E shtune, 27.04.2024, 04:03 PM (GMT+1)

Kulturë

Nuhi Veselaj: Rrënjësia e fjalës Kalë

E shtune, 18.05.2013, 05:37 PM


RRETH RRËNJËSISË DHE SHTRIRJES SË FJALËS

KALË NË SHQIPEN E DOKUMENTUAR

Nga Dr. Nuhi Veselaj

Në këtë trajtesë bëhet fjalë rreth konceptit që ka të bëjë me fjalë-emrin kalë kali, në shqipe e përgjithësishtkoncept ky që lidhet gjithsesi me këtë kafshë shtëpiake, qi ishte  aq  e nevojshme dhe e afërt për njeriun, të cilin e ndihmoi gjatë zhvillimit historik të tij si forcë e pandashme shoqëruese në lëvizje e sipër, qoftë si mjet punesi mjet lufte, qoftë edhe si mjet argëtimi dhe që shërben edhe sot në rrethana të caktuara për të hipur mbi të, për të bartur diçka, për të tërhequr karrocën etj. Së këtejmi, ne, në këtë trajtesë bëjmë fjalë:

së pari, rreth rrënjësisë së fjalës kalë të shqipes në krahasim me barasvlersësit përkatës  të gjuhëve  i.e. dhe atyre romane;

së dyti, rreth shtrirjes në kohë-hapësirë të kësaj fjale dhe derivateve të saj në sistemin  foljor dhe atë emëror të shqipes  në krahasim paksa me gjuhët romane dhe

së treti, larushia ndërtimore, paradigmore e fjalëformuese e shembujve në shqipe si dëshmi autoktonie të kësaj fjale

 

1. Rreth  rrënjësisë së fjalës kalë  të shqipes

 

Me sa dimë, studiuesit e indoeuropeistikës rreth konceptit të fjalës kalë, duke u mbështetur në trajtat emërore të dokumentuara si b.f.: pers. asp, lat. equus, sanskr. açvas, angl. horse, gjerm.Pferd, rus. loošad,  gr. agolo(s)ippos, ikos, serb. konj / kobyllo, shq. kalë/pelë,.  etj., etimonin e kësaj fjale e (ri)konstruktuan në trajtën i.e.*(h)ekkwos. (Shih edhe te: Sh. Demiraj, Gjuha shqipe dhe historia e saj, Prishtinë 1989, f. 155.)

Në të vërtetë, konstruktin kalë të gjuhës shqipe, studiuesit e ndërlidhin me trajtën e latinishtes vulgare caballus, prej nga edhe e kanë prejardhjen fjalët e konceptit të tillë në gjuhët e gjalla neolatine (romane) si: fr. cheval, it. cavallo, sp. caballo,  port. cavalo, rum. cal).

E thamë se  konstrukti kalë ndërlidhet, jo pa të drejtë,  me  trajtën e latinishtes vulgare  caballus, gjë që nuk mohohet, por sa i përket raportit ndërndikues huazues: latinishte vulgare / krijim autokton i shqipes rreth kësaj fjale ka mendime të ndara që lënë vend për diskutim.

Sa për t`u shtuar kërshërinë lexuesve tanë e ndonjë studiuesi në veçanti, po shpjegohemi pse thamë lënë vend për diskutim. Për mendimin tonë ka gjëra të diskutueshme, jo vetëm në raportin me rumanishten (cal/kal-) dhe me greqishten (agol-os /*n/gal (!),  ippos /hipës (me hipë), ik-os /ikës (me ikë), por edhe sa i përket raportit latinishte vulgare/ protoshqipe të kësaj fjale dhe si pretekst kontestimor po përmendim këto tri fakte:

e  para, studiuesi A. Meje  konstaton se fjala caballus ka origjinë diskutabile ("origine discutée"), pra nuk i përket për nga origjina gjuhës latine, ngase ajo për këtë koncept kishte fjalën equus; (Shih: Antoine Meillet, Dictionniare étymologique de la lange latine, Paris 1967.)

e dyta, meqë A. Meje (dhe në burime të tjera) nuk përcaktohet konkretisht se cila nga gjuhët e vjetra të asaj kohe  vulgare (popullore), pra jo latinishtja, mund të  jetë "amë" ose ndikuese në pëftimin e trajtave  përkatëse  të gjuhëve neolatine,  për ne ky fakt sfidon ose duhet të sfidojë edhe më shumë historianët e gjuhës sonë në kuptimin se mos vallë protoshqipja do të ketë pasur hise, apo jo, në raportinkalë/caballus? dhe

e  treta, studiuesi, M. Huld sipas A. Konushevcit, konstaton se fjalë-koncepti kal, vjen si  reflektim nga  rrënja i.e. *kel, me kuptimin "me grahë, me vu në lëvizje.", supozim ky që përkrahet nga A. Konushevci e të tjerë. (Shih Forumi shqiptar, 23.02.2010.)

 

Sido që të jetë, edhe pse ne nuk jemi specialist dhe s'kemi aq kompetencë sa me marrë pjesë në këtë shtjellë diskutimi, megjithatë për të ndihmuar sadopak të zbardhurit e çështjes rreth autoktonisë brenda shqipes të fjalës kalë, qoftë edhe në mënyrë anësore, apo jo, duke u mbështetur edhe në faktet e sapocekura më parë, marrin guxim me shtrue pyetje dhe me kërkue paksa sipjesëmarrje në përgjigje rreth pyetjeve të shtruara, pikërisht rreth synimit të sipërshprehur:

 

së pari,  meqë fjala "kalë" e shqipes me sa u tha, nuk mund të cilësohet edhe më si  një "latinizëm" i mirëfilltë i prejardhur as nga equus, madje as nga ajo caballus, apo jo, sepse kjo fjalë (sidomos  e dyta), e cila  konsiderohej si dhënëse  latine për shqipen, edhe vetë nuk paska origjinë latine(!), por  të një gjuhe tjetër, andaj  hapet rrugë, apo jo, për të vrarë mendjen se cila gjuhë konkretisht mund  të jetëamë  ose ndikuese e këtij fjalë-koncepti?

së dyti, në vazhdë të këtij konteksti shtrohet pyetja tjetër, kur është fjala te latinishtja vulgare "popullore", sa mund të ketë lënë gjurmë fillimisht pellazgo-ilirishtja, pastaj edhe protoshqipja për raste të veçanta si kjo, kur dihet fakti se fiset pellazgo-ilire (etruske, ligure), përkatësisht ilire-protoshqipe: mesape, japide, kalabre e toske-shqipe (!) (Shih edhe te Shefki Sejdiu,  Gjurmë interferimesh.,Shqipja dhe gjuhët e Ballkanit, ASHAK, Prishtinë 2012 f. 231.), të cilët, ndaj vendësve e të tjerëve, siç thuhet kishin një farë epërsie kulturore për kohën, shtriheshin përtej territorit ballkanas që ka shqipja sot. Së këtejmi, në kontinuitet, pa u shkëputur nga konteksti del edhe një fakt tjetër, që ceket nga prof. Eqerem Çabej se në gjuhën e hershme italiane ka qenë e ngulitur shprehja epirotem equites, d.m.th. kalorës shqiptarë, pra shqiptarët (si vazhdues të protoarbëroreve, të ashtuquajtur epirotë) ishin të njohur që atëherë, d.m.th., që në antikë, edhe atje, si kalorës, të cilët sigurisht fjalën kalë e bartnin me vete, apo jo? dhe

së treti, për të fituar ide më të mirë në kontruktimin e etimonit filltar, ose të përafërt, në këtë kontekst sa ndihmon të trajtuarit e variantëzimeve të emërtimeve  të përftuara, mbi bazë të fjalë-konceptit caballus, përkatësisht cavallus  - *kaval (!), kalë /*ngal - duke u nisur nga variantet e gjuhëve të sotme të gjalla dhe duke ndjekur këtë shtrirje vertikale deri në majat më të larta të mundshme të kohë-hapësires historike?!

Pra, ne, pikërisht si përgjigje rreth pyetjes së tretë, pandehim me dalë paksa sipjesëmarrës, sepse nisur nga bindja se edhe në këtë mënyrë nund të jepet ndihmesë, qoftë edhe anësore, në gjetjen e rrugës për zgjidhjen e kësaj enigme, konsultuam variantizimin ose rrjedhojat përkatëse  te gjuhët kryesore të gjalla, për me pa sa pati ndikim trajta caballus,  te trajtat:  fr.  cheval, it. cavallo, sp. caballo, ,në njërën anë dhe sa në anën tjetër në përftimin e fjalëve në rumanishte e shqipe cal/kalë, si izomorfemë, ku konstrukti filltar kal/ë/cal shqiptimisht e shkrimisht në këto dy gjuhë del i përbashkë, i njëjtë?

Në të vërtetë, ne nuk patëm mundësi të konsultonim mjaft në hollësi e gjerësi lëndën nga gjuhët e cekura neolatine pasi patëm në dispozicion vetëm nga një fjalor normativ të gjuhës përkatëse dhe atë të profilit deri të mesëm, por materialin në gjuhën shqipe për aq sa patëm mundësi, jo vetëm e  konsultuam, por edhe u përpoqëm me e trajtue mjaft në hollësi e thellësi.

Sidoqoftë, nga materiali i tillë i konsultuar, i cili edhe duhet të përplotësohet, sidomos  me lëndë  nga gjuhët neolatine, ne, siç do ta shohim më poshtë, arritëm, jo vetëm ta kompletonim më mire dijen tone rreth fjalë-konceptin kalë nga këndvështrimi i shtrirjes në kohë-hapësirë të shqipes së shkruar ndër shekuj, por bëmë të mundur që ky material të shërbejë edhe si provë mbështetëse, jo pa bazë, për të gjithë ata që janë të interesuar që këtë fjalë ta vërtetësojnë si autoktone të shqipes, apo jo? Ndërkaq sa i  përket hises në ose nga latinishtja vulgare të fjalës kalë ndaj caballus nga krahasimi i sotëm, kur b-ja e theksuar në mes k/l- së, te njëjësi i shqipes nuk paraqet edhe aq problem, kur kemi parasysh shumësin e emrit kalë të shqipes:*k'val,kuej kuaj, së këtejmi nuk paraqet vështirësi as zbërthimi, sidomoskur kemi parasysh faktin, siç ceket  në burime të caktuara (nternet), se edhe në latinishten vulgare përveç trajtës mbizotëruese caballus dilte edhe ajo cavallus, megjithatë, hë për hë, ky fenomen ndërndikues mbetet vetëm çështje sfiduese ose si një sugjerim gërricës i përdëshiruar për ne, por njëherazi jo si ide e hedhur poshtë a priori, sepse vërtet ky fakt sfidon studiuesit e kësaj fushe dhe të gjithë dashamirët e gjuhës shqipe.

 

 

2. Shtrirja e fjalë-konceptit kalë me rrjedhojat përkatëse

në kohë-hapësirën e gjuhës shqipe

 

Për të qenë, pra, me e qartë të shtrirët e fjalë-konceptit kalë me derivatet përkatëse në gjuhën shqipe, ne, nga burimet e caktuara volëm shembujt konkretë, të cilët, duke pasur parasysh strukturën ndërtimore, paradigmore dhe fjalëformuese të tyre, po i paraqitim, së pari, shembujt aktualisht të dokumentuar të sistemin foljor dhe së dyti, ata të sistemit emëror.

 

1) Nga sistemi foljor

 

Të ndjekim variantet e foljezimit të shembujve sipas burimeve përkatëse, që kuptimisht dalin qartë ose asociocionojnë sinonimisht a analogjikisht fjalë-konceptin rreth kuptimësisë së emërtimit kalë të gjuhës sonë:

 

a) Nga punimi i Xhuvani-Çabejt (Prapashtesat e gjuhës shqipe, Tiranë 1962)  ndeshim këto folje (të krijuara analogjikisht) po që asociacionojnë kuptimësinë mbi këtë bazë:

kalamendem, kalavar/em, kalavir/em,  kalaro/hem, kalivar, kalivos, shkalavesh,

shkalamit    -  gjithsej  8 shembuj.

b)  Në FGJSH 1954 ndeshim këto folje:

kalamend, kalarohem, kaloj, ngallmoj, ngallnoj, ngalem, ngel/em,ngalirohem, ngalkohem, ngalosem, ngarend, ngarkoj, ngas (ngaj); shkalaris, shkalis, shkarmis, shkarko,j  shkel, shkelmit, shkarzej  -  20 shembuj.

c) Në FGJSSH 1980, veç  ndonjë shembulli nga FGJSH 1954, ndeshim  edhe plus:

kalavarem, kalëroj, kalisem, kalit, ngalem, ngalosem, ngalkohet, shkalafendem,

shkalafit, shkalavesh, shkal, shkalit, shkallmoj, shkalloj, shkarravesh, shkarravit, shkas!zgaj! - 18  shembuj.

ç) Nga FSHSK 1981 (Fjalor shqip-serbokroatisht, Prishtinë 1981) ndeshim këto folje:

kalaroj, kalavarem, kaloj, ngalosem, ngajkohet, ngalem, ngalkohem, ngalirohem; ngarrem, ngarkoj, ngarroj, ngarris; shkal, shkalis, shkalaris, shkalitem, shkallmoj, shkalloj, shkarkoj, shkarravesh, shkarravit, shkel,, shkelvarem, shkelmit - 24 shembuj.

d)  Nga Fjalori i IAP- së  (Fjalor fjalësh e shprehjesh popullore, Prishtinë, 1982.):

kaladroj, kaliroj, kalafuq/em, kalaposh, kalaroj, kalashtis  -  6 shembuj.

dh) Në Fjalorin e M. Elezit qoftë me konstrukt tjetër, qoftë  me nënfushë të re semantike ndeshim këto folje:

kalaboshav, kalaboshoj, kaladredh, kaladredhoj, kaladreqoj, kaladroj, kalavend, kalafend, kalafuq/em, kalakryqoj, kalamend,  kalangërçoj, kalaposh, kalaroj, kalashtoj, kalavesh, kalaveshav, kalaveshoj,  kalaveshtis, kalëroj, kaliroj, kaloj.,  shkelcoj, - gjithsej  23 shembuj.

e)  nga FD 2011 (Fjalor drejtshkrimor, Tiranë 2011):

kalamend, kalandroj, kalarohem, kalavar/em, kalavirem, kalëshoj, kalëroj, kalit, kalis/em, kaloj; karavatem, karashtis, karrapitem; ngalkoj, ngall, ngallmoj, ngallashmoj, ngajkoj (ngajkohet), ngarend, ngarkoj, ngarmoj, ngas (ngaj), shkal,  shkalafend, shkalit, shkalos, shkalafit, shkalaris, shkalavesh, shkalaviq, shkalos, shkalit, shkarangjitem, shkaras, shkarëzej,  shkarëzit, shkarkoj, shkarravesh, shkas(!), shkarravit      -    41 shembuj.

 

Nga sa më lartë, del se në  gjuhën shqipe, manipulohet me afro 80 shembuj, folje këto të regjistruara, të formuara analogjikisht ose mbi bazë të emrit kalë, përkatësisht sipas  konceptit që asociacionon ecje, udhëtim, shëtitje etj. gjithsesi lëvizje që në raste kuptohen metonimisht ose figurativisht se kemi të bëjmë me një rrënjësi të tillë, ndërsa në gjuhët romane perëndimore sipas fjalorëve përkatës që konsultuam, kryesisht për koncept - foljen kalëroj  ndeshim vetëm nga një folje mbi bazë të emrit që mbulon konceptin e barasvlerësit kalë të shqipes, ndërsa për kaloj (me kale) ndeshim foljen përkatëse mbi temë tjetër që ne po i shënojmë në kllapa.

Krahaso:

 

fr. chevaucher (condire, se promener, voyager, monter a sheval),

it. cavalcare (montare, andare a cavallo, viaggare,  punëtare etj.),

spcabalgar (montar a caballo, andar ir ...) dhe

rum.calarese (merg cu cal.).

Ndërkaq në rumanishte mësuam se si sinonim i fjalës cal dalka emri murg ("bay herse")ndërsa për pelë del trajta e latinishtes equa dhe si barasvlerës i shqipes kalëroj mbi., dalka  shprehja ride de peste...

 

Siç po shihet asnjëra trajtë sinonimike foljore (togfjalëshat) në gjuhët e huaja nuk del me rrënjor të emrit përkatës cheval, cavallo,  caballo a cal. siç del shqip kaloj, po kjo nuk do të thotë se nuk duhet gjurmuar në këtë drejtim edhe në ato gjuhë më në hollësi, siç bëmë ne në shqipe, por sidoqoftë, konstatimi rreth rrënjësisë së fjalës kalë në shqipe, e cila  ilustrohet, me pothuaj 80 folje ose foljezime të përftuara analogjikisht ose mbi këtë bazë, kemi bindjen se nuk do të zbehet aspak.

 

2) Nga sistemi emëror:

 

Po nga burimet përkatëse të sipërcekura e të tjera konsultuam shembujt nga sistemi emëror po mbi këtë kontekst.  Në vijim po i paraqitim disa shembuj që ndeshim, jo krejt, ngase kur kemi parasysh modelet e qarta fjalëformuese e sidomos përftimet mbi temë foljore, numri i tyre potencialisht del më i madh se shifra që ne po e shënojmë më poshtë sipas burimeve përkatëse.

 

a) Xhuvani - Çabej (Shih A. Xhuvani, Vepra I, Tiranë 1980, f. 276  dhe 277.) manipulojnë me afro 40 raste, ku veç  shembujve

kalapiç, kalabiç,  kaliboç,  kalaboza,  kalaqafë,

që i pohojnë të përftuara nga fjala kalë, manipulojnë edhe me të tjera si:

kalush, kalas, galiç, kalavesh,  kalafre, kalipiç, kaloshin; kalagjunjazi,; (n)galiç, (n)galuc, skalapouri, shkalavesh, shkalaviq, kalabisht, karabisht e karrabisht etj.

b) Në FSHSK 1981 ndeshim mbi 50 shembuj:

kaladredhas, kalangërç, kalas, kalaveshas, kalorthi, kaluarthi, i ngalët, ngarkues/e, shkalitje,  ngalc, ngalakeq , shkelës etj.

c) Në  Fjalorthin e A. Zymberit  (1979) ndeshim mbi 20 shembuj:

kalabash, kalahute, kalakeq, kalaminare, kalanç(!) kalapec, kalaposh!, kalavec,  kalaver, i(e) kalaveshun, kalagjah, kalaz, kalidash, kali i  qyqes,  kalingalë, kaliqafe, i kaliruem, e kalirueme, kalistrok, kalorës, kalosh, kalur.

ç) Në Fjalorin e  IAP-së (1982), ndeshim 22 shembuj:

kalabuq/e, kaladash, kaladredhajkë, kaladredhan, kaladredhç,  i(e) kaldredhtë, kalduc, kalafuq, kalagjysh, kalakeq/e, kalakryq,  kalaush, kalavc, kalavanc, kalavesh, kalavër, kalbuçë, kale, kaligjok, kalistruse, kalival, kalithadër.

d) Ndëkaq në Fjalorin e M. Elezi ndeshim mbi 100 raste kategorish të ndryshme leksiko-gramatikore:

kalabosh, kalaboshan/e,, i(e) kalaboshavtë, i(e) kalaboshavur, kalaboshje, të kalaboshuarit, i(e) kalaboshuar, i(e) kalaboshur, kalabuçan/e kalabuq/e, kaladash, kjaladredh, kaldredh/e, kaladredhak/e, kaladredhajkë, kaladredhan, kaladredhës, kaladredhje, i(e) kaladredhtë, i(e) kaladredhur, kaladreqas, i(e)kaladrequr, kaladuc, kalafendje, i(e) kalafendur, kalafuq, kalafuqje, i(e) kalaf , kalafurc,  kalagat,  kalagjah, kalagjysh, kalahum, kalahute, kalakeq, kalakryq,  kalakryqim,  i(e) kalakryquar, kalamand, kalamendas, kalamendje, kalamendshëm, i(e)kalemendtë, i(e) kalamendur, kalamiç kalaminare,  kalamul, kalandryq/e, kalangërç, kalangërç/e, i kalangërçuem, kalanuse, kalaposh, kalaposhtje, i(e) kalaposhur, kalaqafas, kalari, kalarim, të kalavarurit, i(e) kalaruar, kalastrofc,  kalastruc, të kalashtruarit, kalashun!, kalauke,  kalaush, kalavanc!, kalavar, kalavere, kalavesh, kalaveshas, kalaveshavje, i(e) kaleveshavtë, kalaveshje, kalavesh-kalaveshë kalaveshtisje, i(e) kalaveshtisem, i(e)kalaveshur, kalavigj, kalvigjas, kalaz, kaleç, kaleqas, kalesë, kale, kaliçuk, kalidash, kalivenç, kaligjok, kalihum, kalikoq, kalikuse, kalim, kalikresh, kalingalë, (i(e) kaliruar,

kalitruç, kalitrus,, kalithinc, kalivall, kalkuqe, kaloq, kalorazi, kalore, kalorës, kalori, kalorsisht, të kaluarit, kaluar, kaluce, kalur, kalush, kalvar.

dh)  Në FD 2011 ndeshim mbi 70 raste të fjalëve mbi temë-konceptin e fjalës kal(ë), si:

kaladibrançe, kaladoras, kaladreshë, kalagjunjas, kalakiç, kalakryç, kalamendas, kalamendës,  kalamedje, kalamendur, kalamendshëm,  kalandrim, kalangërç, kalapelë,  kalapiç kalaqafë, kalarim, kalarues, kalas, kalërim, kaldet, kaliboç, kalikiç, kalim,, kalojë,  kalimtar,  kalimtari,  kalimtarësi,  kalimthi,  kalipiç,  kaliqafë,  kalitës, kalivare, kalor, kalorës, kaloras, kalorazi,  kalorësi,  kalorsiak,  kalorthi,  kaloshin,  kalqyqe, kalrritje, kalshalë, kalth, kaluarthi, kaluç; karashtisje, i karrashtisur, karrapuc, karrabisht, karravesh, ngalakaq, ngalakeq, ngalaq, ngelaq/e, i ngalët,  ngalës, ngalje,  ngalosje, ngalosë, ngarendas, ngarendje, ngarje, ngarkoçe, ngarkesë, ngarkicë, ngarkim, ngarkues,  zgajtem(1), shkarravinë

 

Nga shembujt që konsultuam ose volëm nga burimet e mësipërm, numri i të cilëve kalon 300-shin, konstatojmë se jo pak raste dalin të diskutueshme, po ne i shënuam si të tilla, ngase qëllimi ynë është që gjatë analizës të kihen parasysh të gjitha përftimet e mundshme të disktueshme e të padiskutueshme, të qëndrueshme e të paqëndrueshme ose të pranueshme e të papranueshme në dukje për kohën tone, sepse vërtet ndonjë rast mund të jetë jo i kapshëm mire, sot për sot, megjithatë në analizë të imponueshmet mund të sqarohen,  teprimet mënjanohen ndërsa rë argumentueshmet mbeten të sakta, të kulluara.  Në anën tjetër, me sa shihet, disa prejpjesorë ekzistues që nuk janë shënuar këtu mund të shtohen, varësisht nga nevoja ngase, modeli fjalëformues i lejon.

 

Sidoqoftë, kur kemi të bëjmë me raportin shqipe / gjuhë e huaj romane mbi këtë fjalë-koncept  konsultuam  barasvlerësit e përftuar në ato burime dhe numrin e përftimeve që i ndeshëm aty mbi bazë të emrit të caktuar, në zëra të veçantë, po  i  shënojmë më poshtë, fill pas titullit të burimit përkatës të konsultuar:

 

1) Fjalor  frëngjisht - shqip (nga Vedat Kokona), rib. Prishtinë 1990, ku mbi temën cheval ndeshëm të përftuar  nja 15 shembuj.

2) Talijanski -hrvatsko-srpski  rje?nik (M. Dejanoviq - J Jernej, Zagreb  1990), ku  mbi temën cavallo ndeshëm  22 raste,

3)  Fjalor spanjisht - shqip (nga Zef Sinani),  Tiranë 1999, ndeshëm  të përftuara afro 20 shembuj mbi temën caballo, si dhe

4) Fjalor rumanisht-anglisht "Dixtionar expluicativ/ dexonne.ro "(internet) ndeshëm mbi 30 shembuj mbi bazë të rrënjë-temës cal -.

 

Gjithsesi edhe nëse numri në gjuhët e huaja mund të ndryshojë në dobi të sasisë, për çka nuk dyshojmë, kemi bindjen se në raport me shqipen nuk do të ndryshojnë konstatimet që u dhanë lidhur me specifikën që ka fjalë-koncepti kalë me derivatet përkatëse në gjuhën tone.

 

 

3. Larushia e shembujve nga pikëpamja ndërtimore, paradigmore e

fjalëformuese si dëshmi autoktonie e fjalës kalë

 

Është e vërtetë se edhe larushia e shembujve vështruar nga pikëpamja ndërtimore, paradigmore dhe fjalëformuese tregon  për rrënjësinë në kohë e hapësirë të fjalë-konceptit kalë  dhe derivateve mbi atë bazë.

 

Meqenëse çështja e larushisë në fushat e sipërcekura kap një gamë të gjerë problemesh, të cilat lypsen trajtuar institucionalisht si nga pikëpamje historike ashtu edhe nga ajo aktuale, duke angazhuar studiues më me kompetencë e dije të duhur profilesh shkencore, megjithatë ne do të cekim kalimthi vetëm ndonjë fakt që shkon në dobi të temës sonë, siç është larushia paradigmore ndërtimore e fjalëformuese karakteristike e shfaqur te disa shembuj të regjistruar.

 

1) Larushia në ndyshimin e tingujve si dukuri të fonetikës historike

 

Nga lënda e trajtuar më sipër shihet qartë se si shembuj të ndryshëm nga sistemi foljor ashtu edhe nga ai emëror dalin të rrënjosur thellë në kohë-hapësirë të gjuhës së dokumentuar shqipe që faktohet edhe me ndryshime fonetike të thella dhe kjo përthellësi dëshmohet edhe nga shpërndërrimet e bashkëntingëlloreve dhe të zanoreve përkatëse, që shihet  në shembujt përkatës si:

 

e  para,  fundorja e fjalës kalë  si parashtesë temëprodhuese del  tre variantesh: kal-, kala- dhe kali-

e dyta,  nistorja ng- (g) shndërrohet në k, shih edhe  rastet n/gala -/kala-, sikurse te rasti  ngaliroj / kaliroj, po edhe nga  ngrah  /n-krah (sipas Xhuvani-Çabejt),

e treta, në disa raste tema merr shtesat nistore : -n, s (z!) ose sh (!), si:  ngal. shkal, zgalem!

e katërta, qiellzorja L (ose *ll) fundore e temës shndërrohet në j, përkatësisht r ose rr (ngallkoj/ngalkoj; ngalkoj/ngarkoj; ngarros, ngarroj, ngarris, kalabishtoj, karabishtoj / karrabishtoj etj.

e pesta,  shndërrimi ose variacionet e zanoreve si  i, o, a, u, ë  te tema foljore p.sh.

kaliroj, kaloroj, kalaroj, kaluroj, kalëroj.

 

Meqë ra fjala për foljezimin e kuptimësisë së konceptit që ndërlidhet me fjalë-konceptin kalë, me qëllim që të kuptohet më mire evoluimi shkrimor e semantik i  trajtave të caktuara foljore, në vijim do të bëjmë fjalë paksa rreth ndërtimit dhe kuptimësisë së tri foljeve karakteristike mbi këtë bazë: ngalkoj, kaloj dhe kalëroj.

 

a)  Rreth foljes ngalkoj (me ngalkue)

 

Në  Fjalorin K. Kristoforidhit del trajta ngallkoj ngallkohen "pelat ngallkohen", d.m.th. "pelat hiqen", koncept ky që gjithsesi lidhet me fjalën kalë. Po aty ndeshim edhe foljen ngalaroj që në Fjalorin e Bashkimit del kalaroj (m`u kalarue) dhe ngaliroj (m`u ngalirue). Sipas E. Çabejt trajta ngalkoj i referohet trajtës incaballicare (incalca) të latinishtes "popullore" (Shih. E. Çabej, Studime gjuhësore IV f. 262). Në të vërtetë, foljen "me ngalkuo" për "shkoj kaluar" e hasim edhe te "Meshari" i Buzukut (Shih Çabej IV, po aty f. 82). E përdor edhe F. Bardhi për barasvlerësin perequitare të latinishtes (Shih: Fjalori i F. Bardhit , f. 172).  Ndërkaq në burime të tjera ndeshim trajtat j ngajkoj ndaj ngalkoj (l/j), pastaj te ne ndeshet folja ngaj (ngas) me nga (si kali) ose me ngajtë  (me ngarendë, me vrapue).

Nga trajtat e tilla kuptohet se nga shtrirja vertikale e këtyre fjal?ve ndodhën edhe evoluimet ose shpërndërrimet ng/k  ngal / kal *ngal (l/ll/j ngal(k)oj/ngallkoj // ngaj - ngarend, pastaj alternimi paradigmor i likuideve etj, si l // r e rr ngalkoj/ngarkoj ose kalabisht/karabisht / karrabisht - ndryshime këto që vijnë nga thellësitë e moteve të kryera në periudha jo të shkurta kohore, por të njohura nga shkenca e gjuhës sonë.  Madje edhe  nëse ndodh që ndonjë trajtë a fjalë në gjuhën e sotme formale zyrtare të mos përdoret sot, ekzistenca e saj nuk mohohet.dot.

 

b) Rreth foljes kaloj (me kalue)

 

Folja kaloj, e cila, si të themi, sapo vihet re në Fjalorin e K. Kristoforidhit dhe në atë të "Bashkimit", por që nuk do të thotë se nuk ishte e ngulitur shumë kohë më përpara, dhe kjo ngulitje dëshmohet me faktin se në FGJSH 1954 del me pesë kuptime polisemantike, ndërsa në FGJSSH 1980 del me 19 kuptime të tilla dhe me nja 15 frazeologjizma. Është interesant se në të gjitha këto kuptime nuk del motivim i qartë fjalë-tema kalë, por gjithsesi dallohetl kuptimi strumbullar që metonimisht lidhet në parim me një "lëvizje" ecje, udhëtim, shëtitje (me kalë ose pa të), që me fjalë të tjera simbolikisht mund të referohet fare lehtë me kuptimin fillestar të shprehjes: "shkoj me kalë" = lëviz, kaloj, por që tash ka kuptimin: kaloj (shkoj, lëviz) edhe pa kalë, më këmbë etj. Po kjo del qartë edhe nga vetë fakti se tek arbreshët folja barasvlerëse e konstruktit kaloj del ngaloj.

Edhe nga këta tre shembuj: kaloj, ngalkoj dhe ngaloj del se  trajtat përkatëse sa i përket etimonit a fjalë-temës rrënjë fjalëformuese, të cilat kuptimisht përkonin me barasvleresit  përkatës  it.calvacare, sp. calbacar, fr. chevalier,  dalin në njëfarë mënyre të desemantizuara në gjendjen e sotme, por po të thellohemi sadopak në analizë, kuptojmë bazën kal-, prej nga nënkuptohet se  ndryshimet i janë shtruar një procesi zhvillimor për një kohë të gjatë që dëshmojnë shpërndërrimet e bashkëtingëlloreve k : g;  l /j, (ll): r (rr) e ndryshimet e tjera si  shtesat nistore n/s (z), sh/zh , sot për sot, mbase kuptimisht të errëta për lexuesin e rëndomtë, por të kuptueshme me pak a shumë vështirësi për lexuesit e parapërgatitur dhe të shpjegueshme me lehtësi për specialistët. Nuk duhet të na hutojë fakti që edhe në italishte, spanjishte e rumanishte del e përftuar trajta foljore përkatësisht cal/arecal/ar në biçim të shqipes kal/oj,  por kuptimisht nuk përkojnë. Në të vërtetë, folja kaloj (me  kalue) në ato gjuhë (romane) ka këtë barasvlerësi: fr. passer, it. passare, sp. passer,  rum, merg.

Sidoqoftë, edhe nga këta dy-tre shembuj argumentohet, sadokudo, konstatimi që u tha pak më sipër lidhur me autoktoninë e fjalës kalë dhe të foljes kaloj, autoktoni kjo e formëzuar në një periudhë të gjatë jo të afërt kohore, gjë që vërteton  fakti se fjala kalë  dhe derivatet lidhur me të, ishin formëzuar si fjalë shqipe që në lashtëni. Ishte kjo fjalë e përftuar dhe në çfarë forme në protoshqipe nuk dihet, por, dihet e vërteta, siç u tha më sipër, se një fjalë e tillë në konstruktin përkatës ekzistonte e mëvetësuar edhe në protoshqipe prej nga vjen e trashëguar ne shqipen e dokumentuar si fjalë e formëzuar me qartësinë e duhur semantike. Madje fjala e kontruktit të tillë ishte barabar në moshë ose edhe më e vjetër në krahasim me caballus (cavallus) të latinishtes vulgare mbetet në suazat e hamendjes, ndërsa për aderuesit e M. Huldit për rrënjën  e saj i.e., mbetet sfidë.

 

3. Rreth foljes kalëroj (me kalërue)

 

Meqë rreth fjalë-foljes kalëroj, trajtë kjo e cila gjithsesi del e përligjur në letrarishten e sotme kemi bërë fjalë mjaft gjerësisht në një vend tjetër, këtu po rithesojmë vetëm nevojën që fjala e tillë, relativisht e re,  duhet të shënohet në të gjithë fjalorët në përdorim e sipër te ne, ngase momentalisht mungon në fjalorët serbisht-shqipe e anasjelltas si dhe në burime të tjera, në mënyrë që, kur kemi të bëjmë për koncept të njëjtë, duhet të përdoret  pa drojë në vend të trajtave kalaroj, kaliroj, kaluroj dhe kaloroj, por edhe  me zgjerim kuptim që e ka marrë ndërkohë në krahasim me baraslerësit përkazës të gjuhëve të huaja.

Sigurisht me sa u shtrua më sipër disa çështje mbesin enigma që kërkojnë zbërthim, andaj shtrojnë nevojën për sqarime plotësuese, sigurisht më shumë e më bindshëm nga ato që janë dhënë deri tashti për këtë pikë.

 

 

2) Larushia paradigmore ndajshtesore, fjalëndërtuese  e

fjalëformuese te disa  shembuj rreth fjalës kalë

 

1. Prapashtesat foljore

 

Pa hyrë më thellë në analizë po cekim se prapashtesimi i shembujve përkatës në kategorinë foljeve del mjaft i larmishëm. Krahaso dhe konstato, prapashtesën foljore, në vijim, bashkë me shembujt e nëntipit përkatës:

-Oj (kaloj) dhe  O - me zgjerim:: -COJ (shkalcoj), -KOj (ngalkoj, ngallkoj, ngajkoj ngarkoj), -MOj (ngarmoj, ngallmoj), -RO (kalaroj, kalëroj, kaliroj, ngaliroj), -NOj (ngallnoj), -SHTOj (kalashtoj);

-IT: kalit, karrapit, shkarravit, shkalit, shkarëzit, shkalavit, shkalamit, shkalafit (f/v),

-OS : kalivos, shkalos, ngalos;

-IS: kalis, shkarmis, shkalaris, kalashtis, kalaveshtis,shkalis;

-AS  shkaras, shkas, ngas;

-AV: kalaboshav, kalaveshav;

-EJ: shkar(z)ej ('kel/coj);

-AV/IQ : shkalaviq;

-AV/AT: karavat, shkaravat /shkarravat.

As shembujt as analiza nuk është shterruese, madje disa trajta dalin të paqarta aktualisht ose kanë kaluar dhe bëjnë jetë mbase vetëm me kuptim të figurshëm, fakt ky që tregon katërçipërisht, siç po përsëritet disa here,  për përdorimin e tyre në periudha deri  lashtënore  në ligjërimin shqip të fjalës kalë me rrjedhojat përkatëse.

 

2. Disa raste karakteristike të ndajshtesimit emëror

 

Edhe ndajshtesat e sistemit emëror dalin të llojllojshme dhe mjaft komplekse që përfshijnë një game të gjerë problemesh fjalëndërtuese e fjalëformuese.  Së këtejmi ne  nuk do të ndalemi në hollësi rreth trajtimit të ndajshtesimit të llojllojshëm emëror, jo se nuk është temë me shumë interes, por pse do të na merrte shumë vend e kohë, që i tejkalon përmasat e kësaj trajtese, por  që njëherazi edhe kërkon përpjekje ose impenjim të jashtëzakonshëm me përmasa multidisplinare, megjithatë,  ne, që tani,  lexues i nderuar, do të vështrojmë së bashku disa variante temëprodhuese parashtesore, të cilat gjithsesi ndërlidhen ngushtësisht ose në shkallë të gjerë me emrin kalë, siç janë trajtat alomorfe temëfjalëformuese vijuese:

shkal-, kali-, kala-,  ngal-, ngar, karra,  ngarr-, kara-, ngall-, shkal-, shkar-, shkarr-

nga të cilat reflektohet me kuptim të qartë ose qartësohet sadopak analogjikisht ose  etimologjikisht trajta kal- (n/gal-, sh/kal).

Ja disa shembuj sipas siparashtesave përkatëse të sipërshënuara:

a) kal-  me ketë siparashtesën dalin afro 40 shembuj, tipi kal-osh, kalesë, kalush, kalrritje,

kalgjah,, kalth, kalore etj.;

b) kali- edhe mbi temë të kësaj siparashtese  ndeshim afro 40 shembuj, si kalirues, kalirim

kalikresh, kalingalë, kalivall, kalikoç,  kalipiç, kaliqafë, kalithinc  etj.;

c) kala- me këtë siparashtesën ndeshim më shumë shembuj, afro  130, tipi: kala-z, kaladoras,

kaladibrançe, kalagjysh, kalamend, kalabisht, kalavesh ngalakeq etj;

ç) ngal- me këtë formant-siparashtesë, me sa pamë dalin 8 shembuj, tipi.

ngal, (n)galiç, ngalec, ngalosh, ngaluc, i ngalët etj.;

d) ngar-  me këtë formant dalin  nja 10 shembuj, tipi: ngarkim, ngarkesë, ngarkicë, ngarend etj.;

dh) karra - me këtë formant  ndeshim jo shumë, 6  shembuj,  tipi: karrabisht, karrapuc,

(sh)karravesh shakarravit, karragat (kalagat), karravesh;

e) ngarr - me këtë formant- siparashtesë ndeshim këta 4-5 prejpjesorë: ngarrim ngarrosje,

ngarrisur, ngarritje;

ë) kara- me këtë formant  ndeshim këta  5 shembuji karashtisur, karabisht  karabull , karavat,

karabush e ndonjë tjetër;

f) shkal- me këtë formant ndeshim 9 shembuj, tipi: shkalaris, shkalit, shkalos etj.;

g) shkar- me këtë shënuam 6 shembuj, si: shkaravat shkarkoj, shkarangjit etj.;

gj) shkarr- n me këtë ndeshim 3 shembuj si: shkarravit, shkarravinë shkarravat  e ndonjë tjetër;

h) ngall-: me këtë  formant-siparashtesë ndeshim këto 6 raste:

ngall, ngallafat, ngallazit, ngallec,ngallmohet, ngallshmoj.

 

Edhe këtu as numri i shembujve që këtu arrin afro 250 shembuj dhe as analiza nuk del shterruese.

 

3. Gjymtyrëzimi i trajtës kalë në togfjalësha e kompozita

 

Gjymtyrëzimin e trajtës kalë- në togfjalësha e kompozita po e trajtojmë në dy pika:

së  pari, emra zakonisht të përgjithshëm, tipa të ndryshëm dhe

së dyti, emra të përveçëm kryesisht gjeografikë.

 

a) Emra të përbërë të përgjithshëm me fjalën kal-i

 

Siç mund ta shohim nga disa shembuj kompozita më sipër trajta kal- (si zoonim), në kohën tone del zakonisht si gjymtyrë e pare e kompozitës ose e pranëvënies, në emra të përgjithshëm, si p.sh.

kalrritje, kalgjah; kaliqaf, kalithinc;kaladoras, kalakryqje kalëfuqi kaladibrançe etj.,

por  atë e ndeshim edhe si gjymtyrë të dytë të kompozitës përkatëse, që ne nuk e kemi përfshirë në shembujt e mësipërm, si:

rrapakal/i, kryekal/i, gurkali, sukal/e, sukaleni, sukallë(!),

por në rrugë njëfjalëzimi janë edhe disa emra të përgjithshëm togfjalësha  me kuptim të një sendi konkret ose me kuptim të figurshëm, që ne po i shënojmë të njëfjalëzuar, madje edhe pa vizëlidhëse, si:

këmbëkali, mishkali, frekali, vrapkali, strajcëkali, pordhëkali, qimekali etj.

P.sh. Me një vrapkali e arrin cakun ose Mos m'u bën strajcëkali ose Kësaj pune i thonë pordhëkali! etj.

 

b)  Emra të përveçëm të përbërë gjeografikë me trajtën  kal-i

 

Meqë në burimet që konsultuam më sipër, siç mund të shihet edhe nga shembujt e mësipërm, ne nuk ndeshëm ose nuk shënuam emra të përveçëm kompozita me fjalën kalë, lidhur me këtë pike shfrytëzuam burimin "Fjalor i emrave gjeografikë të Republikës së Shqipërisë, ASHSH IGJL, Tiranë  2002, ku  si emra të përbërë të përveçëm gjeografikë me fjalën kal-i si gjymtyrë të pare ndeshëm këta shembuj:

Kalbroshi, Kalcat, Kaldet, Kalgjegj, Kalenjë, Kalibaq, Kalibar,

Kalimash, Kalis, Kalitoll,  Kalivaç Kalivare, Kalmastrec, Kaludh,

por  e  ndeshim këtë emër edhe si gjymtyrë të dytë, si p.sh:

Prekal, Piskal Zorkal, Cukal, Zallkalis, Gurrëkalis, Gjurrëkalis,Vajkal.

Ndeshëm dhe disa shembuj togfjalësha,  të  cilët, varësisht nga përdorimi, mund të thuhet se ecin drejt njëfjalëzimit, të cilët ne po i shënojmë siç janë:

Maja e Kalit, Qafa e Kalit,  Përroi i Kalit, Guri i Kalorit, Guri Kalit (Ulqin) e ndonjë tjetër.

Shembujt e mësipërm i shënuam me qëllim, sepse trajta kal- del e identifikuar,qartë, edhe pse ndonjëri shembull mundet me dale i diskutueshëm për ndonjë arsye.

Në të vërtetë, ne rreth emërtimit kal- (si përcaktues ose  si i përcaktuar) në emra toponimesh e patronimesh kemi lexuar punime të veçanta, duke i krahasuar edhe  me barasvlerës të gjuhëve të huaja. Kujtojmë këtë rast qëmtimi rreth emërtimit  Kalabri  Kalabria (Krahinë e Italisë) ku fjala kal- del më e qartë se te emri Gallap (Gallak) (*gal / kal)  e ndonjë tjetër, për të cilët, për qëndrueshmërinë ose jo të tyre, ashtu si edhe për disa shembuj të mësipërm të shënuar prej nesh sipas burimit përkatës, nuk do të diskutohen këtu, megjithatë s'mund të mos e dallojmë punimin e prof.. Ruzhdi Ushakut, me titull Sprovë për shpjegimin e prejardhjes së emërvendit Valkal, (Shih: ZSh 21. .11.2008.) ku autori nuk përjashton mundësinë që fjala shqipe kal të ketë ndërndikim nga caballus dhe  njëherazi emërtimin Valkalia, trajtë latine të përdorur nga Barleti, fillim i shek.XVI  e zbërthen; VAL+ KAL (val  lat.,lugin ë+ fushë) Ndërkaq, autori , trajtën kal/ia (si gjymtyrë të dytë) e konsideron, me të drejtë, si fjalë anase, të ngulitur si toponim, e cila së andejmi, del e trashëguar evolutivisht në trajtën Vajkal  si toponim  i sotëm i një fshati (a lagjeje) në rrethin e Bulqizës. Autori vëren  ndryshimin e fundores së gjymtyrsës së parë të kompozitës -L në -J,  (Vajkal /Valkal), alternim  ky i mirësqaruar sipas fonetikës historike që del edhe te trajta ngalkoj /ngajkoj, kual/kuaj etj.

Pra, në shqipe, shikuar sipas gjedhes së sotme fjalëformuese emërvendi Valkal  merret  me mend  të  jetë quajtur natyrshëm Fushkal-i (Fusha e Kalit), sikurse shpjegohen edhe shembujt e mësipërm: Zorkal, Piskal, Prekal, Zallkal(is) etj., por edhe Cukal. Dihet se fjala cukë është sinonim i fjalës çukë dhe asaj sukë, andaj emri i përveçëm zbërthehet Suka (Çuka, Cuka) + Kali , përkatësisht njëfjalëzimi del; Sukë e Kalit,*Suk+kal-, Sukal-i, sikurse ka dale shekuj përpara shembulli Cukali ose Valkali. (i cili supozohet të ketë qenë Fushëkali). Siç po shihet te sinonimet Cuka, Çuka, Suka, vërehet fenomenin fonetik  i shpërndërrimit të  nistoreve c/ç/s, dukuri e gjallë kjo, që ndeshet në ligjërimet tona, madje ka raste që edhe bashkëjetojnë të tria trajtat edhe në emërtime të tilla, siç e kemi vërejtur ne në përdorim e sipër në fshatrat e  Rrethbjeshkës së Therandës. Siç është  Cukali  i Korishës (kodër-mal), Sukë, lagja e Sukëve në Bllacë (kodrinë) dhe  po aty një kodër më e vogël (tash lagje e re)  quhet Çukë. Përveç kësaj  një bashkëjetesë të tillë e ndeshim edhe në burimin që konsultuam  (Fjalor të emrave gjeografikë të RSH), ku ndeshim shembuj me emrin Cukë, afro 30  raste me emrin Sukë dhe afro 40 emra të përveçëm gjeografikë me emrin Çukë.

Në të vërtetë, ngjashëm me tipin Cukal ose Fushëkal (Valkal), po në burimin në fjalë  ndeshim  këta shembuj:

Fushëbuall, Fushëqen, Gurrëkalis, Fusharë dhe Fushë-Arës, Fushë-Lurë,

Fushë-Mbret, Fushë-ShëngjergjFushë-BulqizëFushë-Krujë etj.

numri i të cilëve kalon 40-shin.

Sidoqoftë, nga sa u pa e u tha për rrënjësinë e thellë të emrit kali, nuk flet vetëm sindajshtesimi fjalëformues, kal-, kali e kala- etj. në kohë e hapësirë, por flasin edhe edhe vetë paradigmat e shumësit të kësaj fjale, si:

kuej-t, kuel-t, kuaj-t, kvala-t, kvalt-ë, kjal-t, kvaj-t,

kfal-t, këval-t, kala-t, kual-ët, kuaj-tëkavala-t(!) -13 trajta.

Po sqarojmë se trajtën kavala-t e kam dëgjuar në gjuhën e fëmijëve dhe është ndoshta e vetmja trajtë ndërlidhëse më e qartë se të tjerat me fjalën kaballus ose cavallus të latinishtes vulgare, përkatësisht të njëjësit të italishtes cavallo, gjurmë kjo që, siç u cek më sipër, del  jo në njëjësin po në shumësin e emrit kale  të  shqipes, ndërkaq në rumanishte, si me thënë, kjo gjurmë nuk vërehet, ngase, si me thënë, si njëjësi si shumësi, në atë gjuhë dalin thjesht: cal/kai, me shndërrim l/i.

Është vendi me përmendë këtu mendimin shumë interesant e me vlerë të studiuesit Abdullah Konushevci, i cili, trajtën kalë e shpjegon si shumës të ngularizuar dhe njëherazi e quan të pa drejtë konstatimin rreth prejardhjes latine të kësaj fjalengase ky e konsideron të drejtë mendimin e studiuesit M. Huld, i cili këtë fjalë e sheh si element të shqipes si rrjedhojë nga rrënja  *kel, i.e.  me kuptimin,me grahë, me vun në lëvizje të shpejtë, siç është edhe fjala lat. celer -is - i shpejtë. (Shih A. Konushevci, Ndihmë anomatologjike.Forumi shqiptar, 23.02.2010.)  Nuk di sa hyjnë në punë në këtë drejtim trajtat e sotme sh/kal/sh/kel ose n/gal/n/gel që kuptimisht janë e kundërta e levizjes me shpejtësi *kel, përkatësisht cel/er (kel/kal +OJ)?!!!

Sidoqoftë, jo vetëm nga pikëpamja e shumësit të fjalës kalë prej 13  trajtash (nga kuel deri  kavala-t), ku shihet shtrirja e madhe e trajtave në kohë-hapësirë, po ashtu edhe nga pikëvështrimi i ndërtimit ose foljeformimit, siç u pa, para se të krijohej e përligjej trajta kalëroj  në përdorim e sipër ishin dhe janë afro 80 trajta foljore, ndër to po i ritheksojmë vetëm këto

 

ngaloj - kaloj, ngalkoj-ngallkoj, ngarkoj, ngarrkoj; kalaroj, kaliroj,

kaluroj kaloroj, ngal e ngel, shkaL e shkel  ngajkoj e ngarkoj etj.

 

Edhe vet ekzistenca e të gjitha këtyre trajtave që në thellësi të kohës të  përftuara mbi bazë të konceptit në fjalë në gjuhën tone tregon autoktonine e kësaj fjale, apo jo?! Madje, nga kjo thellësi përdorimi shpjegohet edhe procesi I desemantizimit dhe ai i dekonstrukturimit të fjalë-temave përkatëse prodhuese të shumëllojshme fjalëformuese të trashëguara në gjuhën tone.

Sidoqoftë, e themi me keqardhje se një ndryshueshmëri a larushi e tillë në të gjitha rastet nuk ishte rezultat i një evoluimi normal, por jonormal i gjuhës shqipe, ngase mjerisht folësit e protoshqipes si dhe këta të shqipes së sotme, me sa dihet, në epokën historike nuk e paten asnjëherë fatin ta kenë një qendër administrative rrezatuese të veten, për lakmi, madje fatkeqësisht prej se mbahet mend pothuajse deri në ditët e sotme shqipfolësit ishin të ndarë, të përçarë ose të shpërndarë e të sunduar zyrtarisht nga adminitratat e huaja  Fundja, sot kur ky popull po frymon pak më lirshëm ky fakt duhet të nxisë e të motivojë edhe më shumë studjuesit e sotëm e sidomos të rijtë që ta mësojnë e studiojnë edhe më me vullnet gjuhën shqipe dhe t'ia sforcojnë prestigjin, duke gjurmuar në rrënjësinë e fjalëve të caktuara, duke ia kthyer kështu vlerat me shkencë e dije pragmatike, të cilat i janë mohuar shqipes arbitrarisht, qoftë duke shfrytëzuar servilizmin e studiuesve tanë, qoftë edhe për mungesë konceptesh ose nga mospuna e tyre.

Sido që të jetë,  për t'u konstatuar e vërteta duhet të trajtohen,  jo vetëm ato dukuri  që kanë  ngjashmëri shkrimore, siç është fjala kalë, me rrjedhojat mbi bazë  të saj, por studimi duhet shtrirë më tej për të zbardhur edhe shumë e shumë fjalë të tjera (glosa) të natyrës së tillë që fatlumnisht studiuesit tanë të përgatitur shkencërisht e kombëtarisht kanë filluar me i vërejtë dhe me i vlerësue, të cilëve u urojmë punë të mbarë e suksese.

 

 

P ë r  f u n d i m

 

Përmbylljen e kësaj trajtese po e  përmbledhim në këto tri pika:

E para, nga trajtimi i kësaj teme del i diskutueshëm konstatimi se fjala kalë  e shqipes ka etimologji latine nga trajta caballus (cavallus), prej nga e kanë prejardhjen trajtat e gjuhëve romane: fr.cheval, it. cavallo, sp. caballo dhe  rumanisht cal,  jo vëtëm  pse shqipja është futur në atë grup gjuhësh, edhe pse nuk është gjuhë romane (neolatine), por edhe për arsye se edhe vetë fjala caballus nuk ka prejardhje të mirëfilltë latine, po të një gjuhe tjetër, d m.th. të një gjuhe popullore (latinshte vulgare) dhe së këtejmi, shtrohet pyetja pse mos të sugjerohet, kishte ndërndikim fjala përkatëse e protoshqipes në atë gjuhë popullore, apo jo?!

E dyta, në të mire të këtij gjurmimi për t'u vërtetuar rrënjësia e fjalës shqipe kalë  dhe raporti me gjuhët neolatine për këtë fjalë, u analizua shtrirja në kohë hapësirë e këtij fjalë-koncepti me rrjedhojat përkatëse në krahasim sadopak me gjuhët romane dhe  nga analiza e tillë  doli se në sistemin formëzues më tepër se në çdo gjuhë tjetër në shqipe fjalë-koncepti kalë ka shtrirje të thellë e të gjerë në kohë-hapësirë dhe se ka shërbyer drejtpërdrejt ose analogjikisht si temë prodhuese fjalëformuese në të dy sistemet formëzuese të shqipes, si në sistemin foljor, ku ndeshen afro 80 folje të regjistruara mbi këtë bazë dhe po aq më shumë në sistemin emëror, ku numri i fjalëve të kategorive të ndryshme leksiko-gramatikore mbi këtë  bazë del disafish më i madh.. Pra edhe nga ky këndvështriom vërtetohet mëvetësia e fjalës kale ndaj trajtës caballus (cavallus), dhe derivative  të saj në gjuhët neolatine, jo vetëm për nga sasia, por edhe për nga kuptimi. Së këtejmi më tepër ka gjasa që trajta caballus (cavallus) të jetë influencuar nga trajta e protoshqipes mbase *kaval-- ose  *ngaval- - *ka(v)al që i paraprin trajtës së sotme shumësi *k'val  kual (kuaj) se sa anasjelltas, apo jo?

E treta,  përveç shtrirjes në kohë hapësirë në të mire të këtij gjurmimi u analizua sadokudo larushia e trajtave të shembujve mbi bazë të fjalës kalë dhe rrjedhojave të saj, siç janë shpërndërrimet paradigmore, ndërtimore e fjalëformuese në strukturën fonetike (zanores e bashkëtngëllore), dhe në atë morfologjike (parashtesa e prapashtesas, gjymtyrëzimi në kompozita , pranëvënie e togfjalësha), kështu që edhe nga ky këndvështrim lashtënia dhe autoktonia e kësaj fjale në shqipe del mjaft e qartë, fakt ky që e  bën të diskutueshëm ose të paqëndrueshme prejardhjen latine të fjalës kalë,siç e ndeshim në burime të caktuara akademike, aq më tepër kur  ka mendime si ajo e studiuesve M. Huld, A. Konushevci etj, që  kjo fjalë ka elemente rrjedhoje të prejradhjes nga rrënja *kel i.e., në kuptimin: e lëvizjes, ecjes: me grahë, me vu në lëvizje të shpejtë.

Si përmbyllje e krejt kësaj del fakti se manipulimi rreth prejardhjes jo vetëm latine, por edhe të lanishtes vulgare të fjalës kalë lypset rishkikuar në dobi të autoktonisë shqipe të saj. Së këtejmi, në raportin protoshqipe /latinishte vulgare ka edhe glosa të të tjera kzë ësaj natyre, sidomos në gjuhën italane e rumune etj., të cilat lypsen trajtuar shkencërisht, duke e konstatuar edhe rolin e (proto)shqipes në këtë proces, apo jo, gjë që mbetet punë për studiuesit e tashëm dhe të ardhshëm.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora