E shtune, 27.04.2024, 07:10 AM (GMT+1)

Kulturë

Flet shkrimtari Pierre-Pandeli Simsia

E marte, 11.06.2013, 06:55 PM


Flet shkrimtari Pierre-Pandeli Simsia: Si i mbaj mend 1mijë këngë të festivaleve, takimi në avion me Fatos Kongolin dhe pse e shkrova librin “Nuse në derën e hasmit”

Festivali i 11-të shënoi dënimin e artistëve, çfarë prisja nga Festivali i 24-t, pas vdekjes së Enver Hoxhës dhe rënia e muzikës pas vitit 90-të

Nga Albert ZHOLI

Ai zotëron një dhunti të rrallë, pasi ruan në kujtesën e tij, këngët e shumë festivaleve në RTSH, duke shënuar madje, një rekord Gines, duke i kaluar të një mijë këngët e mbajtura përmendsh. E kam njohur që kur ishte emigrant në Greqi, vite kur ai fillon të shkruaj në shtypin shqiptar të atjeshëm dhe konkretisht në gazetën “Egnatia”. Më pas ai filloi të lëvrojë tregimin, poezinë dhe tashmë si një shkrimtar kërkues ka hedhur në treg dy romane, duke e plotësuar kurorën e krijimtarisë në mënyrë të bindshme. Banues në SHBA, ai kurrë se harron atdheun, por dhe aty ku punon dhe jeton organizon aktivitete të ndryshme me karakter patriotik, pa diskutuar promovime librash, apo koncerte me këngëtarë.

 

Si lindi për ju dëshira për të ndjekur festivalet në RTSH dhe për të mësuar këngët e festivaleve?

 

Që në fëmijërinë time të hershme, kur dëgjoja në shtëpi këngë të ndryshme në radio, tërhiqesha shumë pas tyre; lija çdo gjë dhe afrohesha pranë radios, e shikoja dhe mendoja me atë logjikën e një fëmije 5-6 vjeç se si mundet këngëtari të ketë hyrë brenda radios dhe këndon. Pra, që i vogël muzika shqiptare më ka tërhequr shumë. Në dhjetor 1971 u zhvillua Festivali i 10-të i Këngës në RTSH. Unë nuk e pashë, por dy motrat e mija Xheni dhe Xhuljeta, pak më të mëdha se unë në moshë, e panë atë festival në televizor (Sapo kishin hyrë televizorët e parë në Shqipëri në atë kohë dhe ne mblidheshim shumë veta në një familje...) Në ditët në vazhdim, ato i këndonin në shtëpi këngët e atij festivali: "Kënga e nënës", "Bardhësi", "Stacion i dashur", "Ne të dy", "Qyteti punëtor"... duke diskutuar edhe këngëtarët, pamjet, veshjet e tyre. Kështu, kontaktin e parë me këngët e festivaleve unë i kam patur që në atë kohë, unë isha 11 vjeç. Shpejt, i mësova edhe unë ato këngë dhe i këndonim në shtëpi bashkë me dy motrat e mija dhe mezi prisja të vinte festivali tjetër i radhës që ta shikoja. Nuk e kisha fare idenë se si mund të ishte një festival kënge... edhe pse gjatë vitit 1972 çdo muaj Radio-Tirana jepte anketën muzikore me katër këngë të reja. Edhe pse anketat muzikore të muajit kanë patur këngë të bukura, këngët e festivaleve na dukeshin sikur kishin të veçantën e tyre...

 

-Sa këngë të festivaleve dini përmendsh dhe cilët autor ju kanë bërë më përshtypje?

 

Ta dashurosh muzikën, këngën, është art më vete, sepse, duke e ndjerë muzikën, vetvetiu hyn në botën e saj të brendshme, bëhesh pjesë e pandarë. Ta dashurosh muzikën, ta ndjesh, të jetosh me emocionet që të jep ai art, nuk të imponon askush, ashtu si nuk mund imponohen tifozët e sporteve të ndryshme. Muzika ka veti të magjishme, të bën për vete. Atë duhet ta ndjesh, ta jetosh, ta interpretosh... dhe unë jam pjesë e këtyre që them. Duke e ndjerë muzikën, unë që në atë moshë që fola më sipër, 12-vjeçare, kam hyrë në botën e saj të magjishme për ta jetuar, interpretuar. Nuk mund ta imagjinoj rritjen e moshës sime pa qenë pjesë e pandarë e muzikës, e këngëve të festivaleve për të cilat po flas. Edhe pse festivalet pas atij të 11-ti ishin krejt ndryshe, muzika, interpretimi, tekstet e këngëve... përsëri unë ndjeja emocione dhe padurueshmëri derisa të vinte data e festivalit edhe për një arsye tjetër, sepse, Festivali i Këngës ka qenë aktiviteti më i madh dhe më i rëndësishmi i jetës kulturore artistike i vitit për jetën e asaj kohe. Duke i ndjekur me vëmendje, dashuri, pa ndërprerje të gjitha festivalet e këngës, që nga viti 1972 e deri në festivalin e 29-të, dhjetor, 1990, kohë kur unë u largova nga Shqipëria, unë i di pothuajse të gjitha këngët përmendësh. Nuk kam një shifër të saktë numrin e këngëve që unë di, por e them me bindje të plotë se di mbi njëmijë këngë, përfshi edhe këngët e anketave muzikore, të Koncerteve të Majit, këngë të muzikës popullore nëpër vite. Për këtë unë kam dhënë prova edhe në studiot e televizioneve të ndryshme, përmend Top -Channel në emisionin e mëngjesit "Wake Up" televizioni Vision Plus, Radio Tirana, ku unë kam qenë i ftuar posaçërisht për memorien time për këngët e festivaleve. Më jepnin të dëgjoja introduksionin, hyrjen muzikore të disa këngëve të shumë viteve të kaluara për pesë sekonda dhe më pyesnin se kur është kënduar kjo këngë, kush e ka kënduar... Unë, sigurisht, isha i saktë në dhënien e përgjigjeve.  Autorët që më kanë lënë mbresa nëpër vite janë ata autorë që këngët e tyre edhe sot pas shumë vitesh kujtohen, këndohen, mbeten të freskëta si atëherë. Përmend poetët: Zhuliana Jorganxhi, e cila ka mbajtur edhe peshën kryesore të prurjeve të teksteve të këngës në festivale, duke qenë redaktore letrare, Xhevahir Spahiu, Agim Shehu, Fatos Arapi, Lirim Deda, Arben Duka, Jorgo Papingji, Pandeli Koçi, Demir Gjergji, Roland Musta, Petraq Risto, Irma Kurti, Vullnet Mato... Ndërsa kompozitorët përmend: Agim Krajka, Aleksandër Lalo, Gjergj Leka, Agim Prodani, Vladimir Kotani, Luan Zhegu, Enver Shëngjergji, Alfons Balliçi,... uroj që çdo krijues letrar-muzikor sot të ecin në udhën e atyre që kanë bërë art nëpër vite me krijimtarinë e tyre letrare-muzikore...

 

-Cili ka qenë poeti, këngëtari, orkestranti kompozitori që ju ka kundërshtuar më shumë për kujtesën dhe pse?

 

Zakonisht, nuk kam bërë debate kundërshtuese me artistët, por gjithmonë kam bërë biseda të këndshme, madje me kompozitorë, poetë të ndryshëm është kënaqësia ime më e madhe të diskutojmë për artin, letërsinë, muzikën. Artistët krijues interpretues për vetë karrierën e tyre të pasur artistike për shumë vite edhe nuk u kujtohen me imtësi viti ose aktiviteti kulturor artistik se kur e kanë paraqitur krijimtarinë e tyre, madje edhe vetë këngëtarët nuk u kujtohen. Artistët, në raport me dëgjuesit e radios dhe teleshikuesit, janë njësoj siç janë mësuesit me nxënësit e tyre. Mësuesit për vite e vite me radhë, kanë mësuar breza të tërë nxënësish dhe nuk janë në gjendje t'ua mbajnë mend të gjithëve emrat. Ndërsa nxënësve, emrat e mësuesve u janë ngulitur në mendje dhe nuk i harrojnë. Kështu ndodh edhe me kompozitorët, poetët, këngëtarët... Duke qenë se krijimtaria letrare muzikore interpretative është e madhe edhe mund t'i ngatërrojnë datat, vitet... Mua më ka ndodhur me disa kompozitorë, poetë, këngëtarë që i kanë ngatërruar vitet e krijimtarisë së tyre, madje edhe në intervistat e ndryshme që të kanë dhënë ty Berti. Kur unë i kam lexuar kam zgjedhur heshtjen, por në bisedë të lirë e miqësore me ‘ta ua kam thënë të vërtetën. Kjo më ndodhi edhe këto ditët e qëndrimit tim këtu në Tiranë me një mikun tim, kompozitor shumë i njohur dhe i suksesshëm i muzikës së lehtë shqiptare. Kur po flisnim për muzikën, krijimtarinë e tij muzikore, këngët, ai tha se kjo këngë është kënduar në atë festival, duke e ulur në 3 numrin e saktë të festivalit kur ishte kënduar. Jo, i them unë, është kënduar në X festival, sepse në atë festival që ti po insiston, ti nuk ke marrë pjesë si kompozitor. Madje, kur i përmenda edhe çmimin e tretë që kishte marrë me atë këngë në atë festival, motivin se nga e kishte marrë për ta krijuar e për të sjellë atë këngë aq të bukur, të pëlqyer dhe që u popullarizua shumë, orkestrinën që e shoqëronte këngën në atë festival, autorin e tekstit dhe këngëtarët dublues... qeshi... Hapi krahët, m'u afrua, më përqafoi, duke më vënë epitete që i shkonin për shtat memories sime. Pothuajse, e njëjta gjë më ka ndodhur edhe me disa këngëtarë, kur e kanë ngatërruar numrin e festivalit kur e kanë kënduar atë këngë...

-Sa debate keni bërë me këngëtarë, poetë dhe kompozitorë për Festivalet në RTSH dhe përse?

Debate, jo, nuk kam bërë, por kemi diskutuar për ato që fola më sipër. Unë prej disa vitesh shkruaj në gazeta, ueb site të ndryshme në internet për krijimtarinë muzikore të kompozitorëve të ndryshëm, poetëve, këngëtarëve... Para disa vitesh, gazeta "Tirana Observer" më kërkoi t'i shkruaja (dërgoja) njëqind (100) tekste të ndryshme këngësh të festivaleve, gjë të cilën e bëra me shumë pasion dhe që u botuan në atë gazetë. Unë, duke qenë i njohur në rrethet e ndryshme të artistëve, një pjesë e mirë e të cilëve i kam miq, në koefidencë, më kërkojnë t'i rikujtoj ose t'i shkruaj fjalët e teksteve të këngëve që ata i kanë kënduar shumë vite të shkuara, por që nuk u kujtohen. Kjo ndodh zakonisht kur ata duan të japin koncerte me këngët e tyre kënduar nëpër vite. Unë raste mund të sjell shumë, por po përmend njërin prej tyre. Ishim në Michigan, të ftuar si çdo vit nga Revista KUVENDI për të festuar "Ditët e Letërsisë Shqipe" të cilët edhe njëherë dua t'i falënderoj organizatorët Pjetër Jaku, Alfons Grishaj... për mënyrën e organizimit, mikpritjen... Në darkën e pritjes një natë para festës së madhe, të ulur në tavolinën e ngrënies, midis të tjerash, një këngëtare e njohur e muzikës sonë më thotë: Të lutem, m'i kujto pak vargjet e këngës... që e kam kënduar unë në X festival, se nuk më kujtohen të gjitha... Qeshëm të gjithë, madje shkrimtari Fatos Kongoli në koifidencë i tha: Ti e kënduar vetë dhe nuk të kujtohen fjalët dhe po kërkon ndihmë...? Ishte shumë ambient gazmor, unë jo vetëm që ia kujtova fjalët e tekstit të këngës, por edhe e këndova vetë atë këngë. Pothuajse e njëjta gjë më ka ndodhur edhe me disa këngëtarë të tjerë, që nuk po i përmend...

-Keni dy djem që janë në një rrugë tjetër, për këngë, kush ua ngjizi dëshirën për këngë?

Dy djemtë e mi, duke e patur në gjak muzikën, duke u rritur me të, duke më parë edhe mua kur unë këndoj në aktivitete të ndryshme dhe në festa familjare në SHBA, sigurisht, u ka lindur edhe atyre dëshira për të kënduar. Kanë qenë shumë të vegjël në atë kohë, kur artisti ynë i mirënjohur, superstari, kantautori Frederik Ndoci me talentin dhe interpretimin e tij të rrallë, jepte koncerte, ose ishte i ftuar në aktivitete të ndryshme që zhvillohen në SHBA duke parë interpretimin dhe suksesin e tij, i thanë: Të lutem, na merr edhe neve në studion tënde që të bëjmë këngë, të këndojmë si ty...Ata tani këndojnë në rrymën Hip -Hop që është edhe më e përhapura tek të rinjtë. Më parë se të këndonin në Shqipëri, ata e kanë filluar që në Brooklyn, New York, vendi, ku ne banojmë. Ndërsa këtu në Shqipëri, në Durrës, ku banojnë përkohësisht, e kanë kënduar dhe ushtruar më tepër talentin e tyre në atë rrymë, kanë patur sukses, madje edhe janë vlerësuar me çmime dhënë edhe nga Televizioni Shqiptar si: "Netët e Klipit Shqiptar, 2012. Në Durrës ata janë ftuar të këndojnë, madje edhe janë vlerësuar me çmime në aktivitetet e ndryshme që zhvillohen si: Hip - Hop Competition, çmimi "Best Flow", 2011. Kanë marrë pjesë në "Miss Durrësi", "Open Port" ... Ndërsa këtë vit ishin pjesëmarrës në Top- Fest.

-Keni shumë botime, cilat janë veprat e tua më të lexuara?

Këtë 10- vjeçarin e fundit më është botuar edhe krijimtaria ime letrare nëpër vite e mbetur në sirtarë, por edhe krijimtaria e re letrare. Unë kam dalë përpara lexuesit me shkrime në gazeta të ndryshme, publicistikë, ese, tregime dhe romane. Unë nuk mund të veçoj se cilat janë veprat e mija më të lexuara, sepse për çdo krijimin tim letrar unë jam "babai, prindi" dhe krijimtaria ime letrare janë fëmijët e mi. Unë mund t'ju them se njëri "fëmijë" është pak më i gjatë, më i butë se tjetri për nga natyra, por unë i kam të gjitha për zemër. Është njësoj, sikur të ulemi në një kopsht me lule të ndryshme erëmirë duke vështruar lulet. Çdo lule ka ngjyrën, madhësinë aromën e vetë. Nëse do këpusim një lule që për atë çast do na duket më e bukura, ta mbajmë në dorë dhe, pastaj po t'i hedhim një vështrim luleve të tjera, ato do na duken më të bukura se lulja e zgjedhur që mbajmë në dorë. Ndërsa, po të bashkonim çdo lule të ndryshme dhe të krijonim një buqetë, nuk besoj se do kishte lule më të bukur se ajo buqetë e bashkuar. Kështu është edhe krijimtaria ime letrare, "lule" të bashkuara që kanë krijuar "buqetat" libra.  Unë dhashë mendimin tim, por është lexuesi ai,të cilin e mirëpres dhe e vlerësoj për të dhënë mendimet e tij për krijimtarinë time letrare më të lexuar. Sipas kritikës letrare, por edhe mendimeve të ndryshme që kanë shkruar lexuesit në gazeta, ueb site kanë vlerësuar vëllimin me tregime "Le të jem unë Zamira..." tregimin "KAFEJA" titull që e mban edhe vetë libri me tregime, tregimi "GAZETARI", "Diploma universitare" Por vepra më e lexuar deri tani ka qenë romani "Një dashuri e vrarë" me një numër të madh kopjesh që edhe u ribotua. Madje me atë roman, në Konkursin e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë në vitin 2010 u vlerësova me çmimin "Pena e Artë". Unë këto muajt e fundit kam dalë para lexuesit me një roman tjetër, me titull: "Nuse në derën e hasmit" botuar nga Shtëpia Botuese TOENA, promovimi i të cilit u bë para pak javësh në sallën "Tefta Tashko" në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve" në Tiranë. Derti tani ata lexues që e kanë lexuar e kanë vlerësuar, por siç e përmenda edhe më sipër, është lexuesi, kritika letrare ata që e thonë fjalën e tyre. Unë mirëpres çdo mendim, vlerësim...

-Nga Greqia në Amerikë cilat janë ndryshimet midis dy vendeve?

Ndryshimet janë të mëdha. Në Amerikë ne shkuam si fitues të Lotarisë Amerikane për të qenë banorë të përhershëm të saj. Pra shkuam të ligjëruar dhe si të tillë u pajisëm menjëherë me Green Card që është edhe rrugë e hapur për t'u bërë nënshtetas amerikanë. Ndryshimet midis Greqisë dhe Amerikës janë të mëdha, sepse Amerika, si shteti më i madh demokratik në botë është një shkollë e madhe, një universitet i përkryer për të mësuar dhe zbatuar ligjet dhe rregullat demokratike në jetën e përditshme. Amerika të ndërgjegjëson, të jep mundësinë për vetë faktin se ka shumë "rrugë" mundësi, shkolla, profesione të ndryshme... që çdo njeri është i lirë të zgjedhë për të ecur në udhën e gjatë të jetës së tij.

- A e keni ndjerë racizmin në Greqi, po në Amerikë?

Tashmë dihet, nuk është diçka që s'njihet; racizmi në Evropë por edhe në Greqi ndihet, madje shumë dhe, me ne shqiptarët është më i theksuar. Krejt e kundërta ndodh në Amerikë. Në Amerikë si vend shumëkombësh me tradita, popullsi, kulturë, gjuhë të ndryshme... jo vetëm që nuk ndihet racizmi, por respektohet. Si shqiptarë, në Amerikë, ndjehesh i barabartë mes të barabartëve. E thua me krenari "Jam shqiptar", kudo që të jesh, me cilindo që të jesh. Ne shqiptarët, si racë e zgjuar që jemi, kemi patur edhe sukseset tona të larta në Amerikë. Kjo na bën të ndjehemi më shumë krenarë, të themi me krenari, jemi shqiptarë...

-Vini shpesh në Shqipëri, nga viti në vit cilat janë ndryshimet që ju kanë rënë më shumë në sy?

Ndryshimet janë sigurisht të shumta, madje, janë shumë pozitive po ta krahasoj me vitet e shkuara. Ajo që nuk ka ndryshuar dhe nuk e di se kur do ndryshojë, është trafiku i shumtë dhe i parregullt i makinave, pa i zbatuar rregullat e qarkullimit rrugor. Pothuajse, në kryqëzimet e mëdha nuk ka fare semaforë, por edhe atje ku ka, disa nuk funksionojnë. Shoferët e makinave private duhet të ndërgjegjësohen që në kryqëzimet e rrugëve kur ndizet drita jeshile (dëshiroj që të funksionojnë dritat e sinjaleve me ngjyra) duhet t'i japin prioritet kalimtarit të kalojë kryqëzimin në fillim. Kjo është edhe një ndër rregullat kryesore kur jep testin e makinës për t'u pajisur me lejen e drejtimit të mjetit. Në rrugët kryesore të qyteteve për këto arsye të rrezikohet jeta. Nuk mund ta shpjegoj dot, kur dua të kaloj nga njëri krah i rrugës në krahun tjetër, shoqëruesit, miqtë, shokët, të thonë kur ti pret që të hapet drita për të kaluar: Hyr në mes trafikut të makinave, se nëse nuk futesh, nuk ndalojnë ata... E kanë fjalën për shoferët. I vetmi "ndryshim" që nuk ka ndryshuar fare është rruga skandaloze automobilistike Berat - Lushnje, ose anasjelltas. Të mendosh, sot në vitin 2013, të shkosh në Beratin turistik, në Beratin që pret mijëra vizitorë për ta parë vendas dhe të huaj, në Beratin që është nën mbrojtjen e UNESCO-s, në Beratin e një mbi një dritareve... nëpërmjet asaj rruge kombëtare si e dalë nga lufta, jo vetëm që është turp, por është edhe e pafalshme për çdo pushtet dhe qeveri...

-Kush ju ka përkrahur më shumë në rrugën e krijimtarisë?

Sigurisht! Në rrugën e krijimtarisë sime letrare, familja ime është ajo që më ka përkrahur, të cilës i jam mirënjohës dhe e vlerësoj. Krijuesi mund të shkruajë në çdo kohë, por edhe mund të shkruajë atëherë kur i vjen muza dhe, kur familja të shikon që je duke shkruar, në heshtje, me hapa të ngadalta hap derën, del nga shtëpia, vetëm e vetëm për të krijuar mundësi për të shkruar. Këto shembuj janë sigurisht, përkrahja më e madhe që të jep familja.

-Ke ndonjë peng në rrugën e krijimtarisë?

Nëse do e quaj peng, po përmend një krijimin tim në moshën e rinisë së hershme, pikërisht në fillimet e para të krijimtarisë sime letrare, atëherë kur krijuesit e rinj duhen përkrahur moralisht për të ecur në udhën e gjatë e të vështirë të letërsisë. Isha 20 vjeç në atë kohë; në Kalanë e Beratit ndodhet Kisha e Shën Gjergjit, por në monizëm, ajo kishë u shndërrua në pikë turistike ose aneks turizmit, siç quhej atëherë. Është e ndërtuar pranë vendit të quajtur "Tabje" nga ku Berati shihet nga sipër si në pëllëmbë të dorës. Frekuentohej shpesh në ato vite nga qytetarët beratas, sidomos në fundjavë. Unë shkruajta një reportazh pikërisht për atë pikë turistike, duke e pasqyruar se si beratasit kalonin mbrëmjet e fundjavës; ngjiteshin në kala edhe pse rruga është e përpjetë mes gjelbërimit të ajrit të pastër të pishave përreth, duke shijuar natyrën e mahnitshme beratase... As vetë nuk e kuptoj edhe tani pse ia dërgova gazetës në Tiranë kur ne në Berat kishim gazetën lokale. Ndoshta nga vetë mosha që kisha në atë kohë, ndoshta... Pas pak ditësh më vjen përgjigje negative... Sigurisht, nuk u ndjeva mirë, por dhimbjen më të madhe e ndjeva kur pas pak javësh e pash reportazhin të botuar në gazetë me pak ndërhyrje, por me autor tjetër... Ç'të bëja?! Ky shembull është ndoshta edhe pengu im në rrugën e krijimtarisë sime letrare i shumë kohëve të shkuara, po të kujtoj edhe një shembull tjetër pak a shumë të ngjashëm me këtë kur unë shkruajta një vjershë për gjyshen time, e cila kishte disa vite që ishte ndarë nga ne, nga jeta...

-Keni një takim interesant me Fatos Kongolin në një aeroport, cilat ishin veçantitë e takimit?

Takimi me shkrimtarin Fatos Kongoli ka qenë i rastësishëm. Para katër vjetëve ishim në Aeroportin e Mynihut, Gjermani. Prisnim avionin për të ikur në Nju Jork. Ishte i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Lili. Nuk e njihnim njëri tjetrin fizikisht, por duke biseduar, veçanërisht për letërsinë biseda u bë e ngrohtë, miqësore, miqësi që vazhdojmë ta ruajmë edhe sot. Isha unë i pari ai që i fola shkrimtarit Kongoli, madje, edhe e ftova në takimin e radhës së Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë në Nju Jork, të cilin e mirëpriti. Pas asaj dite, pas mbërritjes sonë në Nju Jork, shkëmbenim biseda në telefon. Shkrimtari Kongoli e respektoi Shoqatën tonë me pjesëmarrjen e tij. Pas atij takimi kemi patur rastin të shkojmë bashkë disa herë në Michigan me ftesë të organizatorëve për aktivitetin e madh të përvitshëm që zhvillohet atje "Ditët e Letërsisë Shqipe" mbresat e shkëlqyera të atyre takimeve unë i kam shkruar në gazeta të ndryshme...

Katër festivalet që kam pëlqyer më shumë

Festivali i 11-të i Këngës në RTSH mbetet më i miri. Siç u shpreha më sipër, gjatë vitit 1972 unë mezi prisja të vinte dhjetori i atij viti për të parë një festival kënge, për të parë ata këngëtarë, që vetëm emrat ua kishim dëgjuar në radio kur transmetoheshin këngët. Me ndihmën e një shoku të vëllait tim, më i madh se mua në moshë, m'u dha mundësia që të treja netët e festivalit të 11-të (22 - 24 dhjetor, 1972) t'i shikoja në televizor, në sallën e mbledhjeve të një ndërmarrjeje të qytetit tonë, Beratit. Nuk mundem dot t'i përshkruaj ato emocionet e fillimit e deri në mbarim të atij festivali. Nuk mund t'i shpreh dot në këtë intervistë atë ndjenjë që më ka pushtuar mua në ato çastet e para, kur unë shihja hapjen e perdes së skenës së festivalit, daljen në skenë të prezantuesve Edi Luarasi dhe Bujar Kapexhiu, paraqitjen e emrave të këngëtarëve: Zija Saraçi, Justina Aliaj, Sherif Merdani, Vaçe Zela, Tonin Tërshana, Lindita Sota - Theodhori, Ema Qazimi, Lefter Agora, Liliana Kondakçi, Shkëlqim Pashollari, Fatbardha Rakipi, Françesk Radi, Suzana Qatipi, Dorian Nini,... Pra, ai festival, i njëmbëdhjeti, që është edhe festivali i parë për mua që unë e shihja në televizor mbetet festivali që unë e kam ndjekur me shumë vëmendje. Falë veshit tim të mprehtë për muzikë, edhe pse ai festival e pati jetën e tij shumë të shkurtër, dy muaj, për arsyet që tashmë dihen dhe të gjitha këngët e tij u "burgosën" për 20 vjet, unë një pjesë të mirë të tyre i mësova dhe i këndoja me veten time edhe në vitet në vazhdim. Ishte ai festival, që ato këngë të mbeteshin në bazamentin e trurit dhe të memories sime, për t'u pasuar nëpër vitet e ardhshme me festivalet e tjera, që pothuajse çdo këngë festivali do hynte në memorien time për t'u mos harruar kurrë deri edhe tani që po flasim për këngët për festivalet. Çdo fund-dhjetori, çdo festival, unë i kam pritur për t'i ndjekur me shumë vëmendje, por, pyetjes tënde po i përgjigjem, përveç Festivalit të 11-të po përmend edhe tre festivale të tjerë që po i veçoj:

1) Festivali i 24-t. Ishte festivali i parë pas vdekjes së diktatorit dhe pritej njëfarë ndryshimi. Dhe ndryshimi u duk, por jo kaq shpejt sa ne e prisnim. P.sh. Pas 13 vitesh, që nga Festivali i 11-të, këngët u kënduan nga një këngëtar. Këngëtarët u lejuan të këndonin me mikrofon në dorë dhe të lëviznin në skenë gjatë interpretimit të këngës... pra ishte një ndryshim i vakët.

2) Festivali i 25-së. E veçoj atë festival, sepse i kam parë të treja netët e atij festivali në sallën e Teatrit të Operës dhe Baletit ku zhvilloheshin në atë kohë festivalet. Pra kam ndjerë emocione, sepse këngëtarët, drejtuesit e orkestrës, instrumentistët... po i shihja direkt në sallë, që më parë i kisha parë vetëm në ekranin e televizorit... Dua të falënderoj edhe njëherë poeten tonë të mirënjohur Zhuliana Jorganxhi, e cila më mundësoi ftesën për të prerë biletën e hyrjes.

3) Festivali i 29-të. Ishte festivali i parë që zhvillohej në dhjetorin e 1990-s kur Shqipëria kishte hyrë në reformat e saj demokratike dhe pritej pa diskutim që ai festival do ishte shumë më ndryshe nga festivalet e mëparshëm. Dhe ashtu ndodhi vërtet. Këngëtarët, jo vetëm që kënduan lirshëm në skenë, por nuk kishte këngë që t'i këndohej partisë në pushtet. Në atë festival iu këndua dashurisë, demokracisë, Shqipërisë, asaj lule të vetmuar nga bota demokratike, thirrjes për demokraci, përmend këngën "Le të hapen dritaret" kompozuar nga Aleksandër Peçi dhe kënduar nga Frederik Ndoci. Dhe, sigurisht, kënga fituese u shpall "Askush s'do ta besojë' kompozuar nga Flamur Shehu dhe kënduar mjeshtërisht nga e ndjera Anita Bitri...



(Vota: 30 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora