E shtune, 27.04.2024, 07:56 PM (GMT+1)

Kulturë

Skënder Hoxha: Shkëndije Hoda - ''Metafora e jetës ...''

E hene, 10.06.2013, 07:03 PM


(Recension)

NOVELË KU SUBLIMOHEN TRAGJIKA

DHE ËNDRRA E MADHE PËR LIRINË

Nga Prof. Skënder R. HOXHA

/ Shkëndije Hoda, “Metafora e jetës dhe e përjetësisë”, novelë, botoi QKPSHA “Gjakova”, Gjakovë, 2013./

Tregimi i gjatë, apo novela e Shkëndije Hodës, “Metafora e jetës dhe e përjetësisë”, që këto ditë doli nga shtypi, në shkrimet tona të letërsisë aktuale del si krijim karakteristik për formën e ligjërimit të kryepersonazhit, ligjërimit të dhembjes kolektive. Novela ka dy pjesë apo kapituj: Kohë dhunuesish, me disa nënndarje me numra (1, 2, 3, 4, 5); dhe Amaneti (1, 2),  që në esencë nënkuptojnë shkallëzimin dhe përshkallëzimin e rrëfimit; ndërsa hapet me vargjet: “ Dhe në tokë dhe në qiell/ Dhembja na dogji kraharorin/ Në moshën më të ëndërruar/ Spirale e pazgjidhur!” Jo rastësisht autorja i ka paravënë këto vargje, të cilat, për lexuesin sadopak të informuar, paralajmërojnë tërë syzheun e kësaj proze.

Përjetimet reale të kryepersonazhit

  gjithë strukturën e novelës janë shprishur përjetimet reale të kohës së egër, të transponuara në vërtetësinë tekstore e artistike nga narratori real.

Gërshëtohen këtu raporti i kryepersonazhit me jetën, me sakrificën, me rezistencën, me idealin e fortë për liri dhe me shpresën e pathyeshme se ajo zezonë do ta ketë fundin.: “Më pak përpjekje dhe më pak forcë, po kaloj në idenë që ndoshta ky armik vrastar, nuk është më tepër se fosil i vështrimeve anonime të veshura aq madhërishëm me dhuratën-gjak, dhuratë e kohës pa fillim e me një fund të paparë.

Përballja me satanizmin dhe sadizmin e çoroditur në një shkallë kur ai zëri i brendshëm, ai zëri i fortë i arsyes, duke klithur labirintheve të mbijetimit, bëhet jehonë e zë kushtrimi i të ekzistuarit, zë i martirizimit. Njëkohësisht, në zhvillimet e kësaj drame shpërfaqet kryepersonazhi - personazhi metaforik, me mënyrën e veçantë të ligjërimit, përmes së cilit vijëzohet tërësia metaforike

Ndeshja e kryepersonazhit – narratorit me ato labirinte ku shtrëngonte ai militarizëm ekstrem, krijon skena të trishta të cilat u ngjajnë rrathëve të ferrit. Përsiatjet, përkimi i realitetit me trajtat imagjinative dhe gjuhën e kryepersonazhit me të gjitha njësitë e saj, prodhojnë edhe pasazhe lirike dhe bëhen objekt estetik i kësaj proze të Hodës. Qartas mund të lexohen edhe ndeshja e ideologjive: liri – burg, shtypje, shfarosje dhe bota shpirtërore e tyre… Momente të veçanta nga jeta e kryepersonazhit dhe e personazheve të tjera: maltretimet, persekutimet, rrahjet e të burgosurve deri në alivanosje, për të cilat dëshmonin edhe muret e gjakosura, ishin rutinë dhe “terapi” e përditshme për ta.

Këtu trazohen kujtimet dhe ëndërrimet, aty ku vdekja ishte më afër se jeta!: “Pas kësaj ideje, vetja m’u duk më shumë se Njëri. E kuptova nga ndjenja e trupit që fillova  të urrej vrastarët që kishin përfshirë këtë tokë të martirizuar. Sepse, jeta sipas meje nuk qenka asgjë, pos një gjigandi që lufton mes asaj për të jetuar dhe asaj për të mos vdekur kurrë.” E, këto janë tablot që tregojnë se hipokrizia kishte degraduar jetën tejmase, e në anë tjetër mbizotëron karakteri titanik i narratorit dhe bashkëluftëtarëve të tij, që ngrisin aktualitetin tematik deri në katarzë…

Ndonjëherë narracioni duket si i papërcerptueshëm, i pakuptueshëm, ngase narratori shpërfaqet herë si i vdekur, herë si i burgosur? Megjithatë, kuptohet rrjedha e pasazhit të rrëfimit tragjik. Qe në fillim të novelës, krijohet përshtypja se kemi të bëjë me një intertekst, si një rrëfim rreth një ëndrre…, të duket se janë fjalë të një njeriut në gjendje somnambul, sepse edhe rrëfehet për një natë e zezë, natën në dhomën e kazamatit, ku: “Papritmas në dhomë gufoi një e qeshur, e qeshur e hidhur dhe ironike e kësaj zeznate!” Për këtë qartas flet edhe vetë narratori: “ … një ditë ndodhi ky rrëfim… Në një natë çmendurie të dhunës mbi epokën e historisë së modeluar për të shkelur ringjalljen tonë!

Ndërkaq, ata që kishin filluar përpjekjet për të mposhtur  atë “vullkan zjarri të rrëmbyeshëm” ishin çlirimtarët tanë, njëri nga të cilët ishte vetë kryepersonazhi i kësaj novele, i cili njëkohësisht është edhe në funksion të narratorit…

Ligjërimi i narratorit dhe egërsia serbiane

Narratori flet nga pozita e të ndëshkuarit nga regjimi serb dhe u drejtohet popullit të vet dhe e këshillon: “… Dhe ju duhet ta mbani të ndezur atë qiriun e ndezur, atë qiriun e ndjenjës dhe respektit pë rata që nuk janë më, pë rata që ua sollën lirinë!”)

Narratori flet edhe me vetveten (monologon), flet në vetën e parë, në vetën e dytë dhe në vetën e tretë…Torturat, rrahjet që i bëhen atij dhe shokëve të tij të idealit në dhoma të burgut…:“U rraha pamëshirshëm, me britma egërsirash që më sulmonin (…) Shqelmonin e qëllonin parreshtur. Fytyrat e tyre te çartura si prej një qeni të uritur për mish njeriu, të bënin ta denim secili se s’ka shpëtim nga duart e tyre”, heqin maskën e barbarisë, artistikisht e stigmatizojnë atë dhe bëhen zë i fortë kundër dhunës. Ndërkaq, ngjarja për vendndodhje ka qytetin e lindjes së kryepersonazhit, Gjakovën. Shih për këtë, rrëfimtari thotë: “Harrova të ju them se kjo histori nisi nga qyteti im i lindjes, Gjakova.” Ndërsa koha ishte: maj i vitit 1999. Dhe pikërisht, jo më pak se150 veta, u morëm në kohën kur u mora edhe unë. Nuk isha vetëm.Kisha edhe vëllain tim, por edhe shumë vëllezër të tjerë që ishin shpirt e duar bosh.

Vijëzimi i egërsisë serbe në këtë novelë pasqyrohet realisht, ashtu edhe siç bëhej kohë pas kohe, tek të burgosurit: “… Secili e dinim se po vinte koha për të copëtuar mishin e trupit tonë dhe gjakun të na e derdhin nëpër muret e vizatuara me shenja serbe. Të prirur ishin për masakruar, për të vrarë, për të maltretuar fizikisht dhe psiqikisht”, Ndërkaq, lexuesi vazhdimisht ndjehet  i  rrëqethur dhe i shqetësuar për gjithë ato që kishin ndodhur.

Mesazhi i kryepersonazhit

Po ashtu, në mënyrë narrative, novela përmbyllet me nëntitullin Amaneti, ku nga përjetësia, rrëfimtari, përcjell mesazhin – amanetin që ua sugjeron të gjithë atyre që sot e gëzojnë lirinë. Në mes të tjerash, në Amanetin e kryepersonazhit thuhet: “…Ne, të rënët e Lirisë, nuk po kërkojmë që familjet tona të jenë në ndonjë shkallë më lartë se askush. (…) Por, kërkojmë që gjaku ynë, ideali ynë, të mos përdhoset e harrohet. Kërkojmë të mos harroni ata që dhanë jetën, dëshmorët dhe martirët e këtyre trojeve.

Të mos harroni se kjo liri që po e shijoni nuk është krejt ajo për të cilën ne dhamë jetën. Keni dhe shumë për të bërë…

Andaj, të mos harroni amanetin tonë!”

Në përfundim të këtij shkrimi do thënë se tregimi i gjatë – novella “Metafora e jetës dhe e përjetësisë” e Shkëndije Hodës, me mënyrën e thurjes, me kryepersonazhin e fabulës që është edhe narrator, edhe rrëfimtar, edhe ai që nga përjetësia ua drejton amanetin të gjallëve, gjithsesi është e rrallë në letrat tona. Kjo prozë është një sintezë e vuajtjes dhe qëndresës. Sublimon tragjikën dhe ëndrrën e madhe për lirinë, sakrificën dhe ngadhënjimin, ndërsa burgu është ferri ku ndrydhej ajo njomësia e rinisë shqiptare që bujshëm kishte shpërthyer si vullkan kundër okupimit dhe shyypjes së egër mesjetare karpatiane. Si e tillë, kjo prozë është edhe një dokumentar i llojit të vet dhe është një kontribut i ri në zhanrin e tregimit të gjatë.



(Vota: 6 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora