| E shtune, 19.01.2013, 08:59 PM |
Kultura politike dhe kriza morale
në Maqedoni
Nga Ejup AJDINI
Sonte
gjithçka më ra ndërmend... Ku është liria, çka është ajo, si e ka formën, si
duket, kush e ka parë lirinë, kush e ka fshehur, për atë votuam, përse nuk
erdhi, po, pse votuam, për atë luftuam,
pse luftuam, ku gjendet... Shqiptarët i lusin liderët e tyre që së paku t’ua
tregojnë një fotografi për lirinë, mundësisht prej së largu ta shohin se si
duket... Oh, sa kanë qejf shqiptarët e shkretë, veçmas këta të Maqedonisë, ta
shohin lirinë, ta prekin një herë në jetë, ah,
si duket ajo e shkreta-liri... Shpesh midis veti ata hahen se liria
është te njëra parti, të tjerët hahen duke thënë është te tjetra parti, e disa të tjerë
fillojnë ta komentojnë lirinë me ironi, duke mohuar se liria gjendet te
vrasjet, burgosjet e shqiptarëve, te papunësia, te emigrimi, te aborti i
fëmijëve, te varrezat, e çka nuk u bie në mendje, te keqtrajtimi në spitale, (pa)punësimi,
kurbeti, injorimi i inteligjencës etj, etj... Intelektuali gjithnjë e ma tepër
e ulën zërin se... përgjigjja është gati. Ai i thotë: e din ti ku është liria
jote, aha, si nuk e din, fol e mos u tutë, po fole edhe një herë ta tregojmë ”
lirinë”...Të shkretit i kujtohet menjëherë Ai, ai Sherifi i partisë, largimi nga puna,
hakmarrja te fëmija, po si nuk e din intelektuali ku gjendet liria, dhe kësisoj
heshtën, pasi s’ka mundësi të takohet me liderin e ti tregoj se si vuan nga
Sherifi i Partisë... dhe i shkreti
intelektual heshtën, heshtën, patjetër do heshte, se zabaritë e partisë ia
tregojnë “lirinë” !... Eh, sa i përket
popullit, populli si e ka bërë le ta gjejë. Patjetër i duhet të mësoj që të
votoj dhe kënd ta votoj...vetëm atëherë mundet ta shohë se si duket liria...
Jo si
Kosova që kaloi me luftëra të dhimbshme nga robëria në liri, Maqedonia kaloi
nga liria drejtë në pavarësi, për të cilën luajtën rol fondamental edhe
shqiptarët, qoftë në aspektin historik, qoftë edhe në atë praktik, sepse
shqiptarët kanë pasur forcë edhe për destabilizim total të sistemit shtetëror,
veçmas me ç’thurjen e Federatës Jugosllave, apo me nismat e erërave demokratike
në Ballkan. Pas kësaj periudhe, shqiptarët e Maqedonisë janë ushqyer me dy
aspirata kryesore. E para ishte ëndrra e madhe e zgjedhjeve të lira e
demokratike dhe e dyta konflikti i 2001-shit, si ëndërr ushqyese fondamentale,
të cilat e kanë mbajtur gjallë shpirtin veprues dhe dinamikë ndër dekada. Pas
përmbylljes së këtyre dy etapave, që do i quaja historike, shpirti liridashës i
shqiptarëve nuk qetësohet. Nga njëra anë vazhdon politika shtetërore tejet antishqiptare dhe nga ana tjetër, te
partitë shqiptare mungon ideja e një baze morale dhe intelektuale, se si do
duhej ndërtuar ardhmëria e shqiptarëve dhe e Maqedonisë në tërësi. Kjo gjendje,
ka krijuar amulli të tejskajshme, sepse, edhe pas tri dekadave demokraci, apo
konflikti luftarak për lirinë e të drejtave reale të shqiptarëve, përsëri
pushteti maqedonas vazhdoi me avazin e vjetër, bile në ndonjë rast edhe më keq,
sepse në komunizëm nuk kishe likuidime klasike në mes të ditës, por, për
gabimet e mundshme vepronte gjyqi, policia apo organe të tjera të mundshme, por
assesi ajo që po ndodh në të ashtuquajturën demokraci e sotshme. Varësisht prej
kohës kur jeton dhe vepron një shoqëri e civilizuar, ushqehet nga disa ideale,
të cilat, në të shumtën e rasteve, janë të mbrojtura nga shumë konventa
ndërkombëtare.
Në këtë
rast, komuniteti shqiptar në Maqedoni është ushqyer më së shumti me idealin e
lirisë, e që u bë parim i brendshëm, sa
kombëtar, po aq edhe shpirtëror, e që e mbajtën gjallë atë. Mbi këto
parime u krijua ideali kulturor për një interes të përbashkët. Pas sendërtimit
të aspiratës për liri dhe pavarësi, shqiptarëve etnik të Maqedonisë sikur ua ka
vjedhur dikush busullën e orientimit liridashës. Themi kështu, sepse më nuk ka
një kulturë të mirëfilltë politike, as te pala maqedonase, e as te ajo
shqiptare. Nuk ka as ndonjë parim intelektual moralizues mbi të cilin do të
ndërtohej shteti i mirëfilltë demokratik, i barabartë për të gjithë, me një
rrugë civilizuese evropiane, me parime të sigurta për të drejtat e njeriut, me
një ekonomi pak a shumë të shëndoshë etj.
Përkundrazi, nuk ka më ndonjë ideal që e ushqen qytetarinë tonë.
Qytetarët e këtij vendi ushqehen përditë me të keqen. Shtresa e mesme u
shkatërrua! U krijua shtresa e të pasurve dhe armata e të varfërve. Kjo jetë e stresit dhe e shumë të këqijave tjera
ka filluar të bëhet normë e
përditshmërisë sonë. Kjo e keqe
serviret nëpërmjet politikës së
keqe, arsimit plotë
Kurbeti
është zbehur gjithandej, bile para do kohe u bëmë populli më i dhimbshëm i
Evropës, ku dukej haptas në mediumet evropiane dhe ato të vendit, veçmas e
atyre shqiptarëve që në shtetet skandinave kërkonin azil ekonomik etj.,
etj. Kjo gjendje e rëndë politike dhe
degraduese e moralit shoqëror duket qartë. Shpresat i ka marrë era!
Alternativat për shpresat e reja janë humbur në tunelin pa fund. Dritat e
horizontit kush e din se në dorën e kujt janë?!... Mungesa e një drite të re, e
një ideje progresive dhe në radhë të parë asaj që quhet njerëzore ka bërë
shoqërinë tonë që “qeni të zotin të mos e njeh“ dhe krejt shoqëria të veprojë
në mizëri morale. Këtë nuk e themi ne përherë të parë, por mjafton që ta
ritheksojmë se e gjithë kjo është rezultat i “kapadaillëkut që ia ka zënë vendin inteligjencës” së mirëfilltë,
prandaj nuk duket drita në tunelin e kësaj shoqërie dhe është tejet vështirë për
të paragjykuar hëpërhë zhvillime pozitive. Edhe nëse themi se e kemi kuptuar
nocionin liri dhe se jemi çliruar nga konceptet e prangave të robërisë, atëherë
një gjë dihet se, shoqëria jonë nuk e ka kultivuar kulturën e përgjegjësisë dhe
lirisë demokratike. Nën hijen e kësaj edukate të errët mediokriteti ka lëshua
rrënjë në të gjitha nivelet institucionale, pra kudo, edhe nëpër nivelet e
organizimit politik, duke e shndërruar injorancën e tyre në një “ligj” të
pashkruar, si një domosdoshmëri e patjetërsueshme, kinse “për suksese që varen vetëm prej tyre”. Ky
sistem “vlerash” ka ngritur lartë dhe jashtë çdo logjike një klasë shoqërore
pseudopoltikanësh, të cilët janë pa presedan, sepse të vetmit janë ne Evropë që
votohen nga populli dhe veprojnë në kundërshtim me kërkesat, nevojat dhe interesat
e popullit.
Nuk është
mirë që të përmendim vetëm të zezat që e tangojnë këtë shoqëri, por duhet që të
sjellim edhe ide se si mund të tejkalohen këto sfida. Jo se nuk ka pasur
intelektual të lartë në botën e shqiptarëve të Maqedonisë, por ata, ose nuk janë
kuptuar nga të gjitha shtresat shoqërore, ose janë penguar, qoftë nga forcat
pulitke të pushteteve aktuale, ose nga vet kasta injorante e politikanëve
snobist shqiptar. Sipas neve:
a).
Maqedonisë multietnike që dy-tri dekada i mungon një klasë intelektualësh
idealistë, të cilët guxojnë, kanë dijen
e duhur, përvojën dhe forcën për një ballafaqim pa kompromis me të keqen, por assesi duke përdorur metodat me
një të keqe tjetër, sepse e keqja bie vetëm të këqija dhe e keqja nuk mundet me
të keqe, por mundet me një ide më të mirë, pasi rrugët për nga e mira nuk sosen
asnjëherë.
b).
Këtij shteti i mungon një elitë intelektuale, e cila të
jep alternativa të shëndosha, të mundshme dhe të mirëpritura nga të gjitha
shtresat e shoqërisë, ku motivi kryesor do ishte humanizmi, mbarësia, ligji dhe
të drejtat e njeriut etj. Kjo gjendje e re, me automatizëm do i kishte
ndërprerë njerëzit e korruptuar që të shndërrohen në snobistë dhe snobizmi
shoqëror i pjesës “elitare” , së paku do të lokalizohej dhe ky snobizëm do dukej
individualisht, aty-këtu, por jo edhe nuk do vepronte si klasë injorante e
snobizmit elitar.
Ky
snobizëm i elitës politike ka bërë që ideali i njerëzve tanë të jetë pushteti
pa meritë, dija pa kritere, fudullëku naiv, pasuria pa djersë, karriera pa punë
dhe pa suksese, tituj të rrejshëm, shkollime gjysmake dhe pa cilësi, apo edhe
total fals etj.. Ky çallëm fals dhe pa
merita, apo ky snobizëm tejet primitiv për kohën moderne, e kanë çorientuar
gjithë sistemin tonë shoqëror. Kjo klasë mediokritetesh e rrahagjoksësh që e
drejtojnë vendin afër tri dekada, kanë
fashitur çdo ideal për të krijuar një shpirt liridashës, pasi populli më ka
ardhur në zgrip të ekzistencës, njerëzit e kulturës, trajtohen si “të mjerë”.
Në anën tjetër, një pjesë e popullatës ka shtuar sentimentin ndaj udhëheqjes
moderne të Turqisë, veçmas ndaj Erdoganit dhe
Duatogllus etj., tek të cilët shpresojnë se mos do vijnë ata në Ballkan
dhe do ndryshoj gjendja e popullatës. Kjo dashuri ndaj Turqisë i zbeh
sentimentet ndaj adhurimit për vlerat
tona të njëmendta dhe kjo dashuri autoktone bie çdo ditë e më shumë. Tani
popullata në Maqedoni ka filluar t’i ndërroj konceptet për lirinë, politikën,
moralin dhe shoqërinë në tërësi. Ata
jetojnë pa ndonjë ideal të veçantë, pa
synime madhore, pa ndonjë qellim afatgjatë dhe pa ndonjë plan strategjik
kombëtar apo shtetëror. Me një fjalë duken njerëz me shpresa të thyera. E
vetmja shpresë vjen nga ndonjë ide megalomane: “Të tjerët na kanë në dorë”,
“Zoti na donë neve “e të ngjashme. Ide këto, sa komike po aq edhe tragjike, sa
të ulëta, po aq edhe të dhimbshme...
Nëse ne
nuk e duam veten, vallë si do na duan të tjerët, ose Zoti na donë vetëm neve, e
të tjerët, mos vallë nuk i njeh për të vetët. “Këlyshi” i pushtetit lanson
tezat tjera: ” kini kujdes se, ai i madhi - Gruja e burgosi njeriun e vet Brat
Luben, e lëne ma neve. Ai tjetri andej thotë: “o qorra, a s’e patë se si i
nxori deputetet e vet me forcë nga Parlamenti
e ti pret bereqet”, e sa e sa mendime tjera mjerane... Jo vetëm kasta
politike, por edhe mediumet nuk kanë bërë përpjekje minimale të jenë në shërbim
të së drejtës, të së mirës dhe të përhapjes të kulturës së lirisë, që është
porta e vetme drejt demokracisë së shëndoshë. As nuk kanë mundur të bëjnë, pasi
mediumet opozitare i zhduki me të “mirë” ose me të keq, sepse që herët, pa u
diktuar e zhduki gazetën “Flaka”, ishte goditje e parë dhe asnjë intelektual
shqiptarë nuk reagoi, se si mund të zhduket një gazetë shqipe me afër 60 vite
traditë. Më vonë e zhduki televizionin e pavarur dhe më të fuqishëm në vend A1, pastaj gazetën
“Koha e re” etj. Dihet.
Ky aksion
është i rëndë, por jo i pamundur. Kjo i de e mirë, pikësynim do t’i ketë
interesat e përgjithshme dhe të mirat e përbashkëta. Kjo filozofi idealiste e
brumosur me ideale të përbashkëta humane e kombëtare, arrihet vetëm nëpërmjet
klasës politike e ngritur mbi parimet e drejtësisë e që me guxim t’i këput
zinxhirët e e ndryshkur të mendjes së tanishme. Kështu, mendonin edhe
Rilindësit tanë, “vetëm dritë e diturisë
përpara do na shpjerë”. Edhe njëherë dëshmohet që e keqja më e madhe e
këtij vendi i ka ardhur nga degradimi i thellë inteligjencies, qoftë të asaj
shqiptare, po pse jo edhe të asaj maqedonase. Nuk ka asnjë alternativë tjetër
që një komb, apo një shtet, apo disa komunitete që jetojnë në bashkësi, të ecin
drejtë përparimit të përgjithshëm, pa pasur edukatorë të mirëfilltë politik,
njerëz të kulturës, njerëz të dijës, që dinë ta ushqejnë shoqërinë dhe kastat politike me vlera të
njëmendta. Pra, për fund, është fakt i
pamohuar se vetëm një politikë me ide të reja dhe ideale të përbashkëta, mund
ta mbajnë të ndezur dhe të zhvilluar shpirtin gjallërues të kësaj shoqërie të
përbashkët me dy komunitetet më të mëdha, atij shqiptar dhe atij maqedonas. Të
gjitha alternativat tjera do të dështojnë.