Kulturë
Hyqmet Hasko: Një penë e hollë zhbiruese
E merkure, 12.06.2013, 07:15 PM
Rreth
aktit letrar të poetit e prozatorit Vullnet Mato dhe posaçërisht rreth librit
të tij me tregime “Herbare njerëzore”
Një penë e hollë zhbiruese, që depërton në skutat më të errëta të pavetëdijes
Nga Hyqmet HASKO
Emri i
shkrimtarit dhe poetit të njohur Vullnet Mato u duk aty nga fillimi i viteve
’70, në kohën kur letërsia shqipe po promovonte me sukses të plotë emrat e
letrarëve më në zë të saj, që do t’i jepnin një drejtim të ri artit të shkrimit
estetik. Kjo letërsi i pati thyer tabutë dhe kufijtë dogmatikë me emrat e saj
më në zë si Ismail Kadare, Driitëro Agolli, Fatos Arapi dhe më vonë Xhevahir
Spahiu e të tjerë.
Vullnet
Mato vinte nga një trevë mbresëlënëse e jugut të vendit, nga Ftera e Sarandës
në gji të detit Jon, dhe për shkak të së ashtuquajturave “njolla në biografi”
do të pësonte “mallkimin” e luftës së sajuar të klasave, megjithatë, ndonëse me
shumë vështirësi, arti i tij shkrimor do të çante përmes perdes së ngrysur gri
të kohës. Vullneti do t’i përcillite lexuesit një poezi të çiltër dhe plot
aromë jete, jashtë korrnizave të kohës, një prozë të ngrohtë, me ritme të
vrullshme jete, një narracion të natyrshëm dhe pa lajle lule të kota, ku frynte
një lirizëm i ngrohtë dhe sugjestiv, pasojë e faktit se autori ishte në thelbin
e tij poet, një poet me diapazpn të veçantë botëvështrimi.
Që nga
libri i parë me poezi "Tinguj malesh", 1969, tek “Krahët e
erës", 1972, romani "Ujësinor", 1976, përmbledhja poetike
"Ninullat e Hekurit", 1984, "Era e kësaj kohe", 1984,
roman, vëllimi me poezi "Dritaret e prillit", 1994, "Katër plagë
të Shqipërisë", 1999, përmbledhje
me poemë, tek Romania “Lakmia” që u nderua me çmim në një konkurs mbarëkombëtar
të ndërmarrjes botuese “Gjon Buzuku” të Kosovës, etj.,
rruga letrare e Vullnet Matos ka vijuar të prodhojë vlera në gjini e
zhanre të ndryshme letrare, çfarë ka bërë që ky autor të gjejë kordinata
afektive me lexuesit që e duan dhe e pëlqejnë letërsinë që ai shkruan, qoftë
poezinë, qoftë prozën e shkurtër apo të gjatë, romanet.
Përmbledhja
më e fundit me tregime (30 tregime) me titull “Herbare njerëzore” është një
pikë kulmore e autorit në gjininë e prozës së shkurtër, ku duket një penë
mjeshtërore, që vization në linjë horizontale dhe vertikale fate njerëzish në
autostrada pasionesh dhe udhëkryqe ndjenjash, trillesh dhe mëdyshjesh, dyzimin,
ankthin, erotizmin e sëmurë, deliriumin e marrëdhënieve të sforcuara njerëzore,
një kompleks virtytesh, vesesh, vuajtjesh, dhimbjesh, harbimesh e shfrimesh, që
iu përgjigjen tablo të plota të jetës njerëzore.
Me një
stil të zhdërvjellët, plot kolorit gjuhësor, me figura të gjalla dhe detaje të
holla, prozatori vizaton portrete protagonistësh, tablo emocionale të
realitetit shumëngjyrësh që bën objekt të shqyrtimit të tij narrativ. Pena e hollë e V.Matos zhbiron në skutat më
të errëta të pavetëdijes, iu jep udhë e drejtim dilemave të karaktereve në
çaste kthesash jetësore, duke evidentuar pasurinë shpirtëore dhe rezistencën e
shpirtërave të lirë, të panështruar nga e keqja, mbi të cilën dalin triumfues.
Psikoanaliza
e fakteve, detajeve, gjendjeve të trajtuara me aq realzëm, por dhe me tone
groteske, kapërcimi i çdo kornize trajtimi bardhë e zi të situatave narrative,
të gjitha këto e cilësi të tjera të procedimit estetik të Matos, i bëjnë tregimet
e tij aq të gjalla dhe komunikuese në vetëdijen e lexuesit të çdo moshe.
Rrëfimi i
vrullshëm, lirik, me penelata të holla humori, ironie dhe alegorike e bëjnë
prozën e shkurtër të Matos të lexohet me një frymë, duke na bashkëshoqëruar
gjatë këtij leximi nënvizimi nëntekstual, midis rreshtave, që autori iu bën
rrethnave dhe fatave ku mpleksen personazhet e tij.
Në
tregimin “Dashuri mizore” jepet diagrama e një hakmarrje femërore, një lloj
kompensimi sindromik, që një femër e keqpërdorur në marrëdhëniet dashurore dhe
erotike, i bën partnerit të saj, si hakmarrje për atë çfarë të tjerët kishin
bërë ndaj saj. Vizatimi me tone të lehta, midis grisë dhe të verdhës e bëjnë
tregimin sugjestiv, zhbirues deri në imëtsira të botës së protagonists, e cila
është një viktimë e dyfishtë e një realitetit të avraguar social, etik dhe
filozofik.
Dritëhijet
vetmisë, midis dashurisë, erotizmit, seksulaitetit dhe tradhëtisë jepen në tregimin me titull
“Kur del Dona në ballkon”, ku drama e marrëdhënieve midis dy bashkëshortëve që
nuk përputhen në kohë dhe në ëndrra, jepet me ngjyra të përzishme dhe një gjuhë
të ftoftë, plot aludime therëse.
Tradjëtia e Donës është një nga ato mijëra histori që dëgjojmë përditë
nëpër kafene, me më pak apo me më shumë dramacitet, por në penën e V.Matos, kjo
histori shndërrohet në apel mistifikues të fatit ku përfundojnë marrëdhëniet e
sforcuara, që nuk kanë në themel dashurinë dhe mirëkuptimin por fasadat e
keqpërdorura dhe banalitetin.
E veçanta
e produktit artistik, që prodhon ky shkrimtar në labaratorin e tij kriujes,
është analiza e imët, tekstore e nëntekstore, e drejtpërdrejtë dhe poetike, e
përvojave, mbresave, përjetimev, kujtesave dhe fakteve që përbëjnë autencitetin
e jetës së bashkëkohësve dhe të tij dhe bashkëkohësisë. Dinamik dhe i vrullshëm në procedimin
estetik, ai ka krijuar një profil të tij, të ciin e pasuron çdo ditë me punë
dhe kontribute të reja artistike.
Vullnet
Mato ia ka dalë të krijojë një profil të tij estetik krijues, krejt të
dallueshëm nga të tjerët, nga sivëllezërit e brezit të tij, por dhe të brezave
të tjerë, në letrat mbarëkombëtare shqipe.
Mjetet e
tij shprehëse dhe koncepti stilistiko-strkturor i fokusmit estetik kanë të
bëjnë me identifikimin e këtij kriujesi si një kërkues në shpirtin kolektiv
shqiptar, me anë të kujtesave dhe perceptimeve metaforike e simbolike, që
autori i shndërron në mënyra të përcjelljes së kredos së tij dhe të mesazheve
që kërkon të bëjë objekt reflektimi në vetëdijen e lexuesit.
Të
lodroshë në faqet e librave të këtij autori, në botën e shkrimeve të tij, në
analizat, refleksionet, kritikat letrare, esetë, studimet kulturologjike,
tregimet, romanet, poezitë, në thelb, është një ballafaqim me kohën dhe
hapësirën e shpirtit estetik shqiptar, me ato gjurmë në kohë, me të cilat
vetëidentifikohen krijuesit më të mirë të letrave tona kombëtare. Vullnet Mato
është një shembull i joshjes së jashtëzakonshme, sepse shkrimet e tij e
shoqërojnë lexuesin brenda botës intime, zakoneve, edukatës familjare,
traditave etnike, gjendjes së përjetimit, mendimit, ndjenjave atdhetare e
kombëtare, historisë sonë si produkut i katharsisit moral dhe filozofik
mbarëkombëtar.
Të
rrugëtosh me poezinë, prozën, aktin krijues, të identifikohesh me to, do të
thotë të jeshë i pushtuar nga magjia e fjalës, nga thellësia e figurës dhe
imazhit, nga ndjenjat dhe mendimet më të fuqishme, që mbartin botën e gëzimeve,
hidhërimeve, dashurive, iluzioneve, duke flakur çdo çast të keqen nga vetja dhe
nga të tjerët, në emër të një sistemi vlerash tek të cilat beson dhe të cilat janë
kthyer në një kredo të jetës dhe artit tënd.
Si
eseist, redaktor librash dhe kritik letrar ai ka në fokus të qëndrimit të tij
raportet e vështira të shkrimtarëve shqiptarë të me kohën e tyre, raportet e
artit shkrimor me të kaluarën e afërt të shqiptarëve, që i ndante njerëzt me
parcela ideologjike, me anë të luftës së klasave, që ishte njësia e
identifikimit të vlerave, në vend që të ishte produkti estetik.
Shkrimtari
dhe poeti Vullnet Mato është një nga zërat më të fuqishëm letrarë të brezit të
tij, një emër përfaqësues i letërsisë së re që shkruhet sot në Shqipëri dhe në
mbarë botën shqiptare, një letërsi e çliruar nga paranojat dhe hijet e së
kaluarës së frikshme, që nuk tenton dot më të rikthehet dhe të riformatohet,
përveçse në shkrimet dhe produktet artistike të shkrimtarëve, si një mesazh për
të mos shkelur më në të njëjtat gjurmë, siç ndodh dhe tek Vullnet Mato, që
raportet e njeriut me të kaluarën i ka në fokus të rrëfimeve të tij.
Në
analizë të fundit, Vullnet Mato është një shkrimtar, poet dhe kulturolog me një
pasuri të madhe prurjesh estetike, tiutuj shkrimesh e librash, ese, reportazhe,
polemika, poezi që vazhdojnë ta pasurojnë titujt dhe spektret e këndvështrimit
poetik, shkurt një pasionant i shkrimit artistik, që mëton të sjellë çdo ditë një
fjalë të re, të pathënë më parë, në analet e fjalës së bukur shqipe.
Përmbledhja e tij më e fundit me tregime “Herbare
njerëzore” është një kulm në rrugën afirmative të shkrimtarit, që në fund të
fundit tregon mundësitë e tij krijuese, të cilat kanë ardhur vazhdimisht duke u
pasuruar, duke u bërë më të lëmuara dhe më sugjestive, më cilësore në kuptimin
e teknologjisë estetike dhe mesazheve që përcjellin, duke u bërë me elegancën
dhe sharmnin e fjalës së shkruar, më të pranishme në analet e letrave tona kombëtare.