi verimi alpin” më keqkujtohet një thënie e turbullt e Edi Ramës, kryeministri i ri i vendit, që malësorët e Alpeve të historisë kombëtare e të mrekullive natyrore universale, i cilësonte “shpellarë”…

Vet emri i kësaj bjeshke Mullafc më dëshmon se në këtë vendverim kanë ndejtë njerëz të ditur që ia dhanë asaj emrin real, sepse “mulla” ishte titull që iu jepej atyne hoxhëve (e mësuesve) që e kryenin arsiminin e lartë të kohës. Dikur, herët, thirrej “vendi i mullafcëve”…

Këto “shtëpi bjeshke” (stane) janë të lagjes Mustafaj të Kolgecajt të Tropojës, në tokën e të cilëve prej nga viti 1952 u ngrit “Qyteti i Alpeve”. Ende këtë qytet të ri me emrin e Bajram Currit e hijeshojnë kullat disakatëshe të Mustafajve, që xhelozia e tepëruar e zyrtarëve të lartë të kohës i ka rrethue të gjitha me pallate e disa sysh i ka rrafshue nga themelet, sepse ato shprehin madhështi e rrezatojnë kulturë.

Në këtë tokë të rrallë të Mustafajve të fisit të Krasniqes, në këto kulla krenare e bujare të burrave të shquar të kësaj vllaznie vitale, vjen shkrimtari, poeti, diplomati e politikani Besnik Mustafaj, që ka ba emën me disa libra të përkthyem në frengjisht në “kryeqytetin e kulturës botërore” në Paris, që ishte ambasador i Shqipërisë në Francë e në UNESKO, ministër i Jashtëm i Shqipërisë që shkoi në OKB, selinë e NATO-s e në BE për Shqipërinë e për Kosovën, për Çështjen Shqiptare në Ballkan e në diasporat shqiptare në botë.

Mos ta lamë pa e kujtue kësiherit edhe Alush Alinë e Kolgecajve, fistari, atdhetari, mjeku popullor e dijetari që kangë të tij epike historike si ato të Eposit të Kreshnikëve ndodhen në Universitetin Harvard në SHBA në koleksionin dosjor të albanologut e kulturologut, Albert Bejts Llord.

Duhet me thanë sot e nesër t’u rrit’të ndera e të lumtë dora o Qazim Mani i Mustafajve, jurist e studiues që na i kie sjellë libra të tillë si “Nektar”, ku flet edhe për vllazninë tande për një nga trojet nektar të Shqipërisë së Veriut nga rrjedhin Drini e Limi, prej nga brigjet e kaltra deri tek retë e bardha.

Nuk mundemi të bajmë padrejtësi e të mos flasim edhe për mjekun e ri Astrit Mustafaj që nga mjeku i dëgjuar i shkollës shqiptaro-gjermane Artan Gjika e deri tek shkenctari i shquar si Prof. Dr. Elez Selimi e shohin si një personalitet i të ardhmes në mjekësinë shqiptare.

Unë jam rritë me kujtime e mësime nga ma të mrekullueshmet të Selim Faslisë së Mustafajve, gjyshit të Besnik Mustafajt, shkrimtarit të shquar që “ka ba epokën e vet”, babës së bankierit model në pastërtinë e fjalës e të veprimeve, Bajram Selimit. Ai burrë i lartë ishte një madhështi e heshtur, që kishte lidhë një miqësi të përkyer në Dedushaj të Vuthajve të Plavë-Gucisë, duke i sjellë fati i kohës në derë një shoqe jete si “Nanë Laken”. Po fatet nuk iu ndanë prej dere njeriut të mirë Selim Faslia, pasi pati për re (nuse të djalit) një njeri hyjnor, me të atilla mirësi që na rrezaton edhe përtej jetës sa saj natyrale. E kjo ishte “Dada Sabrie”. Përndryshe: nana e Besnik Mustafajt, e Dashit, e Sulës. Ajo, mirësisht, gjithë shokët e djemve i shihte si djemtë e saj. E, ky burrë i zoti përballë kohnave, ky Selim Faslia i Mustafajve të Kolgecajve, ishte xhandarr në nënprefekturën e Malësisë së Gjakovës, që e drejtonin burra të shquar të Gashit e të Shqipërisë së Veriut, po edhe të ardhun nga Gjirokastra, si nënprefekti Selaudin Çabej, vllai i shkenctarit Eqrem Çabej. Ndoshta duhet cek edhe kjo: zyrtar i kësaj nënprefekture të Tropojës ka qënë edhe baba i shkrimtarit të madh Ismail Kadare, që ndoshta e frymëzoi djalin e vet të merrej në krijimtari edhe me ”motivet e Veriut”. Dikur, babën e kandidatit për Çmimin Nobël, i ka rastis që Selim Faslia me një mik të tij, me ia shpëtue jetën në moshën e tij ma të bukur.

Gjithësesi më duhet të them se kur i nisa fjalët e para nuk e dita që kam me shkrue kaq gjatë, pasi ia nisa si një deciturë për foton me “shtëpi bjeshke” në Mullafc. Po mesa duket paskam pasë nevojë e detyrim shpirtëror me fol sadopak për njerëzit e mirë e të ditun të vllaznisë Mustafaj në Kolgecaj. Nuk mund të jem kaq mëkatar për pa thanë diçka për shokun e babës tim, për Imer Alush Mustafaj, Një ushtarak i zoti, i lindun për të qënë e mbet i tillë. Një burrë i madh nga trupi e veprimtaria që kurrë nuk mujtën me e rrëzue njerëzit e vegjël dhe ai sot është kryeveteran i rrethit, është “Qytetar Nderi” i qytetit alpin. Ai mban mbi supe një histori të shkëlqyer të babës së tij të shquar si atdhetar, humanitar e dijetar, Alush Alia, të cilën e ka pasurue e lartësue edhe vetë, ndaj edhe tani, në moshë të thyer, e hedh hapin me kryelartësi e peshë të jehonshme, aqsa edhe unë ndjehem me dritë mirënjohjeje e malli tue thanë vetes apo ndokujt tjetër në qytetin tim të lindjes: Po kalon shoku i mirë i babës tim, Imer Alushi…”(siç më ngjau edhe në qershor e korrik 2013).

Nga vllaznia e Mustafajve të Kolgecajve përmendet edhe një nga mendjet e mençura të Malësisë së Gjakovës e në vise të Shqipërisë së Veriut: dijetari atdhetar Zmajl Arifi, që i kishte krejni e vlera fjala e puna, kontributi i tij për t’i rritë kohës shqiptare fëmijë me merita. Një prej tyre është edhe Avni Mustafaj, që i kreu studimet e mesme e të larta në Bullgari për zooteknik dhe la gjurmë pune të çmuar në vendlindjen e vet si shef bujqësie e nënkryetar komiteti, si edhe në Tiranë si drejtor i drejtorisë së blegtorisë në Ministrinë e Bujqësisë, etj. Së fundit, veprimtarinë e tij e shtriu edhe në shtete të Europës, po na iku shpejt e do të kujtohet përgjithmonë për mirë, për virtytet e jetës së tij, për visaret e punëve të tij.

Në Kolgecaj ende mirërrinë në kambë një kullë malësore e Halil Hamzës e Avdyl Hamzes të vllaznisë Mustafaj. Në këtë derë ishte një burrë “kullë më vete”, që nuk dinte te përthyehej e përlyhej para askujt e prej asgjëje. E ky ishte Sokol Halili që edhe kur ndonjë zyrtar I lartë donte me ia “hap gropën” ai ngrinte “urat” e dinjitetit dhe i kapërcente ato. Shumëkush prej nesh, asokohe, kur ishim fëmijë ose të rinj, donim me e pa shpesh në rrugët e qytetit alpin se si mund të ishte modeli i njeriut të kryelartësisë qëndrestare. Në këtë derë të fisme kanë dalë burra me emën, me kontribute si dy vllaznit: mësuesi i mirë i fiskulturës, Rexhep Avdyli që edhe kur nuk e kishim qejf ndonjë orë mësimi ishin pasioni e shpirti i tij që na banin të tejkalonim padëshira të tilla, apo i miri Brahim Avdyli, që në mjekësi ishte misionar, ishte humanitar, që mund t’I kërkoje ndihmë pa droje e të ndihmonte i palodhun, i qeshun. Të dy vllaznit, mrekullishit e dinjitarisht, ishin aq njerëzorë, saqë meritojnë ma shumë nga koha që e kanë lanë emnin e tyre të mirë.

Mendja ime nuk duhet me e lanë pa e kujtue edhe Mehmet Ukën, një njeri që në misionin e tij në sherbim të jetës së njerëzve të bante nder të madh duke të shërbyer me humanitet. Duhet me e përmend edhe një burrë të heshtur deri në urti e të pandalun në punë deri në sakrifica, që e njohin për mirë gurët e rrugëve e zemrat e njerëzve: E kam fjalën për Zenel Ukën e Mustafajve. Po duhet me fjalafolë mirë për djemtë e Sherif Zogut, që kanë mbajtë lart vlerat e brezave të vet dhe kanë ndertue një jetë të atillë saqë me biznesin e tyne marrin mirënjohje edhe nga qytetarët e turistat. Po due me i kujtue në këto rradhë edhe dyert e mira të vllaznisë Mustafaj, që nuk mujta me u ndalë veças në fjalathaniet e mia, si të derës së Bajram Qerimit (tre djemtë e tij: Rrustemi, Rexhepi, Mala), të Zenun Halilit, Mala Zogut, e të tjerë.

Me shumë nga brezi i sotëm i rritun i vllaznisë Mustafaj kam qënë në vite të ndryshme të shkollës në qytetin tonë të lindjes e në Tiranë. Po me Mustafajt kena krijue edhe lidhje të mira miqësore, pasi motra ime, Lumja, është martue më Shpëtim Mustafajn, që e humbi jetën në vitet e kryqëzatës së përgjakshme ndaj Tropojës. Shpëtimi ishte njeri i mirë i shoqërisë e i punës , i cili artnonte si galantier e tapicier dhe disa vite ka punue bashkë me mikun e tij, Azem Hajdarin, Hero i Demokracisë. Tani familja e tij, me djalin Rinori e çikën Lindita, ndodhen në Mbretërinë e Bashkuar, ku atje punojnë e jetojnë edhe djemë të tjerë të mrekullueshëm të vllaznisë Mustafaj, njërin prej të cilëve e takova para disa muajsh në fugonin e linjës Tropojë-Tiranë.

Më kanë folë edhe për të tjerë të vllaznisë Mustafaj të Kolgecajve që kanë ikë herët nga lagjja e tyre nga ma të veçantat në trojet shqiptare e më thonë se merren me biznese në Tiranë e në Amerikë, po nuk kam ndonjë njohje të afërt me ta, nuk më ka rastis të takohemi bashkë. Veçse iu duhet urue me fjalë shpirti: Paçi jetë të mirë, ju ectë puna mirë, mbajeni si deri më tani lart emnin e vllaznisë tuaj, të vendit tuaj të origjinës.

Në mbyllje më duhet me thane se në koftë se kam harrue ndokand iu kërkoj falje pasi me thanë të vërtetën e kam ba këtë shkrim në pak orë e pa e kthye kryet mbrapa, ashtu si më kanë ardhë fjalët prej zemres, për të gjithë ata që m’u kujtuan në këtë ditë të 13 shtatorit 2013. Këto harresat janë gjana që ndodhin: para disa vitesh më kërkuan emnat e autorëve tropojas për përmendje në një botim atologjik dhe botuesi më dijenoi se e kisha harrue emnin tim.

Kur ne brezi që jemi lind e rritë në qytetin tonë alpin me emnin e Heroit të Popullit, Bajram Curri, nga cilado anë që të vijmë në këtë qytet të rrallë, patjetër kena me kalue përskej kullave të vllaznisë Mustafaj të Kolgecajve (e të Gjongecajve) e ka me na ndodhë gjithmonë kështu: Edhe në kofshim kryeultë nga lodhja e rrugës, nga malli e mallëngjimet apo nga vitet, kena me e çue kryet lart përballë kullave e njerëzve të tyre në breza, me histori të hershme e të re dhe me virtytete, vlera e visare, pasi na japin krenari në udhën tone dhe iu shprehim mirënjohje në përjetësi.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora