Kulturë
Akademiku Emil Lafe mbi standardin e Gjuhës
E merkure, 15.05.2013, 07:58 PM
PROF.
E. ÇABEJ: DREJTSHKRIMI ËSHTË NJË TERREN KU DUHET ECUR “ME KËPUCË PLUMBI”. SOT
KËSHILLI NDERAKADEMIK PO ECËN PA BUSULL, PA PARIME E PA PLATFORMË UNIKE.
Dy intervista të Akademikut Emil Lafe me gazetarët Juli Vrapi dhe Ben Andoni për ruajtjen dhe pasurimin e standardit të Gjuhës Shqipe
Intervistoi: Juli Vrapi
- Mbledhja e fundit e Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe ka rihapur debatin mes gjuhëtarëve. Ju si e gjykoni debatin sot mbi shqipen standarde?
Debati, kur zhvillohet sipas rregullave të debatit, është gjithnjë i dobishëm për të gjithë ata që marrin pjesë. Sot në debatin për çështjen e standardit ka brenda dy debate. Njëri midis atyre që thonë hapur se Kongresi i Drejtshkrimit dhe standardi kanë dështuar, dhe atyre që thonë se standardi i ka qëndruar provës
së kohës dhe është funksional. Debati tjetër është ndërmjet atyre që kanë bindjen (ndër ta dhe unë) se Kongresi i Drejtshkrimit dhe veprat gjuhësore normative që u hartuan pas tij në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë e në pajtim me Rezolutën dhe me frymën e tij janë një themel i shëndoshë, një bazament i shqipes standarde, dhe atyre që pretendojnë se ato janë vetëm një moment në historinë e shqipes standarde! Këta dalin në të njëjtën qafë me të parët, po nëpërmjet një rruge tjetër.
- Më herët keni deklaruar se ky këshill nuk duhet të ekzistojë dhe i keni bërë thirrje Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe të Kosovës të ndalojnë përçarjen gjuhësore. Pse ky reagim nga ju?
Nuk kam thënë që ky këshill nuk duhet të ekzistojë, por nuk duhet
të ekzistojë kështu siç është, si Këshill Ndërakademik, i administruar nga dy
Akademitë, të cilat kanë marrë përsipër tagra që nuk u takojnë. E përsëris edhe
një herë se Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës si institucion nuk ka
bërë ASGJË për gjuhën letrare shqipe ose, po të doni, ka bërë një ASGJË të
madhe, për të mos thënë ka futur shkopinj në rrota! Tani, këta zyrtarë që kanë
bërë këtë ASGJË të madhe, duan të vendosin për gjithçka dhe ashtu si duan ata,
duke pretenduar se, po të mos bëhet ashtu, do të shtohet rreziku për përmbysjen
e standardit! Po ç’ka bërë Akademia e Shkencave për ta mbështetur standardin në
Kosovë? Ka bërë sehir, nuk ka thënë zyrtarisht asnjë fjalë, standardin e ka
cilësuar (me nënkuptime të qarta) si diçka të importuar nga Shqipëria, nuk ka
ndërmarrë vetë asnjë veprim për kulturimin gjuhësor, as është bashkuar në
veprimet e të tjerëve e as i ka përkrahur.
Grupi i anëtarëve themelues të Këshillit nga Shqipëria bashkë me kryesinë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë para dy vjetësh kërkuan riorganizimin e këshillit duke iu hequr cilësimi “ndërakademik” dhe duke dalë nga varësia e dy akademive honorifike të Tiranës e Prishtinës. Në këtë këshill anëtarët do të kishin status personal të barabartë, pa diferencuar akademikët si kategori e parë, nga joakademikët si kategori e dytë, që duhet të mbajnë vesh mirë ç’thonë të parët. Një element thelbësor, ndërkaq, është që Këshilli të ketë një platformë shkencore të miratuar njëzëri. Sot Këshilli nuk ka një platformë të tillë. Si të thuash, ecën pa busull.
- Jeni dorëhequr nga ky Këshill Ndërakademik, arsyet që e morët këtë vendim?
Ju sqaroj se nuk kam dhënë dorëheqjen nga Këshilli. Qëndrimin tim e kam shprehur në një letër që i kam drejtuar Kryesisë së Akademisë së Shkencave dhe Kryesisë së Këshillit Ndërakademik më 27 shkurt 2012. Pas parashtrimit të mendimit tim rreth gjendjes së punëve, kam shtuar se fillimi i punës në ato rrethana të pasqaruara nuk më dukej i përshtatshëm, “prandaj rezervoj të drejtën të pezulloj pjesëmarrjen time”. Pra nuk kam dhënë dorëheqje. Unë do të luftoj, edhe me ndihmën tuaj që më kërkoni intervista, që Këshilli të kthehet në rrugë të mbarë. Më kanë cilësuar edhe “enverist”, sepse mbroj Kongresin e Drejtshkrimit dhe veprën e tij. Kur nuk ke argumente shkencore, duhen ca fjalë të tilla “magjike” e keqdashëse, për ta bërë tjetrin të mbyllë gojën, edhe pse është në të drejtë! Por në rastin tim trillimi është tepër i trashë!
- Duket se sa herë që Këshilli ndërakademik mblidhet në Tiranë, shumë pak detaje merren vesh, apo dhe deklarime zyrtare pa informacion mbi atë se çfarë ndodh në këtë mbledhje. Sipas jush pse vjen kjo?
Merret vesh lehtë. Punët e pabukura bëhen në fshehtësi larg syve
të botës, qëllimet e mbrapshta arrihen me metoda të mbrapshta. Puna e Këshillit
Ndërakademik ngjan me konferencën gjuhësore që u zhvillua në një hotel turistik
në Plazhin e Durrësit në dhjetor 2010. (U tha atëherë se ditën e parë kishin
prerë gozhdë, pastaj diçka u rregullua). Sikur pak salla ka Tirana! Dhe ç’është
më e habitshmja organizatorët e konferencës shkruan në shtyp se paskëshin
zgjedhur Plazhin për shkak se qiraja e sallave të hotel “Tirana International”
ishte shumë e lartë. Por mund t’i kishin marrë pa para fare sallën e Akademisë
së Shkencave ose të Universitetit Politeknik për ata 30 pjesëmarrës të
përzgjedhur me kujdes!
Unë dua t’u kujtoj lexuesve tuaj se diskutimet për çështjet gjuhësore të përgjithshme, e sidomos të drejtshkrimit, në Shqipëri janë bërë gjithnjë të hapura, masive. Projekti i drejtshkrimit i vitit 1967 u botua në disa dhjetëra mijëra kopje për diskutim të përgjithshëm. Do të thotë dikush se unë dua të kthej të ashtuquajturën “vijë e masave” të PPSH. Po le të thotë! Vija e përçmimit të masave, e mospërfilljes së mendimit të mijëra mësuesve të gjuhës, të qindra e mijëra intelektualëve që kanë të bëjnë përditë me gjuhën e shkruar shqipe, të dhjetëra e dhjetëra pedagogëve të degëve filologjike në universitetet shqiptare, kjo lloj vije nuk më pëlqen aspak, se të çon edhe në qëndrime që të lënë pa mend! Po dale, more zotërinj a zotërij (me që kështu e dashkeni) ndërakademikë! Ç’ëndërr të keqe me karotë paskeni parë, që keni vendosur ta shkruani karrotë! Në të gjithë fjalorët dhe në drejtshkrimet e shqipes është shkruar me një r, karotë! Ashtu si edhe në italishte, frëngjishte, gjermanishte etj. Po jo, se në anglishte shkruhet carrote! Po ç’kemi me anglishten, o të uruar! Drejtshkrimi i karotës po na pengon procesin e globalizimit dhe miqësinë me botën anglosaksone?! Jo po kështu e shqiptojnë shumica! Po cila shumicë? Po ta shqiptonin, edhe do ta shkruanin, po në gjuhën e shkruar nuk ka karrota!
-Në mbledhjen e fundit të Këshillit Ndërakademik që u bë në Tiranë, janë miratuar disa propozime, dhe sipas tyre janë disa ndryshime që duhet të bëhen në gjuhën shqipe. Nëse jeni në dijeni të asaj se çfarë është miratuar së fundi, çfarë mund të na thoni? (Pra pas mbledhjes së fundit në Tiranë, një nga miratimet ka qenë dhe ai që gjuhës shqipe i ikin 2 zanoret e ngjitura, p.sh duhet shkruhet alkol, etj, etj).
Për ato që u diskutuan dhe për ato që u miratuan në mbledhjen e
fundit të Këshillit do të shkruaj veçan, si specialist i fushës. Ka rëndësi që
ju dhe lexuesit tuaj ta dini dhe të bindeni se vepra “Drejtshkrimi i gjuhës
shqipe”, e botuar pas Kongresit dhe në pajtim me Rezolutën e tij, është një nga
veprat më serioze të gjuhësisë shqiptare. Anëtarët e komisionit të
drejtshkrimit Eqrem Çabej, Mahir Domi e Androkli Kostallari ishin njohësit më
të mirë të kësaj fushe. Unë, që pata fatin të bashkëpunoj me ta për këtë qëllim
prej shtatorit 1961, kur filloi puna për hartimin e projektit të ri të
drejtshkrimit, jam përpjekur t’i kryeja me përpikëri detyrat e mia, të bëja më
të mirën e mundshme, për këtë vepër. Ju siguroj që anëtarët e komisionit nuk
kanë qenë asnjëherë as të përgjumur, as të dehur, as të pavëmendshëm. Ju
siguroj gjithashtu se të gjitha ato që dinë ndërakademikët e sotshëm, ata i
kanë ditur që në kohën e vet, dhe prej tyre i kemi mësuar edhe ne. Pra, nuk ka
ndonjë “zbulim” drejtshkrimor ndërakademik. Po atëherë nuk kishte kompjuter! Po
rregullat e drejtshkrimit, mor zotërinj a zotërij edhe në gjuhë të tjera para
se të dilte kompjuteri janë përcaktuar!
Me rëndësi është të dihet se atëherë ne kemi punuar jo me përshtypje, po me materiale, jo me arsyetime spekulative, po me sirtarët plot me skeda të kartotekave përpara. Me to kemi verifikuar dhe arsyetuar rregullat problemore. Gjithë diskutimet për projektin e drejtshkrimit dhe materialet e Kongresit të Drejtshkrimit u skeduan e u klasifikuan me kujdes nga punonjëset e zellshme të sektorit të kulturës së gjuhës Nikoleta Cikuli, Liljana Naçe e Dolores Kërluku. Komisioni i mori në shqyrtim një për një gjatë gjithë vitit 1973, derisa në fund të vitit u dorëzua vepra në shtyp. Ajo në të vërtetë doli nga shtypi në shkurt-mars 1974. Në përpunimin e rregullave ne u udhëhoqëm nga varianti i shkruar i gjuhës letrare, ndoqëm parimet e kodifikimit të gjuhësisë funksionale, sidomos patëm parasysh që drejtshkrimi t’i përgjigjet sistemit fonologjik të gjuhës dhe jo realizimit fonetik të tij, ndoqëm kriterin që ortogramet dhe format e rrënjosura në praktikën e përdorimit të mos i lëvizim për arsye të një rregullimi mekanik të panevojshëm; rrafshimeve që ka bërë gjuha e shkrimit veçanërisht pas formimit të shtetit shqiptar, u dhamë përparësi ndaj gjendjes së saj në periudha të mëparshme; u përpoqëm për rregulla përgjithësuese dhe për të pakësuar përjashtimet. Po a do të mbeten të pandryshuara rregullat e drejtshkrimit? Jo, aspak! Veçse kjo punë nuk bëhet me fushata, me o burra! Në Rezolutën e Kongresit është shkruar fjalë për fjalë se “duke marrë parasysh ndryshimet që pëson gjuha letrare gjatë zhvillimit të saj, si dhe çështjet e tjera që nxjerr praktika gjuhësore, “Rregullave të drejtshkrimit” t’u bëhen, në të ardhmen, kur të jetë e nevojshme, përmirësimet dhe plotësimet e duhura.” Këto fjalë jo rrallë përmenden shtrembër, sikur Kongresi ka porositur që në të ardhme të ndryshohen rregullat dhe meqë kanë kaluar 40-vjet, nuk duhet të vonohemi! Po si do të katandiset drejtshkrimi, po të bëhen ndryshime çdo 40 vjet ose dhe më dendur?
TANI PRITEN EDHE KËRKESAT PËR NDRYSHIME GRAMATIKORE?!
Prof. Emil Lafe shprehet për “JAVA” në lidhje me
zhvillimet e fundit që kanë lidhje me standardin. Cila është e vërteta e tyre?
A po krijohet një përçarje gjuhësore ndërmjet dy vendeve tona dhe cilat janë
prapaskenat që po shoqërojnë të gjithë këtë proces në dukje të qetë…
Intervistoi: Ben Andoni
Profesor Emil Lafe është një nga njerëzit që u dorëhoq nga të parët prej
strukturave që merren me gjuhën. Megjithatë, si një nga punëtorët e hershëm të
shqipes, nuk ka hequr dorë nga cilësia e gardianit të saj. “E them me bindje se
shqipja standarde i ka qëndruar provës së kohës. Ajo është zhvilluar, pasuruar
e latuar më tej, ka fituar vlera të reja. Letërsia artistike në të gjitha
gjinitë, shkruhet në gjuhën e sotme letrare dhe krijuesit bëjnë përpjekje për
ta pasuruar qoftë fjalorin e frazeologjinë, qoftë ndërtimin sintaksor dhe
shprehësinë e saj; po ashtu kanë marrë zhvillim të madh botimet shkencore,
përkthimi e publicistika. Të gjitha këto zhvillohen nën çatinë e përbashkët të
standardit”, shprehet ai.
A është i justifikuar shqetësimi i përgjithshëm në publik
se Kryesia e Këshillit Ndërakademik është duke diskutuar për ndryshimin e
thellë të standardit?
“Është plotësisht i justifikuar. Këshilli i quajtur Ndërakademik hap pas
hapi po shkon në atë drejtim, që u pëlqen zyrtarëve të Akademisë së Shkencave
dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK), të cilët me mënyrat e tyre po tërheqin në
rrugë të gabuar edhe Akademinë e Shkencave të Shqipërisë (ASHSH). Kjo Akademi
si institucion i shtetit dhe në pajtim me Kushtetutën (neni
Këshilli në gjendjen e sotme ka pranuar në fakt si platformë pune
“Orientimet” e shpallura nga ASHAK, që fillojnë me një të pavërtetë flagrante,
sikur në Konferencën e vitit 2002 qenka vendosur që “të ngrihet një komision i
përbashkët përfaqësues, i cili do të përcaktojë ndryshimet që duhet të pësojë
drejtshkrimi ne qëllim të thjeshtësimit e të begatimit në drejtim të kahjeve të
sotme zhvillimore të shqipes standarde.” (?!). E vërteta e thatë është se ajo
konferencë u bënte thirrje “Institucioneve akademike dhe universitare
shqiptare, që të krijojnë një Këshill gjuhësor kombëtar, i cili do të japë
rekomandime normative për probleme të gjuhës standarde shqipe.”
Dua të përsëris për lexuesit e gazetës suaj se kërkesa për një këshill
gjuhësor u shtrua dhe u miratua në Konferencën e organizuar me rastin e
30-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit (nëntor 2002). Kërkesa ishte për një
Këshill Gjuhësor Kombëtar (jo Ndërakademik), por kryetari dhe nënkryetari i atëhershëm
i ASHAK-ut, pasi kishin herë lajkatuar e herë kërcënuar kryesinë e ASHSH, ia
dolën që me një veprim të befasishëm profesionist të merrnin nënshkrimin e
kryetarit Ylli Popa për një Këshill Ndërakademik në vend të Këshillit Kombëtar.
Tani ky Këshill me këtë emër funksionon në të vërtetë si Këshill ndërshtetëror.
Kryesitë e dy Akademive, si qeveri shkencore të dy vendeve, përcaktojnë
kryesinë e këshillit, rregulloren e gjithçka tjetër. Secila ka delegacionin e
vet. Ato kanë vendosur që në kryesinë e Këshillit të marrin pjesë vetëm
akademikë, duke bërë një diferencim të pahijshëm feudal të akademikëve nga
joakademikët, kur është fjala për një forum specialistësh”.
A i ka qëndruar standardi, sipas jush, problemeve të
zhvillimit të sotëm të gjuhës shqipe?
“E them me bindje se shqipja standarde i ka qëndruar provës së kohës. Ajo
është zhvilluar, pasuruar e latuar më tej, ka fituar vlera të reja. Letërsia
artistike në të gjitha gjinitë, shkruhet në gjuhën e sotme letrare dhe
krijuesit bëjnë përpjekje për ta pasuruar qoftë fjalorin e frazeologjinë, qoftë
ndërtimin sintaksor dhe shprehësinë e saj; po ashtu kanë marrë zhvillim të madh
botimet shkencore, përkthimi e publicistika. Të gjitha këto zhvillohen nën
çatinë e përbashkët të standardit. Ka në këtë mes jo pak dukuri të
papëlqyeshme, siç ka pasur edhe më parë. Vërej me kënaqësi se populli i
thjeshtë, bartësi i gjuhës, është i vëmendshëm e i kujdesshëm për mbrojtjen e
saj, i dhimbset gjuha e vet, shpreh mospajtim ndaj fjalës së huaj të
panevojshme, ndaj shprehjes së papërshtatshme, ndaj përdorimit të dialektit në
vend të një forme më të përbashkët të gjuhës ose ndaj përdorimit të shprehjes
burokratike, kur mund të flitet më qartë e më thjesht. Zhvillimi i gjuhës nuk
mund të pengohet. Gjuha zhvillohet bashkë me shoqërinë, me ekonominë e vendit,
të rajonit e të botës. Çështja është që gjuha të mirëmbahet, të mbarështohet,
pra të jetë nën një kujdes shoqëror e shtetëror të vijueshëm. Në shoqëri të
tjera ndjenja e disiplinës gjuhësore është ngulitur shekuj më parë. Shqiptarët
nuk kanë bërë ende as një shekull jetë në një shtet të organizuar, megjithëse
vjet festuam 100-vjetorin e pavarësisë. Sistemi arsimor në këto vite
tranzicioni ka shënuar vërtet arritje cilësore, por në shumë raste serioziteti
i procesit mësimor dhe niveli shkencor e metodik i mësuesve ka rënie”.
Ju jeni shprehur se e gjithë ajo stuhi që bëhet është një
sajesë me synime të paracaktuara, për të realizuar “orientimet” e ASHAK-ut për
gjuhën standarde, që çojnë në përçarje gjuhësore. I përmbaheni ende këtij
arsyetimi?
“Po, i përmbahem dhe për mua kjo po bëhet dita-ditës më e qartë. Një grup
gjuhëtarësh të rinj kryesisht të Kosovës, kanë lënë mënjanë teorizimet e
mjegulluara e sibiline të mësuesve të tyre dhe janë shprehur haptas kundër
standardit të sotëm. Për këtë mund të bindet kushdo duke lexuar librin e tyre
“Gjuha e këputun e shqipes” të botuar në Prishtinë para nja dy vjetësh. Njërin
prej tyre, z. Rrahman Paçarrizi (sipas shënimeve të mia ka nisur të botojë në
shtypin shkencor më 2004) ASHAK e ka caktuar anëtar të Këshillit e përgjegjës
të grupit të atjeshëm për drejtshkrimin dhe me këtë funksion ai ka marrë pjesë
në mbledhjen e këtyre ditëve. Të gjithë e dinë se në Kosovë njohësi më i mirë i
teorisë dhe i praktikës së drejtshkrimit është prof. Isa Bajçinca, delegat i
Kongresit. Por ai nuk gëzon simpatinë e zyrtarëve të ASHAK-ut, sepse nuk është
nga ata që bëhen urë e vig të shkojë sipër i mirë e i lig, prandaj ia kanë
caktuar vendin në grupin e sintaksës! Kështu është kur në vend të një Këshilli
Kombëtar me caktim detyrash sipas përvojës e profilit, del një Këshill
Ndërakademik ndërshtetëror, ku ASHAK-u ka të drejtë të bëjë ç’të dojë me pjesën
e vet dhe i jep vetes të drejtë të ndërhyjë si të dojë në pjesën këtej, kurse
ASHSH-ja duhet të thotë “lepe – peqe”. ASHAK-u, sipas ndarjes së punës, duhej
të organizonte edhe pjesëmarrjen në mbledhje të prof. Remzi Nesimit, i vetmi
gjuhëtar nga Maqedonia. Dihet se ai ka probleme shëndetësore, por ASHAK-u as e
ka pyetur ndonjëherë kolegun si është me shëndet, as i ka dërguar ndonjë
njoftim a material. Pse? Sepse edhe prof. Nesimi i ka shprehur qartë e shqip
qëndrimet e tij në mbrojtje të standardit dhe të Kongresit të Drejtshkrimit, si
kongres i unitetit të kulturës kombëtare. As ai nuk bëhet urë e vig të shkojë
sipër i mirë e i lig!”
A po tejkalohet masa e kërkesave për ndryshim, nga kjo
strukturë?
“Në drejtshkrim është tejkaluar së tepërmi! Tani priten edhe kërkesat për
ndryshime gramatikore! Kur ia parashtrova me një relacion shpjegues kryesisë së
ASHSH kërkesat e ASHAK-ut dhe paralajmërimin në formë shantazhi se mosmarrja
parasysh e tyre “krijon mundësinë që kërkesat për përmbysjen e plotë të normës
standarde të shtohen”, vetë kryetari Ylli Popa, u habit shumë dhe u shpreh: “Ne
kemi thënë që të rregullojmë së bashku çështjet e pazgjidhura dhe çështjet e
reja që dalin, jo të ndryshohen ato që janë vendosur tashmë!” Disa herë
propozimet për ndryshime janë të tilla, sa të krijohet përshtypja se ky
drejtshkrim i ri po përgatitet si për kurset kundër analfabetizmit, ku
pjesëmarrësit fitojnë vetëm aftësimin e përdorimit të shkronjave për tingujt e
të folurit të tyre të përditshëm dhe nuk marrin elemente të kulturës gjuhësore,
siç i jep shkolla. Kërkohet me këmbëngulje ndryshim, ndryshim, ndryshim, për ta
futur procesit në hullinë e krijimit të një standardi të dytë ‘me konsensus’”.
Profesor, pse duan që ta prekin standardin, sipas jush?
“Kjo ka të bëjë me qëndrimet e disa personave të veshur me pushtet në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Ka një shembull domethënës për këtë: qëndrimi zyrtar i ASHAK-ut ndaj Konsultës Gjuhësore të Prishtinës dhe ndaj Kongresit të Drejtshkrimit. Me këto ngjarje Kosova dhe gjithë shqiptarët në Jugosllavinë e atëhershme u bashkuan kulturalisht në një gjuhë letrare të vetme me shtetin shqiptar, tek i cili kishin parë gjithmonë shpresën e shpëtimit. Por dikujt kjo nuk i ka ardhur mirë dhe është bashkuar me pikëpamjen se adoptimi nga ana e kosovarëve i gjuhës zyrtare të Tiranës ishte rezultat i propagandës nga Shqipëria përmes studentëve, disa prej të cilëve ishin me siguri agjentë. Kjo është një fyerje e rëndë akademike për ndjenjat atdhetare dhe emancipimin intelektual të rinisë kosovare të vitit 1968, që e detyroi regjimin jugosllav ta pranonte bashkimin gjuhësor. I mbërthyer rreth kësaj pikëpamjeje ASHAK-u as ka thënë ndonjë fjalë të mirë për ato dy ngjarje madhore të gjuhësisë e të kulturës shqiptare, pa le më të organizonte ndonjë veprimtari. Edhe kur kanë organizuar të tjerët, përfaqësuesit e ASHAK-ut sa kanë thënë ndonjë fjalë përshëndetëse dhe kanë dalë nga salla, sikur t’u zihej fryma nga ato që do të dëgjonin. Në veprimtaritë e organizuara në Tiranë për këto ngjarje, ata ose nuk kanë ardhur, ose kanë qenë thjesht vëzhgues. Dihet se Konsulta e Prishtinës e realizoi bashkimin gjuhësor me moton “Një komb – një gjuhë letrare kombëtare”. Në “Orientimet” e mirënjohura të ASHAK-ut gjejmë këtë shndërrim të qëllimshëm e domethënës: “Rrethanat shoqërore e politike të Kosovës më 1968 mundësuan që Konsulta Gjuhësore e Prishtinës të dilte me moton “Një popull – një gjuhë”! Fjalët komb dhe kombëtar janë të ndaluara në ASHAK. Ky orientim i ASHAK në çështjen kombëtare është tepër brengosës dhe duhet marrë seriozisht edhe këtu ndër ne”.