Kulturë
Halil Haxhosaj: Rexhep Hasani: ''Kthimi i kohës''
E marte, 11.06.2013, 07:49 PM
KAREKTERISTIKA
TË POEZISË SË REXHEP HASANIT
Rexhep Hasani: “Kthimi i kohës”, poezi, Shtëpia Botuese “Nacional”, Tiranë, 2013.
Nga Halil
Haxhosaj
Dikur, në
moshën e ëndërrimeve të mia rinore takohesha me vargje të bukura këngësh
popullore të kënduara nga këngëtarë e rapsodë të njohur të Rekës së Mirë si
Dervish Shaqa e Demush Neziri, Lan Dobra, Abaz Aga, Sadik Meta, Musë Alija,
Bilall Arifi e Tahir Delija, Hysen Uka e ndonjë tjetër, të cilët herë së bashku
e herë në grupe më të vogla, bile të përbërë edhe prej dy vetash, këndonin në
ndonjë aheng, gazmend apo rast tjetër vargje, këngë e melodi që ishin të
censuruara nga pushteti i asaj kohe në Kosovë, më mirë në ish Jugosllavi.
Zakonisht unë i pari arrija t’i shënoja fshehtas që t’i mësoja përmendesh, duke
u mahnitur pasatj, sepse aq mirë dhe aq lehtë mësoheshin, por edhe kuptoheshin.
Bile kur ata këndonin askush nuk fliste. Besa ndonjëri ofshante duke thithur
duhan, e ndonjë tjetri i shkonin edhe lot nëpër faqe. Dhe kur ndonjëherë kënga
përfundonte me fitoren e trimit, legjendarit, kreshnikut e ndonjë tjetri,
burrat ofshanin nga gëzimi dhe me plot gojën i uronin këngëtarët, duke i
falënderuar. Në sytë e të gjithëve ndriste gëzimi, hareja dhe krenaria.
Dhe ja
tani, takohem për herë të parë me poezinë e një krijuesi tjetër nga kjo zonë e
prekur 500 vjet nga inkuizicioni osman dhe 100 vjet nga kolonializmi serb:
E kur zbres në Breg të Kishës
Shikoj Lagjen e Gjurgjicës
Ara e male të Bytyqve
Ngjit me fushat e Balincës
E kur kthehem nga Tërpeza
Fluturojnë larg mendtë e mia
Si në ekran më dalin përpara
Arta, Parga e Preveza
Bujanovci e Presheva
Shkupi,Tetova e Manastiri
Hot e Grudë, Plavë e Gucia
Rreth e qark trojet shqiptare
Cep më cep tërë Arbëria...
shënojmë
gjeografinë e tokave dhe të trojeve të copëtuara ende shqiptare edhe tash, në
fillimin e shekullit të XXI, pra të kësaj kohe tjetër për njerëzimin në
përgjithësi dhe shqiptarinë në veçanti. Ky thesar tekstesh për këngë, por edhe
poetike në këtë formë, janë një veçanti e krijuesit Rexhep Hasani, sepse i
krijoi të këtilla, i imagjinoi të tilla dhe i ndriti para lexuesit prapë të
tilla. Gjeografia e historisë sonë kombëtare i ka rrënjët e thella dhe të
lashta. Sipas penës së autorit ato, madje, burojnë që në kohën antike, por edhe
paraantike të Perandorisë Ilire me mbretin Ilir dhe mbretëreshën Teutë, e deri
në antikitet me Homerin, Prometeun, e të tjerë. Kjo shtrirje nuk është e
tkurrur, madje as nuk bëhet për të përshkruar veç sa për të thënë këto dëshmi,
por ajo materializohet me dëshmi, dokumentime, inspirim dhe frymëzim të
krijuesit të këtyre vargjeve, Rexhep Hasanit.
Autori në
këtë vepër përfshinë edhe përkushtimet e veta për të gjithë heronjtë,
luftëtarët, strategët, dëshmorët, por edhe të tjerët që dhanë të gjitha, madje
në fund edhe jetën për Iliri, Arbëri, Albani, Dardani, Shqipëri, Kosovë, e tash
së fundi edhe Çamëri, Shkup, Tetovë, Strugë, Manastir, Kumanovë dhe Preshevë,
Bujanoc e Medvegjë si edhe Plavë e Guci, Pazar të Ri, e shumë të tjera toje shqiptare. Madje disa
nga këto vargje janë bërë inspirime për këngëtarët e njohur të kësaj treve, por
edhe të trevave të tjera shqiptare, siç është rasti i këngës kushtuar Shote
Galicës, kënduar nga rapsodia e njohur e kësaj treve të Tropojës, Fatime
Sokoli, të cilën e kanë kënduar, por e këndojnë edhe sot një numër i madh
rapsodësh e këngëtarësh popullorë. Dhe ky tekst i Rexhep Hasanit, tashmë është
bërë, thënë me gjuhën moderne, një “hit” që pëlqehet dhe është mësuar
përmendësh nga shumë bashkëkombës tanë të të gjitha moshave dhe gjinive. Ai
ndër të tjera në tekstin e njohur, “Dy
tupana n’derë të kullës”, por edhe në këngën po ashtu të njohur me të
njëjtin titull kushtuar heroinës Shotë Galica, shkruan:
Dy tupana në derë të kullës
Një za burri në tel të lahutës
Gëzohen malet martohet bija
Përshëndesin pushka e sharkia
Kangë e pushkë përshkojnë Drenicën
Marrin nuse Shotë Galicën…
Për të
vazhduar me përshkrimin e nuses Shotë, e cila tashme është bërë simbol i luftës
çlirimtare, i flamurit kombëtar kuq e zi dhe është bërë nuse e njëmijë
krushqve:
Shota rrin mbi kalë gjithë nur
Në ballë t`dasmorëve një flamur
Prin flamuri në ballë të krushqve.
Njëmijë krushq po vinë me nuse.
Njëmijë krushq me nusen vijnë
Njëmijë pushkë mbi supe u rrinë
Të
shndërruar tash në luftëtarë të lirisë kalojnë nëpër të gjitha trojet e shqipes
sepse shumica prej tyre ende rënkojnë të okupuara nga armiqtë shekullorë. Ata
prej dasmorëve të gëzimit, shndërrohen në krushq të lirisë dhe me gjakun e tyre
do ta qëndisin lirinë e këtij vendi:
Kapërcejnë grykat dhe malet
Bubullon e kënga s`ndalet…
Po vinë krushqit n’xhamadana
Shtatëvarruem në jatagana
Gjokset mbushur me nishana.
Por ata
asgjë nuk mund t’i trembi, t’i kthejë prapa e as t’i frikësojë. Të tillë e kanë
marrë edhe nusen, sepse i tillë është edhe dhëndëri, Azem Galica.
Edhe
luftëtarëve, trimave, heronjve, dëshmorëve dhe luftëtarëve të UÇK-së, pena e
krijuesit Rexhep Hasani, di t’u thurë vargje karakteristike, që janë bërë këngë
e melodi të njohura. Ai shkruan pothuajse për të gjithë të rënët në këtë luftë,
duke filluar nga ata që ranë në Betejën e Kosharës si: Sali Çekaj e Agim
Ramadani, Luan Haradinaj, Ilir Konushevci e Hazir Mala, Ardian Krasniqi e deri
tek ata të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, të Kumanovës, Tetovës, Shkupit,
Gostivarit, e të tjerëve.
Të gjitha
këto, por edhe shumë e shumë të tjera elemente tepër interesante dhe me vlerë e
rëndësi të madhe, lexuesi, por edhe të tjerë do t’i gjejnë dhe përjetojnë me
rastin e leximit të këtij libri voluminoz të përbërë prej disa librash, apo
titujsh, kapitujsh e pse jo edhe ciklesh poetike të ndërtimit të kësaj vepre.
Kjo vepër është një pasuri për këtë fah të letërsisë sonë dhe po ashtu pasuri dhe me vlerë për bibliotekat tona.