E shtune, 27.04.2024, 09:02 PM (GMT+1)

Kulturë

Nuhi Veselaj: Identiteti i gjinisë asnjanëse (IX)

E hene, 10.06.2013, 07:59 PM


MENDIMI PËRMBYLLËS PËRGJITHËSUES RRETH IDENTITETIT TË ASNJANËSVE NË SHQIPEN E SOTME

Nga Dr. Nuhi Veselaj

1. Konstatime përgjithësuese

Nëse deri këtu kemi arritur me përpjekjen tonë që sadopak ta paraqesim çështjen rreth vetëvetësisë a identitetit të asnjanësve në shqipen e sotme, atëherë na mbetet që në fund ta japim mendimin përgjithësues përmbyllës rreth kësaj teme.

Nga analiza doli se për nga forma dhe koncepti që mbulonin dhe mbulojnë në kuadër të strukturës emërformuese të shqipes në përgjithësi, asnjanësit, që të katër tipat, dalin të identifikueshëm, si tipi i asnjanësit primitiv (të paparanyjëzuar), dy tipat e paranyjëzuar (prejmbiemërorët dhe prejpjesorët) dhe tipi i asnjanësit ablatival, i togfjalshëzuar me folje dhe i ndajfoljezuar me shprehje prejrrjedhore.

Mirëpo, ndërsa tipi i parë ka pësuar pakësim numri në përdorim, ose rrudhje, madje edhe zhdukje, duke u shkrirë në një shumicë rastesh në trajta të dy gjinive të tjera aktive, sidomos në njëjësin e  mashkullores, dy tipat e tjerë, qoftë prejmbiemërorët, qoftë prejpjesorët, edhe pse kanë prejardhje të ndryshme motivuese, dalin të specifikuar në një nënfushë të veçantë të abstraksionit dhe janë mjaft aktivë e prodhimtarë në ligjërimin e sotëm. Kështu këta dy tipa arritën, jo vetëm të mbijetojnë në luftën e konkurrencës me sinonimet përkatëse, por edhe të shënojnë rritje numerikisht, ngase nënfusha semantike që mbulojnë u mundëson atyre një gjallërim të tillë. Me fjalë të tjera, ndonëse prejmbiemërorët u ballafaquan me emrat me prapashtesat më -i (disa versionesh, sidomos ato me -si, -ri, -shmëri ) që këta si emra abstraktë kryesisht i përkasin po ashtu fushës së abstraksionit, ashtu si edhe prejpjesorët e tjerë, të cilët u ballafaquan me emrat me prapashtesat -im, -je, -esë e ndonjë tjetër, por sidomos me dy të parat, që dalin edhe këta të specifikuar për emërtimin e koncepteve abstrakte, megjithatë ata (asnjanësit e paranyjëzuar të rasës emërore), të dy tipat, mbeten, jo vetëm të pandryshueshëm formalisht sa i përket nyjës së përparme, por për çka është edhe më e rëndësishme, ata mbeten të pacenueshëm edhe nga ana semantike, sepse në konkurrencë e sipër u specifikuan, siç është cekur disa herë, në një fushë të veçantë për mbulimin e një nënfushe sinonimike në kuadër po të fushës së abstraksionit, ashtu ngjashëm si edhe emrat sinonimikë prapashtesorë, me të cilët, si me thënë, i ndanë nënfushat semantike fqinjësisht, trizash, siç e kemi argumentuar mjaft qartë e bindshëm në krerët e mëparshëm të këtij punimi.

Tipi i katërt, edhe pse del si emër asnjanës i formuar (emërzuar) qoftë nga pjesorja, qoftë nga mbiemri ose edhe nga ndonjë kategori tjetër leksiko-gramatikore, ai sa u përket veçorive fjalëndërtuese e kuptimore ndryshon nga dy tipat e paranyjëzuar. E thamë fjalëndërtuese, sepse prejardhja e tij nuk është nga rasa emërore, si e dy tipave të sapocekur, por nga rasa rrjedhore, nga e cila e ka të trashëguar nyjën e përparme arkaike dhe fundoren –i nga njëjësi i pashquar i emrit dhe këto dy tipare të emërzimit i bart në të gjitha funksionet që i kryen si trajtë e ngurëzuar. Së këtejmi kjo formë ndërtuese me funksionet kuptimore që kryen në nënfusha të caktuara semantike në gjuhën e sotme letrare shqipe gjithnjë e më shumë priret të specifikohet, qoftë si pjesë e togfjalëshit kallëzuesor, qoftë si kundrinor, qoftë edhe si ndajfolje ose si shprehje ndajfoljore.

Sidoqoftë,  anashkalimi a injorimi pa qëllim të keq, që u është bërë në të kaluarën, jo të largët të tre tipave të asnjanësve të paranyjëzuar, duke mos u dhënë vendin e  merituar teorikisht, gramatikisht e leksikisht në ndonjë burim normativ ose praktikisht në krijimtarinë letrare-artistike, po edhe në stile të tjera, nuk dimë sa mund të cilësohet si lëshim i falshëm, pasi supozojmë se funksioni i tyre nuk njihej sa duhet, por, me sa u shtrua deri këtu, mund të themi me plot bindje se një veprim i tillë injorues ka lënë pasoja të pamira, jo edhe aq të vogla përgjithësisht në opinionin tonë të gjerë ligjërimor,  te ne e gjithandej dhe aq më keq edhe te ndonjë intelektual me profesion gjuhëtari ose krijuesi letrar. Fundi i fundit, ndodhi si ndodhi në periudhën që konsiderohet e sapokaluar (vitet ’50-’90 të shekullit që sapo lamë pas, ne ngulmojmë që sot e tutje, çështja e këtyre asnjanësve, duhet me u rishikue patjetër, ngase mund të bëhet mëkat edhe më i madh dhe i pafalshëm, nëse tashembastashti në burimet tona normative nuk i jepet kësaj kategorie vlerësimi i duhur ose vendi i merituar, në kuadër të mozaikut të sistemit tërësor emëror të shqipes.

Për mendimin tonë ia vlen të ritheksohet fakti se asnjanësit e paranyjëzuar tipi prejmbiemëror dhe sidomos ai prejpjesor i rasës emërore për konceptin e abstraksionit të lartë që shprehin nuk bën të cilësohen assesi të zëvendësueshëm me emrat e caktuar abstraktë të prejardhur, përkatësisht me emrat me -si e variantet e tjera, tipi të mirët, mirësi  ose  e mira,  i gjallë – gjallëri  etj.  ose  me emrat  prapashtesorë tipi prejpjesor me -IM ose -JE, tipi i asnjanësit prejpjesor: të shkruarët a të shkruarit - shkrim, shkruarje, të ecurët e të ecurit - ecje, e kështu me radhë. Madje duhet pasur kujdes që edhe nëse ndodh ndonjë rast konvertimi i përcaktuesve të emrit përkatës me gjininë mashkullore jashtë suazave të lejuara, ajo anomali duhet të korrigjohet ose të konstatohet si rast e jo si prirje përgjithësuese që duhet përkrahur , përkatësisht sanksionuar normativisht.

2. Përkufizimi përmbyllës rreth profilimit të nënfushave semantike që mbulojnë të katër tipat e asnjanësve

Në fund do të përpiqemi që me një tekst të shkurtër përmbyllës të përfshijmë të gjitha profilet e nënfushave semantike që mbulojnë të katër tipat e asnjanësve:

a) Asnjanësit si emra primitivë të paparanyjëzuar

Është konstatim i drejtë që asnjanësit e mirëfilltë primitivë, tipi: drithë-të (drithi), djathë-të (djathi) etj. për arsye se si fusha e asnjanësisë së shembujve si dhe vetë nënfusha semantike që mbulojnë del heterogjene dhe e konkurrueshme me trajtat e dy gjinive të tjera aktive, evolucionisht kanë pësuar, si me thënë, shkrirje, sidomos në njëjësin e gjinisë mashkullore, proces ky që arsyetohet me veprimin e thjeshtëzimit që mbretëron atavikisht, ashtu siç ndodh edhe në gjuhë të tjera. Mirëpo lidhur me asnjanësit e shqipes në fjalë, shkrirja e tilla nuk është kryer në disa raste, siç janë ujë-t, krye-t e ndonjë tjetër që ende në atë gjini qëndrojnë aktivë në përdorim të përditshëm. Po si këta ka edhe emra të tjerë me kuptimësi të veçantë që dalin herë-herë në stile të caktuara përdorimi, aq më tepër në frazeologjizma ose në togfjalësha a shprehje të ngurosura të qëndrueshme, të cilët si drejtshkrimisht, ashtu edhe semantikisht janë të tolerueshëm,  ngase konsiderohen, siç janë në të vërtetë, një pasuri e trashëguar, pasuri kjo që hyn në punë, madje mund të ripërtërihet me ndonjë shembull të ri prodhues e veprues, por në raste të rralla, dhe analogjikisht.

Sidoqoftë, edhe tipin e tillë e ndeshim në këto profile në kuadër të nënfushave përkatëse semantike:

1. në disa frazeologjizma a shprehje të veçanta si: Më ngjethët mishtë; të hëngërsha grurët. me leshtë përpjetë; rrushtë e qenit, gruntë e (h)ashures; vajtë e nuses nën duvak; mos ia nxirr ujë-t  (kësaj pune  - mos e tepro), leshtë e Currit,  e ndonjë tjetër;

2. në situata, kur emrat e parmë ruajnë një kuptim të veçantë, të specifikuar, madje edhe si terma popullor, jo zyrtar, si b.f.: dhjamët (në mjekësi),  ujët e hollë, ujët e trashë,  tëlyntë për laknorë, tëlyntë për pushkë etj., ashtu si edhe në shprehjen: Mjerë pitja e shpisë që pret  tëlyntë (gjalpët) e kojshisë, e ndonjë tjetër.

3. në raste përdorimi të emrave në trajtë të veçantë, si:

a. ballë-t: Me ballët lart!, Mos e rrudh fort ballët se t’plasin damarët: Puhia ballët ta lëmon, zavallet t’i largon, e ndonjë tjetër;

b. krye-t (me kuptimin kokë): Më dhemb kryet, e sidomos në fjalë të urta: frazeologjizma: Kallini i lehtë kryet përpjetë. Shëndosh kryet se kësula (kapuça) ka boll. Me çue fort nalt kryet, para nuk të shohin sytë. Më mirë me të mbytë se me pallavra me ta mbushë kryet. I vërteti, kryet me veti etj.

Marrë në tërësi aktivizimi i emrave të rij të këtij tipi nuk del i favorizuar në stilin neutral të shqipes standarde, prandaj karakteri mbeturinor i përgjigjet, pothuaj, plotësisht vetëm  këtij tipi të asnjanësve, por siç e kemi cekur edhe më përpara edhe emrat ose format. e asnjanësve të paparanyjëzuar mund të shfrytëzohen për koncepte të caktuara, sidomos në fushën e abstraksionit në formë frazeologjizmash ose të shprehjeve të veçanta.

b) Asnjanësit  mbi bazë të  mbiemrave të paranyjëzuar

Asnjanësit prejmbiemërorë të paranyjëzuar për konceptin që shprehin janë aktivë dhe nuk i shtrohen tkurrjes as zëvendësimit me sinonimet përkatëse me emrat e prejardhur cilësorë me prapashtesat fjalëformuese, -si, -ri e ndonjë tjetër (me të cilët qëndrojnë në sinonimi), ngase kuptimisht dalin të specifikuar për mbulimin e nënfushës së veçantë semantike sinonimike po në fushën abstrakte.

Shembuj të këtij tipi i ndeshim në këto nënfusha semantike të profiluara:

1) për të treguar koncepte cilësie, me shembujt  e nëntipit:

të mirë-t, të gjallët, të keq-të, të kuq-të ...etj.  si b.f.: As të mirët as të keqtë nuk harrohet lehtë. Të bardhët e shpirtit shprehet me buzëqeshje, ndërsa të zitë e shpirtit shprehet me rrudha të ballit. Të mërroltë e të murrtë nuk ia pëlqen, ndërsa të çeltë e kuqtë, po. Hiq të mbrapshtët, merr të mbarët! etj.

Me fjalë të tjera mundësia e përdorimit a e shfrytëzimit të asnjanësve prejmbiemërorë cilësorë nuk del e kufizuar;

2) për të  treguar një gjendje a të qenë (kohë, ndjenjë), si p.sh.:

të ftohtët, të fikëtit,  të ligëtit mos i provofsh, po nëse të bien hise duhet t’i durosh. Shkoi të shumtët mbeti të paktët. As të shmajtët  as të djathtët, por  të drejtët e të naltët duhet me i përkrahë. Të përmaltët si të përhantët ashtu si të përfushtët dhe të ngushtët - janë sjellje që nuk durohen dot.

Edhe aktivizimi i asnjanësit të këtij profili që tregojnë gjendje etj., varësisht nga konteksti, del me mundësi të hapur, të pakufizuar shumimi;

3)  Në disa ndërtime me parafjalën për, si:

E mori për të butë e ai ia qiti trutë. E bleu për të lirë. Ia bleu për të kuq, Ia mori  për të keq etj.;

4)  Në disa shprehje a lokucione ndajfoljore të formuara nga parafjala me  + mbiemri  i substantivuar i  gjinisë asnjanëse, si:  E mori me të keq,  I foli me të mirë, I foli me të butë. Iu përgjigj me të qeshur, U soll me të urtë (me të egër). Mos e merr punën me të nxehtë, po me të ftohtë e me të ngrohtë.  Mos folni me të mujshëm etj.;

5) Tek emërtimet e gjë-sendeve konkrete ose në shprehje figurative, p.sh.:

të trashtë e surlës,  të zitë e ullinit, të bardhët e syrit, të kuqtë e mollës, të verdhët e synit etj.;

6) Në shprehje të veçanta, si:

(zgjidh) jo të keqtë e të përdreqtë, po ti mirët e të ndreqtë. Vetëm me të kuqtë e të bardhtë, puna s’ merr të mbartë! etj.

Materiali i përmendur në të gjashtë nënfushat, përkatësisht, në të gjitha pikat e mësipërme, tregon shtrirjen e përdorimit të këtij tipi dhe njëkohësisht aktivitetin dhe prodhimtarinë e hapur ose të pakufizuar shumimi të këtij tipi, në kontekste të caktuara, varësisht nga numri i vetë mbiemrave.

c) Asnjanësit  prejpjesorë të paranyjëzuar në rasën emërore

Asnjanësit e paranyjëzuar mbi bazë pjesoreje të cilët janë aktivë e produktivë, andaj si të tillë nuk i shtrohen tkurrjes as zëvendësimit me emra prejpjesorë prapashtesorë me -im ose -je dhe të tjerë, ngase edhe këta, si asnjanësit prejmbiemërorë të rasës emërore, madje edhe më tepër se ata, dalin të specifikuar kryesisht për mbulimin e nënfushës së veçantë semantike në kuadër të fushës së gjerë të abstraksionit, që ka të bëjë ekskluzivisht me konceptin e procesit të veprimit abstrakt ose të idesë së konceptuar të dukurisë a të veprimit të caktuar në zhvillim e sipër ose jo, numri i të cilëve varësisht nga  konteksti del i shtrirë në disa profile a nënfusha semantike, si p.sh.

1)  Tipi:i prejpjesorëve me kuptim përgjithësues në kuadër të togfjalëshave, shih të dy versionet:

a) të punuarit (të kënduarit, të ecurit,t ë vjershëruarit, të shprehurit, të. shkruarët  a të shkruarit, të ecurit, të hyrët, të ngrënët, të menduarit a të menduarët etj..) si art, është një veprim, mënyrë a dukuri etj. shumë e pëlqyeshme ose

b)  arti (veprimi, mënyra, dukuria,.) i (e) të punuarit (të kënduarit, të ecurit, të vjershëruarit, të shprehurit...) etj.  është një punë shumë e pëlqyeshme.

2) Në disa fjalë-terma të mirëfilltë, kur emri i nyjshëm asnjanës del i terminologjizuar, si të folurit (në gjuhësi), të menduarit (në logjikë, filozofi), të rrezatuarit (në fizikë, në fizioterapi), të ushtruarit (në fizkulturë) etj. Edhe në këto nënfusha si raste, asnjanësi ka mundësi të pakufizuar shumimi;

3)  Në shprehjet: në të hyrë të vjeshtës, në të dalë të dimrit, në të ngrysur të ditës, në  të përfunduar e sipër të veprimit, në të hyrë të syrit të pranverës etj.

4) Në disa frazeologjizma a togfjalësha të veçantë, me togun: me një + pjesore e nyjëzuar, si: me një të goditur, me një të shtënë, me një të rënë; me një të ramë dy të vramë ose me një të ranë dy të vranë! etj.;

5) Në disa togfjalësha të tipit: trajtë e foljes me pasë + pjesore e nyjëzuar, si: s’ka të sosur, s’ka të mbaruar, ka të sjellë të mbarë,  ka të prurë të begatë; ka një të goditur të fortë, keni të shkuar të shkëlqyer,  kishte një  të ecur të bukur etj.

6) Në shprehje sqaruese kumtimi, si të bërët sehir, të qenët i drejtë, të dhënët e fjalës, të qeshurit e fytyrës, të marrët me të mirë, të sjellët me të keq,  të kthyerit mbarë, të marrët me mend etj. Edhe në këso rastesh përdorimi i asnjanësit pothuajse është i pakufizuar.

7) Në shprehje të veçanta, si: jo të lyentë e të ngjyentë, por të vyemtë; të ngrënët e të pirët, të sjellin të mirët;

8) Në shprehje të togfjalësha të lashtë, si: sa të blemit, sa të zbutunit, sa të prashitunit etj (A. Zymberi)

9) Në shprehjet nëpër të korrun, nëpër të mihun, nëpër të lavrueme etj. (sipas A. Zymberit).

10) Në shprehjet kur para asnjanësit përdoret parafjala , si p.sh: çështja nuk qëndron vetëm në të shqiptuarit (të shikuarit, të analizuarit) e drejtë etj., por... - numër i pakufizuar;

11) Në shprehjet ku para asnjanësit përdoret parafjala për, si: kur është. fjala për të gjykuar (për të shqiptuar, për të imituar ...etj) - numër i pakufizuar.

12) në shprehjet: çfarë të punuari, çfarë të shkruari, çfarë të arsyetuari?! etj. (sipas A. Zymberit).

13) Në formimin e  formave të pashtjelluara a të togjeve të foljeve si p.sh.:

a. me+pjesore të nyjëzuar (paskajorja e dytë): për të dalë, për të folur, për të lëvduar, për të punuar, për të qarë etj.

b. me + pjesore të nyjëzuar: me të punuar, me të qeshur, me të ngjeshur, me të shtirë e me të pështirë dhe as me të lyer e me të ngjyer (nuk çohet dot jeta),  u tërhoq me të bartur të trupit,  s’mbahet shpija me të lypur etj. si dhe

c. një+pjesore të nyjëzuar: një të punuar, një të lehur të qenit,  një të ecur, një të shkelur (të syrit) etj.

14)  Në njësi frazeologjike, me parafjalën : si  më të djathtë, më të ngrysur, më të lumtët etj.;

15) me parafjalën ndaj, si: ndaj të gdhirë, ndaj të ngrysur; (qëndrimi) ndaj të mësuarit, ndaj të punuarit etj.;

16) në sqarimin e kuptimit të emrave, si p.sh:  mbarësi - të qenët i mbarë,  sefallëk   - të bërët  sefa,  dhimbshuri -  të qenët i dhembshur  etj.

Siç mund të shihet nga 16 nënfushat semantike të profiluara ose sipas materialit të paraqitur në 18 pikat e nënpikat përkatëse, del se asnjanësi i këtij tipi ka shtrirje të gjerë dhe të pakufizuar në shumë segmente të gjuhës, kryesisht në nënfushën përkatëse të fushës së abstraksionit, ku bashkëjeton në sinonimi me emra të tjerë, po nuk rrezikohet asnjëherë kuptimisht nga ata, ngase, pothuajse i kanë të ndara nënfushat semantike që i mbulojnë. Ndërkaq me tipin e prejmbiemërorëve bashkëjeton në të njëjtën fushë, në pikën më të larte të abstraksionit.

ç) Asnjanësit e ndafoljezuar në shprehje prejrrjedhore (ablativale)

Edhe në tipin e asnjanësve të ndajfoljezuar me shprehje ablativale, d.m.th të rasës rrjedhore dallohen 5 profilime a nënfusha semantike që asnjanësit e tillë mbulojnë  ose janë të implikuar në shprehjet  a nënfushat e tilla semantike:

1) Në togfjalësha emrash perejpjesorë që prof. M. Çeliku, i quan formime me rrjedhoren e gerundit, tipi: u ngopa së foluri, mbarova së ngrëni, s’pushon së hedhuri romuze, s’lodhet dot së kënduari, s’ngopej së shikuari rrethinën; do të fillojnë së shpërnguluri, pushoi së gjëmuari, mbaroi së lëvduari, vazhdo së kënduari etj.; në funksion të kundrinës së drejtë, ose të një rrethanori a përcaktori, me mundësi të pa kufiziuar shumimi.

2)  Si ndajfolje nga mbiemrat e substanivuar ose nga njësi të tjera leksiko-gramatikore në zëra të veçantë, që mund të konsiderohen si trajta përfaqësuese, si:          së pari, së bashku, së fundi, së thelli, së voni, së kthjellti etj. – numër i pakufizuar.

3) Në shprehjet: ndajfolje + emër asnjanës emërzimi në rrjedhore,  si: kot së koti, pak së paku,  tok së toku, prap së prapi, mbar së mbari (B. Hajrullaj, K. Topalli).

4) Në lokucione ndajfoljore të formuara prej mbiemrash të substantivuar të gjinisë asnjanëse në rasën rrjedhore të paraprirë nga  parafjala për, si:  për së afërmi, për së gjati, për së gjeri,  për së largu, për së larti, për së mbari, për së shpejti etj. (B. Hajrullaj, K. Topalli).- numër i pakufizuar.

5) Në shprehje togfjalëshash me parafjalën prej, si: Qëlloi prej së largu,  Peni këputet prej së holli, zullumi këputet prej së trashi. Plasi prej së keqi, Është punë që s’hahet prej së ëmbëli. (A, Zymberi, H.. Hajrullaj).- numër i pakufizuar.

*       *       *

Sido që të jetë,, para se të japim përfundimin rreth profilimit të nënfushave semantike të të katër tipave të asnësve po paraqitim raportin trajtë e shquar ndaj trajtë e pashquar, sipas nënfushave semantike si më sipër po për katër tipa e sipërtrajtuar:

Ndërsa tek emrat asnjanës të paparanyjëzuar në njësin e emërores dallohet shquarsia si p.sh. ujë/ ujët, mish/ mishtë, tek paranyjëzorët kemi këtë situatë. Tek emrat prejmbiemërorë në 6 profilimet  rezultati del 3 me 3,  ndërsa tek prejpjesorët  prej  18 profilesh e nënprofilesh rezultati del 8 me 9, plus një rast i diskutueshëm nëntipi: çfarë të shkruari, ku nyja e përparme është , por shquarsia mbaron me –i-në anaptetike që ë njëherazi përkon me nyjë-mbaresn e njëjësit të shquar të rasës emërore të emrit të gjinisë mashkullore.

Ndërkaq në tipin me shprehje prejrrjedhore tek të 5 profilet para emrit ose emërzimit përkatës të shprehjes asnjanësore del nyja dhe të gjithë shembujt përfundojnë me –i, ose -u,  d.m.th. me nyjë-mbaresën e emrit të gjinisë mashkullore e rrjedhore  –i, ose -u, në trajtën e pashquar.

Sidoqoftë, këto të dhëna imponojnë që ekspertët t‘i kenë parasysh me rastin e konstatimeve rreth shquarsisë së asnjanësve në gjuhën shqipe.

Përfundim rreth profilimit të nënfushave semantike të asnjanësve

Nga  lënda e paraqitur më sipër, ndër të tjera, mund të nxirren këto përfundime:

E para, vetëm kur është fjala te frazeologjizmat e trashëguar me asnjanësit përkatës primitivë si emra të mirëfilltë, por jo për fjalë të veçanta, që mund të përdoren shembujt e tillë pa ndonjë rezervë, por ofrohet mundësi e hapur për me u krijue shembuj të tjerë të rij të ngjashëm, qoftë, në ligjërimin e lirë të përditshëm, qoftë, në vepra të krijimtarisë letrare-artistike.

E dyta, siç u konstatua disa herë gjatë analizës, asnjanësit e paranyjëzuar, qoftë prejmbiemërorë, qoftë prejpjesorë, varësisht nga konteksti mund të përftohen në mënyrë të pakufizuar, sepse këtë e mundëson motivimi i temës prodhuese fjalëformuese dhe specifikimi i nënfushës së qartë semantike që mbulojnë.

E treta, në këtë kontekst, rreth numrit të pakufizuar, imponohen një varg  çështjesh, që kërkojnë sqarim, jo vetëm rreth raportit me emra të gjinive të tjera lidhur me nënfushat semantike që mbulojnë, por edhe në raportin e tyre të brendshëm të tipit të asnjanësve aktivë, siç janë: trajta përfaqësuese/trajta e rëndomtë ose mbizotëruese, kategoria njëjës/shumës,  trajta  e shquar/ e pashquar,  si dhe vendi i tyre në kuadër të njësive përkatëse sinonimike e të tjera, pastaj si qëndron ndërlidhja me të gjitha njësitë përkatëse brenda strukturës së sistemit emëror e të atij foljor të shqipes, madje edhe raporti barasvlerës me gjuhë të huaja etj.

E katërta, edhe kur është fjala rreth tipit të katërt, ndonëse nuk mund të flasim me kompetencë, sa i përket nëfushës semantike ose profilimit që mbulojnë, mund të thuhet se shprehjet e tilla e njomin të shprehurit e standardit të gjuhës shqipe, dhe përdorimi ose prodhueshmëria e tyre nuk vihet në dyshim, por nuk dimë shprehjet e tilla sa janë të përhapura në të folmet popullore jugore e sa në ato veriore, por gjithsesi pohohet se kjo dukuri tashmë është karakteristikë e gjuhës së sotme standarde.

Sido që të jetë, për të gjitha çështjet që prekëm në krerët e mëparshëm u përpoqëm me dhënë përgjigje ose së paku me bë paraqitje sa më të plotë dhe transparente para auditorit të gjerë,  çështje  kjo që nuk do të thotë se nuk do të nxisë edhe hulumtime të mëtejshme përplotësuese, për katër tipat  e asnjanësve, e sidomos rreth tipit të katërt, madje presim që konstatimet tona të përplotësohen, sepse është temë e hapur e jo e studiuar në mënyrë shteruese.

Pra, nga tërë kjo, sa u tha, del  se shqipja e sotme ka në përdorim, një tip, me disa shembuj pjesërisht aktivë asnjanësish të paparanyjëzuar, një tip tjetër që karakterizohet me shprehje prejrrjedhore, jo mjaft i studiuar dhe dy tipa aktivë asnjanësish të paranyjëzuar (prejmbiemërorët dhe prejpjesorët të rasës emërore (si rasë përfaqësuese) të cilët sa i përket prejardhjes a temës fjalëformuese motivuese (mbiemëre/pjesore), pothuajse mbulojnë të njëjtën fushë semantike që lidhet me konceptin e procesit të veprimit përkatës ose të cilësisë, gjendjes a të qenit të motivuar nga tema prodhuese. Përdorimi e kultivimi i të cilëve patjetër duhet të sforcohet teorikisht e praktikisht, pikërisht në shtratin e destinuar të specifikuar të tyre, d.m.th. në majat e fushës së abstraksionit përkatës..

3. Edhe disa konstatime përgjithësuese rreth asnjanësve

Në fund, për të tërhequr vëmendjen rreth asaj që u trajtua në këtë punim, po ritheksojmë edhe këto nëntë veçori karakteristike që i quajtëm përgjithësuese të asnjanësve, duke lënë vend edhe për ndonjë element polemizues:

1) Po ritheksojmë faktin se numri i regjistruar i asnjanësve në FShS 2002, 6 primitivë dhe 78 të paranyjëzuar, gjithsej 84, assesi nuk mund të konsiderohet si numër shterues i asnjanësve në përdorim të përditshëm, madje as si numër përfaqësues nuk del i mjaftueshëm  për të prezantuar të gjithë nëntipin përkatës të asnjanësit. Sigurisht lënda në Fjalor duhet kuptuar, jo vetëm si lëndë detyruese lidhur me respektimin drejtshkrimo-gramatikor, por më tepër si strumbullar orientues rreth të cilit duhet të sillemi, por jo në mënyrë të verbër. Me këto fjalë duam të themi se, sidoqoftë, lypset verifikuar që shembujt në atë burim janë apo nuk janë të mjaftueshëm si përfaqësues të tipave a nëntipave përkatës apo vetëm janë hedhur ashtu pa ndonjë kriter?

2) Lypset  verifikuar faktet sipas kontekstit përkatës dhe assesi nuk duhet pranuar konstatimet e dhëna pa mbulesë se gjoja  sinonimet e emrave të prejardhur me -si ose me -im a -je  janë të mjaftueshëm si barasvlerës për të zëvendësuar asnjanësit përkatës për të gjitha konceptet, qoftë në fushën e abstraksionit, qoftë në raste në atë me elemente të konkretizimit. Sigurisht për shkak të mosverifikimit të fakteve e saktësisë së tyre ka ndodhur, madje edhe ndonjë keqkuptim a veprim arbitrar rreth raportit aktivizim / pasivizim të asnjanësit, siç janë edhe rastet e mospërfshirjes ose të mospërdorimit të tyre gjithandej e këndej në mbarë truallin shqipfolës edhe për ato koncepte që nuk kanë mbulesë të mjaftueshme përkatëse sinonimike.

3) Konstatimi tjetër që lypset ritheksuar ka të bëjë me zbërthimin e kuptimit të asnjanësve sipas tipave përkatës:

a) Me plot të drejtë konstatohet se asnjanësit e mirëfilltë primitivë u krijuan në kundërvënie ndaj emrave femërorë/mashkullorë ose për të përmbushur ndonjë zbrazësi strukturore në sistemin nominal të shqipes, por duhet pranuar, siç është vërtetuar ndërkohë se emrat e kësaj gjinie, veç specifikimit të pjesshëm rreth emërtimit të gjë-sendeve të pandara në ekzemplarë, nuk kishin ndonjë nënfushë të plotë semantike të specifikuar të dalluar nga emrat e dy gjinive të tjera gramatikore.  Sidoqoftë, këta edhe dalloheshin prej tyre me formantet përkatëse mbaresore formale në njëjësin e shquar dhe me treguesit asnjanës, mirëpo, ndërkohë duke i humbur treguesit përkatës filluan shkallë-shkallë edhe ndërtimisht e kuptimisht të pësojnë ndryshime, duke u inkorporuar në gjininë tjetër aktive gramatikore, qoftë në gjininë femërore e aq më tepër në atë mashkullore, duke e pranuar edhe nyjë-mbaresën përkatëse të tyre. Prandaj, edhe zbërthimi i tyre sot bëhet me emrin e gjinisë përfaqësuese të grupit leksiko-semantik të emrit të lëndës. P.sh. trajta mishtë tregon se është emër i gjinisë asnjanësve të emrit aktiv të gjinisë mashkullore: mish mishi, mishrat (mishnat), e kështu me radhë, por megjithatë janë disa raste që ende emrat e tillë po në formën e asnjanësit dalin të inkorporuar në kuadër të shqipes letrare.

b) Të gjithë prejmbiemërorët asnjanës cilësorë zbërthehen me mbiemrin përkatës  cilësor të njëjësit të pashquar të gjinisë mashkullore, si trajtë e gjinisë përfaqësuese, p.sh. të mirët, d.m.th. të qenët i mirë ose me qenë i mirë (a të jesh i mirë, e kështu me radhë. Ndërsa prejmbiemërorët asnjanës të nëntipit me të cilët shprehet një gjendje a të qenë zbërthehen mjaft natyrshëm me trajtën e paskajoren së foljes me pasë + sinonimi përkatës i emrit prapashtesor, si p.sh. të gjallët, d.m.th. me pasë gjallëri, të lagëtit (vendi) me pasë lagështi(rë),  të ligët - me pasë ligësi (gjendje ligësie)  e kështu me radhë.                               Në të vërtetë, asnjanësit që tregojnë një gjendje a të qenë, kanë barasvlerësi sinonimike heterogjene, barasvlerësi kjo që mund të jetë e shprehur a e zbërthyer edhe me ndonjë emër jo mbi temë të njëjtë fjalëformuese dhe gjithsesi me prapashtesa a  ndërtimesh të ndryshme, p.sh. të nxehtët  - zjarrmi, e ndonjë rast tjetër.

c) Në të vërtetë, të gjitha rastet e asnjanësve të paranyjëzuar të rasës emërore, por edhe të asaj arkaike rrjedhore, mbi bazë pjesoreje zbërthehen po ashtu mjaft natyrshëm me ndihmësen  e foljes përkatës të paskajores së mirëfilltë, p.sh.: të qarët, d.m.th. me qa,  të qeshurit  - me qeshë,  të qëlluarit - me qëllue, të shkruarit- me shkrue etj.  Krahaso se edhe trajta e paskajores zbërthehet me sinonimin në trajtën e asnjanësit, p.sh. folja me shkrue tregon veprimin e të shkruarit, por kur është fjala te rezultati i veprimit, atëherë zbërthimi del edhe më qartë me emrat e prejardhur .Bie fjala: cili është rezultati i  + ... (kupto asnjanësin përkatës), p.sh cili është rezultati i të qarit (të qeshurit, të qëlluarit,  të shkruarit ...), përgjigja del: qarja, (qeshja, e qëlluara, shkrimi...), e kështu me radhë. Gjithashtu edhe rastet si Vazhdo së lexuari / Vazhdo me lexue,  Pushoi së puthuri edhe më/ Pushoi me puthë edhe hala(!) etj. Këto raste mund të shërbejnë si mundësi e ndërkëmbimeve sinonimike

4) Siç u pa konkretisht nga analiza për asnjanësit prejpjesorë të rasës emërore si rasë përfaqësuese nuk del normalisht ose del fort rrallë ndonjë emër sinonim i prejardhur me prapashtesat -si, -i, -ri  etj. sepse prapashtesat e tillë (versionet me -i fundore) kryesisht dalin të rezervuara pothuajse kryekëput për prejmbiemërorët cilësorë, ndërsa për prejpjesorët e mirëfilltë të rasës emërore dalin pothuajse, tërësisht sinonimet me prapashtesën -im ose -je, po edhe ndonjë tjetër.

5) Për prejpjesorët në raste të veçanta, dalin edhe emrat si  emërzime të pjesores, sipas mënyrës pandajshtesore, d.m.th. me mbaresë zero, si p.sh.: rëndë-a (të rëndët), zi-a (të zitë), ujë-a (të uriturit), tekë-a (të tekurit), rrojë-a (të rruarit), pritë-a (të priturit) etj. Konstatohet se prejpjesorët e tillë pandajshtesorë, pothuajse të gjithë, ndërkohë kanë kaluar në fushën e semantike të konkretizimit.

6) Po përmendim si të saktë konstatimin se numri i asnjanësve prejmbiemërorë për nga sasia del shumëfish më i madh në krahasim me numrin e regjistruar të tyre në burimin në fjalë (FShS 2002), por megjithatë mund të thuhet se numri i prejmbiemërorëve në krahasim me numrin e prejpjesorëve del në numër të kufizuar, sepse edhe vetë numri i mbiemrave të nyjshëm del i kufizuar. Ndërsa sa i përket numrit të asnjanësve prejpjesorë numri del shumë më i madh, del pa kufizim, ngase nga çdo folje ka mundësi të formohet, përkatësisht një mbiemër prejpjesor ose një asnjanës prejpjesor.

7) Ka raste që edhe asnjanësi i paranyjëzuar të përftohet nga të dy trajtat e pjesores, të pjesores së zgjeruar dhe të pjesores së shkurtër, madje një mundësi e tillë në rast nevoje paraqitet si rezervë e deponuar, e cila edhe si e tillë mund të aktivizohet, siç janë rastet të foljet konsonantike si p.sh.: të qeshët dhe të qeshurit, të folët dhe të folurit, të dëlirët të dëlirurit etj., por gjithsesi, le të dihet, se trajtat e letrarishtes së sotme duhen parapëlqyer, ngase, sot për sot, dalin me konkurrencë të fituar, kur është fjala për të njëjtin koncept. Këtu po shtojmë edhe një fakt tjetër. Ndodh që asnjanësi të përftohet edhe mbi të njëjtën rrënjë-temë të fjalës, edhe mbi bazë të mbiemrit  (mbiemrit të mirëfilltë) edhe mbi bazë të pjesores (mbiemrit foljor) dhe që të dy janë normativë, vetëm nëse shprehin koncepte a nuanca të ndryshme semantike.

8) Ç’është e vërteta, sa i përket mënyrës së ndërtimit që të tre tipat e asnjanësit (primitivi, prejmbiemërori dhe prejpjesori) e kanë të përbashkët nyje-mbaresën në trajtën e shquar –t(ë)  të emërores (sipas versioneve: -t, ët, it, -të), mirëpo këtë nyje-mbaresë shquese në njëjësin e emërores e ka vetëm asnjanësi, ndërsa dy gjinitë e tjera (mashkullore e femërore) e kanë vetëm në emëroren e shumësit të shquar, ndërsa tipi i katërt, siç është përmendur edhe më përpara, karakterizohet me nyjën e përparme dhe me fundoren –i ose -u, në njëjësin e pashquar të rasës rrjedhore.

9)  Siç dihet, tre tipat e asnjanësit (prejmbiemërorët dhe prejpjesorët edhe ata  mbi bazë të rrjedhores) quhen asnjanës të paranyjëzuar sepse janë të pajisur me nyjën e përparme të, përkatësisht në ballë të tyre (të mirët, të ecurit, së ecuri), formant ky që nuk del ashtu tek dy gjinitë e tjera, sepse në këto raste emri (mbiemri i emërzuar) i gjinisë mashkullore si nyje të përparme merr i (i miri, i ecuri), ndërsa ai i gjinisë femërore e (e mira, e ecura). Ky fakt u theksua prej nesh se pikërisht është nyja e përparme dhe nyja e prapme po -t(ë) në njëjësin e shquar që gramatikisht e identifikojnë asnjanësin e paranyjëzuar (prejmbiemëror e prejpjesor) të rasës emërore e kallëzore, duke e dalluar kështu nga emrat e tjerë të paranyjëzuar.

*      *       *

Si rezultat i krejt kësaj që u tha në këtë punim del përfundimi se lënda mbi asnjanësit patjetër duhet të rimerret në shqyrtim nga gramatikanët e studiuesit tanë, nga të cilët pritet një riinterpretim edhe më i saktë dhe më i plotë rreth këtij problemi, që ne e vumë në tryezë për rivlerësim dhe për këtë, na duket se kemi paraqitur material të mjaftueshëm.

Sidoqoftë, edhe nga analiza që bëmë ne del mjaft bindshëm e vërteta se është fort pa vend sugjerimi se emrat asnjanës të paranyjëzuar mund të zëvendësohen për të gjitha konceptet nga emrat sinonimikë të prejardhur me prapashtesim e të tjerë, sepse asnjanësit e paranyjëzuar ruajnë identitetin e vet formalisht e përmbajtësish, qoftë me temë të qartë fjalëformuese, qoftë me nënfushën e veçantë semantike që e mbulojnë, andaj si të tillë, jo vetëm duhet njohur, por edhe duhen kultivuar dhe gjithsesi duhen sendërtuar si duhet në shqipen standarde, natyrisht pasi të përcaktohet edhe më mirë dhe të  njihet edhe më në hollësi vetëvetësia a identiteti i tyre.

Konstatime përmbyllëse

Emrat e gjinisë asnjanëse në gjuhën shqipe edhe nga pikëpamja sinkronike nuk janë të patrajtuar nga gramatikanët tanë, mirëpo disa nga konstatimet rreth tipave, përdorimit dhe shtrirjes së tyre, jo vetëm nuk janë të plota, por janë të shoqëruara me paqartësi ose edhe me  ndonjë zbrazëti jo të vogël. Nuk përjashtohet edhe ndonjë mangësi në keqinterpretim. Në këtë punim, me sa dimë, u identifikuan më qartë se në çdo burim tjetër  katër  tipat e asnjanësit në shqipen e sotme që janë:

1) tipi i asnjanësve të mirëfilltë primitivë të paparanyjëzuar,

2) tipi i asnjanësve të paranyjëzuar prejmbiemërorë,

3) tipi i asnjanësve prejpjesorë të paranyjëzuar dhe

4) tipi i asnjanësit në shprehje prejrrjedhore (ablativale).

Duke pasur parasysh këtë ndarje të asnjanësve në gjuhën shqipe, tema u shtjellua në tetë krerë, të cilët në pika fare të shkurtra, veç tjerash,  kanë këtë përmbajtje:

1. Në kreun I  për  të konstatuar praninë e asnjanësve në shqipen e sotme letrare u vol materiali nga Fjalori e shqipes së sotme (2002) për tre tipat e parë, sepse tipi i katërt nuk del i identifikuar në këtë burim. Sipas tipave asnjanësit u ndanë në tri grupime. Në fjalorin në fjalë u gjetën të regjistruar 84 shembuj, prej tyre:

a) nga tipi i parë, 6 emra të mirëfilltë të paparanyjëzuar,

b) nga tipi i dytë, 35 prejmbiemërorë të paranyjëzuar dhe

c)  nga tipi i tretë. 43 asnjanës prejpjesorë të paranyjëzuar.

Edhe grupet e caktuara në bazë të nyjë-mbaresës së emërores që marrin në njëjësin e shquar u grupuan në nëngrupe të caktuara.

Kështu:

a) asnjanësit e mirëfilltë të paparanyjëzuar u ndanë në 2 nëngrupe, 4 shembuj me nyjë-mbaresën  -t dhe 2 me nyjë-mbaresën -të;

b) prejmbiemërorët po sipas nyjë-mbaresave të emërores së njëjësit të shquar u ndanë tri nëngrupe, me –t 22 shembuj, me –të  6 dhe me –it 7 shembuj dhe

c) prejpjesorët sipas tipit të pjesoreve dhe nyjë-mbaresave të njëjësit të shquara, u ndanë 4 nëngrupe: me  –t 21 shembuj, me  - it  21 shembuj (2 sinëngrupe 14+7) dhe më –ët 1 shembull që gjithsej bëjnë 22 ( ose 14+7+1) shembuj.

Pasqyra e numrit të tërësishëm (totali)  del kështu:

a) me nyje-mbaresën -t :  47 ( (ose 4+22+21) shembuj,

b) me nyje-mbaresën  -të:  8 (2+6) shembuj,

c) me nyje-mbaresën –it: 28 (7+14+7)  dhe

ç) me nyje-mbaresën  -ët 1 shembull.

Pra, totali: 47+8+28+1 =  84 shembuj.

Në të vërtetë, u konstatua se në atë Fjalor, përveç shembujve të regjistruar manipulohej edhe me 13 asnjanës prejpjesorë të tjerë, përkatësisht edhe me mbi 300 shprehje  të paraprira nga  asnjanësi të qenët + ..(fjala a togu sqarues). Kështu në atë burim manipulohet me afro 100 shembuj asnjanësish, përkatësisht me afro 400 raste që përdoret ose del i shënuar asnjanësi.

2. Në kreun II asnjanësit u trajtuan nga këndvështrimi i nënfushës semantike që mbulojnë. Të 84 shembujt e asnjanësve të regjistruar në FShS 2002 sipas tipave u ndanë në grupe e nëngrupe përkatëse dhe për secilin grup a nëngrup u hetuan veçori dalluese semantike.

a) U konstatua se me asnjanësit si emra të mirëfilltë (të paparanyjëzuar) fillimisht shprehej një fushë mjaft e gjerë konceptesh, por më tepër emërtoheshin gjë-sende konkrete ose një sasi lënde e panumërueshme, por konkrete, fushë kjo semantike që tanimë, pothuajse tërësisht po mbulohet me trajta të emrave të gjinisë mashkullore, prandaj ky tip asnjanësish, ndonëse ka përdorim në frazeologjizma etj. mund të quhet me prirje konservimi për fjalë të caktuara, përkatësisht karakterizohet përgjithësisht me një pasivizim potencial, ngase ka pushuar tashmë nevoja për krijimin e shembujve të rij mbi këtë bazë.

b) Me asnjanësit e paranyjëzuar prejmbiemërorë gjendja qëndron ndryshe. Ndonëse edhe këta dalin të goditur, më mirë të konkurruar nga femërorët e nyjshëm si dhe formimet me emra prapashtesore ti tipit më –si, e variante të tjera, megjithatë dalin të mbijetuar, përkatësisht të pazëvendësueshëm në fushën e abstraksionit për të shprehur koncepte cilësie gjendjeje a të qeni. Së këtejmi prejmbiemërorët u ndanë në dy nëngrupe: nëngrupi i parë, prej 18 shembujsh të prejardhur prej mbiemrave cilësorë, të cilët edhe mbulojnë koncepte cilësie dhe nëngrupi i dytë mbi bazë të mbiemrave jocilësorë, i përbërë prej 17 shembujsh, me të cilët shprehen koncepte të gjendjes ose të qenit. Pra, gjithsej në atë Fjalor janë regjistruar 35 prejmbiemërorë.

c) Edhe prejpjesorët  u ndanë në katër nëngrupe sipas tipit të foljeve, mbi temë me –ë fundore 21 shembuj, mbi bazë të një bashkëtingëlloreje në temë 14 raste dhe mbi bazë të fundores –ur të pjesores së foljeve më –oj e -uaj 7 shembuj,  plus një shembull me fundoren -ier,  që gjithsej bëjnë 43 shembuj prejpjesorësh, të cilët mbulojnë koncepte veprimi dhe janë në konkurrencë sinonimike zakonisht me emrat prejpjesorë të prejardhur me prapashtesat -im ose -je.

Pra, sipas burimit në fjalë dalin 6 emra asnjanësish primitivë të mirëfilltë, 35 asnjanës prejmbiemërorë dhe 43 asnjanës prejpjesorë, që gjithsej bëjnë 84 shembuj.

3. Në kreun  III u konstatua me fakte se shtrirja e përdorimit të asnjanësve të paranyjëzuar sidomos të prejpjesorëve në gjuhën shqipe në realitet, ishte dhe është shumë e gjerë. Kështu numri i asnjanësve të regjistruar, b.f., në Fjalorin e S. Dobroshit i afrohet 2000-shit, ndërsa në Fjalorin e M. Elezit dalin të regjistruan afro njëmijë shembuj, pothuaj, po aq sa dalin të përdorur në Fjalorin e gjuhës shqipe (1954). Edhe në burime të tjera ndeshim me qindra shembuj asnjanësish të paranyjëzuar, prandaj e quajmë me vend kërkesën që prania e tyre, sidomos e prejpjesorëve po edhe e prejmbiemërorëve në burimet përkatëse normative, duhet të jetë e përfaqësuar në mënyrë më të plotë dhe korrekte Vlen të theksohet fakti se në Fjalorin e gjuhës shqipe 2006 përveç numrit 84 janë shtuar edhe mbi 80 shembuj të tjerë, pothuajse të gjithë të tipit prejpjesor. Po ky numër pothuajse del edhe në tekstin e Drejtshshkrimit të gjuhës shqipe (2011), ku dalin të shënuar në zëra të veçantë 6 raste të asnjanëve të tipit të katërt, prejrrjedhorë.

Gjithsesi, jo vetëm sipas tipave, por edhe sipas nëntipave, më drejt sipas grupeve a nëngrupeve përkatëse përfaqësimi i tyre në burimet përkatëse normative duhet të jetë më i denjë. Njëherazi u konstatua se në burimet përkatëse që u konsultuan sa i përket shquarsisë, mbizotëron trajta e njëjësit të shquar, si trajtë përfaqësuese e asnjanësit përgjithësisht, por nuk përjashtohet as trajta e pashquar, varësisht nga konteksti..

4. Lënda e trajtuar në kreun IV zgjon interes të jashtëzakonshëm, ngase aty bëhet fjalë për vendin e asnjanësit prejpjesor në kuadër të prejpjesorëve të tjerë sinonimikë. Nga skema e paraqitur del se vendi i asnjanësve të paranyjëzuar prejpjesorë, ashtu si edhe ai i prejmbiemërorëve, në krahasim me prejpjesorët a prejmbiemërorë të tjerë, ka vetëvetësi a identitet të plotë që dallon nga ata, jo vetëm nga pikëpamja formale, por, aq më tepër nga pikëpamja e specifikimit të nënfushës semantike të majave më të larta në kuadër të fushës së gjerë të abstraksionit. Kjo nënfushë kryesisht del e specifikuar për konceptin e veprimit përkatës, por pa kaluar në konceptin e vetë procesit të veprimit ose të rezultatit të veprimit, ngase për koncepte të tilla tani dalin të specializuar prejpjesorë të tjerë, siç janë edhe emrat e prejardhur me prapashtesat e specializuara –IM dhe –JE si dhe prejpjesorë femërorë të paranyjëzuar, prejpjesorë pandajshtesorë, përkatësisht emrat prejmbiemërorë me paranyjëzim, siç është tipi me -SI e të tjerë.

5. Në kreun V jepen edhe disa konstatime të tjera plotësuese që identitetin e asnjanësve të paranyjëzuar në kuadër të sistemit emëror të shqipes e bëjnë  edhe më të qartë, siç është edhe ndërlidhja kuptimore e asnjanësit prejpjesor me paskajoren e mirëfilltë (me+pjesore), me singularia tantumet, me pluralia tantumet, me valencën, formalisht me emrat e përgjithshëm të emërzuar nga mbiemrat e pjesoret e paranyjëzuara që përdoren zakonisht si emra të përgjithshëm në emërtimin e njerëzve dhe së fundi u trajtua edhe raporti mbiemri prejpjesor ndaj asnjanësit prejpjesor si dhe në raportin mbiemër prejpjesor ndaj asnjanësit prejpjesor.

6. Në kreun VI u konstatua se anashkalimi i asnjanësve të paranyjëzuar në burime të ndryshme, sidomos në vitet ‘50-‘90 të shekullit të kaluar, është shkaktuar më tepër subjektivisht, si pasojë e konstatimeve të nxituara, pa mbështetje të fortë të brendshme evolucionore të gjuhës, por siç supozohet për këtë më fort kanë ndikuar këta tre faktorë shtytës të jashtëm, si p.sh.:

E para, nga ndikimi i gjuhëve të huaja (neolatine e sllave), të cilat nuk e kanë asnjanësin analitik, siç e ka shqipja (nyje+mbiemër ose nyje+ pjesore), po e kanë atë në formën sintetike, zakonisht me prapashtesa speciale, siç janë edhe prejfoljorët e shqipes të gjinisë mashkullore me prapashtesën -im dhe ata të gjinisë femërore me  prapashtesën -je.

E dyta, si shkak del njohja e pamjaftueshme e identitetit të asnjanësve të paranyjëzuar, sidomos fakti që ka të bëjë me nënfushën semantike që mbulojnë, nënfushë kjo që ende nuk njihet sa duhet nga disa qarqe të studiuesve të caktuar,

E treta, si shkak del edhe sugjerimi përgjithësues, duke u mbështetur në fakte pjesërisht të drejta, se gjoja të gjithë treguesit e asnjanësve edhe atyre të paranyjëzuar si dhe asnjanësit vetë janë konvertuar ose janë në konvertim i sipër në gjinitë aktive, sidomos në gjininë mashkullore.

Sidoqoftë, këto tri arsye sipas analizës që u bë dalin pjesërisht të drejta, por jo të mjaftueshme që asnjanësit e paranyjëzuar të konsiderohen të pasivizuar, andaj, së këndejmi del si rrjedhojë edhe paraqitja jo e denjë e asnjanësve në burimet tona normative në letrarishten e sotme në fazën e sapokaluar të diskutueshme prej nesh, prej viteve ’70 të shekullit të kaluar deri në vitin 2002.

7. Në kreun VII, të parafundit, pasi përmenden disa raste të hapura lidhur me asnjanësit sipas katër tipave (prejemërorë të paparnyjëzuar, prejmbiemërore, prejpjesorë dhe si shprehje prejrrjedhore (ablativale) dhe jepen sugjerime rreth zgjidhjes së përkufizimeve dhe përdorimit të tyre sipas specifikimit të nënfushve semantike që mbulojnë lidhur me temën e shtruar.

8. Në kreun VIII, të fundit, pas konstatimeve përgjithësuese, në  disa pika, veç e veç, sipas tipave të asnjanësve, ilustrohet përdorimi i tyre sipas nënfushave përkatëse semantike  me shembuj konkretë. Kështu

a) për asnjanësit primitivë, si emra të mirëfilltë ceken 2 nënfusha semantike të profiluara,

b) për asnjanësit prejmbiemërore  6,

c) për asnjanësit prejpjesorë, 16 ose 18 nënfusha të profiluara semantike dhe.

ç) për asnjanësit me shprehje prejrrjedhore, 5 profilime.

Në fund u shtrua kërkesa që vlen për të katër tipat në fjalë, por sidomos për dy tipat e asnjanësit të paranyjëzuar (prembiemërorë dhe prejpjesorë) që në burimet tona normative të shqipes standarde të jenë të përfaqësuar më denjësisht, sipas profilimit të nënfushave semantike që mbulojnë, përkatësisht sipas tipit të foljeve që përfaqësojnë.

Gjithsesi nga krejt ajo që është trajtuar në këtë punim mund të thuhet  me bindje të plotë se koncepti rreth asnjanësit në gjuhën shqipe do të dalë më i plotë dhe më i qartë në çdo burim tjetër, vështruar sidomos nga rrafshi sinkronik, veprim ky që do të kontribuojë në të mirë të konsolidimit të mëtejshëm të normës së sistemit emëror të shqipes së sotme në përgjithësi dhe të nesërme të standardit të rinuar në veçanti.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora