Mendime
Dren Shahini: Kur shqiptari lutet
E merkure, 31.10.2012, 08:31 PM
Kur
shqiptari lutet të huajit t’i thotë shqiptarit!
Nga Dren Shahini - Zëdhënës i Lëvizjes për Bashkim
Ekziston
një thënie morale se çdo shoqëri i meriton udhëheqësit e saj. Duke e ditur se
si fillon e si mbaron tek ne procesi i zgjedhjeve dhe duke e ditur ofertën për
të zgjedhur, athua a e kanë besueshmërinë tonë këta nga të cilët ne si zgjedhës
po kërkojmë vëmendje? U zgjodhën për të qeverisur me të mirën e përbashkët në
të mirë të tyre, apo për të dhënë më të mirën e tyre për të mirën e përbashkët?
A ka mundësi ndonjëherë të na dëgjojnë ne, kërkesat tona, nevojat e përditshmërisë
sonë, apo vetëm të atyre nga të cilët barten si aksesorë demode duke ua
aranzhuar aty-këtu ndonjë takim, apo duke iu treguar se ku mund ta kapin e më
pas edhe ta fshehin e ta ruajnë interesin personal, e kurrsesi të kujdesen për
atë kombëtar? Jo rastësisht pyeta për besueshmërinë; udhëheqësve tanë nuk iu
intereson ajo. Këta udhëheqës nga fillimi e deri në harresë, legjitimitetin e
udhëheqjes e kërkojnë vetëm tek Ata, jo tek ne si zgjedhës. Ata nuk kanë të
drejtë vote, janë shtetas të huaj. Mirëpo në krahun e tyre, vota fitohet shumë
lehtë. Udhëheqësit tanë Ata i kthyen në hyjni. Dhe kështu, duke e parë
servilitetin e udhëheqësve tanë ndaj tyre, Atyre filloi t’iu pëlqejë vetvetja.
Madje deri aty sa filluan ta luajnë rolin e “korrierit”, duke u sjellë zgjidhje
në zarf. “Uniteti” i popullit ishte aty!
A ta qan
hallin i huaji kur yti i mbyll sytë? Madje i mbyllin edhe veshët. Si të na
dëgjojnë ata?
Në
transport publik nuk mund t’i takoni. As këmbë nuk ecin, edhe pse ndonjëherë u
bie vetëm rrugën ta kalojnë, apo ca metra tutje. Qeveritarët tanë, duke
shpenzuar buxhetin e duke e dëmtuar ambientin, janë mëshiruar me luksin që u
ofrojnë veturat tashmë të njohura si ato me “Z”. As te sportelet e
administratës, ku ne presim gjatë, nuk i takojmë dot. Këto shërbime ua kryejnë
shoferët të cilët luajnë rolin e shtëpiakut, mbrojtjes së afërt, këshilltarit
politik etj. Po kur ata “kujdesen” për ne? Me ta takohemi tek javët e
“shenjta”. Janë ato javë kur ata fillojnë të na duan shumë. Të na dëgjojnë. Të
na takojnë. Madje, për çudi, edhe të na flasin! Po, po, për fushatën elektorale
e kam fjalën. Ajo kohë kur
“bombardohemi” me premtime, dhe kulmi arrin kur premtohen ato që nuk i bënë për
dy mandate qeverisjeje, e ky hynë ndonjë rrugë e asfaltuar, apo mbyllje e
ndonjë pusete, e të tilla banale si këto, që do të mund të realizoheshin në
njëqind-ditëshin e parë të qeverisjes. Edhe një herë nuk iu intereson vota
jonë. Ata edhe mund ta dinë fituesin. Këtë e bëjnë me qëllim fitimi financiar,
sepse edhe në fushata jepen tenderë. Ka edhe dy raste ku mund të flasësh me ta.
Mund t’i takoni në ndonjë përurim objekti afarist. Aty shkojnë ose ngase
investitori është shumë “dorëlirë” me ta nga ana financiare, ose të na thonë se
investitori të gjitha i bëri vetë, vetë i punësoi disa të rinj, ama ne e premë
shiritin. Pra, ne po hapim vende të reja pune. Rasti tjetër është edhe johuman.
Duke dashur të paraqiten “engjëj mbrojtës”, njerëz humanë, qeveritarët mund t’i
takoni në ndonjë spital rajonal pas ndonjë tragjedie; e aty shkojnë me veturat
e lartcekura të cilat kushtojnë më shumë se ndonjë aparat mjekësor i cili në
atë tragjedi do të shpëtonte jetë njerëzish. Natyrisht, ato vetura çajnë rrugë
më shpejt se autoambulanca dhe zjarrfikësit; rotacioni dhe sirenat e tyre
shprehin urgjencë të madhe. Ky shkrim nuk do të shkruhej po të mos i shihja ato
pamje, e aq më pak po të mos i dëgjoja ato fjalë. Ishin pamje GREVE! Fjalët i
thoshte njëri nga grevistët. Ai i lutej Atij. Jo Zotit. I drejtohej ambasadorit
që përfaqëson shtetin amerikan në Republikën e Shqipërisë, Shkëlqesisë së tij,
z. Alexander A. Arvizu. Ai, grevisti,
SHQIP foli, shqip iu drejtua z. Arvizu duke i thënë: “A ka mundësi t’iu thoni
qeveritarëve tanë ta kthejnë kokën nga ne!?”
Prandaj mos u çuditni kur qytetarët iu drejtohen Atyre, diplomatëve të huaj, për t’iu thënë qeveritarëve tanë se e kemi këtë hall apo atë kërkesë.
Prishtinë, 29.10.2012