Kulturë
Albana Lifschin: Dera e bajraktarit Melyshi
E merkure, 13.03.2013, 09:56 PM
Kthella
dhe dera e bajraktarit Melyshi
Nga Albana Melyshi Lifschin
Sa herë
përmendej fjala “Kthellë’ (duke nënkuptuar tre bajrakët e Kthellës), unë
instiktivisht e ktheja në “thellë”. Dhe
më bënte përshtypje se nga e kishte origjinën ky emër. Legjenda thotë se kur Skënderbeu mbërriti
pranë atij vendi që është quajtur “Fusha e Lumthit” (”Rrësheni i sotëm) i bënë
përshtypje kodrat, që e rrethonin nga të katër anët duke i dhënë fushës në mes pamjen e një thellësie. Ai e quajti “vend i thellë”.
Ka
edhe një terminologji tjetër për
bajrakët e Kthellës: “Tre bajrakët e
Ohrit”. I kanë quajtur kështu sepse kanë
ardhur nga Sanxhaku i Ohrit. Dhe më vonë
i janë bashkuar Mirditës. Pra Mirdita e
Kthella vijnë nga fise të ndryshme. Historia e bashkimit të Kthellës me Mirditën
është e bukur, e mbrujtur me besë,
trimëri e dashurinë e malsorit. Në kohën
pushtimit turk, bajrakët e Kthellës ishin të rregjistruar në vilajetin e Matit.
Pashë Sakati, i Matit, e trajtoi keq
popullin e Kthellës. E ngarkoi me taksa
dhe e detyronte të priste dru në pyje,
t’i ngarkonte turret e druve e t’i shpinte në saraje për t’u ngrohur ushtria e
tij. Banorët e Kthellës s’mundën ta
duronin më, dhe vendosën që të ndaheshin nga vilajeti i Matit.
Kjo do të thoshte t’i shpallje luftë
Pashajt të Matit. Fjala mori dhenë. Kapedani
i Mirditës atë kohë, i famshmi Lleshi i Zi, iu gjend pranë kthellasve. Kthellasit lidhën besë më krerët e
Mirditës dhe ata nën udhëheqjen e
kapedanit të tyre u vunë në dispozicionin për të luftuar kundër ushtrisë së Pashës së Matit. Gjithësesi u mendua që fillimisht të dilnin tre burra, vullnetarisht,
për të shkuar tek Pashaj, për t’i deklaruar vendimin e popullit të Kthellës. Këta ishin vullnetarë të vdekjes. Ishte e qartë që pashaj s’kishte për të rënë
dakort për shkëputjen e Kthellës nga Mati. Nga burrat e Kthellës dolën vullnetarë : Gjet
Melyshi, Gjet Gjekolaj dhe Shyt Përpali. Pashai i Matit i priti në audiencë dhe dëgjoi
vendimin që kishte marrë populli i Kthellës për ndarje nga vilajeti i Matit. Pashë Sakati u tërbua nga zëmërimi:”Pra, ju te tre, jeni krerët e
kryengritjes së Kthellës kundër
vilajetit të Matit!”Ai doli nga dhoma
furishëm dhe i urdhëroi rojet që t’i vrisnin të tre të dërguarit e
Kthellës dhe t’u prisnin kokat. Kështu u
bë dhe tre kokat e trimave të Kthellës iu dërguan Sulltanit.
Por
urrejtja e Pash Sakatit kundër popullit të Kthellës, nuk pushoi me këtë akt. Ai mori një vendim tjetër: Shpërbërjen e
Kthellës. Kjo do të thoshte prurjen e familjeve
matjane në territorin e Kthellës dhe
shpërnguljen me forcë të popullsisë së Kthellës nga trualli i vet për t’i
vendosur në Mat. Ky plan do të vihej në
zbatim me dredhi. Fillimisht pashai
ishte i interesuar ta bllokonte Kthellën nga Mirdita, që të mos i vinin ndihma
prej saj. Prandaj ai do të organizonte
një formë marshimi të forcave të tij,pa nënkuptuar armiqësi, të cilat
do të hynin në fshatrat Perlat, Prosek, Rreshen deri pranë Fanit të vogël, në kufi me
Ndërfushazin e Mirditës. Duke e menduar
ta bllokonte Kthellën nga Mirdita e ndërkohë të fillonte shpërnguljen e
banorëve me gjithe çkishin në Mat. Mirëpo këtu, pashai i kishte bërë
hesapet keq. Ai nuk e dinte se banorët e Kthellës të
informuar nga miqtë që kishin në Mat ishte përgatitur për luftë. Duke e ditur qëllimin e pashait, ata i zunë
pritë ushtrisë së tij në çdo qosh rruge, e në çdo shteg, në çdo shtëpi. Ushtarët
matjanë binin nga prita në pritë. Ata
ishin vënë në formacion marrshimi e jo lufte, dhe u ranë në grackë nga prita në
pritë. Të thyer keq prej popullit të
Kthellës, u kthyen mbrapsht në Mat.
Pas kësaj
disfate të turpshme për Pashë Sakatin, s’kishte rrugë tjetër veçse të hapte
luftë me Kthellën. Mirëpo, kësaj radhe
kapedani i Mirditës me dy djemtë e tij me 600 luftëtarë zunë pozicione lufte në
ndihmë të Kthellës. Edhe 600 të tjerë
zunë pozicion pritje pranë lumit Urakë e
deri në Trang të Selitës. Komanda e lartë
turke, ishte në dijeni që Mirdita ishte ngritur në këmbë për të ndihmuar
Kthellën kundër Pashajt të Matit, dhe e urdhëroi Sakatin të hiqte dorë nga tre
bajrakët e Kthellës. Kështu Kthella u
shkëput nga Mati dhe pas kësaj bëri bashkimin me Mirditën duke njohur e pranuar
kanunin e Lek Dukagjinit por edhe duke ruajtur disa zakone te vetat.
Djegja e kullës së Melyshajve,
1910.
Në 18 gusht 1910, tre taborre me ushtarë turq,
rreth 500 veta, ngritën çadrat në zabelet e Melyshajve, në Rrëshen. Komandanti turk e vendosi shtabin e vet në
hije të manit. Pas kësaj ai mblodhi
burrat e 7 fshatrave të bajrakut të Kthellës dhe u tha se brenda tre ditësh: 1) duhet të dorëzojnë armët,2) do
të bëhet rregjistrimi i popullsisë për të dhënë ushtarë (burrat nga 18 vjeç e lart)
3) do të bëhet edhe rregjistrimi i bagëtive për të paguar taksat.
Burrat kundërshtuan e thanë,që “ka tash 500 vjet që
s’kemi dhanë as armë, as ushtarë dhe as taksa turkut”. Komandanti u xhindos dhe dha urdhër që ata që
kundërshtuan të rriheshin. Populli u
shtang. Përkthyesi i komandantit,një nip i Melyshajtve(Kros Përloshi) i tha
komandantit që bëri gabim pasi “ky vend nuk duron as dru dhe as forcë”. Bajraktari i Kthellës, Gjon Melyshi,i njoftoi
burrat që të nesërmen të mblidheshin tek Kisha e Madhe, tre orë larg Rrëshenit.
Nga të tre bajrakët u mblodhën 1500
burra, të cilët lidhën besën që të mos u përgjigjeshin urdhërave të komandantit
turk, pëveçse me zjarrin e armëve. Gjon
Melyshi bëri një protestë të fortë kundër ushtrisë së Turgut Pashës, e cila u
bë në disa kopje, në shqip dhe italisht, u firmos nga ai dhe krerët e tre bajraqeve dhe iu dërgua komandantit turk në Rrëshen; një kopje e saj
valiut në Shkodër,një delegacionit apostolik Italian, një konsullit
austriak,një kapedan Marka Gjonit në Orosh. Kapedani i Mirditës i çoi fjalë bajraktarit
Melyshi që populli të rrinte i gatshëm për luftë, por në qoftë se komandanti
turk pezullon veprimet, të mos preket asnjë ushtar turk. Familja bajraktare e Melyshajve ishte familje
e madhe me 48 pjestarë, dhe jetonte në tre vende. Një pjesë tek dy kullat në Rrëshen, një pjesë
tek kulla tjetër në Kolsh, një orë larg,
dhe tjetra në Sërrisht- tre orë larg
Rëshenit. Në këtë kohë rreziku e gjithë familja qe mbledhur tek kulla në
Sërrisht. Komandanti turk duke e parë që
punët po i shkonin keq, dha urdhër që
kullave të bajraktarit në Rrëshen t’u vihej zjarri. Gjithashtu grabiti 35 kokë lopë e qe, të tijat.
Populli i Kthellës u alamua. Familjet larguan gjënë e gjallë dhe filluan të
hapnin llogore duke e përgatitur për mbrojtje. Dy bajrakët e tjerë të Kthellës Selita dhe
Rranxa u bënë gati për luftë. Fshatra të
tjera bënë gati për t’i shkuar në ndihmë - Kthellës. Komandanti turk duke ndjerë rrezikun pezulloi
operacionin dhe u kthye në Shkodër.
(Fragmenti
është shkeputur nga libri i ri që autorja ka në dorë)
-Per
ZSh-në, nga Z. Lushaj-