E shtune, 27.04.2024, 04:37 PM (GMT+1)

Mendime

Ejup Ajdini: Kriza morale në Maqedoni

E shtune, 19.01.2013, 08:59 PM


Kultura politike dhe kriza morale në Maqedoni

Nga Ejup AJDINI

Sonte gjithçka më ra ndërmend... Ku është liria, çka është ajo, si e ka formën, si duket, kush e ka parë lirinë, kush e ka fshehur, për atë votuam, përse nuk erdhi, po, pse votuam, për atë  luftuam, pse luftuam, ku gjendet... Shqiptarët i lusin liderët e tyre që së paku t’ua tregojnë një fotografi për lirinë, mundësisht prej së largu ta shohin se si duket... Oh, sa kanë qejf shqiptarët e shkretë, veçmas këta të Maqedonisë, ta shohin lirinë, ta prekin një herë në jetë, ah,  si duket ajo e shkreta-liri... Shpesh midis veti ata hahen se liria është te njëra parti, të tjerët hahen duke thënë  është te tjetra parti, e disa të tjerë fillojnë ta komentojnë lirinë me ironi, duke mohuar se liria gjendet te vrasjet, burgosjet e shqiptarëve, te papunësia, te emigrimi, te aborti i fëmijëve, te varrezat, e çka nuk u bie në mendje, te  keqtrajtimi në spitale, (pa)punësimi, kurbeti, injorimi i inteligjencës etj, etj... Intelektuali gjithnjë e ma tepër e ulën zërin se... përgjigjja është gati. Ai i thotë: e din ti ku është liria jote, aha, si nuk e din, fol e mos u tutë, po fole edhe një herë ta tregojmë ” lirinë”...Të shkretit i kujtohet menjëherë Ai, ai  Sherifi i partisë, largimi nga puna, hakmarrja te fëmija, po si nuk e din intelektuali ku gjendet liria, dhe kësisoj heshtën, pasi s’ka mundësi të takohet me liderin e ti tregoj se si vuan nga Sherifi i Partisë...  dhe i shkreti intelektual heshtën, heshtën, patjetër do heshte, se zabaritë e partisë ia tregojnë  “lirinë” !... Eh, sa i përket popullit, populli si e ka bërë le ta gjejë. Patjetër i duhet të mësoj që të votoj dhe kënd ta votoj...vetëm atëherë mundet ta shohë se si duket liria...

Jo si Kosova që kaloi me luftëra të dhimbshme nga robëria në liri, Maqedonia kaloi nga liria drejtë në pavarësi, për të cilën luajtën rol fondamental edhe shqiptarët, qoftë në aspektin historik, qoftë edhe në atë praktik, sepse shqiptarët kanë pasur forcë edhe për destabilizim total të sistemit shtetëror, veçmas me ç’thurjen e Federatës Jugosllave, apo me nismat e erërave demokratike në Ballkan. Pas kësaj periudhe, shqiptarët e Maqedonisë janë ushqyer me dy aspirata kryesore. E para ishte ëndrra e madhe e zgjedhjeve të lira e demokratike dhe e dyta konflikti i 2001-shit, si ëndërr ushqyese fondamentale, të cilat e kanë mbajtur gjallë shpirtin veprues dhe dinamikë ndër dekada. Pas përmbylljes së këtyre dy etapave, që do i quaja historike, shpirti liridashës i shqiptarëve nuk qetësohet. Nga njëra anë vazhdon politika shtetërore  tejet antishqiptare dhe nga ana tjetër, te partitë shqiptare mungon ideja e një baze morale dhe intelektuale, se si do duhej ndërtuar ardhmëria e shqiptarëve dhe e Maqedonisë në tërësi. Kjo gjendje, ka krijuar amulli të tejskajshme, sepse, edhe pas tri dekadave demokraci, apo konflikti luftarak për lirinë e të drejtave reale të shqiptarëve, përsëri pushteti maqedonas vazhdoi me avazin e vjetër, bile në ndonjë rast edhe më keq, sepse në komunizëm nuk kishe likuidime klasike në mes të ditës, por, për gabimet e mundshme vepronte gjyqi, policia apo organe të tjera të mundshme, por assesi ajo që po ndodh në të ashtuquajturën demokraci e sotshme. Varësisht prej kohës kur jeton dhe vepron një shoqëri e civilizuar, ushqehet nga disa ideale, të cilat, në të shumtën e rasteve, janë të mbrojtura nga shumë konventa ndërkombëtare.

Në këtë rast, komuniteti shqiptar në Maqedoni është ushqyer më së shumti me idealin e lirisë, e që u bë parim i brendshëm, sa  kombëtar, po aq edhe shpirtëror, e që e mbajtën gjallë atë. Mbi këto parime u krijua ideali kulturor për një interes të përbashkët. Pas sendërtimit të aspiratës për liri dhe pavarësi, shqiptarëve etnik të Maqedonisë sikur ua ka vjedhur dikush busullën e orientimit liridashës. Themi kështu, sepse më nuk ka një kulturë të mirëfilltë politike, as te pala maqedonase, e as te ajo shqiptare. Nuk ka as ndonjë parim intelektual moralizues mbi të cilin do të ndërtohej shteti i mirëfilltë demokratik, i barabartë për të gjithë, me një rrugë civilizuese evropiane, me parime të sigurta për të drejtat e njeriut, me një ekonomi pak a shumë të shëndoshë etj.  Përkundrazi, nuk ka më ndonjë ideal që e ushqen qytetarinë tonë. Qytetarët e këtij vendi ushqehen përditë me të keqen. Shtresa e mesme u shkatërrua! U krijua shtresa e të pasurve dhe armata e të varfërve. Kjo  jetë e stresit dhe e shumë të këqijave tjera ka filluar të bëhet normë e  përditshmërisë sonë. Kjo e keqe  serviret  nëpërmjet politikës së keqe, arsimit plotë halle, mediumeve të kurdisura, shëndetësisë që vetëm në Shkup klientët i kanë shpresat, se sa për qytetet tjera ... e ruajt Zoti çdo kënd që sëmuret. Papunësia ka arritur kulmin. Me mijëra të rinj dhe me profile të ndryshme shkollimi, sorollaten gjithandej. Subvencionet e ndryshme të shtetit i shfrytëzon “dreqi ”, atyre që kanë nevojë reale nuk u bie në dorë asgjë.

Kurbeti është zbehur gjithandej, bile para do kohe u bëmë populli më i dhimbshëm i Evropës, ku dukej haptas në mediumet evropiane dhe ato të vendit, veçmas e atyre shqiptarëve që në shtetet skandinave kërkonin azil ekonomik etj., etj.  Kjo gjendje e rëndë politike dhe degraduese e moralit shoqëror duket qartë. Shpresat i ka marrë era! Alternativat për shpresat e reja janë humbur në tunelin pa fund. Dritat e horizontit kush e din se në dorën e kujt janë?!... Mungesa e një drite të re, e një ideje progresive dhe në radhë të parë asaj që quhet njerëzore ka bërë shoqërinë tonë që “qeni të zotin të mos e njeh“ dhe krejt shoqëria të veprojë në mizëri morale. Këtë nuk e themi ne përherë të parë, por mjafton që ta ritheksojmë se e gjithë kjo është rezultat i “kapadaillëkut që ia ka  zënë vendin inteligjencës” së mirëfilltë, prandaj nuk duket drita në tunelin e kësaj shoqërie dhe është tejet vështirë për të paragjykuar hëpërhë zhvillime pozitive. Edhe nëse themi se e kemi kuptuar nocionin liri dhe se jemi çliruar nga konceptet e prangave të robërisë, atëherë një gjë dihet se, shoqëria jonë nuk e ka kultivuar kulturën e përgjegjësisë dhe lirisë demo­kratike. Nën hijen e kësaj edukate të errët mediokriteti ka lëshua rrënjë në të gjitha nivelet institucionale, pra kudo, edhe nëpër nivelet e organizimit politik, duke e shndërruar injorancën e tyre në një “ligj” të pashkruar, si një domosdoshmëri e patjetërsueshme, kinse  “për suksese që varen vetëm prej tyre”. Ky sistem “vlerash” ka ngritur lartë dhe jashtë çdo logjike një klasë shoqërore pseudopoltikanësh, të cilët janë pa presedan, sepse të vetmit janë ne Evropë që votohen nga populli dhe veprojnë në kundërshtim me kërkesat, nevojat dhe interesat e popullit.

Nuk është mirë që të përmendim vetëm të zezat që e tangojnë këtë shoqëri, por duhet që të sjellim edhe ide se si mund të tejkalohen këto sfida. Jo se nuk ka pasur intelektual të lartë në botën e shqiptarëve të Maqedonisë, por ata, ose nuk janë kuptuar nga të gjitha shtresat shoqërore, ose janë penguar, qoftë nga forcat pulitke të pushteteve aktuale, ose nga vet kasta injorante e politikanëve snobist shqiptar. Sipas neve:

a). Maqedonisë multietnike që dy-tri dekada i mungon një klasë intelektualësh idealistë, të cilët guxojnë, kanë dijen  e duhur, përvojën dhe forcën për një ballafaqim pa kompromis me  të keqen, por assesi duke përdorur metodat me një të keqe tjetër, sepse e keqja bie vetëm të këqija dhe e keqja nuk mundet me të keqe, por mundet me një ide më të mirë, pasi rrugët për nga e mira nuk sosen asnjëherë.

b). Këtij  shteti  i mungon një elitë intelektuale, e cila të jep alternativa të shëndosha, të mundshme dhe të mirëpritura nga të gjitha shtresat e shoqërisë, ku motivi kryesor do ishte humanizmi, mbarësia, ligji dhe të drejtat e njeriut etj. Kjo gjendje e re, me automatizëm do i kishte ndërprerë njerëzit e korruptuar që të shndërrohen në snobistë dhe snobizmi shoqëror i pjesës “elitare” , së paku do të lokalizohej dhe ky snobizëm do dukej individualisht, aty-këtu, por jo edhe nuk do vepronte si klasë injorante e snobizmit elitar.

Ky snobizëm i elitës politike ka bërë që ideali i njerëzve tanë të jetë pushteti pa meritë, dija pa kritere, fudullëku naiv, pasuria pa djersë, karriera pa punë dhe pa suksese, tituj të rrejshëm, shkollime gjysmake dhe pa cilësi, apo edhe total fals etj.. Ky çallëm  fals dhe pa merita, apo ky snobizëm tejet primitiv për kohën moderne, e kanë çorientuar gjithë sistemin tonë shoqëror. Kjo klasë mediokritetesh e rrahagjoksësh që e drejtojnë vendin afër tri dekada,  kanë fashitur çdo ideal për të krijuar një shpirt liridashës, pasi populli më ka ardhur në zgrip të ekzistencës, njerëzit e kulturës, trajtohen si “të mjerë”. Në anën tjetër, një pjesë e popullatës ka shtuar sentimentin ndaj udhëheqjes moderne të Turqisë, veçmas ndaj Erdoganit dhe  Duatogllus etj., tek të cilët shpresojnë se mos do vijnë ata në Ballkan dhe do ndryshoj gjendja e popullatës. Kjo dashuri ndaj Turqisë i zbeh sentimentet ndaj  adhurimit për vlerat tona të njëmendta dhe kjo dashuri autoktone bie çdo ditë e më shumë. Tani popullata në Maqedoni ka filluar t’i ndërroj konceptet për lirinë, politikën, moralin dhe shoqërinë në tërësi. Ata  jetojnë pa ndonjë ideal të veçantë, pa  synime madhore, pa ndonjë qellim afatgjatë dhe pa ndonjë plan strategjik kombëtar apo shtetëror. Me një fjalë duken njerëz me shpresa të thyera. E vetmja shpresë vjen nga ndonjë ide megalomane: “Të tjerët na kanë në dorë”, “Zoti na donë neve “e të ngjashme. Ide këto, sa komike po aq edhe tragjike, sa të ulëta, po aq edhe të dhimbshme...

Nëse ne nuk e duam veten, vallë si do na duan të tjerët, ose Zoti na donë vetëm neve, e të tjerët, mos vallë nuk i njeh për të vetët. “Këlyshi” i pushtetit lanson tezat tjera: ” kini kujdes se, ai i madhi - Gruja e burgosi njeriun e vet Brat Luben, e lëne ma neve. Ai tjetri andej thotë: “o qorra, a s’e patë se si i nxori deputetet e vet me forcë nga Parlamenti  e ti pret bereqet”, e sa e sa mendime tjera mjerane... Jo vetëm kasta politike, por edhe mediumet nuk kanë bërë përpjekje minimale të jenë në shërbim të së drejtës, të së mirës dhe të përhapjes të kulturës së lirisë, që është porta e vetme drejt demokracisë së shëndoshë. As nuk kanë mundur të bëjnë, pasi mediumet opozitare i zhduki me të “mirë” ose me të keq, sepse që herët, pa u diktuar e zhduki gazetën “Flaka”, ishte goditje e parë dhe asnjë intelektual shqiptarë nuk reagoi, se si mund të zhduket një gazetë shqipe me afër 60 vite traditë. Më vonë e zhduki televizionin e pavarur dhe  më të fuqishëm në vend A1, pastaj gazetën “Koha e re” etj. Dihet. Kush e ngrenë zërin, të nesërmet nuk është... Idealistët shpesh pyesin se çka të bëjmë me shoqërinë tonë?!... E po, çka të bëjmë... Tempulli i demokracisë- Parlamenti, nuk funksionon, mediumet kanë mbetur me njërin sy, dhe kësisoj, duke filluar nga opozita e deri te të gjitha instancat e shtetit, bashkë me qytetarët i ka kapluar anemia që me ankth e shqetësim na ka kapluar mizëria morale dhe politike. Maqedonisë, më shumë se kurrë, i duhet një ide e re orientuese që t’i dalë para dhe ta pengoj të keqen, e cila ka triumfuar kudo.

Ky aksion është i rëndë, por jo i pamundur. Kjo i de e mirë, pikësynim do t’i ketë interesat e përgjithshme dhe të mirat e përbashkëta. Kjo filozofi idealiste e brumosur me ideale të përbashkëta humane e kombëtare, arrihet vetëm nëpërmjet klasës politike e ngritur mbi parimet e drejtësisë e që me guxim t’i këput zinxhirët e e ndryshkur të mendjes së tanishme. Kështu, mendonin edhe Rilindësit tanë, “vetëm dritë e diturisë  përpara do na shpjerë”. Edhe njëherë dëshmohet që e keqja më e madhe e këtij vendi i ka ardhur nga degradimi i thellë inteligjencies, qoftë të asaj shqiptare, po pse jo edhe të asaj maqedonase. Nuk ka asnjë alternativë tjetër që një komb, apo një shtet, apo disa komunitete që jetojnë në bashkësi, të ecin drejtë përparimit të pë­rgjithshëm, pa pasur edukatorë të mirëfilltë politik, njerëz të kulturës, njerëz të dijës, që dinë ta ushqejnë  shoqërinë dhe kastat politike me vlera të njëmendta. Pra, për fund, është  fakt i pamohuar se vetëm një politikë me ide të reja dhe ideale të përbashkëta, mund ta mbajnë të ndezur dhe të zhvilluar shpirtin gjallërues të kësaj shoqërie të përbashkët me dy komunitetet më të mëdha, atij shqiptar dhe atij maqedonas. Të gjitha alternativat tjera do të dështojnë.



(Vota: 5 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora