Mendime
Safet Hyseni: “Rroftë injoranca!!!”
E diele, 12.08.2012, 09:14 AM
“Rroftë injoranca!!!”
Nga Safet Hyseni
Para ca
ditësh më ra hise të lexojë se si një kryetar fisi kënaqet në një tendë të tij
duke i thurur anëtarët e fisit lloj-lloj kurorash me lule dhe duke u kujdesur që
ai të ushqehet mirë dhe të argëtohet me zile dhish e dhensh si dhe me lodrat të
ndryshme me te cilat kënaqet fantazia e fëmijëve. Dhe shkruesi i vargjeve duke
e vërejt me vëmendje gjithë atë që ndodhë në jetën e këtij fisi thotë se; kjo është
“injorancë”! Është krejt normale se fisi jeton në një xhungël, ku mungojnë pallatet,
shkronjat, librat, shkollat, xhamit,
kishat, telefonat, interneti etj,
dhe i pari i fisit mjafton që të ketë muskuj! Por kjo injoranca që dreqin ka me ne?! Pse na ka mbështjellë nga
të gjitha anët dhe nuk na len që të marrim
frymë, dhe as të merremi me hallet që kemi?! Mos ndoshta është në fazën më të lart
të zhvillimit, përsosmërisë apo..., rënies!!! Ka shumë faktorë që ndikojnë në shtrirjen
dhe bërjen kokrrën e sefas të injorancës, por s’do i numëroj, jo që s’dua por pse janë shumë. Por pa thënë diçka
s’bën, bile nuk dua të heshtë kur njëri nga ne të dy jemi injorant!
Injoranca
nuk është vetëm padituri, apo mungesë arsimi..., është edhe më keq..., të shtiresh sikur din edhe atë; të gjitha përnjëherë,
si filozofinë, teknikën, ekonomin, artin, letërsinë, historinë..., sikur je më i
mençuri, më i bukuri, më i miri, më i merituari etj. Injorant nuk do të thotë të
jesh kur nuk din të shkruash por, është edhe kur nuk din të lexosh apo të shqiptosh
të gjithë tingujt, jo pse ke ndonjë të metë por pse nuk i ke përvetësuar! Profesori
nuk është injorantë pse nuk lexon shtypin, apo pse ka falur një notë por pse ka
mbjellë injorancë, pse ka lëshuar një të paditur dhe ka shtuar numrin e
injorantëve. Injorant nuk je vetëm kur ke njohje të kufizuara por je edhe kur
ke marr një diplomë në Sofje dhe nuk din bullgarishten, apo në Tiranë dhe nuk
din se kryeqyteti i kujt është Tirana! Injorant nuk je vetëm kur i njeh gjërat
fare cekët por edhe kur je pajis me diplomë me anë të telefonit, me ryshfet apo
dhunë!
Politikani
nuk është injorant pse nuk di të prodhojë apo ta bëjë të bukurën, artin, por
pse e keqpërdor atë, se; ajo e bukura (arti) nuk është gjithherë femër! Nuk je
injorant pse je i pashkollë por pse shtiresh me shkollë! Nuk je injorant pse
nuk je veshur mirë, por pse je i pagdhendur! Politikani nuk është injorant pse
i shkëlqejnë flokët nga xhelatina, por pse frikohet nga mikrofoni, pse është indiferent!
Hoxha nuk është injorant pse i ka bërë zylyfet si bishti i dallëndyshes por pse
lutet në gjuhë të huaj! Mësuesi nuk është injorant pse nuk është veshur mirë,
por pse nuk di drejtshkrimin! Gazetari nuk është injorant pse nuk është rruar,
pispillosur, por pse nuk i shqipton të gjithë tingujt! Nuk je injorant pse koka
s’ta mban leshin, por pse rri aty ku të pështyn sorra! Nuk je injorant pse nuk din, por pse nuk pyet!
Nuk je injorant pse rrethohesh nga soji
i keq, por pse i zgjedhë ato për miq! Mjeku nuk është injorant pse merr mito,
por pse i qelben dhëmbët! Injorant nuk
je kur e mban kokën lart por kur i hap këmbët dhe nuk e vendon dorën pas! Nuk
je injorantë kur nuk mundesh dhe nuk din, por kur përulesh dhe s’dinë kah dhe çka
të hyn!
“Injoranca
është forcë!”, (ka thënë Xhorxh Oruell). Sa keq kur ajo ngadhënjen. Injoranca
bashkë me shumë fenomene të tjera negative tek ne shqiptarët në Maqedoni është mirë
e organizuar, është institucionalizuar, ajo që nuk dua më t’ia them emrin (se
na morri në qafë) e ka ngulfat çdo pore të jetës. Injoranca i mban frenat, e
ata që duhet ta luftojnë si intelektualët, institucionet arsimore, shkencor,
kulturore etj., sillen si pordha nëpër
brekë, ndërsa servilët dhe bashkëpunëtorët e djeshëm të UDB-së e djeshëm që po
na mbajnë dersë (se kurrë nuk iu është hequr kolltuku nga bytha) thonë; “rroftë
injoranca”. Mjerë ai popull që nuk ka kush t’i thotë “poshtë injoranca!”. Shpeshherë
bëhet një pyetje; a pendohet ndonjëherë injoranti për punën e tij. Jo! Jo, se
ai nuk ka kohë të mësojë se është injorant. “Rroftë injoranca”!!!