Mendime
Blerim Rrecaj: Shumëçka po zihet ...
E marte, 08.01.2013, 09:01 PM
Shumëçka
po zihet ose shqetësim protokollar i radhës?
Nga Blerim Rrecaj
Mendoj
pak për dy-tri ditët e fundit të vitit 2012 që e lamë pas dhe për një javë të
këtij viti. Mendoj dhe për ca shënime “mish-mashe” që lashë për këto ditë që
shkuan.Para dhe pas Krishtit, Erës së Re, para dhe pas...Si thanë e si themi
edhe një herë: Vit i ri me probleme të vjetra që na vërtiten kokës. Për
shkrimin e Migjenit: “Urime për vitin 1937”. Dhe kemi parasysh thëniet e
njohura: “Asgjë s’ka më fantastike se realiteti” ose “Jeta është përralla më e
bukur”. Dhe mund të vazhdojmë edhe me ndonjë “ose” tjetër. Sidoqoftë ditë të
zakonta. Të thjeshta. Të përbëra. Rutinore. Kaherë po flasim për këtë e atë
kohë për “kohën e pakohë” që mbretëron. Për “ditët e errëta, tëpad(r)itësuara”.
Bozë (bozën të mirë patëm pirë në ëmbëltoren Ballkan në Mitrovicë…)prej
ndejave, bisedave. Fjalëve si rafale automatiku. Të vërtetave ,gënjeshtrave,
thashethemeve, shtrembërimeve, keqcitimeve me e pa qëllime, mospërmbajtjes,
ngutisë, pështjellmërisë, përshkëllimërisë…
Endacakëri e zakonshme internetit, faqeve të gazetave, kafeneve, rrugës,
lëndinës, llugës… Hedhje sysh anketave, sondazheve, hulumtimeve, statistikave,
përqindjeve… Pamje edhe përtej xhamave të dritareve. Vështrime edhe përtej brendësisë e jashtësisë,
afërelargpamëse. Ndodhemi këtu, atje diku
mes vetmisë e llafazanërisë, (mos) shtegdaljes që e quajmë alternative .
Ndjenja të përziera na ngjajnë me ndonjë pamje qielli me kthjelltësi e
vranësi, me re duke notuar mes
kaltërsisë e hirtësisë. Dielli e hëna, yjet mes reve duken e zhduken. E tokës,
nuk mungojnë ngjarjet, ndodhitë, vakitë, fjalët e pamjet që transmetohen medieve
për atë se ç’po ngjet në “fshatin global”,
botës për të cilën ca thonë që është e vogël, ca të tjerë se është e madhe, e
dikush thotë se është aq sa është. Dhe ngjarje shumë, material e brumë për të
shkruar edhe një fletë paksa, aq sa mundemi
të gdhendur e duke përmendur diç në stilin e një flete ditari të
kalamendur. Dhe gjëra që na vërtien nëpër kokë.Shumëfishim e llojlloshmëri
hallesh. Sa e sa ngjarje e data përvjetorësh krenare e të hidhura. Dhe bëj një
zëvendësim të një fjale të thënë: “Posto të të them se cili je”. Dhe nga
postimet në murin e facebook-ut e shoh atë që ka bërë Shoqata e Sociologëve të
Kosovës, e ky postim përbëhet nga fotografia e Paolo Coelhos i cili sandalet e
tij është duke ia dhuruar dikujt që ka nevojë për to, me fjalët: “Bota ndryshon me shembullin tënd, jo me opinionin
tënd”. Kjo foto e kjo fjali janë të ngjashme me një tregim të tij. Kjo shoqatë
thotë se dallimet sociale po shtohen me të madhe dhe kjo paraqet shqetësim për
gjumin që s’po na del. Dhe edhe përballemi me një mori ngjarjesh e informacionesh të tjera që na ngacmojnë e
turbullojnë emocionalisht. Themi na “mbyti” interneti,facebook-u dhe mbase
jemi disi të detyruar të hedhim kokat nëpër këto strehëza teknologjike që hiç se dijmë se
ç’dëme ose ç’fitime, kemi nga to. Dikush përmend klikimet si mundësi përfitimi,
e shpjegimpështjellimi vazhdon se s’di
se kjo a vlen edhe për Kosovën, duke përmendur “gam gam style”. E varet se
si dijmë
e për çfarë i përdorim. ”JMB;’Ë/VBRTYHNB U 5EDDTXC FETDTF7FDMCGBDTJK”.
Derisa përsias filozofiko-retorikisht kështu djali im i vogël gati trevjeçar
shkon dhe e heq mbushësin e telefonit
dhe derisa unë shkoj ta vë mbushësin në rrymë
e telefon ai vije dhe hedh “ formulën” që e vura në thonjëza. Dhe edhe
një herë i kthehem kësaj që fillova të thoja e që e lashë dhe siç duket s’do ta
lë më në stilin nise-bitise…Si çka po ndodh sot në Gjakovë, protesta fillon e
përfundon, çka do të ndodh me 17 janar (datë që na sjell ndërmend vdekjen e
Skënderbeut, vrasjen e vëllëzërve Gërvalla dhe të Kadri Zekës, datë që po thonë
e vazhdimit të dialogut në Bruksel me ndërmjetësuesen në mes), në Preshevë me
lapidarian e UÇPMB-së, çka u tha e po thuhet
për “Agimit të artë”, për fyerjet që na bëri e siç e tha një historian,
grekët s’kanë heronj e për këtë mundohet që heronjtë e kombeve të tjerë t’i përvetësojnë. Dikush i tha “Agim i Th(artë)”
e dikush “Agim i zi”… Sa janë të sinqerta deklaratat e këtij apo atij e sidomos
të njerëzve pushtetarë për bashkim kombëtar. Nga shoku im facebooku lexoj një
poezi që nuk ishte menduar të shkruhej si poezi, siç na njofton vetë autori
Ismet Januzi i cili pak a shumë kështu thotë: se ashtu siç jemi duke vrapuar
për të festuar do të jemi ne ata të njejtit që do të vrapojmë për ta mbrojtur
Pavarësinë e flamurin, kudo, në çdo kohë.
Derisa shumëçka po zihet, shumëkush për shumëçka po pyet si për shembull: Pse Rudina Xhunga
shkroi shkrimin(për të cilin reaguan ata që reaguan duke e quajtur me të drejtë
(sh)krim turpërues sepse fjalët e saj
janë lëshuar, në stilin e Dick Martit e Karla del Pontes, për të kërkuar falje
edhe shqiptarët ndaj një armiku pushtues, ): “Serbi afër teje” dhe pse Nexhmedin Spahiu i doli në mbrojtje
me shkrimin e tij (Shkrimin e Rudinës e quan dinjitoz dhe pos tjerash thotë: ”
Prandaj, Rudina përpiqet të dëshmojë se jo vetëm serbët u kanë “hipur”
shqiptarëve gjatë historisë, por edhe shqiptarët u kanë “hipur” serbëve me
raste) : “Rudina Xhunga dhe dallimi Kosovë-Shqipëri”.
Ditët
vijojnë e mediet vazhdojnë të na
“bombardojnë” me shumë të ngjara, që ndodhin, sajohen, inskenohen. Për shkuarjen e Adem Demaçit për t’u uruar
serbëve Kërshëndellat, por dyert e kishës së Prizrenit të mbyllura për të.
Demaqi do të provoj dhe dyer të manastireve të tjera dhe në ndonjërin nga ta do
të ngre një dolli. Çka shohim e çka dëgjojmë tjetër. Se Policia e Kosovës që ishte duke siguruar shefin e Zyrës së
Serbisë për Kosovë, Aleksandar Vulin, ka arrestua nëntë truproje të tij, shkaku
i mbishkrimeve në bluzat e tyre. Dhe lajme, informacione, lajme,informacione,
lajme të (pa)konfirmuara, që lënë nën hije njëri tjetrin. Po shohim e po
dëgjojmë se ku po kërcet e ku po pëlcet. Ku po ushëtinë e ku po shpërthen. Ku
po vetëtinë e ku po bubullinë. Rrufetë në qiell të kthjellët e në qiell të
vranët ku e mbi kë po bijnë… Me çka ta përfundoj këtë përsiatje të radhës që mbase është një shenjë dokumenti sa për të
thënë diçka e që mund edhe të themi për
të sikurse për marrjen e ndonjë diploma se ta lë aty se s’kërkon të ha e të
pi…me ndonjërën nga thëniet a me lutjen Faik Konicës, duke përmendur shkrimin e
tij “Shqipëria dhe turbullimet e Ballkanit” apo intervistën e Hysamedin Ferajt:
“Vetja jonë ka ikur në drejtim të panjohur”, apo…