Mendime
Aleksandër Çipa: Sa mizerje vdekja, para Arbën Xhaferit!
E enjte, 16.08.2012, 06:06 PM
Sa
mizerje vdekja, para Arbën Xhaferit!
Nga
Aleksandër Çipa
Në pasditen
e parë, pas Natës së Kadrit të këtij gushti, Arbën Xhaferi ndali frymën e
trupit. Ishte një betejë e gjatë e vdekjezezës me të. Tinëzarja i mori së pari,
atë çka së bashku, gjithë njohësit dhe adhuruesit e tij, takimtarët dhe dëgjuesit
ia çmonin dhe çmojnë për kohë të sotme dhe të ardhme: fjalëshqiptimin e mençur
të Arbënit. Të çmuarat që kishte ky mendjendritur.
Te fjalëdridhja
e nisi betejën ekzistenciale me sëmundjen. E vetmja që ia mori dridhjen, ndërsa
nuk ia kishin parë kurrë situatat apokaliptike të politikës me dhunë, vrasje, përzënie
dhe eksode në ish-Jugosllavi dhe shtetet me pëgërje gjenocidesh. Aty nisi
beteja e frymës së mishtë, por para kësaj beteje dhe gjatë gjithë ditëkomunikimeve
në jetën e vet, Arbën Xhaferi fitoi statusin e dijetarit dhe politikanit, të cilin
e shquante ndër klasa të kombeve ballkanase, mençuria dhe dija e vet. Ishte në formatin
e një rilindësi modern, i cili përmasonte në sjelljen dhe komunikimin, në artikulimin
dhe fjalëkumtet e veta, maksimalisht edhe në tekste, filozofin e cilësishëm dhe
dijetarin e shekullit XXI ndër shqiptarë.
Triumfi i
vdekjes fizike mbi frymën e tij anatomike, është një humbje, e cila ka lidhje
me varfërimin e mendjes, dijes dhe vizionit njerëzor në hapësirën shqiptare. Është
rast i vetëm që dija njerëzore, bashkohet aq idealisht në trupin e mishtë të një
politikani që diti mençurisht, zgjuarsisht, vizionarisht dhe iluminisht të bënte
detyrën si një bir i Atdheut, kur për atdhe pati një vend në dilema dhe paqartësi
të ardhmesh. Arbri ishte politikani që përjashtimisht, i mbrujti idetë dhe
vizionet për shoqërinë dhe dheun e tij kombëtar, gjithmonë dhe kurdoherë për atë
të duhurin dhe të ardhminsi një volterian. Nuk e lëndoi në asnjë çast kombin e
vet, sikundër e bëjnë këtë gjë me lehtësi të përkohshmit prijëtarë të politikës
stanjative. Misionar emancipues për klasën maqedono-shqiptare, por më së shumti
për krejt elitën politiko-kulturore të shqiptarëve.
Arbën
Xhaferi është Njeriu i Rrallë që në dekadat e fqinjërimit kohor të dy shekujve (shekullit
XX dhe XXI, kur lindi dhe rrojti) shqiptarëve në gjithë hapësirën e përndarë të
tyre, u kumtoi dhe artikuloi ide dhe mesazhe, projekte dhe qëndrime, strategji
dhe platforma që të çonin e të çojnë vetëm drejt unitaritetit kombëtar dhe në destinën
e vetme europianiste të identitetit tonë fattrazuar. Misionarët e shumtë të diplomacisë
amerikane, asaj të Brukselit dhe sidomos të kryeqyteteve të Europës së sotme,
pa droje ndjenjën dhe vlerësimin për të e shprehën dhe në këto ditë të homazhit
do ta riformulojnë më bujarisht.
Arbën
Xhaferi, pas kësaj frymëndërprerjeje, na lë në një mungesë varfërimi në disa
fusha dhe lëmi të arsyetimit në shqip dhe jo vetëm në këtë gjuhë të lashtë të Europës
së sotme. Mençurisht ideoi dhe përcolli një politikëbërje largpamëse në shtetin
e ngjizur të Maqedonisë dhe në shtetin rishtar në Kosovë, sugjeroi këmbëngulshëm
maturitetin në politikën e Tiranës, sikundër u ngrit mbi protagonistët tanë, me
profilin e rilindësit në një kohë realpolitike. Filozof i politikës që korr
paqe dhe mbjell të ardhme përbashkuese, liberator tragjik në fatin e të tillëve,
siç do të thoshte Noli. Prijës që e kapërcente hirin e zullumeve të bashkëprijësve
të ndarë, për ta shndërruar në një prush Europëdashës te “grigja e të tijve”. Arbri
ishte i vetmi që e njohu anatominë dhe antropologjinë ballkanase dhe po i vetmi
politikan që politologjikisht e analizoi atë në funksion të një strategjie të ardhmeje.
Vendosmërisht e eklipsonte politikanin në vete me dijen kulturologjike dhe
sociologjinë. Bashkëkohës dhe bashkëmendimtar për situatat më komplekse të shpërbërjes
së ish-Federatës Jugosllave, por edhe arkitekt skicimesh dhe marrëveshjesh tabuthyese
e të guximshme, si ajo e Ohrit. I mbrojtur përditshmërisht prej mençurisë dhe
dijes së vet, duke dhuruar në çaste të veçanta madhështinë e intelektualit për
zgjidhje ndëretnike dhe dasi shekullore.
Vdekja
fizike e Arbën Xhaferit është një mungesë pa hartë në të sotmen dhe në të nesërmen
e politikës dhe mendimtarisë shqiptare, në hapësirën me gjithë parcelat.
Përcjellja
e tij nuk ka dilema, është vetëm një shërbim i meritueshëm i kësaj njerëzie
ballkanase për të cilësishmin e destinuar për në amshim.
Dijetari ynë që kurmin po e fsheh nën dhe, dhe frymën e la dije për ne dhe pasardhësit, meriton një nderim matanë çdo protokolli, të mençur dhe të fisëm, si dija e tij!