E diele, 28.04.2024, 03:05 PM (GMT+1)

Kulturë

Fabula nga Vangjush Saro

E diele, 19.05.2013, 07:58 PM


Fabula

 

Vangjush Saro

 

Skanku

 

Vjedhazi bredh në qytet;

dru pas druri

ferrë pas ferre rrëshket.

Po ndjeu

se dikush mund ta kanosë,

sakaq vendin përreth e ‘parfumos’

dhe natës së heshtur e të dlirë,

ia prish çdo bukuri

kjo egërsirë.

 

Thonë

edhe pa i bërë keq,

të qelb për dreq.

 

 

Vizitë...

 

Rruginën kapërceu Ketri Gri,

duke u lëkundur siç di ai.

Pastaj hopa(!) mbi gardhin e shtëpisë

ku ish një goxha pishë

dhe rronte kushëriri.

U ngjit sakaq ndër degë

mysafiri.

Mirëpo i zoti i shtëpisë

përqark a në fole nuk ishte;

kishte atje vetëm ca kokrra kikiriku.

I mori ato dhe krisi iku...

 

 

Dhelpra shkruan recensione

 

Dhelpra mbahej më të madh,

ndër krijuesit e gjithë pyllit.

Nuk trazohej për këdo,

veç me libra të ndonjë ‘ylli’.

Luanëve, meqë ra fjala,

mund t’iu thurrte ca lëvdata,

me të tjerë s’merrej fare.

E mbante lart

pazarë...

Njëherë

që u dend me mish,

madje i teproi mjaft,

njërin që...luan nuk ish

e ngriti shumë shumë lart.

-Ç’qe kjo hata,

i thanë ca,

q’e drodhe kaq papritur?

Na kishe thënë

mund të shkruash

veç për luanë mendndritur.

-Vërtet, tha dhelpra,

luan nuk qe

por libër të bukur kish shkruar;

dhe m’e rëndësishme është që

thëllëzat...si luan i gjuan.

 

 

Libri dhe syzet

 

Ulur në divan,

njeriu

psherëtiu.

Dhe librin plot mërzi

e la mënjanë.

-Çfarë bën, o mik, pa mua?,

syzet i thanë.

S’mund të lexosh ashtu

kuturu...

 

Divani krisi përsëri,

njeriu librin mori ta shfletojë.

Filloi prapë leximin me durim,

me kokën ndër fletë si palloi.

Po prapë i erdhi për të fjetur;

libri

faqepërthyer mbeti...

 

 

Dallga

 

Një dallgë shoqen ndiqte pas

në oqeanin e vjetër.

Dhe befas

iu shkrep

ta arrinte patjetër.

Filloi të përhidhej

e shkumëzohej fort,

por dallgën tjetër nuk e kapi dot,

gjersa  të dyja në breg u shuan.

Kështu edhe ndokush që vuan,

teksa nganjëherë

krejt pa sens

matet me të tjerë...



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora