Mendime
Robelli: Lëreni Kosovën të qetë, tiranë të Tiranës!
E diele, 20.01.2013, 08:56 PM
Lëreni
Kosovën të qetë, tiranë të Tiranës!
Nga Enver Robelli
Në
Shqipëri tashmë ka filluar fushata zgjedhore. Për të zhvendosur vëmendjen nga
dështimet e mëdha, nga krimi e korrupsioni, qeveria e kryeministrit Sali
Berisha po përdor kartën e popullizmit dhe nacionalizimit të nëntokës, duke
trumbetuar “bashkim me Kosovën”. Kjo politikë i bën dëm Kosovës dhe nuk i
zgjidh problemet e Shqipërisë.
Në prag
të pesëvjetorit të realizimit të ëndrrës së madhe, pavarësisë së saj, Republika
e Kosovës gjendet në fokus të politikës së brendshme të një shteti fqinj –
Shqipërisë. I frikësuar se mund të humb pushtetin (gjë që në një vend
demokratik do të ishte një zhvillim krejt normal) Sali Berisha, kryeministër i
një shteti me skenë politike jonormale, po përpiqet me ngulm që Kosovën ta bëjë
temë debati në fushatën elektorale për zgjedhjet e 23 qershorit 2013.
Nganjëherë tentohet që të krijohet përshtypja se më 23 qershor jo vetëm që do
të fitojë Berisha me kamarillën e tij, por me një harxh do të bashkohen
Shqipëria e Kosova dhe më 24 qershor Hashim Thaçi do të shkojë në ekzil si
kryetar i një qeverie të një vendi të aneksuar.
Para se
të piskasin kreshnikët e torishtës politike dhe patriotët me mentalitet
opingash duhet thënë shumë qartë: po, përkundër përkatësisë së njëjtë etnike të
shumicës së qytetarëve të tyre, Shqipëria dhe Kosova janë – vende fqinje.
Shqipëria e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur. Madje që në fillim të epokës
së Ibrahim Rugovës para dy dekadave, pastaj – për herë të dytë – Tirana e ka
pranuar pavarësinë e Kosovës menjëherë pas 17 shkurtit 2008. Edhe Kosova e njeh
Shqipërinë si vend të pavarur. Udhëheqjet e të dy shteteve së paku në mënyrë
deklarative kanë shpallur si synim integrimin në Bashkimin Evropian, duke
respektuar kufijtë aktualë në Evropë. Shqipëria është pranuar në NATO pasi ka
garantuar se respekton kufijtë rajonalë dhe rregullat e Aleancës Veriatlantike.
Kosova ka fituar pavarësinë pasi me Kushtetutë ka garantuar se nuk ka ambicie
t’i bashkohet ndonjë shteti tjetër. As Sali Berisha, as Hashim Thaçi, as Albin
Kurti, as popullisti me bateri të dobëta Kreshnik Spahiu nuk patën protestuar,
kur ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle në Kuvendin e Republikës së
Kosovës më 27 gusht 2010 deklaroi: “Pavarësia e Kosovës e ka përmbyllur
kapitullin e vendosjes së kufijve dhe copëtimeve në territorin e
ish-Jugosllavisë. Harta e Ballkanit Perëndimor është përcaktuar përfundimisht.
Pavarësia e Kosovës dhe integriteti i saj territorial janë fakte”.
Pas
këtyre fjalëve të qarta si kristali Lëvizja Vetëvendosje nuk doli në rrugë.
Pothuaj të njëjtat fjalë Westerwelle i kishte thënë më parë në Beograd, para
atyre politikanëve serbë që me zjarr e vrull retorik e kundërshtojnë pavarësinë
e Kosovës. Sipas tij, pavarësia e Kosovës është realitet, vendimi i Gjykatës
Ndërkombëtare të Drejtësisë është i qartë, harta e shteteve pasardhëse të
ish-Jugosllavisë është përcaktuar. Para se të bërtasë “bashkim, bashkim” Sali
Berisha duhet të kërkojë takim me kancelaren Angela Merkel për të diskutuar
këtë çështje, sepse, siç dihet, pa gjermanët sot dhe në dekadat e ardhshme në
Evropë askush nuk mund të marrë një vendim të rëndësishëm. E vërteta e hidhur
është se as Berishën, as Thaçin tani për tani nuk i pret askush i rangut të
lartë në Berlin. Edhe sikur t’i priste dikush, atëherë ata do të dëgjonin apele
të tharta për të luftuar krimin e korrupsionin, për të ndërtuar shtetin ku
sundon ligji dhe ku shporren klanet nepotiste dhe mafioze, të cilat
kontrollojnë resurset kryesore të shtetit, qoftë në Shqipëri apo në Kosovë. Për
përralla që lidhen me “bashkimin e trojeve shqiptare” nuk ka veshë askush as në
Berlin, as në Bruksel.
Faktet
nuk mund të mohohen, as ekzistenca e shtetit të Kosovës: Prishtina ka ambasador
në Tiranë, policë dhe doganierë në kufi me Shqipërinë, targa të veta për
automjete, sistem të veçantë politik, gati 100 shtete e kanë njohur Kosovën si
të pavarur, Kosova është anëtare e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar
Ndërkombëtar, madje edhe ambasadorët e atyre vendeve që s’e kanë njohur Kosovën
i ftojnë diplomatët e Kosovës në organizime të ndryshme.
Edhe
Shqipëria ka ambasador në Prishtinë, i cili pothuaj për çdo ditë i mban
leksione pseudopatriotike qytetarëve shqiptarë të Kosovës. T’i mbash leksione
shqiptarëve të Kosovës për shqiptarizëm e patriotizëm, për sakrificë, për atdhe
e për vetëmohim është njëjtë sikur t’i tregosh Steve Jobsit në botën e përtejme
se çfarë merita ka pasur për suksesin e markës Apple. Para pak ditësh
ambasadori i Tiranës në Kosovë u shfaq në televizion i rrethuar me disa të
ashtuquajtur “veteranë të UÇK-së” dhe tha se “UÇK nuk ka bërë krime”. Së pari:
një vlerësim i tillë nuk është në kompetencën e asnjë ambasadori. Së dyti:
fakti që UÇK ka luftuar për lirinë e Kosovës assesi nuk i amniston disa
pjesëtarë të saj, të cilët gjerë e gjatë kanë torturuar dhe vrarë shqiptarë, jo
pse ata ishin kundërshtarë të çlirimit apo bashkëpunëtorë të Beogradit, por pse
ishin rivalë politikë dhe më të popullarizuar në popull. Së treti: para se
ambasadori i Tiranës në Prishtinë të na tregojë broçkulla për patriotizëm e për
UÇK-në do të ishte mirë që ai ta bindte qeverinë e tij të ndihmojë në zbulimin
e personave që themeluan dhe “mirë”mbajtën burgun në Cahan (Shqipëri veriore),
ku, mes tjerësh, u torturuan edhe patriotë të mirëfilltë të Kosovës. Faji i
tyre i vetëm ishte se mbështesnin Lidhjen Demokratike të Kosovës, Ibrahim
Rugovën apo qeverinë në mërgim të drejtuar nga Bujar Bukoshi. Aq skandaloz
është bërë ambasadori i Tiranës në Prishtinë, saqë politikanë të nivelit të
lartë në Prishtinë thonë: “Ky i ka shkelur të gjitha rregullat diplomatike”.
“Është bërë i padurueshëm”. “Do të ishte mirë që dikush t’i thoshte Sali
Berishës: ‘Largoje se nuk po sillet si diplomat, por si aktivist mitingjesh’”.
Kosovës i
duhet mbështetje jo vetëm nga Bashkimi Evropian, nga Shtetet e Bashkuara të
Amerikës, Japonia, Turqia etj., por i duhet përkrahje edhe nga Shqipëria,
Maqedonia e Mali i Zi, në mënyrë që të gjejë vendin në mesin e shteteve stabile
të rajonit. Më së paku, ndërkaq, Kosovës i duhet përkrahja nga politikanët
mesjetarë të tipit të Dashamir Shehit, i cili flamurin e Kosovës e quan leckë.
Aq më pak Kosova është e gatshme të dëgjojë përralla patriotike nga tipa si
Aleksandër Frangaj, i cili në vitet 90-të ka qenë njëri nga flamurtarët e
shumtë të fushatës mediatike në Tiranë kundër shqiptarëve të Kosovës. Gazeta e
tij “Koha jonë” i quante sulmet e UÇK-së aksione terroriste si në Korsikë.
Frangaj sulmonte presidentin e atëhershëm Sali Berisha se duke dërguar tanke
drejt veriut po provokuaka konflikt me Serbinë. Për këtë shpifje ai qe dënuar
nga një gjykatë e Tiranës. Sot, në vitin 2013, Frangaj dhe disa gazetarë të
gjirizit politik të Tiranës për interesa të ngushta biznesi propagandojnë
“bashkim”, madje kërcënohen se brenda pak orësh mund ta mbulojnë Kosovën me
sinjalet e televizioneve të tyre rozë, të cilat shquhen jo për gazetari
profesionale, por për tifozllëk politik tejet primitiv.
Në këto
valë po noton edhe Sali Berisha. Duke e ditur se një pjesë e madhe e kosovarëve
kanë një ndjeshmëri të veçantë për shtetin shqiptar, Berisha pothuaj për çdo
ditë gjuan në opinion “propozime atdhetare”: pasaporta për të gjithë
shqiptarët, kampionat të përbashkët futbolli, “hapësirë unike të valëve” të
transmetimit për mediet e Kosovës në Shqipëri dhe anasjelltas etj. Të gjitha
këto britma atdhetare do të harrohen pas 23 qershorit. Shqipëria mund t’u japë
pasaporta shqiptarëve përtej kufijve të saj, por kështu ajo do të rrezikojë
liberalizimin e vizave për hapësirën e Schengenit. Asnjë qytetar i Shqipërisë
nuk do të ishte i gatshëm të pranojë izolimin për hir të disa kosovarëve
mendjelehtë, të cilët pasaportën e Shqipërisë e shohin si “dëftesë
patriotizmi”. Mund të bëhet edhe një ligë e përbashkët futbolli, por jo brenda
rregullave të institucioneve ndërkombëtare të këtij sporti. Me metoda të
anarkisë mund të krijohet edhe një “hapësirë unike e valëve” të transmetimit
medial, por jo një hapësirë valësh profesionale e të balancuara, që te publiku
bartin informacione të paanshme.
Me deklarimet
e tij të fundit Berisha po e trajton Kosovën si diasporë, por Kosova nuk është
diasporë e Shqipërisë: Kosova është shtet. I keq, i mirë, është shtet në
pronësi të gati dy milionë banorëve të saj. Dhe i së paku gjysmë milionë
shqiptarëve të Kosovës që jetojnë në diasporë (Evropë, Amerikë, Australi e
gjetiu). Për të gjithë tiranët e Tiranës vlen thirrja: lëreni Kosovën rehat dhe
jashtë betejave tuaja politike dhe jashtë moçalit tuaj politik! Punoni për
vendin tuaj, mos u përpiqni që dështimet tuaja t’i maskoni duke lozur
popullizëm mbi supet e shqiptarëve të Kosovës. Republika e Kosovës nuk mund të
shërbejë si terren për allishverishe të politikës së brendshme të Shqipërisë.
As nuk duhet të shërbejë si monedhë kusuresh në luftën e pamëshirshme për pushtet
mes të ashtuquajturës Parti Demokratike dhe të ashtuquajturës Parti Socialiste.
Kosova nuk ka asnjë faj për dështimet e Shqipërisë. Kosova nuk është
përgjegjëse për mijëra viktimat e 1997-ës, për 26 të vrarët në Gërdec, as për
të vrarët e 21 janarit 2011 para kryeministrisë, as për pazaret e Ilir Metës me
tenderë, as për kryeneçësinë shumëvjeçare të opozitës socialiste, as për
bizneset e familjes Berisha, as për marrëveshjen detare me Greqinë, as për
stoqet me drogë në Shqipëri dhe “bastionet” si Lazarati ku nuk hyn dot shteti
shqiptar, as për shkatërrimin e ambientit në bregdet, as për dështimin kolosal
të qeverisë së Tiranës në rrugën e integrimeve evropiane, as për faktin se
Shqipëria në 20 vitet e fundit nuk ka arritur të organizojë asnjë palë zgjedhje
të pakontestuara nga gjelat e kotecit politik. Është shumë e qartë se debati i
falsifikuar për bashkim me Kosovën është nisur në pamundësi për të zhvilluar
debatin më të domosdoshëm sot në Shqipëri: si të çlirohet Shqipëria nga prangat
e politikanëve mesjetarë, të cilët prioritet e kanë eliminimin e rivalit
politik dhe jo përparimin e vendit.
Para
rrafsh 100 vjetësh shqiptarët e Kosovës kanë dhënë kontribut vendimtar për
themelimin e Shqipërisë. Në këtë përfundim ka arritur në bazë të dokumenteve
arkivore studiuesja e re britanike Nicola Guy në librin e saj të sapobotuar
“Lindja e Shqipërisë”. Si duket situata në anën tjetër? Në 100 vitet e fundit
dy diktatorët e Shqipërisë (Ahmet Zogu dhe Enver Hoxha) hoqën dorë nga bashkimi
me Kosovën për të mos zemëruar Beogradin, me ndihmën e të cilit që të dy kishin
ardhur në pushtet në Tiranë. Në 100 vitet e fundit Shqipëria vetëm njëherë, më
1999, kur u detyrua nga NATO-ja, i doli pak në ndihmë Kosovës. Në prag të
shpërthimit të luftës në Kosovë Sali Berisha në revistën gjermane “Der Spiegel”
thoshte se prapa sulmeve kundër policëve serbë në Kosovë qëndron Arkani,
prijësi i paramilitarëve serbë. Në prag të fazës vendimtare për çlirimin e
Kosovës, në vjeshtë 1998, Berisha dhe vartësit e tij e panë të udhës të bëjnë
një përpjekje për puç në Tiranë. Nëse shikojmë pak më herët, do të vërejmë se
në prag të shkatërrimit të piramidave financiare Sali Berisha u përpoq ta bart
krizën në Kosovë, duke i bërë presion presidentit të atëhershëm të Kosovës
Ibrahim Rugova që të nxjerrë në rrugë qindra-mijëra shqiptarë për të përkrahur
opozitën serbe, e cila protestonte kundër Slobodan Milosheviqit, i cili kishte
vjedhur votat në zgjedhjet lokale. Thua se shqiptarët e shtypur nga çizmja
serbe nuk kishin problem tjetër veçse të demokratizonin Serbinë! Sot kur
kosovarët e dëgjojnë Reis Çiçon duke recituar lajme për prijësin e lavdishëm
Sali Berisha u kujtohet ai Reis Çiçoja i TVSH-së, i cili me ton agresiv
lavdëronte studentët serbë, të cilët “do të fitojnë” dhe me urdhër të pushtetit
bënte thirrje për mbështetjen e tyre nga Kosova. Në atë kohë Berisha deklaronte
publikisht se për Kosovën mjafton një “hapësirë demokratike brenda
Jugosllavisë”, një “Modus vivendi”, siç thoshte ai. Duhet thënë hapur se
popullizmi dhe aventurat politike të Sali Berishës e kishin zemëruar aq shumë
Ibrahim Rugovën, saqë ky i fundit me vite nuk pranoi ta takonte.
Manipulimi
me Kosovën në fushatën parazgjedhore në Shqipëri është i dëmshëm. Sot meritat
më të mëdha mund t’i marrin ata politikanë të Tiranës që duan t’i emancipojnë
shqiptarët dhe t’i integrojnë në Evropën e përparuar. Nga një zhvillim i tillë
mund të përfitojë edhe Kosova. As Kosova, as Shqipëria nuk kanë asnjë përfitim
nëse politikanët vazhdojnë të kopjojnë njëri-tjetrin në disa fusha që i njohin
mirë, siç është, ta zëmë, manipulimi i zgjedhjeve, kurdisja e tenderëve,
vjedhja e pasurisë publike, instalimi i sistemit nepotist, papërgjegjësia për
hapësirën publike, manipulimet nacionaliste. Këtu, vërtet, “jemi një”, por
s’jemi të mbarë.
Një
bëhemi kur nuk çirremi “bashkim, bashkim”, sepse bashkimi u bë, s’ka asnjë
pengesë për askënd nëse dëshiron të bëjë ndonjë punë të hairit sot në Prishtinë
e Pejë, Tiranë e Berat. Një bëhemi kur të bëhet realitet ëndrra e një Shqipërie
dhe një Kosove evropiane, kur mirëqenia të jetë më e rëndësishme se sa
nacionalizmi parak dhe pa asnjë bazë, kur krijimi i vendeve të punës do të jetë
prioritet dhe jo përzënia e investitorëve të huaj, pasi ministrat “tanë” t’u
kenë kërkuar ryshfet, siç është praktika aktuale. Një bëhemi kur çdokush
vetëdijesohet se ekzistenca e dy shteteve me shumicë shqiptare në Ballkan
s’është kurrfarë pengese për zhvillim. Një bëhemi kur kryeministri i Kosovës
dhe ai i Shqipërisë në Bruksel priten jo si “raste problematike” apo “si
banditë të cilët duhet t’i durojmë e shfrytëzojmë”, por si politikanë të
përgjegjshëm dhe punëtorë në shërbim të popujve të tyre. Një trung etnik, dy
kombe politike, dy shtete moderne, një Evropë e bashkuar në mirëqenie dhe paqe.
Kjo është formula e suksesit shqiptar në Ballkan. Të tjerat janë prononcime
budallallëku, të cilat u dashka t’i durojmë në shekullin 21. Për fatin tonë të
zi. Mashtrohen lehtë të gjithë ata që mendojnë se pas aq shumë sakrificash
shqiptarët e Kosovës do të jenë të gatshëm që shtetin e tyre ta dorëzojnë në
tabaka argjendi në Tiranë.