Kulturë
Ilir Muharremi: Lulëzimi i humanizmit
E enjte, 13.06.2013, 09:52 PM
Ekspozitë
personale e skulptorit nga Italia Hevzi Nuhiu
Lulëzimi i humanizmit
Ekspozita e cila përmban njëzetegjashtë skulptura është hapur të mërkurën në hotel Prishtina.
Nga Dr. Ilir Muharremi
Me
skulptorin Hevzi Nuhiu kam një miqësi të mirë. Nuk e njohë që shumë vite, por e
vërteta e prezantuar nuk kërkon shumë kohë për ta njohur. Është njëri i
thjesht, modest, i sinqertë, i guximshëm në artin e tij. Ndoshta miqësia e
shpeshtë me maestron tashmë të ndjerë Ibrahim Kodra, e udhëzonte Nuhiun të
shpalos njohurin e sinqertë të artit, apo ndoshta vërtet ky artist ngjitet në
Sizifin e thellësive artistike individuale. Por, nuk është e rëndësishme kjo,
ngacmimi bie mbi skulpturat e tij që janë moderne, të vogla në dimensione, por
të thella në esencë, të ndryshueshme në kohë, lëvizëse në hapësirë, të cilat në
mes posedojnë hapësira rrethore të qëllimshme duke treguar se jeta ka
zbrazëtira të cunguara, të munguara, por ato njëmend mbushen me plot arsye. Në
njërën anë , ai shpalos një diagram temporitmike të sendërtuar vëmendshëm mbi
horizontin artistik human, apo lulëzon humanizmin mbi të cilin prek figura si
Nëna Terezë e cila na vije jo ashtu si është, por në mënyrën e skulptorit nga
ana realizuese, por nga ajo shpirtërore është mese e saktë.
Situatat
shpirtërore në formë metaforike i shpreh, duke e shkrirë femrën në lis e lisin
në njëri, krejt ky familjaritet botëror krijon skenën dramatike, tragjike, por
edhe satirike mbi suksesin e interpretimit me gjestikulacionin e formave tre
dimensionale të cilat në formë virtuale janë të gjalla. Janë organike, në
raport me personazhin në formë të kujdesshme të gdhendur me ideoemocion , të
lira në hapësirë që japin frymë , emocion e më pas kënaqësi. Të shkundura nga Edeni,
të vijëzuara sikurse Henry Muur ku fjala nuk ka peshë, objekti dhe përshkrimi i
tij kanë peshë që lëshojnë një parfum engjëjsh, ekstalogji dhe shkallën më të
thellë të transit. Punimet nuk korrigjojnë njëra tjetrën, ngaqë këtë gjë e ka
bërë skulptori, ato përpiqen të vallëzojnë rreth vetës sikurse balerinat e
Edgar Degasit ose trupmëdhenjtë e Ogist Rodenit. Ai nuk është as Muuri e as Rodeni, por Nuhiu
i cili me një sy të thellë kërkon thesarin skulptural të vetës që e gjen, apo e
transmeton në formë më të sinqertë poetike, të mistershme dashurore ku zë fill
eteri, fryma, muzgu dhe djersa e epshit. Akordi i tablove nën lojën e dritës
shpreh të bardhën brenda dhe kjo e bardhë puqet mbi trupat e femrave të cilat
qëndrojnë në pozita të ndryshe, e ndoshta të gjitha këto pozita janë fotografi
nga një realitet i skulptorit i cili me syrin fotografik arrin të dekoroj të
madhërishëm dhe të heqë pluhurin nga trupat. Disa janë në këmbë e disa të
gjunjëzuara, duke përqafuar vetën. Kjo njëmend zgjon egoizmin si: “Unë dhe
vetëm unë”. Kënaqësia ideale e vetës nuk ka armik, por fitues absolut. Femrat e
përqafuara me egoizmin, perëndeshat, të pushtuara nga muzat, disa janë në
gjendje ekstaze, meditimi, të gjitha figurat mbushin mendjen e tij kozmike që
popullojnë imazhet më humane dhe reale. Fytyrat edhe pse nuk janë lëvizëse, por
nga muskujt vërejmë shqetësim, epsh me plot jetë e që janë prore të vërteta,
prandaj kanë emocion. Realja, modernia, mistikja shkrihen nën një ombrellë
humane që rri pezull mbi ujërat e përjetësisë. S’ka gjë më qetësuese dhe
paqetësuese se këto skulptura, dua të
pohoj se janë të dhëna pas bukurisë pas ëndrrës ngjyrore, buzëqeshjes,
fëshfërimës fërgëlluese, që hedhin poshtë të gjitha njollat që ngritën dhe
gërvishtin qiellin duke u identifikuar si art. E thjeshta është art, mirëpo tek
Nuhiu kemi një gdhendje lakore që zgjon forma të shkrepura nga koka që
zanafillën e kanë tek uni dhe dhimbja e jetës. Në shikim të parë harrojmë
vetveten dhe botën, për pak çaste magjepsja është e mbushur me trishtim, lojë,
enigmë, realitet të cilat zgjasin përjetshëm. Ai bashkon të kaluarën me të
ardhmen duke mos keqkuptuar hedh konkretizimin e ikonave të cilat veçohen për
nga konceptet dhe realizimet. Kësaj dhuntie natyrore ai i kundërvihet me një
karakter, disiplinë dhe kënaqësi gjithnjë duke prodhuar frenime për të mbajtur
peshoren në baraspeshë. Veprat e tij janë gjestikulime në natyrë që raportojnë
frymën, mirëfillin dhe faktin e zbavitjes. Format e krijuara nga natyra nuk
kanë nevojë të përmirësohen, por vetëm të freskohen nga fryti i vullnetit
artistik, reflektimit, planifikimit për ti ngritur në magjinë fluturake.
Skulpturat nuk i nënshtrohen asnjë lloj shtrëngimi dhe askush nuk është i
detyruar t’i pëlqejë apo të ndjen pakënaqësi, ato i përkasin plotësisht dhe
pandashmërisht të njëjtës gjini të njëjtit shpirt që komunikon me natyrën dhe
përpiqet ta shëroj nga sëmundjet që i kundërvihen.