Mendime
Serxhio Mazreku: Ngërçi institucional i KQZ-së
E marte, 28.05.2013, 08:21 PM
Ngërçi institucional i KQZ-së
Nga av. Serxhio Mazreku
Kur nuk
kanë mbetur më pak se një muaj nga dita e zgjedhjeve të përgjithshme në
Shqipëri, KQZ-ja ende nuk është formatuar plotësisht, për të vepruar si një
organ kushtetues e plotësisht legjitim për menaxhimin e këtyre zgjedhjeve.
Politika
dypartiake ulërin e gjëmon në kor, ia lënë topin në dorë njëra palë tjetrës,
por ajo që duhet të ndodhë, që KQZ të marrë përsipër të luajë rolin e saj
normal e të ligjëruar me Kushtetutë, si organ i mbajtjes së zgjedhjeve të lira
e të ndershme në këtë vend, nuk po
ndodhë, duke e futur vendin në një udhëkryq të trishtë.
Ngërçi,
handikapi apo më saktë bllokimi i institucionit të KQZ-së, si i vetmi instucion
legjitim, për të garantuar një ecuri normale dhe pa ekuivoke të procesit
zgjedhor, për zgjedhjet e përgjithshme të 23 qershorit, është produkt i
marrëveshjes së shumëlakuar midis dy aktorëve kryesorë të politikës shqiptare,
PD-së, si mazhoramcë qeverisëse së bashku me LSI-në dhe PS-së, si opozitë, duke shpërfillur
vullnetin e partive të vogla, si dhe të dy forcave të konturuara dukshëm në
relievin tonë politik, FRD-së dhe AK-së.
Pra
marrëveshja midis PD-së dhe PS-së për formatimin e KQZ-së ka qenë një
marrëveshje politike, që i ka shpërfillur të gjithë zërat kundër, duke bërë që
KQZ-ja të funksionte mbi bazën e një konsensusi të deklaruar dhe i trumbetuar në vijimësi, si më
i miri i mundshëm.
Por, kur
LSI-ja u tëhoq nga koalicioni qeverisës, duke iu bashkëngjitur PS-së ose
frontit opozitar, për llogari e interesat e së majtës shqiptare, por dhe për
shkak të presionit të Internacionalistes Socialiste, bashkë me ministrat,
zëvëndësministrat dhe pjesën tjetër të administratës bashkëqeverisëse lypsej të
tërhiqte dhe anëtarin e saj nga KQZ-ja.
Pra, duke
tërhequr këtë anëtar, ruhej formula politike e marrëveshjes pozitë opzitë për
KQZ-në, ku katër anëtarë do të ishin të mazhorancës dhe tre anëtarë të
opozitës. Ky veprim i pritshëm, normal dhe institucional nga forca politike e
LSI-së, do të prodhonte vijimësi të marrëveshjes dhe rikonstituimin e KQZ-së,
si një organ legjitim kushtetues, për menaxhimin e zgjedhjeve të drejta e të
lira në Shqipëri.
Por, pasi
LSI-ja kreu aktin e parë kundër frymës së Marrëveshjes politike, duke mos
tërhequr anëtarin e saj nga KQZ-ja, siç bëri me gjithë pjesën e administratës
qeverisëse, kjo i dha shkas mazhorancës për të bërë ajo hapin e saj jo të
drejtë dhe jo në përputhje me vetë marrëveshjen e iniçuar nga ajo dhe opozita.
Mazhoranca zgjodhi rrugën parlamentare, duke e hequr anëtarin e katërt të KQZ-
së, përfaqësuesin e opozitës (të
LSI-së), duke zgjuar kështu një reagim të egër të frontit të majtë dhe
mosaprovim e madje refuzim të hapur të ndërkombëtarëve.
Në këto
rethana, opozita e majtë tërhoqi edhe dy anëtarët e saj nga KQZ-ja, duke e lënë
këtë institucion legjitimin të zgjedhjeve të lira në Shqipëri të paformatuar,
të bllokuar për momentin dhe të pamundur për të përmbushur detyrën
instiutcionale të mbajtjes së zgjedhjeve të lira në Shqipëri.
Pra,
gjithë kjo rrëmujë e shkaktuar, bashkë me pasojat e saj në dëm të procesit
zgjedhor, nuk është gjë tjetër veçse rrjedhojë e një marrëveshje politike dhe
nuk mund të shkojë në vendin e vet pa marrëveshje e mirëkuptim politik.
PS dhe
Opozita e Majtë thonë se anëtarët e KQZ-së janë të depolitizuar, por në këtë
rast, lind pyetja: Përse ata u tëhoqën nga KQZ-ja sapo iu dha urdhër i prerë
nga lidershipi rozë?
Në këto
rethana, kur handikapin e ka krijuar opozita, konkretisht LSI-ja, që nuk e ka
tërhequr vetë, vullnetarisht, anëtarin e saj nga KQZ-ja, duke u pasuar ky
mosveprim me një veprim tjetër arbitrar të mazhorancës, është detyrë e opozitës
që të çojë tre anëtarët e saj në KQZ dhe të rikthejë normalitetin e këtij
institucioni.
Natyrisht
që nga marrëveshjet të tilla politike duhet të lindin instituicione të
depolitizuara, siç lypset të jetë KQZ-ja.
Tani,
edhe sikur të ekzistonte vullneti politik i palëve, për ta shkundur KQZ-në nga
myku molepsës i politikës, pra për ta depolitizuar KQZ-në, nuk ka kohë për të vepruar. Por, nëse ky
vullnet do të ekzistojë, ka kohë që pas zgjedhjeve, të riformatohet KQZ-ja,
duke pasur në gjirin e saj vetëm juristë, që të luajnë rolin e gjykatësit, të
pavarur nga politika, në momentin që ata marrin detyrën t’i nënshtrohen
Kushtetutës, me një mandate të pëcaktuar me ligj.
Përvoja e
vendeve të zhvilluara në këtë drejtim ekziston, por lypset thjeshtë vullneti
politik për të vepruar, për ta depolitizuar një herë e përgjithmonë KQZ-në, që
të mos prodhojë më ngërçe e ngecje në emër të politikës.
Lypset që në të ardhmen politika dhe kryesisht dy partitë kryesore në vend të ngrihen mbi interesat e castit, mbi frymën militanitste që i mban peng tash sa kohë dhe të formatohet në këtë vend një Komision Qendror Zgjedhjesh që të ketë rolin e një gjykate të shkallës së parë për procesin e zgjedhjeve në Shqipëri. Të mos varet nga askush, nga asnjë parti politike dhe të mos i nënshtrohet asnjë lloj presioni, ngado që mund të vijë, përveçse frymës së ligjit, presionit dhe modaliteteve ligjore dhe kushtuetutese.