E diele, 28.04.2024, 01:32 PM (GMT+1)

Mendime

Xhylije Ibrahimi: Kombi i privilegjuar Amerikan

E marte, 15.01.2013, 08:59 PM


Çështja shqiptare në Ballkan

SHBA-të meritojnë statusin e kombit të privilegjuar

Nga Xhylije IBRAHIMI

Merita të mëdha për ekzistencën e shtetit shqiptar si dhe për themelimin e shtetit të Kosovës, dy këto ngjarje të mëdha të kombit shqiptar në këtë shekull, kanë SHBA-të, që nga presidenti Uillson e deri te presidenti Klinton. Shqipëria në kohën e presidentit Uillson ishte vendi më pak i njohur nga të gjitha vendet evropiane. Evropianët kishin mendime të ndryshme për Shqipërinë dhe për ekzistencën e popullit shqiptar. Kishte prej tyre që mendonin se duhet ndarë Shqipëria në mënyrë të atillë që pjesa veriore, përfshirë edhe Shkodrën, t`i jepet Malit të Zi, pjesa qendrore, përfshirë edhe Durrësin, t`i jepet Serbisë, ndërsa pjesa jugore, përfshirë edhe Vlorën, t`i jepet Greqisë. Kjo arsyetohej duke thënë se shqiptarët janë një popull jo i qetë, malësor dhe pa një shoqëri të organizuar mirë. Ky  koncept kundërshtohet nga Xhejms Shotvell, kryetar i Shoqatës së gjeografëve amerikanë, duke u shprehur se informacioni nuk ofron zgjidhje për tri çështje kryesore, që janë çështja e Maqedonisë, çështja e Shqipërisë dhe çështja e Arkipelagut të Mesdheut. Shotvelli vë në dukje se zgjidhja e këtyre çështjeve i përket drejtpërdrejt SHBA-së, pasi që shtetet e Evropës dhe monarkitë e Ballkanit, nuk gjenin gjuhë të përbashkët rreth këtyre problemeve. Shotvelli është i mendimit se çështja shqiptare është dyfish e rëndësishme për SHBA-në dhe se zgjidhja e saj mund t`i besohet Amerikës, si një forcë që nuk ka interesa të drejtpërdrejta në rajon.

Amerika nuk ka interesa të drejtpërdrejta në Ballkan

Në Konferencën e Paqes (1919), gjashtë muajt e parë të saj u morën vendime kyçe nga paqebërësit, pas një lufte të përgjakshme, e cila mori shumë viktima, luftë kjo që kishte filluar për pushtet në Ballkan dhe e cila kishte mbërthyer të gjitha fuqitë e mëdha, prej Rusisë cariste, në lindje e deri te Britania, në perëndim. Lufta jo vetëm që shkaktoi humbjen e njerëzve, por shkaktoi edhe humbjen e pasurive, shkatërrimin e industrisë, shkencës dhe teknologjisë, por edhe solli kufij të rinj në qendër të Evropës dhe përmes Lindjes së Mesme. Më e rëndësishmja nga gjithçka, rendi botëror duhej rikrijuar mbi një bazë të re dhe të ndryshme. Në Paris ishin mbledhur burra shteti, diplomatë, bankierë, ushtarakë, profesorë, ekonomistë dhe gjykatës nga të gjitha anët e botës për të vendosur për çështje të mëdha dhe vënien e paqes botërore. Në mesin e tyre ishte edhe presidenti amerikan Uilson, sekretari i tij të shtetit, Robert Lensing, kryeministri i Britanisë, Francës, Italisë dhe të tjerë. Kishte më shumë se tridhjetë vende që kishin dërguar delegacionet e tyre. Konferenca e Paqes mblodhi në Paris Tre më të Mëdhenjtë, që secili prej tyre solli nga vendi i tij diçka për negociatat: Uilsoni solli dashamirësinë e Shteteve të Bashkuara, një garanci se rruga amerikane ishte më e mira dhe një dyshim të turbullt se evropianët nuk do ta shihnin këtë, Klemansoi i Francës solli patriotizmin e thellë francez, lehtësimin e saj nga fitorja dhe frikën e përhershme të saj prej një Gjermanie të rimëkëmbur, kurse Llojd Xhorxhi solli rrjetën gjigante të kolonive të Britanisë dhe flotën e saj të fuqishme. Pikëpamja e Uilsonit ishte e qartë. Arritja a paqes ishte po aq e rëndësishme, sa edhe fitimi i luftës. Këtë ua kishte borxh popujve të Evropës që thërrisnin për një botë më të mirë. “Tani është detyra ime të kryej rolin që më takon...”, kishte deklaruar Uilsoni para Kongresit, para se të nisej për në Paris. Uilsoni, për herë të parë po vinte në Evropë. Po vinte të përmbushte detyrën që i kishte parashtruar vetes, të vendoste kornizat e paqes në botë. Ai i shkruante mikut të tij, Eduard Hauz, që tashmë ishte në Evropë, se do të qëndronte atje vetëm sa të vendoseshin kornizat kryesore të zgjidhjes së çështjeve të paqes. Një prej këtyre çështjeve, ishte edhe ajo shqiptare, ngase pa vënien e paqes në Ballkan, nuk mund të kishte paqe në Evropë. Historia do të përsëritet edhe në vitin 1999, kur përsëri ishte Amerika ajo që përkrahu lirinë e Kosovës dhe pavarësinë e saj nga Serbia. Amerika meriton statusin e kombit të privilegjuar në Shqipëri e Kosovë.

(Autorja është studente e Masterit, drejtimi Diplomaci dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare në Kolegjin Victory në Prishtinë)



(Vota: 191 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora