Kulturë
Resmi Osmani: Fundi i lumtur
E premte, 15.02.2013, 07:31 PM
FUNDI I LUMTUR
Tregim nga Resmi Osmani
Prishtinë, 12. 06. 1999 -
Nën
goditjet e fuqishme të UÇK-së dhe të Natos, makineria e stërmadhe luftarake
serbe, si një kafshë parahistorike e handakosur, që lëpin plagët e veta, u
zvarris si e verbër për kthim në strofullën e vet nga ishte nisur, duke lënë në
sheshbetejat pjesë të gjymtyrëve të saj në malet, grykat dhe pllajat e Kosovës.
Ishte ikje me turp. I vogli e mundi të madhin!
Pas
shkatërrimit me zjarr e hekur, eksodit biblik, masakrimit, martirizimit dhe
gjakut që u derdh lumë, Kosova trime mbijetoi. Fitoi. U çlirua.
TË TRE
Megjithëse
në të njëjtin formacion luftarak, brigadën 128, familja Pejani, në pranverë të
vitit 1999, u nda gjatë kryerjes së
detyrave luftarake të operacionit “Shigjeta”, në betejat e përgjakshme të
Pashtrikut, Koshares, Studeniqit dhe Rahovecit. Nga vorbulla e zjarrit dhe
vdekjes ata dolën të gjallë. Në Prishtinën e çliruar, hynë nga rrugë të
ndryshme. Doktor Demir Pejani*, pasi sistemoi të sëmurët rëndë dhe të
plagosurit në spitalin e Prishtinës, me ngut
nisi të kërkojë të shoqen, Hatixhen dhe të birin njëzetvjeçar, Korabin.
Midis uniformave të njëllojta por të bukura, me shenjën dalluese kuqezi të UÇK,
ishte vështirë t’i dallonte. Të parin hasi të birin. U përqafuan, u rrokën me
mall burrërisht dhe uruan njeri-tjetërin për lirinë. Hatixhja shkoi vetë te
ata, i kishte parë mes luftëtarëve me uniforma. I biri shquhej nga larg se
ishte më shtatlarti. I rroku n’grykë dhe i lagu me lotët e gëzimit. Demiri
ishte i ngazëllyer, s’e mbante vendi, kurse Korabi ishte burrëruar. Familja u
takua, por mungonte e bija, Etleva, që u bashkua që në krye të herës me aradhet e UÇK. Për fatin e saj nuk dinin
asgjë. Thoshin se kishte rënë dëshmore për liri. Thoshin se ishte e humbur.
Prej kohësh e dinin të vdekur. Zemra e nënës ishte ligështuar, kishin qarë e
derdhur lote. Të tre ishin bashkuar me UÇK, që të mposhtnin dhimbjen, kishin
luftuar edhe për ‘të. Kujtimi i saj u jepte forcë dhe guxim. Veç përjetimit të
lirisë aq të ëndërruar, ndofta ky ishte edhe shkaku i lotëve të Hatixhes. E
bija, nuk arriti ta shihte ditën e fitores së ëndërruar dhe diellin e lirisë nën
këtë qiell të ndritur të Prishtinës së çliruar.
Para
Qendrës së Shtypit, të qarkuar nga rojet, kishte shumë lëvizje. Gazetarë të
agjensive të lajmeve, vendës e të huaj, me uniformë e pa uniformë, fotografë,
kameramanët e televizioneve dyndeshin për të hyrë brenda. Hashim Thaçi dhe
komandantët e ushtrisë, do të jepnin konferencë shtypi.
At e bir,
i kërkuan lejë Hatixhes që t’i dëgjonin Hashimin dhe komandantët, në
konferencën e parë të shtypit. Hatixhja nuk i pengoi, por vetë nuk shkoi. U tha
se i priste te lulishtja më e afërt. Kishte nevojë të mbetej vetëm.
HATIXHJA
I kishte
lënë pas të dyzet vitet, por humbja e së bijës dhe kjo luftë, ku ishte ndeshur
me vdekjen në çdo hap, dhe dhimbjet e gjakun e të lënduarve në spital ku
shërbente si infermiere krahas së shoqit, i kishte shtuar rrudhat dhe argjenduar flokët e zez. Gjithsesi, kishte
mbetur e bukur dhe ajo pamje e pikëlluar, e rrëfente më fisnike. Pikëllimi
ishte bërë pjesë e jetës së saj, por edhe me pikëllimin njeriu mësohet.
Shiu, që
kishte rënë natën e kishte freskuar ajërin dhe, si një bekim, kishte shpëlarë
pluhurin dhe ndotësirën që kishte lënë pushtuesi. Dielli derdhte pa kursim arin
e vet dhe qielli, kaltëronte tërë kthjellësi. Dukej sikur ngado në ajër ndjehej
jehona e thirrjes “Liri, liri” dhe
gëzimi, që dukej në fytyrat dhe sytë e luftëtarëve dhe gjithë kryeqytetasve
thërriste “Liri”. Gëzonte toka dhe qielli i Kosovës, gurët dhe drurët! “Liri,
liri” thërrisnin flamurët kuqezi që valëviteshin në ballkonet, pullazet dhe
dritaret e Prishtinës, që kuqëlonin si gjaku i derdhur i heronjve, dëshmorëve
dhe mijra të pafajshmëve. Pas territ dhe tmerrit të pushtimit, më në fund
drita, gëzimi dhe lumturia e ditës
së Lirisë.
Në
lulishten e pamirëmbajtur, ne postatet e shkelura të luleve, bari i ri kishte
nisur të bleronte e harlisej dhe zymbylat kishin nxjerrë kaptinëzat e tyre
shumëngjyrëshe. Hatixhja zgjodhi të ulej në stolin ende të pa terur mirë, që
gjendej poshtë blirit të lulzuar që
gumzhinte nga bletët dhe ermironte mjaltë. Pak më larg, një grup camërdhokësh
lodronin si shqerra dhe cicërinin si zogjtë. Kjo luftë dhe liria e fituar ishte
edhe për ta. Ata do t’a gëzonin pa dhimbje, pa plagë shpirti. I kundroi me
dhimbshuri dhe përmallimin prej nëne dhe, vetiu u kthye prapa në vite, në
kopshtin e kujtimeve, ku iu shfaq e bija
e shtrenjtë dhe e bukur si lule, Etleva.
Ishin vendosur në Gjenevë të Zvicrës. Hatixhja në shtatzëninë e parë lindi
binjakë, djalë e vajzë. Nga kjo lindje Demiri u lumturua. I quajtën Korab dhe
Etleva. U ritën me kujdes e pekule. Vajza i kishte flokët si drita e diellit,
sytë si kaltërsia e qiellit, pamja e fytyrës ishte vetë bukuria. E shkathët,
nazike, cicëronte si zog, ishte gëzimi dhe bukuria e shtëpisë. Korabi i ngjante
më shumë të atit, ishte më i heshtur, më i përmbajtur. Fëmijët nga pamja nuk
dukeshin se ishin binjakë. U qëndroi mbi krye, i kujdesoi, drithërohej kur
sëmureshin, u gdhihej mbi krye. U rritën si dy lastarë, si dy fidanë në
kopshtin e dashurisë prindërore. Ajo lumturohej që ishte nënë. I kujtohej kur u
çapitën së pari, kur belbëzuan fjalët e para, sesi rriteshin përditë. U kujdesën
që të mos u mungonte asgjë. Etleva, veç hijeshisë e bukurisë së pamjes, binte
në sy për mençurinë dhe përparimin e shkëlqyer në mësime. Ishte shtatëmbëdhjetë
vjeçe kur u shfaq në pasarelat e modës dhe portreti i saj, me atë buzëqeshjen
magjike dhe vështrimin e ndritur e të mençur, zinte faqet e revistave të
ilustruara zvicerane.
Në
shtëpinë e tyre u shtuan hyrje – daljet. Në Kosovë ishte shfaqur UÇK. Më pas erdhi lajmi i
kobshëm i luftës së Prekazit ku ra heroikisht legjendari Adem Jashari. Flaka e
luftës për liri po përfshinte gjithë Kosovën. Etleva i dëgjonte me shqetësim
kuvendimet e burrave dhe pyeste për gjithëçka. Ajo gjeti fotografinë e Baca
Ademit dhe, tinëz në odën e saj, derdhi për të lote.
Një
mbrëmje Etleva nuk po kthehej në shtëpi. Pritën por asgjë. U telefonuan miqve,
të njohurve,shoqeve e shokëve të saj të
shkollës, por askush nuk dinte gjë.
Ishte natë e ankthsnhme dhe e pagjumë. Më në fund pas disa ditë kërkimesh,
policia lajmëroi se ajo kishte dalë prej Zvicrës nga aeroporti i Gjenevës. Më
në fund, ajo e theu heshtjen. Telefonoi nga Kukësi i Shqipërisë, u kërkoi të
falur që nuk u kishte kërkuar leje, pasi e dinte që nuk do t’a lejonin dhe, u
tha se do t’i bashkohej luftës për të çuar në vend amanetin e Komandant Adem
Jasharit: Çlirimit të Kosovës dhe bashkimit kombëtar. U çliruan nga ankthi, por
edhe u ndjenë krenarë për të bijën. Edhe pse e lindur dhe e rritur në Gjenevën
e bukur, ajo e adhuronte vendlindjen, Kosovën dhe Shqipërinë.
Kaluan
muaj, kaloi një vit, nga Etleva asnjë lajm. E kishin kërkuar, kishin dërguar
fjalë e kërkesa gjithë andej, dhe pas shumë kërkimesh, më në fund kishte ardhur
lajmi, por ai ishte i kobshëm: Ajo kishte rënë dëshmore për liri! Pas asaj
lëngate të gjatë të pritjes, ky kob bëri që të errësohej dielli, mbi krye u ra
qielli. Hapën mortin. Të njohurit nuk rreshtnin për kryeshëndosh. Ishte një
mort pa xhenaze. Një vdekje pa të vdekur, mbi kryet e së cilës të derdhnin
lotët e dhimbjes dhe të thoshin fjalët e shpirtit. Hatixhes që gdhinte netët
dhe lagte nënkresën me lotë, i çfaqeshin
turbull pamjet e fundit tragjik të së bijës. Ajo nuk e dinte a hoqi kur dha
shpirt, kush iu ndodh pranë, cili ishte amaneti i saj dhe fjalët e fundit.
Kush ia lagu buzën e tharë, kush ia mbylli ata sy të bukur e të pajetë, ku ishte
varri i saj që të shkonin e ti vinin një tufë me lule.
Kjo
dhimbje e pafashitur e familjes Pejani, u duk se e kishte një shërim: Të
shkonin të tre në Kosovë, ti bashkoheshin UÇK, të luftonin për të përmbushur
amanetin e Etlevës: Çlirimin e Kosovës dhe bashkimin kombëtar. Ashtu e bënë.
Shtabi e priti doktor Demirin si ujët e pakët. Një kirurg si ai, ishte si t’u kishte rënë nga qielli. Me të
mbrritur, Demiri u caktua mjek dhe drejtues i spitalit, dhe Hatixhja infermiere,
ndërsa Korabi shkoi në vijën e parë për të luftuar.
Sido që
bënë, në gjurmët e Etlevës nuk ranë dot. Shpesh kumtet ishin të mjegullta: As e
gjallë as e vdekur. Askush nuk u dha një përgjigje për vendin ku ishte vrarë
dhe varrosur. Plaga mbeti e hapur.
Hatixhja,
doli nga kjo përhumbje, kur u kthyen Demiri dhe Korabi. Demiri e kuptoi
gjendjen e saj shpirtërore dhe nuk i tha gjë.
-
Eja,Tixhe, do të shkojmë në shtëpinë tonë,
po qe se na e kanë lënë më këmbë e pa i kallur flakën.
ETLEVA
Pas dy
vite lufte e përpjekjesh, Etleva nuk u besonte syve që ishte në Prishtinë, në
Kosovën e dashur e të shtrenjtë, të lirë nga robëria. E rrëmbyer nga furia e
gëzimit, ajo shëtiti dhe u çmall me qytetin dhe i kërkoi leje komandantit të
kompanisë për të shkuar në shtëpinë e saj, në “Kodrën e trimave”. Kur mbrriti,
pa se një pjesë e murit të avllisë ishte rrënuar, ndërsa porta e drunjtë ishte
shkallmuar dhe kanata mezi mbahej pas rezesë. Çikriku i bunarit ishte prishur.
Dy mollët e oborrit kishin bleruar. Ajo kaloi me çap të ngadaltë hajatin, shtyu
derën dhe hyri në odën e ndënjies. Çdo gjë e kishte mbuluar pluhuri. Binte era
myk. Orenditë e mbetura ishin
shkallmuar. Hapi dritaret që të hynte drita dhe ajri. Mori nga muri një kornizë
ku ishte një peisazh malor, pastaj nxori
nga gjiri një fotografi të vogël me ngjyra. Ishte Adem Jashari. Me majat e
gishtave që i dridheshin, e vendosi foton në kornizë dhe e vuri mbi tryezën e
mesit. Nxori nga çanta dy qirinj që i kishte marrë me vete, i ndezi, i vendosi
në të dy krahët e fotografisë dhe qëndroi në heshtje. U fal e u lut para tij si
para një shënjtori. E kishte mbajtur në gji atë fotografi si një hajmali, si
talisman të shënjtëruar, gjatë dy viteve, ndërsa mbi supa i rëndonte amaneti i
tij për Kosovën. Kishin luftuar, vuajtur e hequr bashkë. Ai i kishte dhënë forcë, guxim,
e kishte trimëruar. E kishte ndihmuar të ngrihej kur ishte rrëzuar. Sa
jetë të shuara, sa dëshmorë e heronj në
altarin e atdheut! Ajo kishte luftuar ballas, trimërisht, pa iu friguar
vdekjes. S’i hiqej nga mendja e thëna e komandant Shkabës, heroit Fehmi
Lladrovci: ”Edhe më i merituari i ka borxh Atdheut, Kosovës, më shumë sesa
atdheu atij”. Ai e kishte shlyer borxhin e tij me jetën. Ranë heroikisht
dëshmorë bashkë me Xhevën. Ishte një
vdekje për tu patur zili, një vdekje e bukur. “Ah ç’po them,-mendoi ajo,- E si
mund të jetë e bukur vdekja? Duhet gjetur një fjalë tjetër, ndofta e denjë”.
Ata ishin dy bashkëluftëtarë, dy bashkëshortë, dy bashkëdëshmorë, së bashku në
jetë, së bashku në vdekje, aty në tokën e shtrenjtë të Drenicës, në bjeshkët e
Qyqavicës. Ky ishte heroizmi.
Etleva
solli para syve të mendjes javët e fundit të luftës, që për të kishin qënë një
banjë gjaku, përjetim llahtare e
tmerri, pas masakrave të egërsirave
serbe në fshatrat e rrethinës së Gjakovës. Ato pamje nuk do ti shqiteshin nga
kujtesa tërë jetën. Sido që të ishte,
ajo e kishte bërë detyrën, e kishte shlyer borxhin e saj ndaj atdheut.
Kishte qenë pjesë e historisë dhe kishte hyrë në histori. Fati apo rasti e
kishin kursyer, e kishin lënë të gjallë,
edhe pse ajo kishte lozur me vdekjen si macja me miun. Plumbat i kishin vërshëllyer rrëzë veshit, ia
kishin shpuar teshat, bashkëluftëtarët majtas apo djathtas ishin vrarë, por
ajo kish mbetur e gjallë, për t’i
kujtuar dhe nderuar ata për jetë.
“Bacë, u
kry!”, shqiptoi ajo ato dy fjalë historike, që vlenin më shumë se mijëra fjalë,
që ishin pesha e amanetit të tij, që ato dit i shqiptonte çdo shqiptar. Flladi
që frynte përkundi flakën e qirinjve dhe
u duk sikur Baca u drodh si ti kishte dëgjuar fjalët e saj. Pastaj, ajo doli në
verandë dhe u ul te shkallët, me pamje nga porta. Vetëm atëhere u kujtua
për prindërit dhe të vëllanë, Korabin.
Ndaj tyre ishte borxhlie, për të mos thënë fajtore: nga mënyra si kishte ikur
dhe ngaqë për dy vjet, në pamundësi për ti njoftuar, i kishte lënë në terr pa
një lajm, pa një fjalë. Kush e di sa kishin vuajtur. Ani, ata do t’a falnin,
ndoshta në heshtje do të krenoheshin me të. Me siguri, ata tani ishin duke
festuar, ndofta kishin dalë për të shëtitur në liqenin e bukur të Gjenevës. Ajo
nuk do të vonohej, së shpejti do të nisej dhe ata do të çmalleshin dhe do ta
kishin midis tyre.
TË KATËR
Ata e
dalluan që larg pullazin e shtëpisë. Tjegullat,të lara nga shiu, kuqëlonin nën
dritën verbuese të diellit të mesditës. Hatixhja shpejtoi hapat, por kur arriti
para portës dhe hodhi sytë në oborr u shtang: Në shkallët e verandës, në rast
se nuk e gabonin sytë, ishte ulur një e re, me uniformën e UÇK, flokët e verdha
ia merrte era. “O zot, çështë kjo lodër që bën me mua qyqemjerën! Vajza ime e vdekur, ç’bën dy vjet
pa tretur? Fantazmë e sime bije, në shkallët e kësaj shtëpie? Çoje kryet, më
shih, afrohu folë e mos më mundo, më thuaj kush je dhe pse ke ardhur, që të
trazosh shpirtin tim prej nëne të
vuajtur e të munduar, apo të më sjellësh një kumt nga bota tjetër për bijën
time që kam dy vjet pa e parë e duke e qarë?”
Korabi
desh të turrej drejt saj, por i ati e ndali. Demiri fërkoi sytë fort për të
kuptuar në ishte në ëndërr apo zgjuar. Jo.
Ishte zgjuar dhe ajo vajza atje, e ulur te veranda ishte e bija e
gjallë, Etleva. Kishte ndodhur mrekullia!
Etleva,
që i pa, nuk u habit më pak se ata. Ç’ishte kështu vallë, e tërë familja e saj
me uniformën e bukur të UÇK! U turr dhe i përshkoi me vrap ato njëzet metra
duke thirrur: ”Është e vërtetë që jeni ju?” dhe iu hodh së ëmës në qafë.
-Nënë,
mos u ligështo. Bëhu e fortë. Jam Etleva!
Hatixheja,
gjunjëprerë, fjalëhumbur, shikimerrësuar, mezi mbahej në këmbë. E morën nga
krahët dhe hynë Brenda. Hatixhes i dhanë një gotë ujë.
Shihnin
njeri-tjetrin dhe përqafoheshin e
çmalleshin me lotë gëzimi.
Dita e
Lirisë, ishte edhe dita e fundit të
lumtur: E bashkimit të familjes.
* Çdo ngjashmëri emrash me njerëz realë është rastësi.