Mendime
Skënder Buçpapaj: Garë për deshqipëzimin e shqipes
E shtune, 24.08.2013, 03:37 PM
TIRANA
DHE PRISHTINA NË GARË PËR DESHQIPËZIMIN
NGA
SKËNDER BUÇPAPAJ
Jeni duke
folur e punuar shqipen për ta deshqipëzuar, kombin për ta shkombësuar,
shqiptarët për t'i deshqiptarizuar. Nëse do të kishim parasysh realitetin e
sotëm të politikës ndaj gjuhës shqipe në Tiranë e në Prishtinë, kjo do të ishte
anasjella e vargjeve që dikur Lasgush Poradeci, plot lavdërime të merituara, ia
kushtonte Asdrenit: "Pate shkruar e punuar/ Kombin për t´a kombësuar,/
Shqipen për t´a shqipëzuar".
Në
Prishtinë, me dijetarë të shqipes së lëvruar, kryesisht nga dy kryeqytetet tona
po mbahet Seminari i Gjuhës dhe Kulturës Shqiptare, një nga veprimtaritë më me
traditë dhe më me vlerë të kësaj natyre ndër ne shqiptarët. Pa i paragjykuar
tematikat e punimeve të seminarit, e shoh të udhës dhe të kohës t'ua kujtoj
atyre disa nga prirjet e mbrapshta të përdorimit të shqipes në mediat tona të
shkruara e të folura nga prezantuesit, nga folësit, nga gazetarët si dhe nga
qeveritarët e zyrtarët e tjerë shqiptarë, kryesisht në Tiranë e në Prishtinë.
Këto
prirje, mendoj unë, vijnë si veprime të qëllimshme, aq sa si shkujdesje, të
dyja dukuri të pafalshme, sa dhe të dënueshme e të palejueshme.
Vërej se
në mediat e Tiranës dhe në foltoret e tjera zyrtare po merr përmasa të
pandalshme të qëllimshme prirja për toskërizimin e shqipes letrare (standarde),
duke e kthyer atë në fazat e pakultivuara të këtij dialekti, ku çdo nëndialekt
dhe çdo e folme e kujtdofolësi me prejardhje nga ato zona merret si letrarishte
(standarde) e mirëqenë. Kjo e çon dëm mundimin të paktën 105 vjeçar, që nga
Kongresi i Manastirit, për njëjtësimin e shqipes, duke e thelluar hendekun,
duke i larguar dy dialektet kryesore. Unë nuk jam as për revansh as për
kundër-revansh mes tyre, jam për rrjedha të natyrshme afruese, për thellim dhe
pasurim të natyrës së shqipes letrare dhe për ruajtje, gjallërim e përfshirje
gjithnjë e më të madhe të të gjitha dialakteve kryesore dhe të gjitha burimeve
të tjera të sotme e historike gjuhësore në punët e shqipes letrare.
Gjithnjë
në mediat e Tiranës, e shoh - tashmë - si një shkujdesje të tepëruar, përherë e
më shëmtuese prirjen për të mos i përshtatur emrat me përcaktorët e tyre
(mbiemra, përemra, numërorë rreshtorë e tjerë) në numra (njëjës e shumës), por
edhe në gjini (mashkullore dhe femërore). Kjo prirje është gjithnjë e më
stihike sidomos në përdorimin e emrave dygjinorë (ambigjenë), aq të shumtë në
shqipe - ku shumë emra mashkullorë, kur kalojnë në shumë marrin gjininë
femërore, kështu që mbiemrat e tyre, përemrat, rreshtorët e tjerë, që marrin
është e domosdoshme të jenë në femërore. Kjo karakteristikë e shqipes, ndër më
të qenësishmet, nuk respektohet. Do të isha i gatshëm ta pranoja këtë
shkujdesje si një prirje për zhdukjen e dygjinishmërisë në shqipe, por unë e vërej
se folësit e shqipes në mediat e Tiranës, pa çarë kokën, emrave mashkullorë iu
vënë përcaktorë femërore, ndërsa atyre femërorë iu vënë përcaktorët
mashkullorë.
Duke u
zhvendosur tek mediat e Prishtinës vë re prirjen e përdorimit të tepëruar të
tingullit 'll' deri në atë masë, ndoshta, sa të rrezikojë kundërvënien ndaj
'l'. Sidomos kjo të vret veshin (dhe sytë) kur dëgjon (lexon) përdorimin e
emrave të përveçëm të huaj me përkatësi nga gjuhë që nuk e kanë fare tingullin
'l', siç janë gjuhët gjermanike (gjermanishte, suedishte, norvegjishte,
danishte e tjerë), neolatine (italisht, frëngjisht, spanjisht, e tjerë). Këtë
prirje e vë re, mjerisht, edhe tek përdorues intelektualë, pra çka do të
parakuptonte të kishin vetëdijë të lartë gjuhësore.
Në këto
media tërheq vëmendjen përdorimi i gabuar i foljeve - si përdorimi i kohëve të
përbëra të së shkuarës në vend të kohëve të thjeshta (e kryer e thjeshtë, e
pakryer), ku e kryera e thjeshtë sidomos nuk përdoret pothuajse fare; përdorimi
i gabuar i vetës së tretë njëjës të kohës së ardhshme, si dhe i vetës së tretë
njëjës të së tashmes së lidhores; përdorimi i pësores në vend të veprores.
Gjithashtu
në këto media vihet re përdorimi i gabuar i emrave - përdorimi i kundrinorëve
me parafjalë në vend të kundrinorëve të drejtë.
Në mediat
e të dyja kryeqyteteve vihet re vërshimi i pafund, krejtësisht i pakontrolluar,
i fjalëve të huaja kryesisht të panevojshme dhe mungesa e çdo dëshire, çdo
vullneti, çdo kujdesi nga ana e folësve për t'i zëvendësuar ato me fjalë të
brumit shqip.
Më
alarmantja, më fatalja, mendoj unë, është prirja për të futur në shqipe
shprehje gjuhësore të huaja, në formën e kalkeve sintaksore, duke përdorur
struktura, fjali dhe fraza (periudha) të tëra me fjalë shqipe, por me sintaksa
të huaja. Në mediat e Tiranës këto kalke vijnë nga ndikimi i greqishtes,
italishtes, anglishtes e më pak frëngjishtes. Ndërsa në Prishtinë këto kalke
vijnë nga ndikimi i gjuhëve sllave dhe më pak nga ndikimi i gjermanishtes dhe i
ndonjë gjuhë neolatine.
Është e
habitshme që Tirana dhe Prishtina nuk janë marrë vesh ende deri sot për
njëjtësimin e termave teknikë të përdorimit të specializuar në fusha të tilla
të ndjeshme si ato politike, ekonomike, kulturore e tjerë, ku për të njëjtat
institucione ose dukuri përdoren terma krejt të ndryshme, ndonëse Republika e
Shqipërisë dhe Republika e Kosovës janë të dyja shtete shqiptare.
Gjithashtu
më shqetëson fakti se Tirana dhe Prishtina nuk merren ende vesh për njëjtësimin
e qëndrimit ndaj përdorimit të emrave të përveçëm të huaj në alfabet latin ose
të burimeve të tilla në mediat tona të shkruara.
Për sa më
sipër, unë mund të sillja këtu shembuj të panumërt ilustrues, por këtë nuk e
bëj, sepse e ndjej se kjo, pavarësisht shkallës së lartë të formimit tim
filologjik, nuk është detyra ime. Kjo është detyra e gjuhëtarëve, është detyra
e mësimdhënësve, është detyra e Akademive, Universiteteve, e katedrave të
gjuhës shqipe, e institucioneve shkencore që paguhen për mbarëvajtjen e gjuhës
shqipe.
Një ndër
detyrat kryesore dhe të shenjta të gjuhëtarëve dhe gjuhësisë është pikërisht
dallimi në kohë i prirjeve të një gjuhe, pengimi i prirjeve të dëmshme e të
mbrapshta dhe nxitja e përkrahja e prirjeve të dobishme e pozitive. Për ta
kryer këtë detyrë gjuhësia dhe gjuhëtarët lipset të kenë vetëdijën gjuhësore
qytetare më të lartë të shoqërisë përkatëse.
Në Tiranë
dhe në Prishtinë është koha që ta kuptojnë se nuk ka shtet në botë pa politikë
gjuhësore, sikurse nuk ka shtet në botë pa politikë kulturore. Nuk ka shtet në
botë që, në qendër të politikës së tij kulturore, nuk e vë politikën gjuhësore.
Gjuha amtare është thelbi i identitetit kulturor të një kombi. Rrudhja e gjuhës
amtare është rrudhje e identitetit kulturor të një kombi. Në botë ekzistojnë
ose rrudhje kulturore, ose ekspansionet kulturore, rrugë të mesme nuk ka.
Dikur në
Tiranë, pranë qeverisë, ka ekzistuar Shërbimi i Këshillimeve Gjuhësore. Ai
nxirrte, ndër të tjera, revistën Gjuha Jonë, që merrej me anë të ndryshme të
përdorimit të përditshëm dhe të kultivuar të shqipes, me pastrimin dhe
pasurimin e saj. Të njëjtën gjë bënte në Prishtinë revista Gjuha Shqipe, si dhe
rubrika të ndryshme në botimet periodike, në botimet e tjera, në radion dhe
televizionin e Prishtinës. Një shërbim i tillë i rikthyer do të ishte një ndër
masat urgjente për të marrë në dorë gjendjen e dobësuar dhe të çoroditur të
shqipes.
Natyrisht,
përgjegjshmëria ndaj gjuhës amtare do të parakuptonte një strategji të
përbashkët shtetërore në Tiranë dhe në Prishtinë, e cila të pasqyrohej në një
politikë të përbashkët shtetërore, në një politikë kombëtare gjuhësore, e
ndërtuar kjo mbi bazën e ligjësive të gjuhës shqipe dhe e zbatuar në programet
parashkollore, shkollore e universitare, në administratat, në mediat e sa më
gjerë, në krejt shtrirjen.
Gjuha
letrare është hapësira ku takohen, bashkëveprojnë, ndërveprojnë, ndikojnë
dialektet dhe të folmet. Detyra e saj kryesore dhe e shenjtë është vënia e
folësve të saj, e lëvruesve të saj në marrëdhënie sa më optimale mes tyre,
vënia e dialekteve dhe të folmeve përbërëse në marrëdhënie sa më optimale mes
tyre, vënia e breznive trashëguese të kësaj gjuhe në marrëdhënie sa më optimale
mes tyre, vënia e marrëdhënieve sa më optimale mes saj dhe gjuhëve të tjera, sa
më shumë gjuhëve të tjera, sa më shumë kulturave të tjera, pra mbi baza sa më
të barabarta sa më të dinjiteshme, sa më të kujdesshme, sa më pak të druajtura,
sa më pak të shkujdesura.
Nuk ka
komb të kulturuar që të mos jetë i interesuar dhe i përkushtuar që gjuha e tij
amtare të flitet dhe të shkruhet me sa më kompetencë nga të gjithë anëtarët e
tij, brenda hapësirës së tij kombëtare dhe kudo tjetër që kjo gjuhë është
mbartur, është trashëguar, është përcjellë. Nuk ka komb të kulturuar që do t'ia
lejonte vetes të ketë pasardhë të cilët nuk e përdorin dot apo nuk e përdorin
me kompetencë gjuhën amtare, shprehja më e konsoliduar e së cilës është gjuha
letare (pra, standarde). Dhe nuk ka komb të kulturuar që të mos interesohej të
përkushtohej që gjuha e tij amtare të pëlqehet dhe të përvetësohet nga sa më
shumë folës të huaj.
Dhe nuk ka shtet të përgjegjshëm që të mos jetë i interesuar e i përkushtuar, me vetëdijë e përgjegjshmëri sa më të lartë, t'iu përgjigjet interesave dhe përkushtimeve kulturore të kombit të tij.