E premte, 02.05.2025, 12:23 AM (GMT+1)

Mendime

Ymer Halimi: Dialog përse!?

E diele, 19.08.2012, 05:05 PM


DIALOG PËRSE!?

Nga Ymer Halimi

Jam dëshmitar i momentit kur një anëtari të Ekipit të Unitetit, në grupin parlamentar iu tërhoq vërejtja për lëshimet e tepruara që po bëjnë në Vjenë, veçmas te Mitrovica.  Ai u përgjigj thjesht:”Ne po na e japin pavarësinë, pastaj gjerat që nuk na pëlqejnë i rregullojmë më vonë”. Përgjigje tepër naive për një ministër shteti. Po atë ditë, Kuvendi i Kosovës ishte me plot shqetësim për ata që e kuptonin thellësinë e pasojave politike. Për gjera të tilla, krejt miqësisht bisedohej në pushim të seancës së Kuvendit, duke pirë kafe edhe në këmbë. Në një çast, përball kisha tre politikanët më eminentë të angazhuar në procesin e bisedimeve në Vjenë. Edhe sot dy nga ata janë përsëri në pikat më të larta të shtetit, në ekzekutiv dhe kuvend. Lidhur me shqetësimin e deputetëve ata kishin përgjigje edhe më të thjeshtë: Nuk e kanë lexuar materialin. Kjo ishte. Sinqerisht,  jo për ta anashkaluar temën. Dhe kjo, në mënyrë implicite tregon thellësinë e “përgjegjësisë” sonë politike.

Miqtë tanë s’janë armiq të Serbisë

Sipas atyre që njohin politikë, do të thonë, erdhi çasti i dialogut politik të drejtpërdrejtë Serbi-Kosovë. Pa fije dyshimi Serbia do të ulet në bisedime me përparësi të konsiderueshme. Politika e Prishtinës është e gozhduar me pozicionin e veriut të Kosovës, dhe lëshimet substanciale që i ka bërë në Vjenë para bashkësisë ndërkombëtare, që tani dalin të pamjaftueshme për orekset e pakicës serbe. Kjo pakice ne veri po bën një luftë për një pashallëk te vetin.  Fundi i fundit edhe sipas deklarimeve të vetë politikanëve të Kosovës, problematikes serbe në veri të Kosovës i propozojnë “zgjidhje evropiane”(!).

Prandaj, të pashmangshme ishin edhe “bisedimet teknike” në Bruksel dhe parashikimi doli siç pritej: Kosova e papërgatitur, dhe Serbia arriti të avancojë çështjen e saj ndërkombëtare. Serbia e ka vënë në siklet politikën zyrtare të Kosovës, duke mos zbatuar marrëveshjet nga të cilat Kosova ka fare pak dobi. Zbatimin e këtyre marrëveshjeve Serbia e pengon me vetëdije për përfitime të reja politike, e kohë. Këto nuk ndikojnë në frymëmarrjen e saj. Një e pengoi: reciprociteti tregtar, dhe edhe atë e plotësoi. Por, të bisedimet në Bruksel, po edhe në Vjenë, bashkësia ndërkombëtare vërtetoi se politika prishtinase është ana e brishtë, në krahun e të cilës duhet lëvizur pikëmbështetja e llozit, për çështje të pazgjidhura Kosovë-Serbi. Ndoshta shkak se Kosova është e kushtëzuar tej mase nga bashkësia ndërkombëtare, apo politika prishtinase kënaqej e kënaqet me një rezultat momental, pa i parë pasojat afatgjate, apo, do të ripërsëris se: Prishtina nuk paraqet më një faktor politik te rëndësishëm, për shkak të gjendjes së brendshme që e ka, në rrafshin ekonomik e politik. Bashkësia ndërkombëtare nuk bën trysninë e duhur mbi Beogradin që t’i ndërpresë ndërhyrjet politike në Kosovë. Ndërsa politika e Prishtinës po tregon komoditet duke mos  e kuptua se miqtë tanë s’janë armiq të Serbisë. Në të vërtetë Serbia është interes i tyre. Të gjithë miqtë tanë e mbështeten gjashtëpikshin e Ban Ki Munit! Evropianët e thanë hapur se shqetësohen nga “bashkimi i shqiptarëve”. Nga nënteksti i këtyre shihet diçka që vështirë pohohet, aq me parë kur veprimet e politikanëve tanë, në emër të demokracisë, u ngjasojnë veprimeve politike të mesjetës. Po e kthejnë fytyrën kah Perëndimi duke zgjatur duart kah Lindja, që janë shenjat më të papranueshme në çastet e historisë nëpër të cilën po kalojmë. Këtë duhet thënë hapur. Me shqetësim. Këtë gjendje e kemi.

Proceset historike pashmangshëm kanë çuar te liria e Kosovës

Prishtina ka mjaft argumente dhe prapë humb kohë duke i dërguar sugjerime morale Serbisë dhe Evropës. Këshilla të pacipa, bile këshillojnë  për ta ruajtur “pashallëkun e Beogradit” duke dalë tepër naivë përballë interesave politike, apo qëllimit politik. Prishtina se kupton se për të realizuar qëllimin politik, kërkohet formë duke u mbështetur edhe në virtualen, dhe se Serbia historikisht është e ledhatuara e Evropës, edhe pse është shteti me problematik në Ballkan. Asaj, për një shekull, iu la roli i ‘qetësuesit’ në Ballkan. Diplomacia e saj është çdoherë agresive, edhe kur duket e fjetur. Nga ana tjetër, për asnjë çast Serbisë nuk i duhet parë si mossukses humbja e Kosovës, sepse proceset historike pashmangshëm kanë çuar te liria e saj, por duhet të brengosemi për suksesin e saj që në bisedimet po arrin qëllimin maksimal në procese politike qe popullatës se saj i nxori privilegje në Republikën e Kosovë, qe askush në botë s’i ka. E gjitha, ne llogari të te tjerëve.

Zhargoni qejfli politik se “Serbia po na njeh” me ulje në nivele të njëjta bisedimesh, ndoshta ne nivel Kryeministrash, në politikë nuk plotëson atë që duam ne në Kosovë. Njohja dhe mosnjohja e Serbisë, për ata që njohin procese, është çështje kohe. Kryesorja, ne duhej të hiqnim, e heqim dorë nga Serbia, jo në mënyrë formale, por praktike, se kjo kushtëzon korrektësinë e Serbisë ndaj nesh. Kështu si është vepruar deri sot, me tepër se nga askush tjetër e kemi kthyer fytyrën nga Serbia, thua se mes nesh nuk ka ngjarë ajo tragjedi njerëzore e përmasave biblike. Këtë e mundësuan politikanët për interesa të tyre, e mbi këtë Serbia ka ndërtuar platformë politike fituese.

Beogradi nuk dialogon për zbatimin e pakos së Ahtisarit

Ulja ne tavolinën e bisedimeve politike është e dhimbshme për Kosovën, aq më parë me këto parakushte, por e pashmangshme. Bisedimet nuk bëhen për shkak të presionit ndërkombëtar qe kemi, por për shkak se Serbia ka ndërhyrë tepër thellë në Kosovë, gjë të cilën bashkësia ndërkombëtare dhe klasa politike në Prishtine heshturazi e kanë lejuar. Dhe Kosova me këtë gjendje më nuk mund të mbijetojë. Dalja e saj nga kjo gjendje, nuk është e thjeshtë. Bashkësia ndërkombëtare nuk do bej veprime te një anshme. Kosova do të paguajë çmimin. Le të kujtojmë 25 Korrikun 2011, një aksion ne dukje qëllimmirë, por naiv. Pushtetarët i thanë: luftë. (e humbur). Shpallen hero. Eh... Legjitimuan paaftësinë shtetërore. Kjo ia rriti çmimin Serbisë në bisedime kundruall Kosovës.

Serbia sot në pushtet ka klasën politike radikale, fjala e së cilës ka peshë jo vetëm në Serbi. Ajo nuk ulet për te zbatuar pakon e Athisarit,  e do pamëshirshëm të mundshmen në Kosovë. Kërkon marrëveshje të re, që sa shihet e ka mbështetjen faktorit ndërkombëtar, duke u ngritur përtej të gjitha lëshimet që Kosova i ka bërë deri më sot.  “Beteja” do jetë e ndërmjetme, mes shkëputjes (e pa besueshme), autonomisë, pakos se Athisarit dhe organeve te dyfishta. Nikoliqi, dhe Serbia ne tërësi, e njohin fenomenin pse gjarpri e ndërron lëkurën: për te ngadhënjyer.

Edhe  në Kosove është në pushtet  klasa  politike radikale, por e pa kredibilitet të mjaftueshëm. Po thotë: ‘Territori i Kosovës është i pranuar’,  ‘Nuk bisedohet për statusin e Kosovës’. Po e thotë te thënmen. Por jo atë qe duhet thënë: te konvertuarën. Prandaj kujdes, se sa shihet Kosova po hyn ne “amulli te re” politike kundruall Serbisë.

*Profesor në FM dhe ish-deputet i Kuvendit të Kosovës



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx