Mendime
Vangjush Saro: Shteti-amë si shembull i keq
E premte, 11.01.2013, 05:54 PM
Shteti-amë
si shembull i keq
Nga Vangjush Saro
Në disa
televizione, revista, gazeta e portale me emër, përfshi revistën e nderuar
“Zemra Shqiptare”, krahas artikujve problemorë, shkrues të ndryshëm përpiqen
t’iu japin lexuesve pamje të idealizuara të jetës në trojet shqiptare sot. Ne
jetojmë në një kohë kur mendja njerëzore është përgjithësisht e lirë. Gjithkush
ka dritën e vet se si i vështron ngjarjet dhe pamjet e jetës. Për autorin e
këtyre radhëve, gjërat po shkojnë keq dhe kjo për shkak të lajmeve aspak të
mira nga shteti-amë. Ai duhet t’i ikë tranzicionit dhe prapambetjes së thellë,
ai duhet të ndryshojë me fakte, jo me fjalë.
Duke
vënë në dukje disa arritje, që kanë të
bëjnë me zbatimin e pluralizmit politik dhe praktikën e ekonomisë së tregut, si
dhe ndërtimin e rrugës që lidh Shqipërinë me Kosovën - pavarësisht kostos së
diskutueshme - nuk mund të mos vërejmë ndërkaq se ai që ne e quajmë shteti-amë,
ka probleme të rënda, për të cilat nuk duhet heshtur. Shqiptarët e Kosovës, të
Maqedonisë, ata të Malit të Zi, të Preshevës, një milion shqiptarët e
diasporës, etj., me të drejtë kthejnë sytë heraherës nga Shqipëria
administrative, me shpresë se ajo po i udhëheq për diku, me shpresë se ajo po
ndryshon, po i qaset Perëndimit...
Le të
ndalemi për një çast. Më lart, folëm për pikëvështrime të ndryshme. Në këtë
temë, bërja e Shqipërisë, Shqipëria e Madhe, Shqipëria Natyrale për disa,
bashkimi i trojeve shqiptare për disa të tjerë, pak rëndësi ka termi, mbetet
një çështje e hapur. Por ndërkaq, kjo është fusha ku shumë politikanë, shkrues
të rrëmbyer, qeflinj muhabetesh, etj., sulen me furi dhe bërtasin me të madhe,
sepse e dinë që...mund të marrin lëvdata apo do të shihen me simpati prej
shqiptarëve, kudo që ata jetojnë. Asesi, edhe ata më “patriotët” (kupto: ata që
shtiren si të tillë) e kanë të qartë se bërja e Shqipërisë kalon nëpër
korridoret e Perëndimit; që do të thotë se askush nuk toleron sot njëlloj
nacionalizmi “sy për sy”, me debate kufijsh e sundimesh. Rruga nëpër të cilën
shqiptarët do të mund të bashkohen, është ajo e integrimit në BE dhe, përgjithësisht,
në komunitetin perëndimor. Nga ana tjetër, ne duhet të flasim për bashkimin e
shqiptarëve, por jo sa për sy e faqe e për demagogji dhe duke lënë në errësirë
fakte të rënda e pengesa që duhen parë në sy: varfëria, papunësia, pasiguria,
klientelizmi në biznes, konfliktualiteti i skajshëm politik, mungesa e shpirtit
idealist, demagogjia enveriane që më së koti përpiqet të mbulojë halle të mëdha
e të vogla të vendit, të shqiptarëve në tërësi.
Ndërkohë
që mbetet t’i thërrasim mendjes e të ftillohemi ç’po kemi e ç’po ndodh në
shtetin-amë, pse ai jeton në këtë lloj pështjellimi, ka shumë mundësi për të
bashkuar gjithë shqiptarët në radhë të parë shpirtërisht, për të pranëvënë
interesat e tyre afatgjata, tekstet e shkollave, problemet e gjuhës standarde, ato
të historisë, bashkëjetesën kulturore, segmente të ekonomisë dhe tregtisë,
vështrimin qetësisht mbi tradita më të mira, duke mos iu lënë hapësirë për
abuzime as nostalgjikëve të kohëve të shkuara, as ekstremistëve të kohëve të
sotme. Në këtë sens, Shqipëria administrative, si shteti-amë, do të duhej të
luante një rol parësor dhe të vendosur për bashkimin e shqiptarëve. Por kjo nuk
është çështje palaçosh politikë e dritëshkurtërish. Kjo nuk bëhet përmes
thirrjesh nacionaliste për interesa partitiste dhe (ca më keq) të karrierës
personale.
Shikoni
si përleshen deputetët, zëdhënësit e partive dhe drejtuesit kryesorë të vendit,
kush ka vjedhur më shumë. Vështroni ç’po ndodh me kryeministrin e sotëm të
Shqipërisë, z. Sali Berisha! Për hir të zgjedhjeve të ardhshme e të pushtetit
që s’e lëshon dot nga duart, ai zotëri i ardhur nga ish-perandoria komuniste,
“harroi” papritur një sërë episode të turpshme, për të cilat mbase duhet të
japë shpjegime: furnizmi me naftë i ushtrive të Milosheviçit; qëndrimet e çuditshme
kundër Konferencës së Rambujesë; lulëzimi i fajdeve, viti ‘97 dhe pasojat e
tij; tragjedia e Gërdecit; masakrimi i biznesmenit Remzi Hoxha; shuarja e
lëvizjes sindikale në Shqipëri; sjellja e paprecedent me ish-të burgosurit
politikë dhe ish-pronarët; shitja e detit, 21 janari i turpshëm, etj. Dhe sot,
po...kalëron nacionalizmin, si Nastradini që harroi të numëronte veten: Në
fillim, me një deklaratë të drejtpërdrejtë për bashkim; pastaj duke i
“zgjidhur” fët e fët problemet e nënshtetësisë dhe të pasaportave; më pas, iu
kthye Ligës Futbollistike...Deri sa të përfundojë fushata për zgjedhjet e 23
qershorit 2013, nuk dihet ç’tjetër do të shpikë.
Gjojanacionalistëve
dhe gjojapatriotëve në Shqipëri, iu duhet thënë shqip se kanë mjaft mundësi të
punojnë për të ardhmen e shqiptarëve, së pari duke e çuar vendin në atë të
shkretë status të kandidatit, për të cilin jemi rrëzuar tre herë. Shqiptarëve
iu duhet një shtet-amë që të drejtohet jo sipas modeleve të Koresë së Veriut
apo Bjellorusisë, por me standardet demokratike perëndimore; shqiptarëve iu
duhet një shtet që të bëjë dikur zgjedhje të lira e të ndershme, (kujtojmë,
Kosova ka marrë nota më pozitive se ne për zgjedhjet e fundit); duhet një shtet
ku administrata të mos jetë pronë e militantëve të verbër, por e teknikëve të
studjuar dhe të talentuar; një shtet ku familja e kryeministrit apo ato të
ministrave, të mos jenë kaq të panginjura për të vënë pasuri; një shtet ku
njerëzit të mos hidhen në rrugë si të ishin të askujt apo armiq, vetëm e vetëm
pse mendojnë ndryshe nga klani Berisha apo ngase nuk dinë të recitojnë dogmat e
tij; një shtet ku dikush të kthejë sytë nga rrethet dhe krahinat e lëna pas
dore e në të cilat nuk paguhen as edhe invalidët. Kurse propaganda e shfrenuar
bën bejte për suksese të papara.
Pa e
ndërtuar a pasur një Shqipëri të tillë, në tërësi të pranueshme për qytetarët e
saj dhe ku të mos shihen gjithë ditën e mbrëmjeve në televizor shfaqjet
mediokre të kryeministrit në delir, si mund të flitet për bashkimin e
shqiptarëve? I kini parë kryeministrat e pjesës tjetër të Evropës vend e pa
vend nëpër TV apo duke i futur hundët kudo, në institucione të pavarura, në
jetë private, duke mbajtur fjalime propagandistike përpara fëmijëve, duke u
mburrur jam i pari apo i dyti në botë? Prapambetja e Shqipërisë dhe nga ana
tjetër, kapardisja e klaneve të saj, janë një shembull i keq i shtetit-amë.
Ekonomisti i njohur Milton Friedman, në veprën e tij “Kapitalizmi dhe liria”,
duke analizuar zhvillimet në disa nga vendet më të zhvilluara, thotë se rritja
e lirisë ekonomike, “ka shkuar krah për krah me rritjen e lirisë politike e
civile dhe ka çuar në rritjen e mirëqenies; kapitalizmi konkurrues dhe liria
kanë qenë të pandara.”
Qeveria
shqiptare dhe klani Berisha përpiqen të fajësojnë për dështimet dhe vjedhjet,
edhe opozitën; natyrisht, kjo e fundit ka disa përgjegjësi në këto tema. Por
asgjë propagandistike dhe që ka të bëjë me mosmenaxhimin e urrejtjes, nuk mund
të justifikojë paaftësinë e qeverisë aktuale dhe të kryeministrit Berisha për
një qeverisje të drejtë dhe në përputhje me standardet e përparuara
demokratike. Më në fund, e gjithë kjo, vjen edhe për shkak të mungesës së
këtyre standardeve në vetë partitë politike. Në PD, ka 22 vjet që dikton,
zgjidhet, rizgjidhet, bën ç’të dojë vetëm një individ, Sali Berisha. Publiku
nuk dëgjon asnjëherë për mbledhje të Kryesisë, të Këshillit Kombëtar, por vetëm
delirin e padurueshëm të këtij individi në mbledhjet e Grupit Parlamentar, ku
pjesa tjetër e partisë hesht si mocë e trembur.
Nuk është
e trëndafiltë gjendja edhe në partitë e tjera politike. Dhe pa u demokratizuar
ato, nuk mund të ikë Shqipëria nga prapambetja dhe as nuk mund ta fshehë dot
pamjen e saj hibrid, përftuar së paku prej vitit 2000. Një e tillë Shqipëri,
është shumë pak për të bërë propagandë për bashkim, çka nuk do të thotë se ky
proces nuk është në rendin e ditës për segmentet dhe individët me këmbë në tokë
dhe me sytë te shqiptarizmi, jo te partia apo fëmija...domethënë paratë e
fëmijës...(Nuk dimë gjer ku do të shkojë Aleanca Kuq e Zi, pasi sapo ka filluar
të flasë; gjithsesi, luftën për bashkimin e shqiptarëve e filloi me dokumente
dhe kërkesa konkrete; ka depozituar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve
kërkesën për zhvillimin e referendumit për bashkimin Kosovë-Shqipëri.)
Për ta
përmbyllur, të shpresojmë se pamja do të ndryshojë në këtë vit zgjedhjesh e
sfidash përfundimtare. Nuk ka rëndësi ç’parti a ç’grupim do të fitojë, por
largimi i megallomanëve dhe gjojanacionalistëve, që gjer më sot më shumë i kanë
prishur punë se sa i kanë ndrequr bashkimit të shqiptarëve.
Ju
falemnderit për kohën.