| E hene, 10.06.2013, 07:03 PM |
(Recension)
NOVELË KU
SUBLIMOHEN TRAGJIKA
DHE ËNDRRA E MADHE PËR LIRINË
Nga Prof. Skënder R. HOXHA
/ Shkëndije Hoda, “Metafora
e jetës dhe e përjetësisë”, novelë, botoi QKPSHA “Gjakova”, Gjakovë, 2013./
Tregimi i gjatë,
apo novela e Shkëndije Hodës, “Metafora e jetës dhe e përjetësisë”, që
këto ditë doli nga shtypi, në shkrimet tona të letërsisë aktuale del si krijim
karakteristik për formën e ligjërimit të kryepersonazhit, ligjërimit të
dhembjes kolektive. Novela ka dy pjesë apo kapituj: Kohë dhunuesish, me
disa nënndarje me numra (1, 2, 3, 4, 5); dhe Amaneti (1, 2), që në esencë nënkuptojnë shkallëzimin dhe
përshkallëzimin e rrëfimit; ndërsa hapet me vargjet: “ Dhe në tokë dhe në
qiell/ Dhembja na dogji kraharorin/ Në moshën më të ëndërruar/ Spirale e
pazgjidhur!” Jo rastësisht autorja i ka paravënë këto vargje, të cilat, për
lexuesin sadopak të informuar, paralajmërojnë tërë syzheun e kësaj proze.
Përjetimet reale të
kryepersonazhit
Në gjithë strukturën e novelës janë shprishur
përjetimet reale të kohës së egër, të transponuara në vërtetësinë tekstore e
artistike nga narratori real.
Gërshëtohen këtu
raporti i kryepersonazhit me jetën, me sakrificën, me rezistencën, me idealin e
fortë për liri dhe me shpresën e pathyeshme se ajo zezonë do ta ketë fundin.: “Më
pak përpjekje dhe më pak forcë, po kaloj në idenë që ndoshta ky armik vrastar,
nuk është më tepër se fosil i vështrimeve anonime të veshura aq madhërishëm me
dhuratën-gjak, dhuratë e kohës pa fillim e me një fund të paparë.”
Përballja
me satanizmin dhe sadizmin e çoroditur në një shkallë kur ai zëri i brendshëm,
ai zëri i fortë i arsyes, duke klithur labirintheve të mbijetimit, bëhet jehonë
e zë kushtrimi i të ekzistuarit, zë i martirizimit. Njëkohësisht, në zhvillimet
e kësaj drame shpërfaqet kryepersonazhi - personazhi metaforik, me mënyrën e
veçantë të ligjërimit, përmes së cilit vijëzohet tërësia metaforike
Ndeshja e
kryepersonazhit – narratorit me ato labirinte ku shtrëngonte ai militarizëm
ekstrem, krijon skena të trishta të cilat u ngjajnë rrathëve të ferrit.
Përsiatjet, përkimi i realitetit me trajtat imagjinative dhe gjuhën e
kryepersonazhit me të gjitha njësitë e saj, prodhojnë edhe pasazhe lirike dhe
bëhen objekt estetik i kësaj proze të Hodës. Qartas mund të lexohen edhe
ndeshja e ideologjive: liri – burg, shtypje, shfarosje dhe bota shpirtërore e
tyre… Momente të veçanta nga jeta e kryepersonazhit dhe e personazheve të
tjera: maltretimet, persekutimet, rrahjet e të burgosurve deri në alivanosje,
për të cilat dëshmonin edhe muret e gjakosura, ishin rutinë dhe “terapi” e
përditshme për ta.
Këtu trazohen
kujtimet dhe ëndërrimet, aty ku vdekja ishte më afër se jeta!: “Pas kësaj
ideje, vetja m’u duk më shumë se Njëri. E kuptova nga ndjenja e trupit që
fillova të urrej vrastarët që kishin
përfshirë këtë tokë të martirizuar. Sepse, jeta sipas meje nuk qenka asgjë, pos
një gjigandi që lufton mes asaj për të jetuar dhe asaj për të mos vdekur kurrë.”
E, këto janë tablot që tregojnë se hipokrizia kishte degraduar jetën tejmase, e
në anë tjetër mbizotëron karakteri titanik i narratorit dhe bashkëluftëtarëve
të tij, që ngrisin aktualitetin tematik deri në katarzë…
Ndonjëherë
narracioni duket si i papërcerptueshëm, i pakuptueshëm, ngase narratori
shpërfaqet herë si i vdekur, herë si i burgosur? Megjithatë, kuptohet rrjedha e
pasazhit të rrëfimit tragjik. Qe në fillim të novelës, krijohet përshtypja se
kemi të bëjë me një intertekst, si një rrëfim rreth një ëndrre…, të duket se
janë fjalë të një njeriut në gjendje somnambul, sepse edhe rrëfehet për një
natë e zezë, natën në dhomën e kazamatit, ku: “Papritmas në dhomë gufoi një
e qeshur, e qeshur e hidhur dhe ironike e kësaj zeznate!” Për këtë qartas
flet edhe vetë narratori: “ … një ditë ndodhi ky rrëfim… Në një natë
çmendurie të dhunës mbi epokën e historisë së modeluar për të shkelur
ringjalljen tonë!”
Ndërkaq, ata që
kishin filluar përpjekjet për të mposhtur
atë “vullkan zjarri të rrëmbyeshëm” ishin çlirimtarët tanë, njëri nga të
cilët ishte vetë kryepersonazhi i kësaj novele, i cili njëkohësisht është edhe
në funksion të narratorit…
Ligjërimi i narratorit
dhe egërsia serbiane
Narratori flet nga
pozita e të ndëshkuarit nga regjimi serb dhe u drejtohet popullit të vet dhe e
këshillon: “… Dhe ju duhet ta mbani të ndezur atë qiriun e ndezur, atë
qiriun e ndjenjës dhe respektit pë rata që nuk janë më, pë rata që ua sollën
lirinë!”)
Narratori flet edhe
me vetveten (monologon), flet në vetën e parë, në vetën e dytë dhe në vetën e
tretë…Torturat, rrahjet që i bëhen atij dhe shokëve të tij të idealit në dhoma
të burgut…:“U rraha pamëshirshëm, me britma egërsirash që më sulmonin (…)
Shqelmonin e qëllonin parreshtur. Fytyrat e tyre te çartura si prej një qeni të
uritur për mish njeriu, të bënin ta denim secili se s’ka shpëtim nga duart e
tyre”, heqin maskën e barbarisë, artistikisht e stigmatizojnë atë dhe bëhen
zë i fortë kundër dhunës. Ndërkaq, ngjarja për vendndodhje ka qytetin e lindjes
së kryepersonazhit, Gjakovën. Shih për këtë, rrëfimtari thotë: “Harrova të
ju them se kjo histori nisi nga qyteti im i lindjes, Gjakova.” Ndërsa koha
ishte: maj i vitit 1999. Dhe pikërisht, jo më pak se150 veta, u morëm në kohën
kur u mora edhe unë. Nuk isha vetëm.Kisha edhe vëllain tim, por edhe shumë
vëllezër të tjerë që ishin shpirt e duar bosh.”
Vijëzimi i egërsisë
serbe në këtë novelë pasqyrohet realisht, ashtu edhe siç bëhej kohë pas kohe,
tek të burgosurit: “… Secili e dinim se po vinte koha për të copëtuar mishin e
trupit tonë dhe gjakun të na e derdhin nëpër muret e vizatuara me shenja serbe.
Të prirur ishin për masakruar, për të vrarë, për të maltretuar fizikisht dhe
psiqikisht”, Ndërkaq, lexuesi vazhdimisht ndjehet i
rrëqethur dhe i shqetësuar për gjithë ato që kishin ndodhur.
Mesazhi i
kryepersonazhit
Të mos harroni se
kjo liri që po e shijoni nuk është krejt ajo për të cilën ne dhamë jetën. Keni
dhe shumë për të bërë…
Andaj, të mos
harroni amanetin tonë!”
Në përfundim të këtij shkrimi do thënë se tregimi i gjatë – novella “Metafora e jetës dhe e përjetësisë” e Shkëndije Hodës, me mënyrën e thurjes, me kryepersonazhin e fabulës që është edhe narrator, edhe rrëfimtar, edhe ai që nga përjetësia ua drejton amanetin të gjallëve, gjithsesi është e rrallë në letrat tona. Kjo prozë është një sintezë e vuajtjes dhe qëndresës. Sublimon tragjikën dhe ëndrrën e madhe për lirinë, sakrificën dhe ngadhënjimin, ndërsa burgu është ferri ku ndrydhej ajo njomësia e rinisë shqiptare që bujshëm kishte shpërthyer si vullkan kundër okupimit dhe shyypjes së egër mesjetare karpatiane. Si e tillë, kjo prozë është edhe një dokumentar i llojit të vet dhe është një kontribut i ri në zhanrin e tregimit të gjatë.