E shtune, 27.04.2024, 10:30 AM (GMT+1)

Kulturë

Përparim Hysi: Fallxhorja e Monpeljesë

E enjte, 13.06.2013, 06:11 PM


Fallxhorja e Monpeljesë

(tregim)

Nga Përparim Hysi

Aty mesviteve '30 të të shekullit të kaluar, tre shokë kishin dalë për shetitjen e fundjavës. Qenë tre shokë, por mos kujtoni se qenë tre Mosketjerët e Dumasit dhe as tre shokët mitikë të Remarkut. Qenë tre bursistë të  Mbretërisë Shqiptare që ca për arsye objektive dhe ndonjë dhe për arsye subjektive , era e studimeve i kish vërvitur në universitetin e Monpeljesë në tri degë të ndryshme.

Të tre ishin nga jugu i Shqipërisë. Njëri qe qytetar nga Gjirokastara dhe dy bursistët e tjerë qenë fshatarë nga Skrapari. Sidoqoftë, ashtu siç thuhet nga jugu "Moj kasolle, ku na mblodhe", edhe këta, sado që nuk qenë aq shokë intimë, kishin dalë atë fundjave për qejf të vet.

Dy skraparlinjtë, të njohur prej kohësh dhe nga rrethi miqësor familjar, flinin në të njëjtën dhomë, sado që fakultetet i kishin të ndryshëm. Tek kjo dhomë, xhëku kalonte, ashtu si  rastësisht. edhe  gjirokastriti që, edhe ky, ndiqte një fakultet tjetër. Skraparlinjtë ndiqnin  njëri drejtësinë dhe tjetri për histori. Gjirokastriti për biologji.

*      *     *

Pa shkuar drejt e tek "fallxhorja", ia vlen që t'i heqim pakëz petët lakrorit. Skaraprliu që fitoi bursë  për juridik, ishte Hilmi Qazim  Hysi nga Vërzhezha e Skraparit. Pse qe stundent honor ( vinte nga Liceu  francez i Korçës) u thirr në audiencë - tet a tete- tek vet ministri i arsimit Mirash Ivanaj. Me afërsi, është bërë kjo bisedë kokë për kokë:

- Je laurant dhe ke të drejtën e zgjedhjes për degën që do.

- Dua të vazhdoj për histori.

Ministri, pasi dëgjoi me prudencë laurantin, i thotë:

- A ban me ma  fal nji nder? Bash këtë degë ia kam premtue nji nxanësit tim honor që ka mbarue në Shkodër dhe a mund me zgjedh nji degë tjetër? A pranon me shkue për drejtësi?

- Pa tjetër,- pranoi lauranti. Po kush është ai nxënës?

- Asht skraparli si ti. Quhet Abaz Ermënji !

- Oh,- qeshi i çliruar lauranti,- me Abazin njihemi prej kohësh  dhe kemi miqësi familjare.

Ja, pra, këta  dy studentë honorë, njëri mbaruar  në Shkodër dhe tjetri në Korçë u çuan  me bursë të shtetit në Monpelje. I treti, gjirokastriti, fitoi dhe ai bursë shteti. Po për bursën e tij ka shumë gojëdhëna, të cilat historia ende nuk i ka saktësuar. Gjirokastriti është Enver Hoxha që njihet më shumë se kushdo nga kjo treshe që janë personazhë të këtij tregimi. Enver Hoxha njihej që në lice me Hilmi Hysin dhe kjo ishte arsyeja, që, shpesh, dukej nga dhoma e dy skraparlinjëve.

*    *     *

Tek vazhdoni rrugën për në klubin ku do festonin, befas u pret rrugën një fallxhore.

- A doni të merrni  vesh gjithë të ardhmen tuaj nga sot e deri sa të shkoni nga kjo botë? Vetëm më tregoni pëllëmbën dhe unë do t'u lexojë sikur po lexoni një libër gjithçka për ju. Hokatarë siç qenë, thanë ta  provonin. I pari e zgjati dorën Hilmiu. Fallxhorja e rroku pëllëmbën e të riut,  e shikoi mirë e mirë. Bëri sikur iu  drejtua Zotit dhe i tha: - Ty nuk ta  "lexoj" dot. Ke pak damarë të trashë. Hilmiu as që u mërzit nga ky "moslexim" se as që besonte në këto lexime  astrologësh. Radha i erdhi Abazit. Fallxhorja ia mori dorën dhe,pasi ia "lexoi" mirë e mirë, i tha: - Ke  për të kaluar një jetë plot dallgë. Do shkosh në vëndin tënd dhe nuk ke për të qëndruar gjatë atje. Do largohesh, për punë të një "sherri" të madh dhe, për të shpëtuar kokën, do rrishë i mërguar gati për 50-vjet. Do kthehesh, pas pesëdhjetë vjetësh, e do fitosh të drejtat që të kanë mohuar.  Kur mori dorën e Enverit, tha: -Sado që nuk je aq i zoti në mësime si ky më parë, ti  do kesh një jetë të bukur dhe do të respektojnë kush me hir e kush me pahirë. Në vëndin tënd ty do të vejë puna mbroth. I dhanë fallxhores hakën dhe, tek u ulën në klub, vetëm me fallin e  fallxhores u morën. Vetëm për ty, o "damartrash" nuk morëm vesh gjë,- foli Enveri.

*     *    *

Me të mbaruar fakultetin, Abazi u emërua në Liceun e Korçës. Aty, në lice, për çudi,sado me  shkollë të pambaruar, erdhi dhe Enver Hoxha. Hilmiu qe gjykatës në Tiranë. Kur fillo lufta kundër fashizmit, Abaz Ermënji la katedrën e mësuesit  dhe doli malit. Ai qe komandant i një çete nacionaliste dhe aderoi me Ballin Kombëtar. Edhe Hilmi Hysi, sado gjykatës, kishte ide nacionaliste dhe andej dhe aderoi.  Sakaq, në Tiranë, kish mbrritur Enver Hoxha që punonte si "shitës" në dyqanin "Flora". Sado që historiiografia komuniste përpiqet për ta nxjerrë Enver Hoxhën si trim që të merrte gjak në vetull, e vërteta është pak ndryshe. Në kohën e pushtimit fashist, kur puna e "shitsit" kish marrë erë, Enver Hoxha kërkoi ndihmën e Hilmiut. Donte letërnjoftimin e tij. Hilmiu, sado "damartrashë" ia dha letërnjoftimin e tij. Por, sidoqoftë, në fotografi kishte një mospërputhje: Hilmi Hysi kishte syze dhe mustaqe. Për t'u bërë "sozia" e tij, Enver Hoxha rriti mustaqe dhe vuri syze. Fotografinë "plagjiat" ia bëri Qemal Stafa. Kjo fotografi, me syze e mustaqe ka qenë e njohur, pothuaj, prej 50-vjetësh. vetëm nuk dihej shkaku. Gjatë kohës, Hilmiu ishte martuar me Mynever Skraparin (Sanxhaku) që kish mbaruar Institutin "Nana Mbretëreshë" dhe qe bashkëshoqe  me Nexhmie Hoxhën ( Xhunglini)  që tani krah Enver Hoxhës njihej si "Delikatja". Edhe Myneveri ( ngjasonin çuditshëm !) i dhuroi shoqes së saj letërnjoftimin. Kështu që "trimi" Enver Hoxha me "trimëreshën" Delikate nuk e kishin as për pesë nga kontrollet e befasishme. Kishin gjetur parzmoren e duhur.

*     *    *

Se si vazhdon historia e këtyre tre shokëve, pjesërisht dihet vetëm për njërin prej  tyre: për Enver Hoxhën. Për të janë thën e stërthënë  të vërteta e të pavërteta që,sidoqoftë, kurrë nuk është vonë për t'u zbuluar me saktësi. Unë as që dua të futem në ato ujëra. Vetëm si  apendiks të asaj që "lexoi" fallxhorja, mund t'ju them:

Abaz Ermënji luftoi kundrë nazi-fashistëve dhe pse  shoku i biologjisë në Mospelje, ia kish vënë kokën në satër, u arratis nga Shqipëria dhe  qëndroi larg saj për gati 50-vjet. Ka qenë kryetari i Ballit Kombëtar në mërgim dhe në vitet kur erdhi demokracia, u kthye në Shqipëri. Qe dhe deputet për ballin Kombëtar, po, për arsye moshe, vdiq para disa vjetësh.

Fati i Enver Hoxhës dihet dhe nuk dua të bëhem i bezdishsëm për lexuesin.

Por ç'ndodhi me tjetrin, që  fallxhorja e Monpeljesë nuk ia lexoi dot të ardhmen? Vërtet të qe "damartrash?!" .

*     *    *

Hilmi  Hysi si jurist bënte detyrën edhe në kohën e luftës. Ai qe nacionalist dhe priste që vëndi të çlirohej. Si njeri i ligjit, kur u çlirua Shqipëria, nuk e kishte  për gjë që të mbronte,qoft dhe si avokat, të dënuar qofshin dhe politik. "Biologu", sado që e detyrohej me gjithë të shoqen, Delikaten (atë kohë Enveri qe martuar ), ndiqte çdo veprim të "mikut" të tij. Bëhej gjyq në Berat. Midis të akuzuarëve ishte dhe oficeri zogist, komandanti i një çete nacioanliste në  Skrapar, Muharrem Kapllani. Sado që "ariu i foli në vesh" që mos e mbronte një armik si Muharremi, Hilmi   Hysi shkoi dhe i bëri oponencën. Muharremin  e kishte mik dhe bashkëfshatar. Vërtet që nuk e shpëtoi, por mbrojtjen e bëri. "Biologu" Enver Hoxha i mori pak gjak në vesh mikut  të letërnjoftimit. E transferoi nga Tirana në Gjirokastër. Atje ( thonë një mësues) ia përgatiti qefinin. Papritur e kujtuar në  vjeshtë të vitit 1947, Hilmi Hysin e arrestojnë

Në mesnatë (aty nga ora njëmbëdhjetë) kamionçina e mbuluar mbante në pranga Hilim Hysin.  Diku kamionçina ndalon dhe njëri prej policëve zbret. Drejtohet tek një klub privat dhe kërkon dy racione bukë e gjellë (edhe për shokun). Privati duke patur alergji për policët ia pret:- Buka u mbarua dhe gjella. Polici u kthye  hundë e buzë. Nuk kishte,- i tha shokut. Bobo!- ulëriti tjetri. Hajde dhe duro deri në Tiranë. I arrestuari i dëgjoi dhe pyeti:

-Ku jemi këtu?

-Në Lushnje, po na griu për bukë dhe klubaxhiu e kish mbaruar.

-Shko i thuaj se kam në makinë Hilmi  Hysin dhe e do bukën për mua. Se e njoh atë klubaxhinë.

Polici u khye prapë dhe teksa pronari po tentonte ta mbyllte, polici i tha:- Më ka dërguar  Hilmi Hysi.

Oh, - tha pronari,- kam vetëm bukën time dhe merre çoja Hilmiut.

*    *   *

Më tej historia është e gjatë, por atë që  nuk "lexoi" falxhorja, e lexoi "biologu" Enver Hoxha. E pushaktoi Hilmi Hysin,pasi e torturoi për tri-katër muaj të mirë, në moshën 35 vjeçare. E hoqi të shoqen nga Tirana dhe e syrgjynosi në  Këmishtaj të Lushnjes me dy çupat njërën 5-6 vjeç dhe tjetra 3-katër vjeç. Jo vetëm e pushkatoi, por deri sot as nuk e kemi gjetur varrin.Dhe i vetmi  "krim" që bëri qe se ndihmoi "biologun" në kohën e fashizmit. Dhe ç'shkruaj për "letërnjoftimet" është pohuar  nga Enver Hoxha në prag të vdekjes. Retushoj një nga "veprat" dhe shkroi e zezë mbi të bardhë për këtë ndihmë. Pa e zënë në gojë emrin, e të ndjerit xhaxhaii tim (gjasme ia kish harruar dhe i kujtohej vetëm mbiemri: Hysi!). Kuptohet, mandej, pse "Fallxhorja e Monpeljesë" nuk ia "lexoi" dot dorën.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora