Mendime
Elida Buçpapaj: Berisha pastron listat
E enjte, 23.05.2013, 08:33 PM
BERISHA I
PASTRON LISTAT E 23 QERSHORIT NGA KRITIKËT DEMI, MARKU DHE ALIBEAJ
NGA ELIDA BUÇPAPAJ
Asnjë zë
kritik në rradhët e PD-së nuk do të jetë pjesë e listës së përpiluar nga vetë
Berisha. Në listë do të ketë mercenarë nga PS, të cilët nesër mund të shiten me
atë lehtësi që u blenë, do të ketë deputetë të trafikuar herë majtas e herë
djathtas, do të ketë ish-puçistë, e ish-rebelë të rikthyer për efekte pushteti,
në pamje të jashtme të bindur por nuk do të ketë asnjë zë kritik nga rradhët e
deputetëve të PD-së.
Të përjashtuarit
në momente të caktuara kanë mbajtur një qëndrim të caktuar, dhe qëndrimi i tyre
është mbështetur në moralin e politikanit, në idealet e qendrës së djathtë si
dhe ato Perëndimore. Në fund të fundit, të mendosh ndryshe është një e drejtë
njerëzore. Në tetë vjet, përgjatë dy mandateve, të përjashtuarit e listës së 23
qershorit i kanë ulur dhe ngritur kartonat me disiplinë partie, por mbështetja
njëzëri, në kor dhe me ovacione është jehonë e kultit të individit. Në partitë
në Perëndim ekziston gara e lirë brenda partisë dhe fiton më i miri. Ndërsa në
Shqipëri se kush është më i miri vendos njëshi. Dhe për 22 vjet tranzicion nuk
është gjetur gjuhë e përbashkët për të krijuar standard.
Të
kthehemi tek të përjashtuarit, gjithnjë duke marrë në konsideratë raste tipike:
I pari, Leonard Demi, kryetari i grupit parlamentar të sigurisë ka mbajtur dy
herë qëndrime jo në përputhje me njëshin.
Herën e
parë, në pajtim me aleatët tanë Perëndimorë votoi në Parlament kundër ligjit të
SHISH-it, dhe mbajti të njëjtën pozitë konform me NATO-n, SHBA dhe OSBE-në në
lidhje me shkarkimin e ish-kreut të SHISH.
Herën e
dytë, Leonard Demi pati probleme me ministrin Arben Imami, sepse gjithnjë duke
mbështetur orientimet të aleatëve tanë Perëndimorë për hir të transparencës
propozoi një projektligj që i jepte mundësi Parlamentit të Shqipërisë të
mbikqyrte e kontrollonte veprimtarinë e Shërbimit Informativ Shtetëror,
Shërbimit Informativ të Ushtrisë, Kontrollin e Shërbimit të Brendshëm pranë
Ministrisë së Brendshme etj. Kaq do të mjaftonte që të shpallej non grata për
listën e qershorit.
Deputeti
Mark Marku, e kemi parë pa fund që të bëhet zëdhënësi i mazhorancës, por kemi
parë po ashtu se si individ i lirë dhe intelektual, jo vetëm ai anëtar partie,
Marku ka mbajtur disa herë qëndrime kritike, duke u dalluar prej tufës.
Për
shembull në vjeshtën që shkoi, në kohën e grevës të ish të përndjekurve, Marku,
ka mbajtur një qëndrim të mëshirshëm. Nuk ka qenë dekord me formën që ish-të
përndjekurit zgjodhën, pra me grevën, pra deri këtu mbështeste pikë për pikë
njëshin, por ndërkohë i konsideronte legjitime kërkesat e grevistëve duke dalë
me konkluzionin se vetëm komunikimi do t’i zgjidhë hallet e ish-të përndjekurve
dhe ngërçin e krijuar.
Ne jemi
dëshmitarë, që faktori ndërkombëtar i bëri sa e sa herë thirrje mazhorancës të
kontaktonte me ish-të përndjekurit, por nga PD nuk u ndërmor asnjë hap i tillë,
dhe i kemi parasysh konsekuencat.
Mark
Marku, po ashtu mbajti qëndrim parimor, duke u distancuar nga shumica që votoi
tri dekretet e Presidentit Nishani për Gjykatën e Lartë dhe Kushtetuese. Mark
Marku votoi pro një herë dhe votoi kundër dy herë dhe gjestin e tij politik ai
e shpjegon në një intervistë tek Panorama: “Votova kundër kandidaturave të
paraqitura nga zoti Nishani, për faktin e thjeshtë se nga CV-ja e tyre e
paraqitur në Kuvend, rezultonin të kishin qenë ish-funksionarë të lartë të
sistemit represiv të Enver Hoxhës dhe zgjedhja e kandidaturave të tilla edhe
njëzet vjet pas rënies së komunizmit është e patolerueshme për një mazhorancë
të djathtë dhe i bën jokoherente marrëdhënien e saj me të shkuarën komuniste.”
Dhe ai votim kundër e përjashtoi Mark Markun nga lista e 23 qershorit.
I treti
është Enkelejd Alibeaj, deputet i PD-së për dy mandate, me prejardhje nga
shtresa e të përndjekurve. Alibeaj ka mbajtur disiplinë të fortë partie, pra e
ka respektuar pa asnjë kundërshtim njëshin. Jemi dëshmitarë se Alibeaj ka qenë
nga deputetët më aktivë që i ka bërë avokaturë qeverisjes së PD-së, i palodhur
deri në konsumim, tek një parti që ka menduar se ka përputhje idealesh. Me
profil juristi, i takon gjeneratës së të rinjve, që nuk ishte as 18 vjeç kur u
përmbys diktatura më 1992 dhe nuk duhet të ketë qenë as i rekrutuar nga
Sigurimi si Artan Hoxha kur ishte 17 vjeçar. I vetmi gjest publik i deputetit
Enkeleid Alibeaj është se nuk i ka mbështetur dy kandidaturat e propozuara nga
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani për vendet vakante në Gjykatës
Kushtetuese. Nuk ka votuar kundër si Mark Marku, por ka abstenuar, duke
deklaruar publikisht se "Vota ime është abstenim për dy kandidaturat për
Gjykatën Kushtetuese, pasi linja politike dhe morale që kam mbajtur edhe në të
gjitha rastet e tjera, besoj se në këtë rast është një logjikë e pastër
shkak-pasojë”, - deklaroi Alibeaj. Dhe ky abstenim e la jashtë listës.
Kjo pak a shumë është logjika e listës së 23 qershorit që ka sjellë PD. E ka sjellë mbështetur në matematikë, jo në moral, ideale dhe meritokraci. Por matematika është ajo që vlen më pak në klasën politike shqiptare, ashtu të pacipë dhe të pamoralshëm si janë, sepse për ta, nisur nga matematika elementare, një dhe një nuk bën kurrë dy. Gjithsesi ai që do të ketë probleme nga lista e tij do të jetë vetë përpiluesi. Do të shohim!