Kulturë
Cikël poetik nga Shqipe Hasani
E shtune, 16.02.2013, 11:00 AM
SHËNIME PËR AUTOREN:
Shqipe Hasani u lind më 18 dhjetor 1971 në Prishtinë. Filloren dhe shkollën e mesme, (mjekësin e përgjithshme) , si dhe fakultetin Filologjik, dega Gjuhë dhe letërsi Shqipe i mbaroi në Universitetin e Prishtinës.
Përveç dramës "QËNDISTARJA S'KA MORT", (2011), Shqipe Hasani deri më tani ka botuar edhe këto vëllime me poezi:
1. "Shiu i vetmisë", (1997).
2. "Qielli i varreve", (2000).
3. "Akuareli i dhimbjes", (2008).
4. "Premtim i lënë peng", (2009).
Vëllimit poetik "Akuareli i dhembjes", Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës i dha Çmimin e Mitingut të Poezisë, si libri më i mirë me poezi i vitit.
Shqipe Hasani jeton në Prishtinë.
Cikël me poezi nga përmbledhja “AKUARELI I DHEMBJES”,
botoi “FLOMED”, Prishtinë 2008.
HAPE PORTËN
Hape portën nënë
s’kam frikë nga profetët dhe vrastarët
reve të kuqe pashë
pikturat e masakrave
të mbuluara me perde krimi
lufta dhe eklipsi paskan mbaruar
ardhur jam nga metropolet Ilire
veshur me petkun e bardhë
simbol kam historinë e fisit
t’i puth muret e kalasë së gurit
logun e fjalës
qytetit të lashtë
kokës mbaj vellon e lirisë
merr valixhen e mallit
fshehur e mbajta arkës së vjetër
katalogun me emra të zhdukur
dosje me dëshmi
harta kampesh e burgjesh
të mbështjella me flamur
dhembjeve të shekullit
NDOSHTA JAM ROZAFA
Mos pandehni se nuk kujtoj
vuajtjen e Rozafës me trup të përgjysmuar
mbron një dashuri të mbyllur
si një kurorë qielli
kjo legjendë me mua
përballet si një hije nuri
dashurinë ma ndrydh nga pak
Çfarë përpëlitjesh ndiej
harrohem përtej fundit e nisjes
virgjëreshë i mbetem kohës boshe
kërkoj dashuri të ngushëlluar
rrëmbimet të mos ringjallen
jeta e poetëve thyhet kufijve të vrazhdë
për asgjë mos më pagëzoni mëkatare
se një ditë bëhem Rozafa
KRONIKË PËR PRAPASHTICËN
Dielli vezullon majë labirintit
Të Malësisë së djegur
Ajo e shprush historinë
Mbështjellur me kopertina vuajtjesh
Etshëm puth idealet
E lidhura qafës gjerdan
Frymon me ankth shpata harkore
Prapashtica është kështjellë
Që amshon ëndrrat e gjyshërve
Për djepa e nipër
Kishin dëshirë të kenë urë shekulli
Pleqërishten me pleqërisht
Aty ku buron Kroi i Thanës
Prapashtica jeton me gjuhën e legjendave
Me kronikën e bukurisë dhe shëmtisë
Tash gjithçka digjet në galeri kujtimesh
Malësi e djegur betejë e kuqe
Gjallë je
Gjallë
KY POPULL MJAFT DUROI
As dimri Siberian
S’mund t’i mposht murlanët
Që fryjnë mbi emrin Kosovë
Pjesë e ngjitur e pa frikë
Jam unë që gatuaj territ
U nxjerr brumin fjalëve
A ka kohë midis jetës dhe vdekjes
Që s’duroi ky gjak populli
Nuk e besoj kurrë
Evropa përgjoi mplakjen
Ëndrrave mashtruese
Simfoninë e zërit hodhi me drojë
Derisa zgjonte peshë vetveten
Varret s’mund të përmbyten
Mjaft durova mëkate.
S’mund t’i shoh fëmijët migjenianë
Mbështetur ëndrrave të statujave
Si lexojnë vargun e skamjes
Gjirit të mjerimit
Çmenduria nuk vjen nga e mira
Mbi varg vazhdova
Të pi lot në vend të ujit
Të mbyll vdekjet pas perdes së robërisë
Të gjejë dashuritë lirive të mangëta
Mes klithjes dhe kureshtjes
S’harrohet durimi as dhembja as vuajtja
Populli përballet me shpresa
PESË PLAGËT E TRUALLIT
Shumë afër lëkurës sime
Rrinë muret e vjetra
Plot ëndrra terri
Kufijve të kuq kumbon
Kënga shqiptare
Kosovës lindore
Hidhen farërat të pluhurit
Ujërat turbullohen
Bujanocit digjen ngjyrat rrugëve
Mbi qiell të Metvegjës rigon shi
Ç’mynxyrë mëngjesit të fjetur
Mjegulla e Kosovës shtrihet atje
Egërsisht hyn foleve të braktisura
Perdet e verbra shqyhen me hov
E fisi im pyet
Kush mund të hajë bukë
Me liri të ftohtë
Askush nuk vdes nga uria e cunguar
As nga hijet e bishave të zeza barbare
Loti i këngës buzë muzgut
I lidh duart popullit tim
Ushtarët e UÇPMB që i rriti nëna ime
Zgjojnë çdo fund horizonti
Presin eklipsin e diellit
Nga lindja në perëndim
Ylberit të ndezur
Ndalojnë dhembjen e shëmtuar
Kosova e lindjes është relief
Palcës së Kosovës së madhe
Trojeve të zgjuara
Thurin kurorë
Ishullit të lirë
LETËR MBI ISHUJ
Me kë të flas për romancën
Kryqëzuar një trup një shpirt
Për letrën ditëlindjes së fundit të vajzërisë
Skllavëria kryeneçe shponte
Fate me shigjeta të acarta
Mërzia ekzaltonte
Vellos së bardhë i vinte era epsh
S’pëlcitnin gjëmat oazave
Puthjet virgjinë deheshin
Kornizave artistike
Mozaiku i shpirtit çdo ditë
Derdhi nga një pikë gjak
Një zjarr fërgonte dashurinë
Në kohë zbrazëtie
Harrova se kush jam
Viteve të ikura
Vargjet lirike në dorëshkrim të Serembes
Notuan deteve tej kontinenteve
Ishujve piramidalë
Një kartolinë mbështjell hermetikisht
Me frymën e uratave në shekuj
Portreti me njëmijë metafora erotike
Kërkon dashuri
Dashuri të ngushëlluar
Kërkon dashuri