| E merkure, 22.05.2013, 06:22 PM |
Pranga me
porosi
Babai im,
shkrimtar, po shkruan një libër rreth fabrikës së prangave. Ai më flet shpesh
rreth fabrikave të prangave të perëndimit dhe botës më gjërë. Kur e pyes përse
i duhen prangat njerëzimit ai përgjigjet: duart nuk i besojnë njëra -tjetrës.
Dora e majtë thyen të djathtën ose e djathta thyen të majtën. Ndodh rrallë herë
që duart shtrëngojnë njëra-tjetrën,prandaj Zoti shpiku prangat. Pranoji ato si
të domosdoshme.
-Baba,
nuk të kuptoj. Ti je shkrimtar, dhe flet me zjarr për lirinë njerëzore. Si
guxon ti të thuash gjëra të tilla? Më duket se ti bie në kundërshtim me idealet
e tuaja?
Unë kam
thënë vërtetë se njerëzit duhet të jenë të lirë si zogj, por ti biri im kujton
se zogjtë janë plotësisht të lirë?
-Po,
patjetër që janë të lirë. Ato fluturojnë në qiell ku ti dojë qejfi.
-Po, por
kur ndërtojnë një fole në një pemë, ngado që të fluturojnë, kthehen në foletë e
tyre? Prandaj edhe zogjtë nuk janë të lirë plotësisht, sepse foleja dhe pema i
mban të lidhur. Ato janë vetëm të lirë ta ndërtojnë folenë në pemën që ata duan
dhe kaq.
-
Baba,unë dua të fluturoj i lirë dhe nuk dua të mbaj pranga.
-Biri im.
Ne kemi fatin e madh që jetojmë në Perëndim. Këtu dollapet e bukës janë plot,
dhe këtu prodhohen pranga sipas dëshirës tënde. Në shumë vende të botës, madje
do të thoja në treçerekun e botës, egzistojnë dy lloje prangash: prej çeliku
ose prej alumini. Atje udhëheqin diktatorë, njerëz të egër të cilët bëjnë ç'tu
dojë qejfi atyre dhe jo popullit të tyre.
Ndërsa në
fabrikat perëndimore prodhohen me qindra lloje prangash. Dhe e di kush është më
e bukura? Që çelësin e prangave e përdor ti për aq sa kohë prangat i mirëmban,
dhe jo roja e burgut tënd siç ndodh zakonisht.
-Si është
e mundur kjo?
-Ta
shpjegoj më vonë
-Pa më
thuaj së pari, çfarë dëshiron të bëhesh në të ardhmen?
- Djali
im i dashur hesht për pak. Në fytyrën e tij vegon një re dëshpërimi. Më në fund
ai thotë: tregtar.
-Je i
sigurtë?
-Po,
shumë i sigurtë. Dua të fitoj sa më shumë para, të ngas veturat më luksoze që
egzistojnë.
- Po, ti,
biri im i vogël çfarë dëshiron të bëhesh?
-Lulerritës- përgjigjet ai me plot gojën dhe vetbesim të patundur.
Drejtohem
në dhomën time të gjumit, hap kasafortën dhe nxjerr që andej tabakanë me
dhjetëra mini-prangat të cilat prodhohen në fabrikën e romanit tim dhe futem në
dhomën tjetër ku bijtë e mij më presin. Ata habiten, bëjnë pyetje breshëri të
dinë se si janë ndërtuar dhjetëra prangat mbi tabaka.
-Ja, këto
prangat këtu janë për kuzhinierët. I sheh lëkurat e patateve të thurura me
bishta specash dhe bishta lope dhe viçi? Çelësi është bërë me brirët e lopës.
Këto këtu janë prangat e marangozëve. I sheh? Këto janë bërë me thupra thane,
degë të holla dhe rrënjë pemësh të ndryshme.
-Hë, i
gjeni dot cilat janë prangat e juaja?
Djali i
vogël i dalloi menjëherë prangat e lulerritësit.
-E bëra
mirë unë që zgjodha profesionin e lulerritësit. Kërcejtë e luleve nuk t'i
vrasin duart si metali, hekuri apo letra plastike e parave- thërriti ai
hareshëm, me sytë e drejtuara nga vëllai i tij.
-Oh sa të
bukura që qënkan prangat?! Ai u mahnit me to. Më pyeste për llojin e luleve me
të cilat ato ishin thurur. Observonte bishtat e tulipanëve, zambakëve,
gladiolave, karafilëve me të cilat prangat ishin prodhuar.
- Po
çelësi i prangave të lulerritësit me se është bërë?
Freskia.
Duhet që prangat e luleve të mos thahen, vyshken ose humbasin gjallërinë.
Çelesi i prangave te lulerritësit ndodhet më shumë në ajër, qiell...
Djali i
madh, Alberti, i cili zgjodhi profesionin e tregtisë, i dalloi gjithashtu ato
menjëherë nga letra plastike e shkëlqyer e stampuar me shifrat e ndryshme të
euros, stërlingave, dollarit. Ai i ngriti në ajër ato, dhe për shaka më kërkoi
tia vë në duar. E bëra menjëherë. Ia kyça prangat me çelësin e vogël plastik të
bërë prej monedhës (fallco) të pesëqindsh euros. Më kërkoi tia çkyç prangat por
refuzova.
-Përse
s'mi çkyç prangat?
-Dëshiron
të bëhesh tregtar apo jo?
-Po, të
thashë po!- u përgjigj i zemëruar.
-Atëherë
duhet të mësosh ditë e natë. Prangat do t'i çkycë profesori kur të japë
diplomën. Dhe diplomën e merr vetëm nëse mëson ditë e natë truqet dhe ligjet e
tregtisë.
-Domethënë
atëherë do jemë i lirë?
Diploma nuk mjafton. Këtë e ke ti në dorë. Nëse punon me mend po. Çelesi i prangave të tregtarit lakmohet mjaft. Përndryshe çelësi i prangave të tuaja do nxirret në shitje ose ankand dhe atëherë duhet të kërkosh pranga të reja.
Rezart
Palluqi, shkrimtar
Holandë,
22-05-2013