E diele, 28.04.2024, 09:05 AM (GMT+1)

Kulturë

Rezart Palluqi: Pranga me porosi

E merkure, 22.05.2013, 06:22 PM


Pranga me porosi

Babai im, shkrimtar, po shkruan një libër rreth fabrikës së prangave. Ai më flet shpesh rreth fabrikave të prangave të perëndimit dhe botës më gjërë. Kur e pyes përse i duhen prangat njerëzimit ai përgjigjet: duart nuk i besojnë njëra -tjetrës. Dora e majtë thyen të djathtën ose e djathta thyen të majtën. Ndodh rrallë herë që duart shtrëngojnë njëra-tjetrën,prandaj Zoti shpiku prangat. Pranoji ato si të domosdoshme.

-Baba, nuk të kuptoj. Ti je shkrimtar, dhe flet me zjarr për lirinë njerëzore. Si guxon ti të thuash gjëra të tilla? Më duket se ti bie në kundërshtim me idealet e tuaja?

Unë kam thënë vërtetë se njerëzit duhet të jenë të lirë si zogj, por ti biri im kujton se zogjtë janë plotësisht të lirë?

-Po, patjetër që janë të lirë. Ato fluturojnë në qiell ku ti dojë qejfi.

-Po, por kur ndërtojnë një fole në një pemë, ngado që të fluturojnë, kthehen në foletë e tyre? Prandaj edhe zogjtë nuk janë të lirë plotësisht, sepse foleja dhe pema i mban të lidhur. Ato janë vetëm të lirë ta ndërtojnë folenë në pemën që ata duan dhe kaq.

- Baba,unë dua të fluturoj i lirë dhe nuk dua të mbaj pranga.

-Biri im. Ne kemi fatin e madh që jetojmë në Perëndim. Këtu dollapet e bukës janë plot, dhe këtu prodhohen pranga sipas dëshirës tënde. Në shumë vende të botës, madje do të thoja në treçerekun e botës, egzistojnë dy lloje prangash: prej çeliku ose prej alumini. Atje udhëheqin diktatorë, njerëz të egër të cilët bëjnë ç'tu dojë qejfi atyre dhe jo popullit të tyre.

Ndërsa në fabrikat perëndimore prodhohen me qindra lloje prangash. Dhe e di kush është më e bukura? Që çelësin e prangave e përdor ti për aq sa kohë prangat i mirëmban, dhe jo roja e burgut tënd siç ndodh zakonisht.

-Si është e mundur kjo?

-Ta shpjegoj më vonë

-Pa më thuaj së pari, çfarë dëshiron të bëhesh në të ardhmen?

- Djali im i dashur hesht për pak. Në fytyrën e tij vegon një re dëshpërimi. Më në fund ai thotë: tregtar.

-Je i sigurtë?

-Po, shumë i sigurtë. Dua të fitoj sa më shumë para, të ngas veturat më luksoze që egzistojnë.

- Po, ti, biri im i vogël çfarë dëshiron të bëhesh?

-Lulerritës- përgjigjet ai me plot gojën dhe vetbesim të patundur.

Drejtohem në dhomën time të gjumit, hap kasafortën dhe nxjerr që andej tabakanë me dhjetëra mini-prangat të cilat prodhohen në fabrikën e romanit tim dhe futem në dhomën tjetër ku bijtë e mij më presin. Ata habiten, bëjnë pyetje breshëri të dinë se si janë ndërtuar dhjetëra prangat mbi tabaka.

-Ja, këto prangat këtu janë për kuzhinierët. I sheh lëkurat e patateve të thurura me bishta specash dhe bishta lope dhe viçi? Çelësi është bërë me brirët e lopës. Këto këtu janë prangat e marangozëve. I sheh? Këto janë bërë me thupra thane, degë të holla dhe rrënjë pemësh të ndryshme.

-Hë, i gjeni dot cilat janë prangat e juaja?

Djali i vogël i dalloi menjëherë prangat e lulerritësit.

-E bëra mirë unë që zgjodha profesionin e lulerritësit. Kërcejtë e luleve nuk t'i vrasin duart si metali, hekuri apo letra plastike e parave- thërriti ai hareshëm, me sytë e drejtuara nga vëllai i tij.

-Oh sa të bukura që qënkan prangat?! Ai u mahnit me to. Më pyeste për llojin e luleve me të cilat ato ishin thurur. Observonte bishtat e tulipanëve, zambakëve, gladiolave, karafilëve me të cilat prangat ishin prodhuar.

- Po çelësi i prangave të lulerritësit me se është bërë?

Freskia. Duhet që prangat e luleve të mos thahen, vyshken ose humbasin gjallërinë. Çelesi i prangave te lulerritësit ndodhet më shumë në ajër, qiell...

Djali i madh, Alberti, i cili zgjodhi profesionin e tregtisë, i dalloi gjithashtu ato menjëherë nga letra plastike e shkëlqyer e stampuar me shifrat e ndryshme të euros, stërlingave, dollarit. Ai i ngriti në ajër ato, dhe për shaka më kërkoi tia vë në duar. E bëra menjëherë. Ia kyça prangat me çelësin e vogël plastik të bërë prej monedhës (fallco) të pesëqindsh euros. Më kërkoi tia çkyç prangat por refuzova.

-Përse s'mi çkyç prangat?

-Dëshiron të bëhesh tregtar apo jo?

-Po, të thashë po!- u përgjigj i zemëruar.

-Atëherë duhet të mësosh ditë e natë. Prangat do t'i çkycë profesori kur të japë diplomën. Dhe diplomën e merr vetëm nëse mëson ditë e natë truqet dhe ligjet e tregtisë.

-Domethënë atëherë do jemë i lirë?

Diploma nuk mjafton. Këtë e ke ti në dorë. Nëse punon me mend po. Çelesi i prangave të tregtarit lakmohet mjaft. Përndryshe çelësi i prangave të tuaja do nxirret në shitje ose ankand dhe atëherë duhet të kërkosh pranga të reja.

Rezart Palluqi, shkrimtar

Holandë, 22-05-2013



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora