| E hene, 10.06.2013, 07:59 PM |
MENDIMI
PËRMBYLLËS PËRGJITHËSUES RRETH IDENTITETIT TË ASNJANËSVE NË SHQIPEN E SOTME
Nga Dr. Nuhi Veselaj
1. Konstatime përgjithësuese
Nëse deri këtu kemi
arritur me përpjekjen tonë që sadopak ta paraqesim çështjen rreth vetëvetësisë
a identitetit të asnjanësve në shqipen e sotme, atëherë na mbetet që në fund ta
japim mendimin përgjithësues përmbyllës rreth kësaj teme.
Nga analiza doli se për nga forma dhe koncepti që
mbulonin dhe mbulojnë në kuadër të strukturës emërformuese të shqipes në
përgjithësi, asnjanësit, që të katër tipat, dalin të identifikueshëm, si tipi i
asnjanësit primitiv (të paparanyjëzuar), dy tipat e paranyjëzuar (prejmbiemërorët
dhe prejpjesorët) dhe tipi i asnjanësit ablatival, i togfjalshëzuar me folje
dhe i ndajfoljezuar me shprehje prejrrjedhore.
Mirëpo, ndërsa tipi i parë
ka pësuar pakësim numri në përdorim, ose rrudhje, madje edhe zhdukje, duke u
shkrirë në një shumicë rastesh në trajta të dy gjinive të tjera aktive, sidomos
në njëjësin e mashkullores, dy tipat e
tjerë, qoftë prejmbiemërorët, qoftë prejpjesorët, edhe pse kanë prejardhje të
ndryshme motivuese, dalin të specifikuar në një nënfushë të veçantë të abstraksionit
dhe janë mjaft aktivë e prodhimtarë në ligjërimin e sotëm. Kështu këta dy tipa
arritën, jo vetëm të mbijetojnë në luftën e konkurrencës me sinonimet
përkatëse, por edhe të shënojnë rritje numerikisht, ngase nënfusha semantike që
mbulojnë u mundëson atyre një gjallërim të tillë. Me fjalë të tjera, ndonëse
prejmbiemërorët u ballafaquan me emrat me prapashtesat më -i (disa versionesh, sidomos ato me -si, -ri, -shmëri ) që këta si emra abstraktë kryesisht i përkasin
po ashtu fushës së abstraksionit, ashtu si edhe prejpjesorët e tjerë, të cilët
u ballafaquan me emrat me prapashtesat -im,
-je, -esë e ndonjë tjetër, por sidomos me dy të parat, që dalin edhe këta
të specifikuar për emërtimin e koncepteve abstrakte, megjithatë ata (asnjanësit
e paranyjëzuar të rasës emërore), të dy tipat, mbeten, jo vetëm të
pandryshueshëm formalisht sa i përket nyjës së përparme, por për çka është edhe
më e rëndësishme, ata mbeten të pacenueshëm edhe nga ana semantike, sepse në
konkurrencë e sipër u specifikuan, siç është cekur disa herë, në një fushë të
veçantë për mbulimin e një nënfushe sinonimike në kuadër po të fushës së
abstraksionit, ashtu ngjashëm si edhe emrat sinonimikë prapashtesorë, me të
cilët, si me thënë, i ndanë nënfushat semantike fqinjësisht, trizash, siç e kemi argumentuar mjaft
qartë e bindshëm në krerët e mëparshëm të këtij punimi.
Tipi i katërt, edhe pse
del si emër asnjanës i formuar (emërzuar) qoftë nga pjesorja, qoftë nga mbiemri
ose edhe nga ndonjë kategori tjetër leksiko-gramatikore, ai sa u përket veçorive
fjalëndërtuese e kuptimore ndryshon nga dy tipat e paranyjëzuar. E thamë fjalëndërtuese, sepse prejardhja e tij
nuk është nga rasa emërore, si e dy tipave të sapocekur, por nga rasa
rrjedhore, nga e cila e ka të trashëguar nyjën e përparme arkaike së dhe fundoren –i nga njëjësi i pashquar i emrit dhe këto dy tipare të emërzimit i
bart në të gjitha funksionet që i kryen si trajtë e ngurëzuar. Së këtejmi kjo
formë ndërtuese me funksionet kuptimore që kryen në nënfusha të caktuara
semantike në gjuhën e sotme letrare shqipe gjithnjë e më shumë priret të
specifikohet, qoftë si pjesë e togfjalëshit kallëzuesor, qoftë si kundrinor,
qoftë edhe si ndajfolje ose si shprehje ndajfoljore.
Sidoqoftë, anashkalimi a injorimi pa qëllim të keq, që u
është bërë në të kaluarën, jo të largët të tre tipave të asnjanësve të
paranyjëzuar, duke mos u dhënë vendin e
merituar teorikisht, gramatikisht e leksikisht në ndonjë burim normativ
ose praktikisht në krijimtarinë letrare-artistike, po edhe në stile të tjera, nuk
dimë sa mund të cilësohet si lëshim i falshëm, pasi supozojmë se funksioni i
tyre nuk njihej sa duhet, por, me sa u shtrua deri këtu, mund të themi me plot
bindje se një veprim i tillë injorues ka lënë pasoja të pamira, jo edhe aq të
vogla përgjithësisht në opinionin tonë të gjerë ligjërimor, te ne e gjithandej dhe aq më keq edhe te
ndonjë intelektual me profesion gjuhëtari ose krijuesi letrar. Fundi i fundit,
ndodhi si ndodhi në periudhën që konsiderohet e sapokaluar (vitet ’50-’90 të
shekullit që sapo lamë pas, ne ngulmojmë që sot e tutje, çështja e këtyre
asnjanësve, duhet me u rishikue patjetër, ngase mund të bëhet mëkat edhe më i
madh dhe i pafalshëm, nëse tashembastashti në burimet tona normative nuk i
jepet kësaj kategorie vlerësimi i duhur ose vendi i merituar, në kuadër të
mozaikut të sistemit tërësor emëror të shqipes.
Për mendimin tonë ia vlen të ritheksohet fakti se asnjanësit e paranyjëzuar tipi prejmbiemëror dhe sidomos ai prejpjesor i rasës emërore për konceptin e abstraksionit të lartë që shprehin nuk bën të cilësohen assesi të zëvendësueshëm me emrat e caktuar abstraktë të prejardhur, përkatësisht me emrat me -si e variantet e tjera, tipi të mirët, mirësi ose e mira, i gjallë – gjallëri etj. ose me emrat prapashtesorë tipi prejpjesor me -IM ose -JE, tipi i asnjanësit prejpjesor: të shkruarët a të shkruarit - shkrim, shkruarje, të ecurët e të ecurit - ecje, e kështu me radhë. Madje duhet pasur kujdes që edhe nëse ndodh ndonjë rast konvertimi i përcaktuesve të emrit përkatës me gjininë mashkullore jashtë suazave të lejuara, ajo anomali duhet të korrigjohet ose të konstatohet si rast e jo si prirje përgjithësuese që duhet përkrahur , përkatësisht sanksionuar normativisht.
2. Përkufizimi përmbyllës rreth profilimit të nënfushave semantike që mbulojnë të katër tipat e asnjanësve
Në fund do të përpiqemi që me një tekst të shkurtër përmbyllës të përfshijmë të gjitha profilet e nënfushave semantike që mbulojnë të katër tipat e asnjanësve:
a) Asnjanësit si emra primitivë të paparanyjëzuar
Është konstatim i drejtë
që asnjanësit e mirëfilltë primitivë, tipi: drithë-të
(drithi), djathë-të (djathi) etj. për
arsye se si fusha e asnjanësisë së shembujve si dhe vetë nënfusha semantike që
mbulojnë del heterogjene dhe e konkurrueshme me trajtat e dy gjinive të tjera
aktive, evolucionisht kanë pësuar, si me thënë, shkrirje, sidomos në njëjësin e
gjinisë mashkullore, proces ky që arsyetohet me veprimin e thjeshtëzimit që
mbretëron atavikisht, ashtu siç ndodh edhe në gjuhë të tjera. Mirëpo lidhur me
asnjanësit e shqipes në fjalë, shkrirja e tilla nuk është kryer në disa raste,
siç janë ujë-t, krye-t e ndonjë
tjetër që ende në atë gjini qëndrojnë aktivë në përdorim të përditshëm. Po si
këta ka edhe emra të tjerë me kuptimësi të veçantë që dalin herë-herë në stile
të caktuara përdorimi, aq më tepër në frazeologjizma ose në togfjalësha a
shprehje të ngurosura të qëndrueshme, të cilët si drejtshkrimisht, ashtu edhe
semantikisht janë të tolerueshëm, ngase
konsiderohen, siç janë në të vërtetë, një pasuri e trashëguar, pasuri kjo që
hyn në punë, madje mund të ripërtërihet me ndonjë shembull të ri prodhues e
veprues, por në raste të rralla, dhe analogjikisht.
Sidoqoftë, edhe tipin e tillë e ndeshim në këto profile në kuadër të nënfushave përkatëse semantike:
1. në disa frazeologjizma a shprehje të veçanta si:
Më ngjethët mishtë; të hëngërsha grurët.
me leshtë përpjetë; rrushtë e qenit, gruntë e (h)ashures; vajtë e nuses nën
duvak; mos ia nxirr ujë-t (kësaj
pune - mos e tepro), leshtë e Currit, e ndonjë tjetër;
2. në situata, kur emrat e parmë ruajnë një kuptim
të veçantë, të specifikuar, madje edhe si terma popullor, jo zyrtar, si b.f.: dhjamët (në mjekësi), ujët e
hollë, ujët e trashë, tëlyntë
për laknorë, tëlyntë për pushkë
etj., ashtu si edhe në shprehjen: Mjerë
pitja e shpisë që pret tëlyntë (gjalpët)
e kojshisë, e ndonjë tjetër.
3. në raste përdorimi të emrave në trajtë të
veçantë, si:
a. ballë-t:
Me ballët lart!, Mos e rrudh fort ballët
se t’plasin damarët: Puhia ballët ta lëmon, zavallet t’i largon, e ndonjë
tjetër;
b. krye-t (me kuptimin kokë): Më
dhemb kryet, e sidomos në fjalë të urta: frazeologjizma: Kallini i lehtë kryet përpjetë. Shëndosh
kryet se kësula (kapuça) ka boll. Me çue fort nalt kryet, para nuk të shohin
sytë. Më mirë me të mbytë se me pallavra me ta mbushë kryet. I vërteti, kryet
me veti etj.
Marrë në tërësi aktivizimi i emrave të rij të këtij tipi nuk del i favorizuar në stilin neutral të shqipes standarde, prandaj karakteri mbeturinor i përgjigjet, pothuaj, plotësisht vetëm këtij tipi të asnjanësve, por siç e kemi cekur edhe më përpara edhe emrat ose format. e asnjanësve të paparanyjëzuar mund të shfrytëzohen për koncepte të caktuara, sidomos në fushën e abstraksionit në formë frazeologjizmash ose të shprehjeve të veçanta.
b) Asnjanësit mbi bazë të mbiemrave të paranyjëzuar
Asnjanësit prejmbiemërorë të paranyjëzuar për
konceptin që shprehin janë aktivë dhe nuk i shtrohen tkurrjes as zëvendësimit
me sinonimet përkatëse me emrat e prejardhur cilësorë me prapashtesat
fjalëformuese, -si, -ri e ndonjë tjetër (me të cilët qëndrojnë në sinonimi),
ngase kuptimisht dalin të specifikuar për mbulimin e nënfushës së veçantë
semantike sinonimike po në fushën abstrakte.
Shembuj të këtij tipi i ndeshim në këto nënfusha
semantike të profiluara:
1) për të treguar koncepte
cilësie, me shembujt e nëntipit:
të mirë-t, të gjallët, të keq-të, të kuq-të ...etj. si b.f.: As
të mirët as të keqtë nuk harrohet lehtë. Të bardhët e shpirtit shprehet me
buzëqeshje, ndërsa të zitë e shpirtit shprehet me rrudha të ballit. Të mërroltë
e të murrtë nuk ia pëlqen, ndërsa të çeltë e kuqtë, po. Hiq të mbrapshtët, merr
të mbarët! etj.
Me fjalë të tjera
mundësia e përdorimit a e shfrytëzimit të asnjanësve prejmbiemërorë cilësorë
nuk del e kufizuar;
2) për të treguar një gjendje a të qenë (kohë,
ndjenjë), si p.sh.:
të ftohtët, të fikëtit,
të ligëtit mos i provofsh, po nëse të bien hise duhet t’i durosh. Shkoi
të shumtët mbeti të paktët. As të shmajtët
as të djathtët, por të drejtët e
të naltët duhet me i përkrahë. Të përmaltët si të
përhantët ashtu si të përfushtët dhe të ngushtët - janë sjellje që nuk durohen
dot.
Edhe aktivizimi i asnjanësit të
këtij profili që tregojnë gjendje etj., varësisht nga konteksti, del me mundësi
të hapur, të pakufizuar shumimi;
3)
Në disa ndërtime me parafjalën për,
si:
E mori për të butë e ai ia qiti trutë. E bleu për të lirë.
Ia bleu për të kuq, Ia mori për të keq etj.;
4)
Në disa shprehje a lokucione ndajfoljore të formuara nga parafjala me
+ mbiemri i substantivuar i gjinisë asnjanëse, si: E mori me të keq, I foli me të mirë, I foli me të butë. Iu
përgjigj me të qeshur, U soll me të urtë (me të egër). Mos e merr punën me të
nxehtë, po me të ftohtë e me të ngrohtë.
Mos folni me të mujshëm etj.;
5) Tek emërtimet e gjë-sendeve
konkrete ose në shprehje figurative, p.sh.:
të trashtë e surlës,
të zitë e ullinit, të bardhët e syrit, të kuqtë e mollës, të verdhët e
synit
etj.;
6) Në shprehje të veçanta, si:
(zgjidh) jo të keqtë e të përdreqtë, po ti mirët e të
ndreqtë. Vetëm me të kuqtë e të bardhtë, puna s’ merr të mbartë! etj.
Materiali i përmendur në të
gjashtë nënfushat, përkatësisht, në të gjitha pikat e mësipërme, tregon
shtrirjen e përdorimit të këtij tipi dhe njëkohësisht aktivitetin dhe prodhimtarinë
e hapur ose të pakufizuar shumimi të këtij tipi, në kontekste të caktuara,
varësisht nga numri i vetë mbiemrave.
c) Asnjanësit
prejpjesorë të paranyjëzuar në rasën emërore
Asnjanësit e
paranyjëzuar mbi bazë pjesoreje të cilët janë aktivë e produktivë, andaj si të
tillë nuk i shtrohen tkurrjes as zëvendësimit me emra prejpjesorë prapashtesorë
me -im ose -je dhe të tjerë, ngase edhe këta, si asnjanësit prejmbiemërorë të
rasës emërore, madje edhe më tepër se ata, dalin të specifikuar kryesisht për
mbulimin e nënfushës së veçantë semantike në kuadër të fushës së gjerë të
abstraksionit, që ka të bëjë ekskluzivisht me konceptin e procesit të veprimit
abstrakt ose të idesë së konceptuar të dukurisë a të veprimit të caktuar në
zhvillim e sipër ose jo, numri i të cilëve varësisht nga konteksti del i shtrirë në disa profile a
nënfusha semantike, si p.sh.
1)
Tipi:i prejpjesorëve me kuptim
përgjithësues në kuadër të togfjalëshave, shih të dy versionet:
a) të punuarit (të kënduarit, të ecurit,t ë vjershëruarit, të
shprehurit, të. shkruarët a të shkruarit, të ecurit, të hyrët, të
ngrënët, të menduarit a të menduarët etj..) si art, është një veprim, mënyrë a dukuri etj. shumë e pëlqyeshme
ose
b) arti (veprimi, mënyra,
dukuria,.) i (e) të punuarit (të
kënduarit, të ecurit, të vjershëruarit, të shprehurit...) etj. është një punë shumë e pëlqyeshme.
2) Në disa fjalë-terma të
mirëfilltë, kur emri i nyjshëm asnjanës del i terminologjizuar, si të folurit (në gjuhësi), të menduarit (në logjikë, filozofi), të rrezatuarit (në fizikë, në
fizioterapi), të ushtruarit (në
fizkulturë) etj. Edhe në këto nënfusha si raste, asnjanësi ka mundësi të
pakufizuar shumimi;
3)
Në shprehjet: në të hyrë të
vjeshtës, në të dalë të dimrit, në të ngrysur të ditës, në të përfunduar e sipër të veprimit, në të hyrë
të syrit të pranverës etj.
4) Në disa frazeologjizma a
togfjalësha të veçantë, me togun: me një
+ pjesore e nyjëzuar, si: me një të
goditur, me një të shtënë, me një të rënë; me një të ramë dy të vramë ose me një të ranë dy të vranë! etj.;
5) Në disa togfjalësha të tipit: trajtë e foljes me pasë + pjesore e
nyjëzuar, si: s’ka të sosur, s’ka të mbaruar, ka të sjellë të mbarë, ka të prurë të begatë; ka një të goditur të
fortë, keni të shkuar të shkëlqyer, kishte
një të ecur të bukur etj.
6) Në shprehje sqaruese kumtimi,
si të bërët sehir, të qenët i drejtë, të
dhënët e fjalës, të qeshurit e fytyrës, të marrët me të mirë, të sjellët me të
keq, të kthyerit mbarë, të marrët me mend etj. Edhe në këso
rastesh përdorimi i asnjanësit pothuajse është i pakufizuar.
7) Në shprehje të veçanta, si: jo të lyentë e të ngjyentë, por të vyemtë; të
ngrënët e të pirët, të sjellin të mirët;
8) Në shprehje të
togfjalësha të lashtë, si: sa të blemit,
sa të zbutunit, sa të prashitunit etj (A. Zymberi)
9) Në shprehjet nëpër të korrun, nëpër të mihun, nëpër të
lavrueme etj. (sipas A. Zymberit).
10) Në shprehjet
kur para asnjanësit përdoret parafjala në,
si p.sh: çështja nuk qëndron vetëm në të
shqiptuarit (të shikuarit, të analizuarit) e drejtë etj., por... - numër i
pakufizuar;
11) Në shprehjet
ku para asnjanësit përdoret parafjala për,
si: kur është. fjala për të gjykuar (për të shqiptuar, për të imituar ...etj) -
numër i pakufizuar.
12) në shprehjet: çfarë të punuari, çfarë të shkruari,
çfarë të arsyetuari?! etj. (sipas A. Zymberit).
13) Në formimin e formave të pashtjelluara a të togjeve të
foljeve si p.sh.:
a. me+pjesore të
nyjëzuar (paskajorja e dytë): për të
dalë, për të folur, për të lëvduar, për të punuar, për të qarë etj.
b. me + pjesore
të nyjëzuar: me të punuar, me të qeshur,
me të ngjeshur, me të shtirë e me të pështirë dhe as me të lyer e me të ngjyer
(nuk çohet dot jeta), u tërhoq me të
bartur të trupit, s’mbahet shpija me të
lypur etj. si dhe
c. një+pjesore të
nyjëzuar: një të punuar, një të lehur të
qenit, një të ecur, një të shkelur (të
syrit) etj.
14) Në njësi frazeologjike, me parafjalën më: si
më të djathtë, më të ngrysur, më
të lumtët etj.;
15) me parafjalën ndaj, si: ndaj të gdhirë, ndaj të
ngrysur; (qëndrimi) ndaj të
mësuarit, ndaj të punuarit etj.;
16) në sqarimin e
kuptimit të emrave, si p.sh: mbarësi - të qenët i mbarë, sefallëk - të
bërët sefa, dhimbshuri - të qenët i dhembshur etj.
Siç mund të shihet nga 16
nënfushat semantike të profiluara ose sipas materialit të paraqitur në 18 pikat
e nënpikat përkatëse, del se asnjanësi i këtij tipi ka shtrirje të gjerë dhe të
pakufizuar në shumë segmente të gjuhës, kryesisht në nënfushën përkatëse të
fushës së abstraksionit, ku bashkëjeton në sinonimi me emra të tjerë, po nuk
rrezikohet asnjëherë kuptimisht nga ata, ngase, pothuajse i kanë të ndara
nënfushat semantike që i mbulojnë. Ndërkaq me tipin e prejmbiemërorëve
bashkëjeton në të njëjtën fushë, në pikën më të larte të abstraksionit.
ç) Asnjanësit e ndafoljezuar në shprehje prejrrjedhore
(ablativale)
Edhe në tipin e asnjanësve të
ndajfoljezuar me shprehje ablativale, d.m.th të rasës rrjedhore dallohen 5
profilime a nënfusha semantike që asnjanësit e tillë mbulojnë ose janë të implikuar në shprehjet a nënfushat e tilla semantike:
1) Në togfjalësha emrash
perejpjesorë që prof. M. Çeliku, i quan formime me rrjedhoren e gerundit, tipi:
u ngopa së foluri, mbarova së ngrëni,
s’pushon së hedhuri romuze, s’lodhet dot së kënduari, s’ngopej së shikuari
rrethinën; do të fillojnë së shpërnguluri, pushoi së gjëmuari, mbaroi së
lëvduari, vazhdo së kënduari
etj.; në funksion të kundrinës së drejtë, ose të një rrethanori a përcaktori,
me mundësi të pa kufiziuar shumimi.
2) Si ndajfolje nga mbiemrat e substanivuar ose
nga njësi të tjera leksiko-gramatikore në zëra të veçantë, që mund të
konsiderohen si trajta përfaqësuese, si: së
pari, së bashku, së fundi, së thelli, së voni, së kthjellti etj. – numër i
pakufizuar.
3) Në shprehjet:
ndajfolje + emër asnjanës emërzimi në rrjedhore, si: kot
së koti, pak së paku, tok së toku, prap
së prapi, mbar së mbari (B. Hajrullaj, K. Topalli).
4) Në lokucione
ndajfoljore të formuara prej mbiemrash të substantivuar të gjinisë asnjanëse në
rasën rrjedhore të paraprirë nga
parafjala për, si: për së
afërmi, për së gjati, për së gjeri, për
së largu, për së larti, për së mbari, për së shpejti etj. (B. Hajrullaj, K.
Topalli).- numër i pakufizuar.
5) Në shprehje togfjalëshash me
parafjalën prej, si: Qëlloi prej së largu, Peni
këputet prej së holli, zullumi këputet prej së trashi. Plasi prej së keqi,
Është punë që s’hahet prej së ëmbëli. (A, Zymberi, H.. Hajrullaj).- numër i
pakufizuar.
* *
*
Sido që të jetë,,
para se të japim përfundimin rreth profilimit të nënfushave semantike të të
katër tipave të asnësve po paraqitim raportin trajtë e shquar ndaj trajtë
e pashquar, sipas nënfushave semantike si më sipër po për katër tipa e
sipërtrajtuar:
Ndërsa tek emrat
asnjanës të paparanyjëzuar në njësin e emërores dallohet shquarsia si p.sh. ujë/ ujët, mish/ mishtë, tek
paranyjëzorët kemi këtë situatë. Tek emrat prejmbiemërorë në 6 profilimet rezultati
del 3 me 3, ndërsa tek prejpjesorët prej 18 profilesh e nënprofilesh rezultati del 8 me 9, plus një rast i diskutueshëm
nëntipi: çfarë të shkruari, ku nyja
e përparme është të, por shquarsia
mbaron me –i-në anaptetike që ë
njëherazi përkon me nyjë-mbaresn e njëjësit të shquar të rasës emërore të emrit
të gjinisë mashkullore.
Ndërkaq në tipin
me shprehje prejrrjedhore tek të 5 profilet para emrit ose emërzimit
përkatës të shprehjes asnjanësore del nyja së
dhe të gjithë shembujt përfundojnë me –i,
ose -u, d.m.th. me nyjë-mbaresën e emrit të
gjinisë mashkullore e rrjedhore –i, ose -u, në trajtën e pashquar.
Sidoqoftë, këto të dhëna imponojnë
që ekspertët t‘i kenë parasysh me rastin e konstatimeve rreth shquarsisë së
asnjanësve në gjuhën shqipe.
Përfundim rreth profilimit të nënfushave semantike të
asnjanësve
Nga lënda e paraqitur më sipër, ndër të tjera,
mund të nxirren këto përfundime:
E para, vetëm kur është fjala te
frazeologjizmat e trashëguar me asnjanësit
përkatës primitivë si emra të mirëfilltë, por jo për fjalë të veçanta, që
mund të përdoren shembujt e tillë pa ndonjë rezervë, por ofrohet mundësi e
hapur për me u krijue shembuj të tjerë të rij të ngjashëm, qoftë, në ligjërimin
e lirë të përditshëm, qoftë, në vepra të krijimtarisë letrare-artistike.
E dyta, siç u
konstatua disa herë gjatë analizës, asnjanësit e paranyjëzuar, qoftë
prejmbiemërorë, qoftë prejpjesorë, varësisht nga konteksti mund të përftohen në
mënyrë të pakufizuar, sepse këtë e mundëson motivimi i temës prodhuese
fjalëformuese dhe specifikimi i nënfushës së qartë semantike që mbulojnë.
E treta, në këtë
kontekst, rreth numrit të pakufizuar, imponohen një varg çështjesh, që kërkojnë sqarim, jo vetëm rreth
raportit me emra të gjinive të tjera lidhur me nënfushat semantike që mbulojnë,
por edhe në raportin e tyre të brendshëm të tipit të asnjanësve aktivë, siç
janë: trajta përfaqësuese/trajta e
rëndomtë ose mbizotëruese, kategoria
njëjës/shumës, trajta e shquar/ e pashquar, si dhe vendi i tyre në kuadër të njësive
përkatëse sinonimike e të tjera, pastaj si qëndron ndërlidhja me të gjitha
njësitë përkatëse brenda strukturës së sistemit emëror e të atij foljor të
shqipes, madje edhe raporti barasvlerës me gjuhë të huaja etj.
E katërta, edhe
kur është fjala rreth tipit të katërt, ndonëse nuk mund të flasim me
kompetencë, sa i përket nëfushës semantike ose profilimit që mbulojnë, mund të
thuhet se shprehjet e tilla e njomin të shprehurit e standardit të gjuhës
shqipe, dhe përdorimi ose prodhueshmëria e tyre nuk vihet në dyshim, por nuk
dimë shprehjet e tilla sa janë të përhapura në të folmet popullore jugore e sa
në ato veriore, por gjithsesi pohohet se kjo dukuri tashmë është karakteristikë
e gjuhës së sotme standarde.
Sido që të jetë,
për të gjitha çështjet që prekëm në krerët e mëparshëm u përpoqëm me dhënë
përgjigje ose së paku me bë paraqitje sa më të plotë dhe transparente para
auditorit të gjerë, çështje kjo që nuk do të thotë se nuk do të nxisë
edhe hulumtime të mëtejshme përplotësuese, për katër tipat e asnjanësve, e sidomos rreth tipit të
katërt, madje presim që konstatimet tona të përplotësohen, sepse është temë e
hapur e jo e studiuar në mënyrë shteruese.
Pra, nga tërë
kjo, sa u tha, del se shqipja e sotme ka
në përdorim, një tip, me disa shembuj pjesërisht aktivë asnjanësish të
paparanyjëzuar, një tip tjetër që karakterizohet me shprehje prejrrjedhore, jo
mjaft i studiuar dhe dy tipa aktivë asnjanësish të paranyjëzuar
(prejmbiemërorët dhe prejpjesorët të rasës emërore (si rasë përfaqësuese) të
cilët sa i përket prejardhjes a temës fjalëformuese motivuese
(mbiemëre/pjesore), pothuajse mbulojnë të njëjtën fushë semantike që lidhet me
konceptin e procesit të veprimit përkatës ose të cilësisë, gjendjes a të qenit
të motivuar nga tema prodhuese. Përdorimi e kultivimi i të cilëve patjetër
duhet të sforcohet teorikisht e praktikisht, pikërisht në shtratin e destinuar
të specifikuar të tyre, d.m.th. në majat e fushës së abstraksionit përkatës..
3. Edhe disa konstatime
përgjithësuese rreth asnjanësve
Në fund, për të
tërhequr vëmendjen rreth asaj që u trajtua në këtë punim, po ritheksojmë edhe
këto nëntë veçori karakteristike që i quajtëm përgjithësuese të asnjanësve,
duke lënë vend edhe për ndonjë element polemizues:
1) Po ritheksojmë
faktin se numri i regjistruar i asnjanësve në FShS 2002, 6 primitivë dhe 78 të
paranyjëzuar, gjithsej 84, assesi nuk mund të konsiderohet si numër shterues i
asnjanësve në përdorim të përditshëm, madje as si numër përfaqësues nuk del i mjaftueshëm për të prezantuar të gjithë nëntipin përkatës
të asnjanësit. Sigurisht lënda në Fjalor duhet kuptuar, jo vetëm si lëndë
detyruese lidhur me respektimin drejtshkrimo-gramatikor, por më tepër si
strumbullar orientues rreth të cilit duhet të sillemi, por jo në mënyrë të
verbër. Me këto fjalë duam të themi se, sidoqoftë, lypset verifikuar që
shembujt në atë burim janë apo nuk janë të mjaftueshëm si përfaqësues të tipave
a nëntipave përkatës apo vetëm janë hedhur ashtu pa ndonjë kriter?
2) Lypset verifikuar faktet sipas kontekstit përkatës
dhe assesi nuk duhet pranuar konstatimet e dhëna pa mbulesë se gjoja sinonimet e emrave të prejardhur me -si ose me -im a -je janë të mjaftueshëm si barasvlerës për të
zëvendësuar asnjanësit përkatës për të gjitha konceptet, qoftë në fushën e
abstraksionit, qoftë në raste në atë me elemente të konkretizimit. Sigurisht
për shkak të mosverifikimit të fakteve e saktësisë së tyre ka ndodhur, madje
edhe ndonjë keqkuptim a veprim arbitrar rreth raportit aktivizim / pasivizim të
asnjanësit, siç janë edhe rastet e mospërfshirjes ose të mospërdorimit të tyre
gjithandej e këndej në mbarë truallin shqipfolës edhe për ato koncepte që nuk
kanë mbulesë të mjaftueshme përkatëse sinonimike.
3) Konstatimi
tjetër që lypset ritheksuar ka të bëjë me zbërthimin e kuptimit të asnjanësve
sipas tipave përkatës:
a) Me plot të
drejtë konstatohet se asnjanësit e mirëfilltë primitivë u krijuan në
kundërvënie ndaj emrave femërorë/mashkullorë ose për të përmbushur ndonjë
zbrazësi strukturore në sistemin nominal të shqipes, por duhet pranuar, siç
është vërtetuar ndërkohë se emrat e kësaj gjinie, veç specifikimit të pjesshëm
rreth emërtimit të gjë-sendeve të pandara në ekzemplarë, nuk kishin ndonjë
nënfushë të plotë semantike të specifikuar të dalluar nga emrat e dy gjinive të
tjera gramatikore. Sidoqoftë, këta edhe
dalloheshin prej tyre me formantet përkatëse mbaresore formale në njëjësin e
shquar dhe me treguesit asnjanës, mirëpo, ndërkohë duke i humbur treguesit
përkatës filluan shkallë-shkallë edhe ndërtimisht e kuptimisht të pësojnë
ndryshime, duke u inkorporuar në gjininë tjetër aktive gramatikore, qoftë në
gjininë femërore e aq më tepër në atë mashkullore, duke e pranuar edhe
nyjë-mbaresën përkatëse të tyre. Prandaj, edhe zbërthimi i tyre sot bëhet me
emrin e gjinisë përfaqësuese të grupit leksiko-semantik të emrit të lëndës.
P.sh. trajta mishtë tregon se është
emër i gjinisë asnjanësve të emrit aktiv të gjinisë mashkullore: mish mishi, mishrat (mishnat), e kështu
me radhë, por megjithatë janë disa raste që ende emrat e tillë po në formën e
asnjanësit dalin të inkorporuar në kuadër të shqipes letrare.
b) Të gjithë
prejmbiemërorët asnjanës cilësorë zbërthehen me mbiemrin përkatës cilësor të njëjësit të pashquar të gjinisë
mashkullore, si trajtë e gjinisë përfaqësuese, p.sh. të mirët, d.m.th. të qenët
i mirë ose me qenë i mirë (a të jesh
i mirë, e kështu me radhë. Ndërsa prejmbiemërorët asnjanës të nëntipit me të
cilët shprehet një gjendje a të qenë zbërthehen mjaft natyrshëm me trajtën e
paskajoren së foljes me pasë +
sinonimi përkatës i emrit prapashtesor, si p.sh. të gjallët, d.m.th. me pasë gjallëri, të lagëtit (vendi) me pasë lagështi(rë), të ligët - me pasë ligësi (gjendje ligësie)
e kështu me radhë. Në
të vërtetë, asnjanësit që tregojnë një gjendje a të qenë, kanë barasvlerësi
sinonimike heterogjene, barasvlerësi kjo që mund të jetë e shprehur a e
zbërthyer edhe me ndonjë emër jo mbi temë të njëjtë fjalëformuese dhe gjithsesi
me prapashtesa a ndërtimesh të ndryshme,
p.sh. të nxehtët - zjarrmi, e ndonjë
rast tjetër.
c) Në të vërtetë,
të gjitha rastet e asnjanësve të paranyjëzuar të rasës emërore, por edhe të
asaj arkaike rrjedhore, mbi bazë pjesoreje zbërthehen po ashtu mjaft natyrshëm
me ndihmësen e foljes përkatës të
paskajores së mirëfilltë, p.sh.: të qarët, d.m.th. me qa, të qeshurit
- me qeshë, të qëlluarit - me
qëllue, të shkruarit- me shkrue etj.
Krahaso se edhe trajta e paskajores zbërthehet me sinonimin në trajtën e
asnjanësit, p.sh. folja me shkrue
tregon veprimin e të shkruarit, por
kur është fjala te rezultati i veprimit, atëherë zbërthimi del edhe më qartë me
emrat e prejardhur .Bie fjala: cili është
rezultati i + ... (kupto asnjanësin
përkatës), p.sh cili është rezultati i të qarit (të qeshurit, të
qëlluarit, të shkruarit ...), përgjigja
del: qarja, (qeshja, e qëlluara,
shkrimi...), e kështu me radhë. Gjithashtu edhe rastet si Vazhdo së lexuari
/ Vazhdo me lexue, Pushoi së puthuri
edhe më/ Pushoi me puthë edhe hala(!) etj. Këto raste mund të shërbejnë si
mundësi e ndërkëmbimeve sinonimike
4) Siç u pa
konkretisht nga analiza për asnjanësit prejpjesorë të rasës emërore si rasë
përfaqësuese nuk del normalisht ose del fort rrallë ndonjë emër sinonim i
prejardhur me prapashtesat -si, -i, -ri etj. sepse prapashtesat e tillë (versionet me
-i fundore) kryesisht dalin të rezervuara pothuajse kryekëput për
prejmbiemërorët cilësorë, ndërsa për prejpjesorët e mirëfilltë të rasës emërore
dalin pothuajse, tërësisht sinonimet me prapashtesën -im ose -je, po edhe
ndonjë tjetër.
5) Për
prejpjesorët në raste të veçanta, dalin edhe emrat si emërzime të pjesores, sipas mënyrës
pandajshtesore, d.m.th. me mbaresë zero, si p.sh.: rëndë-a (të rëndët), zi-a
(të zitë), ujë-a (të uriturit), tekë-a (të tekurit), rrojë-a (të rruarit),
pritë-a (të priturit) etj. Konstatohet se prejpjesorët e tillë pandajshtesorë,
pothuajse të gjithë, ndërkohë kanë kaluar në fushën e semantike të
konkretizimit.
6) Po përmendim
si të saktë konstatimin se numri i asnjanësve prejmbiemërorë për nga sasia del
shumëfish më i madh në krahasim me numrin e regjistruar të tyre në burimin në
fjalë (FShS 2002), por megjithatë mund të thuhet se numri i prejmbiemërorëve në
krahasim me numrin e prejpjesorëve del në numër të kufizuar, sepse edhe vetë
numri i mbiemrave të nyjshëm del i kufizuar. Ndërsa sa i përket numrit të
asnjanësve prejpjesorë numri del shumë më i madh, del pa kufizim, ngase nga çdo
folje ka mundësi të formohet, përkatësisht një mbiemër prejpjesor ose një
asnjanës prejpjesor.
7) Ka raste që
edhe asnjanësi i paranyjëzuar të përftohet nga të dy trajtat e pjesores, të
pjesores së zgjeruar dhe të pjesores së shkurtër, madje një mundësi e tillë në
rast nevoje paraqitet si rezervë e deponuar, e cila edhe si e tillë mund të
aktivizohet, siç janë rastet të foljet konsonantike si p.sh.: të qeshët dhe të
qeshurit, të folët dhe të folurit, të dëlirët të dëlirurit etj., por gjithsesi,
le të dihet, se trajtat e letrarishtes së sotme duhen parapëlqyer, ngase, sot
për sot, dalin me konkurrencë të fituar, kur është fjala për të njëjtin
koncept. Këtu po shtojmë edhe një fakt tjetër. Ndodh që asnjanësi të përftohet
edhe mbi të njëjtën rrënjë-temë të fjalës, edhe mbi bazë të mbiemrit (mbiemrit të mirëfilltë) edhe mbi bazë të
pjesores (mbiemrit foljor) dhe që të dy janë normativë, vetëm nëse shprehin
koncepte a nuanca të ndryshme semantike.
8) Ç’është e vërteta, sa i përket
mënyrës së ndërtimit që të tre tipat e asnjanësit (primitivi, prejmbiemërori
dhe prejpjesori) e kanë të përbashkët nyje-mbaresën në trajtën e shquar –t(ë)
të emërores (sipas versioneve: -t,
ët, it, -të), mirëpo këtë nyje-mbaresë shquese në njëjësin e emërores e ka
vetëm asnjanësi, ndërsa dy gjinitë e tjera (mashkullore e femërore) e kanë
vetëm në emëroren e shumësit të shquar, ndërsa tipi i katërt, siç është përmendur
edhe më përpara, karakterizohet me nyjën e përparme së dhe me fundoren –i ose
-u, në njëjësin e pashquar të rasës
rrjedhore.
9)
Siç dihet, tre tipat e asnjanësit (prejmbiemërorët dhe prejpjesorët edhe
ata mbi bazë të rrjedhores) quhen
asnjanës të paranyjëzuar sepse janë të pajisur me nyjën e përparme të, përkatësisht së në ballë të tyre (të mirët, të ecurit, së ecuri), formant
ky që nuk del ashtu tek dy gjinitë e tjera, sepse në këto raste emri (mbiemri i
emërzuar) i gjinisë mashkullore si nyje të përparme merr i (i miri, i ecuri),
ndërsa ai i gjinisë femërore e (e mira, e ecura). Ky fakt u theksua
prej nesh se pikërisht është nyja e përparme të dhe nyja e prapme po -t(ë)
në njëjësin e shquar që gramatikisht e identifikojnë asnjanësin e paranyjëzuar
(prejmbiemëror e prejpjesor) të rasës emërore e kallëzore, duke e dalluar
kështu nga emrat e tjerë të paranyjëzuar.
* *
*
Si rezultat i krejt kësaj që u tha
në këtë punim del përfundimi se lënda mbi asnjanësit patjetër duhet të rimerret
në shqyrtim nga gramatikanët e studiuesit tanë, nga të cilët pritet një
riinterpretim edhe më i saktë dhe më i plotë rreth këtij problemi, që ne e vumë
në tryezë për rivlerësim dhe për këtë, na duket se kemi paraqitur material të
mjaftueshëm.
Sidoqoftë, edhe nga analiza që bëmë ne del mjaft bindshëm e vërteta se është fort pa vend sugjerimi se emrat asnjanës të paranyjëzuar mund të zëvendësohen për të gjitha konceptet nga emrat sinonimikë të prejardhur me prapashtesim e të tjerë, sepse asnjanësit e paranyjëzuar ruajnë identitetin e vet formalisht e përmbajtësish, qoftë me temë të qartë fjalëformuese, qoftë me nënfushën e veçantë semantike që e mbulojnë, andaj si të tillë, jo vetëm duhet njohur, por edhe duhen kultivuar dhe gjithsesi duhen sendërtuar si duhet në shqipen standarde, natyrisht pasi të përcaktohet edhe më mirë dhe të njihet edhe më në hollësi vetëvetësia a identiteti i tyre.
Konstatime përmbyllëse
Emrat e gjinisë asnjanëse në gjuhën shqipe edhe nga pikëpamja sinkronike nuk janë të patrajtuar nga gramatikanët tanë, mirëpo disa nga konstatimet rreth tipave, përdorimit dhe shtrirjes së tyre, jo vetëm nuk janë të plota, por janë të shoqëruara me paqartësi ose edhe me ndonjë zbrazëti jo të vogël. Nuk përjashtohet edhe ndonjë mangësi në keqinterpretim. Në këtë punim, me sa dimë, u identifikuan më qartë se në çdo burim tjetër katër tipat e asnjanësit në shqipen e sotme që janë:
1) tipi i
asnjanësve të mirëfilltë primitivë të paparanyjëzuar,
2) tipi i
asnjanësve të paranyjëzuar prejmbiemërorë,
3) tipi i
asnjanësve prejpjesorë të paranyjëzuar dhe
4) tipi i asnjanësit në shprehje prejrrjedhore (ablativale).
Duke pasur parasysh këtë ndarje të asnjanësve në gjuhën shqipe, tema u shtjellua në tetë krerë, të cilët në pika fare të shkurtra, veç tjerash, kanë këtë përmbajtje:
1. Në kreun I
për të konstatuar praninë e
asnjanësve në shqipen e sotme letrare u vol materiali nga Fjalori e shqipes së
sotme (2002) për tre tipat e parë, sepse tipi i katërt nuk del i identifikuar
në këtë burim. Sipas tipave asnjanësit u ndanë në tri grupime. Në fjalorin në
fjalë u gjetën të regjistruar 84 shembuj, prej tyre:
a) nga tipi i parë, 6 emra të mirëfilltë të
paparanyjëzuar,
b) nga tipi i dytë, 35 prejmbiemërorë të
paranyjëzuar dhe
c) nga tipi
i tretë. 43 asnjanës prejpjesorë të paranyjëzuar.
Edhe grupet e caktuara në bazë të nyjë-mbaresës së
emërores që marrin në njëjësin e shquar u grupuan në nëngrupe të caktuara.
Kështu:
a) asnjanësit e mirëfilltë të paparanyjëzuar u
ndanë në 2 nëngrupe, 4 shembuj me nyjë-mbaresën
-t dhe 2 me nyjë-mbaresën -të;
b) prejmbiemërorët po sipas nyjë-mbaresave të
emërores së njëjësit të shquar u ndanë tri nëngrupe, me –t 22 shembuj, me –të 6 dhe me –it
7 shembuj dhe
c) prejpjesorët sipas tipit të pjesoreve dhe nyjë-mbaresave të njëjësit të shquara, u ndanë 4 nëngrupe: me –t 21 shembuj, me - it 21 shembuj (2 sinëngrupe 14+7) dhe më –ët 1 shembull që gjithsej bëjnë 22 ( ose 14+7+1) shembuj.
Pasqyra e numrit të tërësishëm (totali) del kështu:
a) me nyje-mbaresën -t : 47 ( (ose 4+22+21)
shembuj,
b) me nyje-mbaresën
-të: 8 (2+6) shembuj,
c) me nyje-mbaresën –it: 28 (7+14+7) dhe
ç) me nyje-mbaresën
-ët 1 shembull.
Pra, totali: 47+8+28+1 = 84 shembuj.
Në të vërtetë, u konstatua se në atë Fjalor, përveç shembujve të regjistruar manipulohej edhe me 13 asnjanës prejpjesorë të tjerë, përkatësisht edhe me mbi 300 shprehje të paraprira nga asnjanësi të qenët + ..(fjala a togu sqarues). Kështu në atë burim manipulohet me afro 100 shembuj asnjanësish, përkatësisht me afro 400 raste që përdoret ose del i shënuar asnjanësi.
2. Në kreun II asnjanësit u trajtuan nga
këndvështrimi i nënfushës semantike që mbulojnë. Të 84 shembujt e asnjanësve të
regjistruar në FShS 2002 sipas tipave u ndanë në grupe e nëngrupe përkatëse dhe
për secilin grup a nëngrup u hetuan veçori dalluese semantike.
a) U konstatua se me asnjanësit si emra të
mirëfilltë (të paparanyjëzuar) fillimisht shprehej një fushë mjaft e gjerë
konceptesh, por më tepër emërtoheshin gjë-sende konkrete ose një sasi lënde e
panumërueshme, por konkrete, fushë kjo semantike që tanimë, pothuajse tërësisht
po mbulohet me trajta të emrave të gjinisë mashkullore, prandaj ky tip
asnjanësish, ndonëse ka përdorim në frazeologjizma etj. mund të quhet me prirje
konservimi për fjalë të caktuara, përkatësisht karakterizohet përgjithësisht me
një pasivizim potencial, ngase ka pushuar tashmë nevoja për krijimin e
shembujve të rij mbi këtë bazë.
b) Me asnjanësit e paranyjëzuar prejmbiemërorë
gjendja qëndron ndryshe. Ndonëse edhe këta dalin të goditur, më mirë të
konkurruar nga femërorët e nyjshëm si dhe formimet me emra prapashtesore ti
tipit më –si, e variante të tjera,
megjithatë dalin të mbijetuar, përkatësisht të pazëvendësueshëm në fushën e
abstraksionit për të shprehur koncepte cilësie gjendjeje a të qeni. Së këtejmi
prejmbiemërorët u ndanë në dy nëngrupe: nëngrupi i parë, prej 18 shembujsh të
prejardhur prej mbiemrave cilësorë, të cilët edhe mbulojnë koncepte cilësie dhe
nëngrupi i dytë mbi bazë të mbiemrave jocilësorë, i përbërë prej 17 shembujsh,
me të cilët shprehen koncepte të gjendjes ose të qenit. Pra, gjithsej në atë
Fjalor janë regjistruar 35 prejmbiemërorë.
c) Edhe prejpjesorët u ndanë në katër nëngrupe sipas tipit të
foljeve, mbi temë me –ë fundore 21 shembuj, mbi bazë të një bashkëtingëlloreje
në temë 14 raste dhe mbi bazë të fundores –ur të pjesores së foljeve më –oj e
-uaj 7 shembuj, plus një shembull me
fundoren -ier, që gjithsej bëjnë 43
shembuj prejpjesorësh, të cilët mbulojnë koncepte veprimi dhe janë në
konkurrencë sinonimike zakonisht me emrat prejpjesorë të prejardhur me
prapashtesat -im ose -je.
Pra, sipas burimit në fjalë dalin 6 emra asnjanësish primitivë të mirëfilltë, 35 asnjanës prejmbiemërorë dhe 43 asnjanës prejpjesorë, që gjithsej bëjnë 84 shembuj.
3. Në kreun III u konstatua me fakte se shtrirja e përdorimit të asnjanësve të paranyjëzuar sidomos të prejpjesorëve në gjuhën shqipe në realitet, ishte dhe është shumë e gjerë. Kështu numri i asnjanësve të regjistruar, b.f., në Fjalorin e S. Dobroshit i afrohet 2000-shit, ndërsa në Fjalorin e M. Elezit dalin të regjistruan afro njëmijë shembuj, pothuaj, po aq sa dalin të përdorur në Fjalorin e gjuhës shqipe (1954). Edhe në burime të tjera ndeshim me qindra shembuj asnjanësish të paranyjëzuar, prandaj e quajmë me vend kërkesën që prania e tyre, sidomos e prejpjesorëve po edhe e prejmbiemërorëve në burimet përkatëse normative, duhet të jetë e përfaqësuar në mënyrë më të plotë dhe korrekte Vlen të theksohet fakti se në Fjalorin e gjuhës shqipe 2006 përveç numrit 84 janë shtuar edhe mbi 80 shembuj të tjerë, pothuajse të gjithë të tipit prejpjesor. Po ky numër pothuajse del edhe në tekstin e Drejtshshkrimit të gjuhës shqipe (2011), ku dalin të shënuar në zëra të veçantë 6 raste të asnjanëve të tipit të katërt, prejrrjedhorë.
Gjithsesi, jo vetëm sipas tipave, por edhe sipas nëntipave, më drejt sipas grupeve a nëngrupeve përkatëse përfaqësimi i tyre në burimet përkatëse normative duhet të jetë më i denjë. Njëherazi u konstatua se në burimet përkatëse që u konsultuan sa i përket shquarsisë, mbizotëron trajta e njëjësit të shquar, si trajtë përfaqësuese e asnjanësit përgjithësisht, por nuk përjashtohet as trajta e pashquar, varësisht nga konteksti..
4. Lënda e trajtuar në kreun IV zgjon interes të jashtëzakonshëm, ngase aty bëhet fjalë për vendin e asnjanësit prejpjesor në kuadër të prejpjesorëve të tjerë sinonimikë. Nga skema e paraqitur del se vendi i asnjanësve të paranyjëzuar prejpjesorë, ashtu si edhe ai i prejmbiemërorëve, në krahasim me prejpjesorët a prejmbiemërorë të tjerë, ka vetëvetësi a identitet të plotë që dallon nga ata, jo vetëm nga pikëpamja formale, por, aq më tepër nga pikëpamja e specifikimit të nënfushës semantike të majave më të larta në kuadër të fushës së gjerë të abstraksionit. Kjo nënfushë kryesisht del e specifikuar për konceptin e veprimit përkatës, por pa kaluar në konceptin e vetë procesit të veprimit ose të rezultatit të veprimit, ngase për koncepte të tilla tani dalin të specializuar prejpjesorë të tjerë, siç janë edhe emrat e prejardhur me prapashtesat e specializuara –IM dhe –JE si dhe prejpjesorë femërorë të paranyjëzuar, prejpjesorë pandajshtesorë, përkatësisht emrat prejmbiemërorë me paranyjëzim, siç është tipi me -SI e të tjerë.
5. Në kreun V jepen edhe disa konstatime të tjera plotësuese që identitetin e asnjanësve të paranyjëzuar në kuadër të sistemit emëror të shqipes e bëjnë edhe më të qartë, siç është edhe ndërlidhja kuptimore e asnjanësit prejpjesor me paskajoren e mirëfilltë (me+pjesore), me singularia tantumet, me pluralia tantumet, me valencën, formalisht me emrat e përgjithshëm të emërzuar nga mbiemrat e pjesoret e paranyjëzuara që përdoren zakonisht si emra të përgjithshëm në emërtimin e njerëzve dhe së fundi u trajtua edhe raporti mbiemri prejpjesor ndaj asnjanësit prejpjesor si dhe në raportin mbiemër prejpjesor ndaj asnjanësit prejpjesor.
6. Në kreun VI u konstatua se anashkalimi i
asnjanësve të paranyjëzuar në burime të ndryshme, sidomos në vitet ‘50-‘90 të
shekullit të kaluar, është shkaktuar më tepër subjektivisht, si pasojë e
konstatimeve të nxituara, pa mbështetje të fortë të brendshme evolucionore të
gjuhës, por siç supozohet për këtë më fort kanë ndikuar këta tre faktorë
shtytës të jashtëm, si p.sh.:
E para, nga ndikimi i gjuhëve të huaja (neolatine e
sllave), të cilat nuk e kanë asnjanësin analitik, siç e ka shqipja
(nyje+mbiemër ose nyje+ pjesore), po e kanë atë në formën sintetike, zakonisht
me prapashtesa speciale, siç janë edhe prejfoljorët e shqipes të gjinisë
mashkullore me prapashtesën -im dhe
ata të gjinisë femërore me prapashtesën
-je.
E dyta, si shkak del njohja e pamjaftueshme e
identitetit të asnjanësve të paranyjëzuar, sidomos fakti që ka të bëjë me
nënfushën semantike që mbulojnë, nënfushë kjo që ende nuk njihet sa duhet nga
disa qarqe të studiuesve të caktuar,
E treta, si shkak del edhe sugjerimi përgjithësues,
duke u mbështetur në fakte pjesërisht të drejta, se gjoja të gjithë treguesit e
asnjanësve edhe atyre të paranyjëzuar si dhe asnjanësit vetë janë konvertuar
ose janë në konvertim i sipër në gjinitë aktive, sidomos në gjininë
mashkullore.
Sidoqoftë, këto tri arsye sipas analizës që u bë dalin pjesërisht të drejta, por jo të mjaftueshme që asnjanësit e paranyjëzuar të konsiderohen të pasivizuar, andaj, së këndejmi del si rrjedhojë edhe paraqitja jo e denjë e asnjanësve në burimet tona normative në letrarishten e sotme në fazën e sapokaluar të diskutueshme prej nesh, prej viteve ’70 të shekullit të kaluar deri në vitin 2002.
7. Në kreun VII, të parafundit, pasi përmenden disa raste të hapura lidhur me asnjanësit sipas katër tipave (prejemërorë të paparnyjëzuar, prejmbiemërore, prejpjesorë dhe si shprehje prejrrjedhore (ablativale) dhe jepen sugjerime rreth zgjidhjes së përkufizimeve dhe përdorimit të tyre sipas specifikimit të nënfushve semantike që mbulojnë lidhur me temën e shtruar.
8. Në kreun VIII, të fundit, pas konstatimeve
përgjithësuese, në disa pika, veç e veç,
sipas tipave të asnjanësve, ilustrohet përdorimi i tyre sipas nënfushave
përkatëse semantike me shembuj konkretë.
Kështu
a) për asnjanësit primitivë, si emra të mirëfilltë
ceken 2 nënfusha semantike të profiluara,
b) për asnjanësit prejmbiemërore 6,
c) për asnjanësit prejpjesorë, 16 ose 18 nënfusha
të profiluara semantike dhe.
ç) për asnjanësit me shprehje prejrrjedhore, 5 profilime.
Në fund u shtrua kërkesa që vlen për të katër tipat në fjalë, por sidomos për dy tipat e asnjanësit të paranyjëzuar (prembiemërorë dhe prejpjesorë) që në burimet tona normative të shqipes standarde të jenë të përfaqësuar më denjësisht, sipas profilimit të nënfushave semantike që mbulojnë, përkatësisht sipas tipit të foljeve që përfaqësojnë.
Gjithsesi nga krejt ajo që është trajtuar në këtë punim mund të thuhet me bindje të plotë se koncepti rreth asnjanësit në gjuhën shqipe do të dalë më i plotë dhe më i qartë në çdo burim tjetër, vështruar sidomos nga rrafshi sinkronik, veprim ky që do të kontribuojë në të mirë të konsolidimit të mëtejshëm të normës së sistemit emëror të shqipes së sotme në përgjithësi dhe të nesërme të standardit të rinuar në veçanti.