Kulturë
Remzi Limani: Kroi i Dautit
E marte, 14.05.2013, 08:45 PM
KROI I DAUTIT
Bamirësitë e njeriut janë vepra të dala nga gjërësia e shpirtit të tyre, ngase, njerëzit e veshur me petkun e humanizmit dhe njerëzorës, na shuajnë urinë dhe etjen, për të vazhduar me frymarrjet tona nëpër kohë dhe hapësira të ndryshme...
Nga Remzi Limani
Javë më parë, në majë të Gërmisë, Dauti e kishte zbuluar një rrjedhë vije të hollë uji, diku e fshehur nën rrasa guri të mbuluar me gjethe dhe degë të shkëputura nga lisat e mplakur. Kjo rrjedhe uji, asnjëherë më parë e vërejtur nga kalimtarët e rastit, të cilët ecnin dhe bënin vrapin e ngadalshëm nëpër shtigjet e ngushta, dhiareve brenda xhepave të malit, për Dautin ishte një zbulim epokal, ngase, ai e zbuloi ujin e nartë dhe të cemt, i cili do të shuaj etjen e kalimtarëve të rastit dhe të zogjve të malit, të cilët, nga fluturimet dhe cicërimat e pandërprera, kohë pas kohe do lëshohen nga qielli për të shuar etjen e këngës në kroin e Dautit. Po ashtu, edhe Dauti, si të tjerët por, me një mision paksa ndryshe, në kuptimin e ruajtjes së ambientit dhe sensibilizimin e vlerave natyrore me gjithë mrekullitë e virgjëra. Ai, gati se për çdo ditë kalon nëpër shtigjet e gjata që të çonin në majën e Gërmisë, ku, nga perspektiva e zogut shiheshin shumë fshatra dhe kryeqendra e Dardanisë. Deri atje ku ngjitej Dauti, pak kush se ia dilte të hipte dhe të pushtonte pikën e majës, e cila puthej me kaltërsinë e qiellit mbi Dardaninë e lashtë. Pra, si adhurues i denjë i natyrës, Dauti mori përsipër ta nxirrte ujin e kroit të harruar prej kohësh dhe ta sillte në shuplakë dore.
Një ditë,
ai vendosi që të pajiset me disa vegla pune dhe të nisej për në majë të
Gërmisë. Me vete kishte marrë një sharrë dore e futur në këllëf, enkas për
ustallarët profesional, të cilët e lidhnin në brez, që nga larg dukej porsi një
gjashtare e gjatë. Krahas sharrës, kishte marrë edhe një çekan, një xhep gozhda
dhe disa fije teli të hollë. I ngarkuar me alete të punës, pa asnjë mjet
transporti, burri i dheut, u nis nga Ulpiana për të arritur në pikën e majës,
ku ditë më parë e kishte zbuluar vijen e hollë të ujit, të cilin do ta
shndërronte në krua jete.
Pas shumë
frymëmarrjeve të theksuara dhe pa pikë uji për të cilin filloi të ndiente
nevojë, Dauti ngjiti në majë mali dhe u zhgarkua nga pajisjet e ustallarëve.
Nga lodhja e arsyeshme, së pari, u kumbis për një lisi dhe, ende pa e kthyer
frymën e fundit, nxori dhe ndezi një duhan – sikurse me tymra duhani donta ta
festonte pushtimin e majës me gjithë ngarkesën e pajisjeve të sjella me vete.
Moti
kishte filluar të ndryshonte. Edhe ato pak rreze drite, që depërtonin nëpër
gjethet e lisave, dalngadalë filluan të fikën nga mërrolat që e vishnin qiellin
mbi majoke. Pa humbur kohë, bishtin e cigarës, Dauti e fiku nën këmë dhe filloi
ta pastronte lugun e kroit, që saktësisht ta kuptonte rrjedhen e ujit prej nga
vinte. Puna ecte për së mbari dhe me shpejtësi arriti ta gjente aortën kryesore
të ujit dhe ta kanalizonte drejt sipërfaqes së tokës. Tashmë, qielli ishte
veshur me ngjyrën e murrme dhe papandehur filluan vetëtimat e shoqëruara me
bubullima, të cilat shkyheshin mbi majoke dhe krijonin një zahalli të frikshme.
Pas pak, filloi shiu i rrept i shoqëruar
me krrokama korbash të friksuar, të cilët nga lemeria e krijuar fshiheshin
nëpër ngushticat e xhepave të malit. Edhe në këso kushte, mes vetëtimave, zhgarkimeve
të bubullimave dhe krrokamave të korbave, Dauti, vazhdonte ta përpunonte lugun
e kroit. Pasi u sigurua se tashmë uji rridhe i vazhdueshëm, ai mblodhi disa
degë të thyara dhe nga to filloi ta thyrte një lloj trine për mbulimin e gropës
së ujit, që më pastaj, në ditët në vijim të angazhohej edhe më tej rreth
infrastrukturës së rrjedhës së kroit.
Punë amaneti...
Në fillim
të përkqësimit të motit, kur qielli u vesh me të murrmën dhe lëshoi mërrolat
kërcënuese, kur vetëtimat shkuheshin kudo rreth tij, ai nxori celularin dhe
thirri të vëllanë, Myrten, sa për ta njoftuar se ai gjindej diku tek një krua
në majë të Gërmisë – diku afër antenave të telefonisë mobile. Këtë e bëri,
ngase nuk i dihet njeriut... Shpeshherë njeriu vendos të bëjë një vepër bamirësie,
pa e ditur, se përfundimi i bamirësisë së tij mund të jetë fryma e tij e
fundit...
Dhe, në
fund të kësaj të vërtete humane, të gjithë ata, që rastisin të pijnë ujë tek
kroi në majë të Gërmisë, duhet ta dinë se kanë pi ujë në kroin e Dautit.