Mendime
Adil Fetahu: Ora e kujtimeve
E hene, 27.05.2013, 05:46 PM
ORA
-Nga takimi vjetor i ish-normalistëve të Normales së Prishtinës, gjenerata 1956-1961-
Nga: Adil FETAHU
Ish
nxënësit e Shkollës Normale Shqipe të Prishtinës, të gjeneratës 1956-1961, tash
e shumë vite, tradicionalisht, për çdo
vit takohemi të shtunën e fundit të
muajit maj. Takimin e fillojmë në Sallen e ish-Normales së Prishtinës (tash:
Shkolla e Mesme “Gjin Gazulli”), dhe atë takim në Shkollë e quaj “Ora e
kujtimeve”; lirisht mund ta quaj edhe poema e gjeneratës. Sepse, vërtetë aty
veç tjerash, i evokojmë kujtimet nga ditët shkollore por edhe të mëvonshme.
Si çdo
vit, edhe këtë të shtune (25 Maj 2013), duke u tubuar në oborrin e Shkollës,
ashtu si vinin një nga një ose në grupe, i pritnim, shtrëngonim duarët e
përqafonim shokët e shoqet dhe profesorët që arrinin. I pyesnim për shëndetin,
familjen, shokët e shoqet, si e kalojnë kohën, hallet e jetës. Fytyra të
qeshura e të gëzuara që po takoheshim përsëri. Ata dhe ato që kanë shkuar në
amshim i kujtonim me pietet. Prej takimit të vitit të kaluar deri në këtë të
këtij viti, kanë ndërruar jetë tre veta nga Gjenerata jonë (Zoti i mëshiroftë
dhe kujtimi për ta qoftë i përjetshëm).
Në
takimin e sivjem morën pjesë 35 shokë e shoqe të Gjeneratës, dhe dy ish-profesorë të Normales: Adem Ibrahimi,
Adil Fetahu, Basri Reçica, Dalip Marku, Çerkin Mustafa, Esat Berisha-“Baba”,
Hysen Latifi, Ibrahim Mlinaku, Idriz Mehmeti, Isa Bajçinca, Jetullah Krasniqi,
Jonuz Kolgeci, Mehmet Çunaku, Mehmet Sahiti, Muharrem Sopi, Neki Juniku, Rabije
Bajrami, Ramadan Paçarada, Ramush Ajvazi, Rexhep Gashi, Resmije Musa-Islami,
Rifat Musliu, Salih Maqedonci, Sami Haxhimusa, Sinavere Roka-Maloku, Shaip
Fazliu, Shaip Konjusha, Shefqet Ajvazi, Shefqet Preteni, Tafil Vidishiqi, Tasim
Brovina, Xhafer Hetemi, Xhelil Rama, Xheva Bruçi-Hajdari, Xhylfidane
Mumxhi-Thaçi; Rexhep Hoxha (ish-profesor) dhe Arsim Fehmiu (ish-profesor).
Vlenë të përmendim këtu se Ibrahim Mlinaku kishte ardhur nga Shtugarti
(Gjermani) enkas për këtë takim, dhe drejt prej Aeroportit, duke lënë valigjet
pa i marrë, për të mos u vonuar në takim, mori taksi dhe erdhi me kohë në sallën ku mbahej takimi, kurse Dalip Marku
kishte ardhur nga Dibra, ndërsa Shefki Grabofci (që gjendet në Amerikë), gjatë
takimit tonë na dërgoi mesazh përshëndetje.
Kjo
gjeneratë ishte dhe mbeti e shkëlqyeshme dhe homogjene, të cilën nuk e ndanë as
mosha, përveç vdekjes. Shoqërimi i skalitur gjatë shkollimit të mesëm,
kultivohet tash e 52 vite pas maturës dhe ndarjes nga bankat e asaj
Shkolle. Barra e vjetëve dhe e vuajtjeve të kaluara na ka rënduar
mjaft, por vullneti që pritëm 14-vjetorin e çlirimit të Kosovës, 100-vjetorin e
pavarësisë së Shqipërisë, pritëm të krijojmë familje të shëndosha, të arsimojmë
dhe edukojmë shumë gjenerata të nxënësve e studentëve, dhe këto takime të
rregullta që mbajmë,- na forcojnë e na
japin vullnet për jetë e shoqërim. Parvjet, në 50-vjetorin e diplomimit, e
botuam Monografinë e Gjeneratës, në të cilën, veç materialeve tjera, janë
përfshirë edhe biografitë e të gjithë atyre që i kishin dorëzuar. Poqese
arrijmë të sigurojmë edhe biografitë e të tjerëve, të cilat nuk janë përfshirë
në botimin e parë, në ndërkohë do ta ribotojmë të plotësuar, që të mbetën
gjurmët tona. Është kjo e vetmja gjeneratë që pas 54 vjetëve të ndarjes nga
bankat e shkollës së mesme, në vitin 2009 organizuam një ekskurzion disa ditësh nëpër qytetet dhe
vizita në muzeumet e Shqipërisë, me ç’rast vizituam edhe Shkollën e Mesme
Pedagogjike “Luigj Gurakuqi” në Elbasan, që është pasardhëse e ish-Normales së
famshme të Elbasanit, e cila në vitin 2009 ka mbushur 100 vjet të themelimit
dhe fillimit të punës. Një fotografi e përbashkët e Gjeneratës sonë me
drejtoreshën e asaj Shkollre, Dhurata Valera, e bërë në shkallët e shkollës,
është përfshirë në Albumin e fotografive të 100-vjetorit të Normales së
Elbasanit, dhe kështu kjo gjeneratë jonala gjurmët e veta edhe në historinë e
Normales së Elbasanit.
Më së një
gjysmë shekulli, respektivisht plot 57 vjet, prej se i filluam mësimet në
Shkollën Normale të Prishtinës (1956), mbetëm unik e të bashkuar. Ç’është e
vërteta, pas pesë vjetëve të shkollimit, u shpërndamë gjithandej në Kosovë e në
trojet e tjera shqiptare në ish-Jugosllavi, si mësues të kualifikuar, për të
përhapur dritë e dituri, mësim dhe edukim, jo vetëm për fëmijët-nxënësit, por
edhe për të rriturit dhe gjithë popullin që
atëherë ishte fare pak i arsimuar. Në ndërkohë, shumica kryen shkolla të
larta e fakultete të profileve të ndryshme, e disa “u arratisën” nga profesioni
i mësuesit, për të punuar në profesione tjera, por emrin “normalist” kurrë nuk
e braktisën, dhe lidhjen me shokët e shoqet e nuk i shkëputën. Punuam në kushte
e rrethana të vështria ekonomike e shoqërore, në periudha të ndryshme: të
okupimit, diktaturës, transformimeve e
reformave eksperimentale me arsimin e me segmentet e tjera.
Në vitin
shkollor 1956/57, në dy paralele të klasës së parë, u regjistruam
dhe vijuam mësimet 58 nxënës. Shkollimi në Normale zgjaste 5 vjet. Në
ndërkohë, me ardhjen nga shkollat normale
të qyteteve tjera, apo për shkaqe tjera, numri i nxënësve shtohej nga
viti në vit, ashtu që në vitin 1961 u diplomuan 120 nxënës, nga katër paralele.
Deri më tash kanë “ikur” nga kjo jetë 43 shokë e shoqe të gjeneratës, dhe
shumica e profesorëve tanë.
Shumë
prej shokëve e shoqeve të gjeneratës, për arsye të ndryshme, nuk kanë mundur të
marrin pjesë në këtë takim. Disa janë lajmëruar me telefonata, duke
përshëndetur shokët e shoqet dhe duke treguar arsyet e mungesës. Takimi ishte i përzemërt dhe mbahet mend si
një ditë e veçantë, si çdo takim tjetër
kur takohen shokët e vjetër. Përqafime, mallë, emocione. Koordinatori i takimit,
autori i këtij shkrimi, e hapi takimin,
thirri me emër e mbiemër të
gjithë ish-nxënësit e nxënëset e kësaj Gjenarate, pastaj me një minutë heshtje i kujtuam dhe nderuam shokët e
shoqet dhe profesorët që kanë ndërruar jetë. Në vazhdim i përshëndeti të
pranishmit dhe iu komunikoi “agjendën” e takimit dhe vendin e kohën e drekës së
përbashkët. Të pranishmit miratuan
propozimin që prej këtij takimi e tutje, koordinator apo “kryetar i Gjeneratës” të jetë Isa Bajçinca, i cili do të
përkujdeset për organizimin e takimeve tjera.
Në
vazhdim “Orës së kujtimeve” të mbajtur në sallën e Shkollës, të pranishmit
shpalosnin kujtimet e tyre, tregonin ndonjë ndodhi që iu ka mbetur në kujtesë e
lënë mbresë më të thellë nga jeta në shkollë e në punë, ndërsa Mehmet Çunaku
recitoi një poezi humoristike të tijën.
Biseda e shpalosje kujtimesh vazhduam në drekën e përbashkët, në “Vila
Gërmia”, në Germinë pitoreske, të cilën normalistët e të gjitha gjeneratave e
mbajnë mend dhe e kanë shkelur cep me cep, në orët e mësimit në natyrë, në orët
e fiskulturës e të paraushtarakut, po edhe në kohë të lirë. Secili ka se çka të kujtojë, qoftë nga
ndodhitë e këndshme apo të pakëndshme. Përkundër moshës, kanë ruajtur mendjen e
kthjelltë. Ditët e takimeve tona janë të veçanta dhe mbahen mend jo një vit,
por gjithë jetën. Shaip Fazliu “përjetësonte” takimin me fotoaparatin e tij,
duke bërë fotografi nga takimi.
Pas sa orëve të qëndrimit bashkë, në ndarje përsëri shtrëngim duarësh, përqafime, urime e dëshira për takime të ardhshme, duke e ruajtur këtë traditë të mirë e të veçantë, që mund t’iu shërbejë si shembëll të gjithëve.