E hene, 29.04.2024, 08:38 PM (GMT+1)

Mendime

Imer Mushkolaj: Ëndrra islamike

E premte, 23.08.2013, 09:21 PM


ËNDRRA ISLAMIKE

Nga Imer Mushkolaj

Beteja për Bashkësinë Islame të Kosovës është më shumë se betejë për një institucion. Është betejë për ndërprerjen e ëndrrës së radikalëve për Kosovën islamike. Është betejë për të ardhmen.

Bashkësia Islame e Kosovës duket se po rrëshqet drejt kapjes përfundimtare nga rryma të islamit radikal, gjë që duhet t’i shqetësojë të gjithë myslimanët kosovarë, por edhe shoqërinë në përgjithësi.

Zhvillimet e fundit në BIK tregojnë më së miri se këta tipa, të mbledhur në organizata të dyshimta që kinse promovojnë paqe, e kanë seriozisht dhe nuk do të zgjedhin rrugë as mjete për të imponuar e realizuar agjendën e tyre.

I tëri një institucion dhe të tjerë që duan ta pushtojnë atë janë çuar kundër një personi - kundër Xhabir Hamitit, të cilin po duan me çdo kusht ta eliminojnë nga gara për kreun e BIK’së, pasi që po e shohin si pengesën e vetme serioze që po i bllokon në qëllimet e tyre.

Fushata kundër Hamitit dhe shkarkimi arbitrar dhe i paligjshëm i tij dëshmojnë se “ushtarët” e islamit radikal, të ideologjive ekstremiste dhe mbështetësit e tyre e kanë përnjëmend.

Duke e kapur BIK’në dhe duke u përpjekur me çdo kusht që t’ia mundësojnë Naim Tërnavës edhe një mandat në krye të saj, ata po duan që nëpërmjet këtij institucioni të shtrijnë ndikimin dhe ideologjinë e tyre tek besimtarët islamë në mbarë vendin.

Por, pse gjithë kjo fushatë e egër dhe me diskurs të dhunshëm kundër Xhabir Hamitit? A është ai i rrezikshëm, sa t’i frikësohen dhe ta luftojnë me çdo kusht?

Jo, Hamiti nuk është i rrezikshëm. Ai vetëm dëshiron që BIK’në ta kthejë në rrugë të drejtë - ta kthejë në shërbim të besimtarëve islamë. Ai vetëm dëshiron një institucion të reformuar, transparent e të përgjegjshëm.

Por, po, ekstremistët i frikësohen Hamitit, sepse ai iu prish plane. Me Hamitin në krye të BIK’së ata nuk do të munden të funksionojnë si tash. Me Hamitin në krye të BIK’së veprimtaria e tyre do të vihet në rrezik. Prandaj ata e shajnë dhe e fyejnë atë. Prandaj ata tërbohen nga përmendja e emrit të tij. Prandaj ata kërcënojnë.

Ata e duan Naim Tërnavën në krye të BIK’së, sepse vetëm ashtu mund të shkojnë tutje në realizimin e ëndrrës së tyre për Kosovën shtet islamik midis Europe. Për Kosovën, qytetarët e të cilës duhet të hanë, pinë e sillen sipas rregullave të tyre. Për Kosovën, qytetarët e të cilës duhet të mendojnë si ata - qytetarët e të cilës duhet të jetojnë sipas të vërtetave të tyre.

* * *

Mënyra se si është udhë hequr deri tash, ka bërë që BIK të kthehet në një institucion të karakterizuar me probleme, institucion që është sjellë në më nyrë arrogante ndaj të gjithë zërave ndryshe dhe që ka ngulfatur lirinë e shprehjes, institucion që nuk ka mundur të ruajë pavarësinë e vet dhe t’u rezistojë ndërhyrjeve nga jashtë, institucion që në vend se t’i luftojë, i ka inkurajuar grupet radikale. BIK sot është një institucion që ka devijuar nga misioni i vet, duke u bërë argat i individëve e grupeve të dyshimta, e jo duke qenë në shërbim të besimtarëve që pretendon se i përfaqëson. Për këtë shkak, zgjedhjet në BIK janë të një rëndësie të veçantë – jo vetëm për faktin se ky institucion duhet t’i përfaqësojë në aspektin fetar shumicën e qytetarëve të Kosovës.

Vendit i duhet një Bashkësi Islame e fortë dhe reprezentative, e jo një e atillë që iu nënshtrohet presioneve të individëve dhe grupeve të ndryshme, të cilët duan ta shfrytëzojnë si trampolinë për t’i arritur qëllimet e tyre perfide.

Zgjedhjet në BIK duhet t’iu interesojnë të gjithëve, sepse nga epilogu i tyre varet nëse ky institucion do të shkojë drejt shkatërrimit, apo do të vihet përfundimisht në shërbim të atyre që duhet t’u shërbejë dhe të luajë rolin që i takon.

Zgjedhjet në BIK janë betejë ndërmjet frymës radikale dhe të moderuar. Është koha e fundit që BIK të çlirohet nga kapja që i është bërë nga grupet radikale dhe të mundet të funksionojë normalisht.

BIK’së i duhet reformë. BIK duhet të krijojë një vizion të qartë karshi besimtarëve që i përfaqëson dhe karshi opinionit në përgjithësi. BIK duhet të jetë transparente dhe e përgjegjshme. Por, po ashtu, BIK duhet të rishqyrtojë emërimet e imamëve që ka bërë nëpër xhamitë e Kosovës, duke mos ia dhënë rastin për të udhëhequr asnjërit që provon të promovojë ide radikale, por veç atyre që kultivojnë islamin tradicional, që i ka karakterizuar me shekuj shqiptarët.

Të gjitha këto duken të pamundura të realizohen, bazuar në zhvillimet e deritashme. Por, beteja për shpëtimin e BIK’së nuk duhet të ndalet.

Askush nuk po kërkon një BIK të ëndrrave, BIK që bën mrekulli. Por, po, të gjithë duhet të kërkojnë dhe të bashkohen në betejën që ëndrra e radikalëve për Kosovën islamike të ndërpritet në mes. Sa më shpejt, aq më mirë për të gjithë.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora