Mendime
Dorian Koçi: Sfida e madhe morale
E enjte, 03.01.2013, 01:22 PM
SFIDA E
MADHE MORALE
NGA DORIAN KOÇI
Një burrë
plak, pasi ka abuzuar për shumë kohë me një të mitur, e vret dhe i pret kokën.
Një burrë ndaj të cilit është lëshuar një urdhër gjykate për t’u qëndruar larg
gruas dhe fëmijëve të tij për shkak se është i dhunshëm, vret me çekiç gruan e
tij në sy të fëmijëve. Përpara tyre një i dënuar që qëndron në gjendje të lirë
vret kryekomisarin e Shijakut e kështu me radhë. Kjo është një pjesë nga
kronika e zezë që vajtëm kohë që po lexojmë dhe shikojmë përmes mediave dhe që
natyrshëm bëjnë cilindo që të bëjë një pyetje. Sa e sigurt është jeta jonë?
Kjo
pyetje nuk bëhet në funksion të ndonjë propagande apo retorike për të fajësuar
njërën palë apo për të nxirë realitetin, por është pjesë përbërëse e realitetit
që po jetojmë. Shoqëritë në zhvillim dhe me vlera morale të përmbysura siç
është kjo e jona, i përjetojnë dhimbshëm tronditjet sociale dhe natyrisht që
rezultatet shpeshherë janë këto që na përplasen çdo ditë përmes ekraneve, por
siguria e jetës dhe e biznesit përbën një nga shtyllat e vlerave të shoqërisë
që kaq shumë kemi aspiruar për të bërë pjesë që nga viti 1991. Kështu, duam apo
nuk duam, gjendemi përballë një paradoksi kulturor që nga njëra anë i kushton
shumë më tepër rëndësi materializmit dhe dëshirës për t’u pasuruar sa më
shpejt, por nga ana tjetër harron në vetvete njeriun dhe e lejon shpeshherë atë
të shndërrohet në kafshë pasi morali i tij është tronditur shumë dhe nuk mund
të gjejë asnjë pikë mbështetje ku të mbahet. Jemi duke përjetuar tre
revolucione, atë seksual, feminist, dhe të rinisë së shpenguar! A e analizojmë
ne anatominë antropologjike të këtyre fenomeneve? Marrëdhënie komplet të reja
janë ndërtuar dhe barriera të vjetra janë shkatërruar, tabu të vjetra janë
kapërcyer dhe mentalitete të reja janë formësuar, ndërsa ne të pambrojtur
vazhdojmë që instinktet e një kohe të shkuar të gjallojnë egër mes nesh. Është
pikërisht kjo përvojë negative që nuk ka legjislacion që ta ndalojë, ndaj ndërhyrjet
në shoqëri duhet të jenë përpos atyre ligjore dhe kulturore, sepse nuk besoj se
polici që është rrahur në fëmijëri të mos rrahë kur është në detyrë, ai që rreh
dhe dhunon gruan e tij të mos e quajë si gjë që nuk prish punë në shoqëri! Jemi
jo në fund apo në mes të rrugës apo jemi të hutuar në udhëkryq?
Këtë gjë
nuk e dimë, por personalisht jam i sigurt se kësaj dileme mund t’i japë
zgjidhje përforcimi i shtetit ligjor përmes përmirësimit të sistemit të
drejtësisë, sfidës më të madhe të politikës shqiptare. Para disa kohësh,
Kryeministri foli në mbledhje qeverie dhe kërkoi një përmirësim në
legjislacion, për të vendosur si normë burgimin e përjetshëm në raste të tilla,
nismë që sigurisht duhet përshëndetur por besoj se nuk është e mjaftueshme.
Sigurisht që shumë veta do nxitojnë të thonë se ç’tjetër gjë mund të ofrohet
përderisa është e vërtetë që dikur filozofia e një fjale të urtë “frika ruan
vreshtin” ka pasur efekt. Mirëpo a mundet që parime të tilla humane, si kujdesi
ndaj grave dhe fëmijëve apo kujdesi dhe siguria ndaj jetës së qytetarit të
administrohen si në mesjetë nga pushteti i frikës? Ligjet që kemi, janë shumë
të mira, por zbatueshmëria e tyre vazhdon të mbetet ende problematike. Vendi
nuk ka nevojë për zgjedhjen e një emri të ri si Prokuror i Përgjithshëm, si dhe
u zgjodh, por për një moral të ri të përzgjedhjes së njerëzve që punojnë në
drejtësi. Sistemi bipartizan i përzgjedhjes së gjyqtarëve është një sistem i
kalbur që deri më tash ka prodhuar vemje të pushtetit, sesa profesionistë të
vërtetë, ndaj në kuadër të reformimit të drejtësisë, kjo përzgjedhje nuk duhet
të jetë më ekskluzivitet i politikës. Zgjedhja e tyre e drejtpërsëdrejti nga
komuniteti do të ishte një hap që do të përmirësonte shumë perfomancën e tyre
profesionale pasi s’do t’i ishin askujt borxh për të kthyer ndere. Përqasja
kulturore ndaj fenomeneve të tilla duhet të pushojë së qeni ekskluzivitet i
disa shoqatave që vetëm identifikojnë probleme në sallat luksoze të
“Sheratonit” në Tiranë dhe Hotel “Adriatikut” në Durrës, por pjesë përbërëse e
kulturës shtetformuese dhe asaj shkollore në mënyrë që të formësohet drejt
individi që në bankat e shkollës. Në zinxhirin e ngjarjeve që ndodhën në vitet
‘90 në Europën Juglindore ishte e lehtë për të rrëzuar komunizmin, por paska
qenë shumë e vështirë për të ndërtuar individin e përgjegjshëm që nuk e
keqkupton lirinë e demokracisë. Ky aspekt vazhdon të mbetet një nga sfidat më
të mëdha të Shqipërisë që po tenton të bëhet europiane. A do t’ia dalim dot
vallë? Koha dhe brezat që do vijnë, do ta tregojnë, por të paktën ne të sotmit
duhet të zgjohemi nga gjumi letargjik për të vepruar në mënyrë të tillë për të
bërë të mundur që ndërgjegjen tonë ta kemi të qetë se vërtet u përpoqëm.