Mendime
Arian Galdini: Kundër rrotacionit
E shtune, 18.05.2013, 10:40 AM
Kundër
rrotacionit
Nga Arian Galdini
Duam
rrotacion, duam rrotacion…”. Kjo është fraza më bajate që po e dëgjojmë në çdo
ekran, e lexojmë në çdo gazetë, status apo blog ku gëlojnë të pakënaqurit. Por
harrojmë se rrotacioni nuk është fare pjesë e lojës demokratike dhe interesit
publik. Jemi bërë shoqëri që ecim përpara vetëm me tulla parafabrikat
propagande të nivelit më të ulët. Ne duhet të kërkojmë tri parime bazë. Tri.
Vetëm tri. Ne duhet të kërkojmë: a) Konkurrencë publike të ndershme dhe të
lirë. Nëse në Shqipëri ka hapësira për konkurrencë, atëherë fitofshin më të
mirët nëpër parti, institucione, zgjedhje etj., etj… Por nëse mungon
konkurrenca, atëherë rrotacioni është thjesht shpikje për të rrotulluar dorën
nga njëri grup arbitrar drejt tjetrit. b) Pjesëmarrje publike. Nëse publiku merr
pjesë në vendimmarrje e politikëbërje, nëse publikut i jepet llogari dhe
konsultohet pa pushim, atëherë sigurisht që do të kemi qeverisje më të drejta
dhe institucione më të përgjegjshme dhe llogaridhënëse. Por nëse publiku
shmanget, atëherë gjithçka që ndodh është vetëm “lojë renda-elitore”. c)
Transparencë. Qeveria, institucionet, partitë duhet të jenë plotësisht
transparente për sytë e publikut. Mungesa e transparencës dëshmon se ç’ndodh
brenda qeverisë, institucioneve apo partive, nuk përfaqëson ose tjetërson
interesin e publikut. Jam krejt i një mendjeje me prof. Artan Fugën kur
propozon që demokracia e brendshme e partive politike duhet rregulluar me ligj.
Është domosdoshmëri dhe është domosdoshmëri urgjente. Besomëni që nëse ne do të
kërkojmë e luftojmë, protestojmë e aktivizohemi për këto tri parime, atëherë
nuk ka nevojë për rrotacion, sepse në fakt do të ketë transformim rrënjësor dhe
përmbajtësor. Mes rrotacionit dhe transformimit, unë zgjedh transformimin.
Pse
kundër rrotacionit?
Pse jam
unë pro transformimit dhe kundër rrotacionit? 1. Sepse lideri i opozitës, Edi
Rama, është asgjësuesi dhe ndëshkuesi i përkushtuar i konkurrencës publike,
pjesëmarrjes së publikut dhe transparencës si parime bazë të funksionimit të
një demokracie euroatlantike. Edi Rama ka dëshmuar me projektimin e Kushtetutës
së 15 prillit 2008 si dhe me miratimin dhe rimiratimin e Kodit Elektoral, se
është rrezik për demokracinë dhe ngushtues e zhbërës i çdo shtegu dhe hapësire
demokratike. Kur Edi Rama në opozitë synon zbythjen e demokracisë, atëherë nuk
ka se si të jetë instrument dhe lojtar prodemokratik nëse vjen në pushtet.
Është despot pa top. Me top behet satrap. 2. Partneri kryesor i koalicionit
opozitar, LSI dhe Ilir Meta janë partia dhe lideri që as dinë e as që ua ndien
për demokracinë, lirinë, integrimin europian, europianizimin, shtetin e së
drejtës etj., etj. LSI dhe Ilir Meta duan vetëm hapësirën për të bërë plaçkë me
buxhetin e shtetit dhe zyrat e institucioneve. 3. Dyshja Rama – Meta bëhet një
dyshe e rrezikshme sepse përvijon bashkimin e despotit me kaçakun, të paaftit
me të paditurin, bariut të rrejshëm me pragmatistin e pacipë. Rama – Meta janë
rrezik publik dhe janë pa asnjë mëdyshje mbushulli antidemokratike. 3. Dyshja
Rama – Meta kanë ngritur në këmbë një sistem të ri tiranie brenda së majtës që
synon shtypjen dhe mbytjen e çdo ambicieje, identiteti apo zëri ndryshe. Në
pushtet apo në opozitë, dyshja Rama – Meta tashmë e kanë akaparuar dhe uzurpuar
të majtën duke e tjetërsuar dhe lënë pa frymë, pa emër, pa fytyrë e pa numër.
Nëse dyshja Rama – Meta vijnë së bashku në pushtet, atëherë tirania e tyre do
të uzurpoje shtetin shqiptar, institucionet e pavarura, administratën publike,
buxhetin e shtetit, sipërmarrjen e lirë e çdo qelizë të shoqërisë shqiptare. E
këto nuk janë fjalë në erë, por përfundime të logjikshme që unë i nxjerr bazuar
në provat empirike që kemi nga aktet që kanë kryer dhe modelet që ata
përfaqësojnë veç e veç dhe së bashku. 4. Dyshja Rama – Meta u bashkuan për të
shtypur e përjashtuar të tjerët e të ndryshmit brenda së majtës. Nuk u treguan
bujarë e as demokratikë me të tjerët e të ndryshmit duke i përfaqësuar në
lista. Përkundrazi, i përjashtuan nga listat të gjithë ata që përfaqësonin
tjetrën a të ndryshmen brenda së majtës dhe nënshtruan në lista ata që nuk
guxuan të përballen e përfaqësojnë nuancën e tyre brenda së majtës. Privatizimi
i listave nga dyshja Rama – Meta ishte akti dhe dëshmia publike se ata në të
vërtetë ia kanë dalë mbanë të privatizojnë makinerinë më të madhe politike që
mëton të marrë në kontroll shtetin shqiptar. Afërmendsh, duke qenë se këta e
kanë bërë privatizimin e makinerisë, atëherë nëse fitojnë pushtetin për të
marrë në kontroll shtetin, asgjë nuk i pengon më që të privatizojnë nëpërmjet
partiakizimit edhe shtetin. 5. Integrimi europian nuk është qëllim e as projekt
politik i dyshes Rama – Meta. Kush synon pushtetin me marifete informale
ekstrademokratike dhe shpeshherë edhe antidemokratike, cenon shtetin e së
drejtës, pra cenon drejtpërdrejt hallkën themelore që na bashkon me Europën.
Mendësia bizantine, ndonëse e fshehur dhe mbështjellë bukur me “mantel
propagandistik perëndimor”, lexohet dhe vetërrëfehet në gjithçka Rama dhe Meta
bëjnë e thonë. Këta të dy duan pushtetin më shumë se shtetin e së drejtës, duan
fuqinë më shumë se integrimin, duan pasurimin më shumë sesa eurotransformimin.
Dyshja Rama – Meta nuk e kanë seriozisht kur flasin për Rilindje. Ata duan
thjesht të ecin më shpejt drejt privatizimit të shtetit shqiptar. E nuk ka
asnjë arsye që unë të votoj Rilindjen, të kërkoj rrotacionin, të besoj Edi
Ramën, për të fituar më shpejt e më shumë Ilir Meta.