Mendime
Elida Buçpapaj: Ndëshkimi i politikës mizerabël!
E marte, 07.08.2012, 06:22 PM
KA ARDHUR
KOHA TË NDËSHKOHET KJO KLASË POLITIKE MIZERABËL!
Nga ELIDA BUÇPAPAJ
Më tepër
se një dekadë më parë, në SHBA u zhvillua një gjyq i pazakontë kundër
Presidentit të SHBA, për shkarkimin e tij, Bill Clinton ’Impeachment, për afera
private, që për mendimin tim ishin pjesë e një konspiracioni politik. Clinton e
fitoi pafajësinë vetëm përmes votës të Senatit.
Gjithsesi ai gjyq dëshmoi se edhe Presidentii SHBA, burri më i fuqishëm
i botës, është i barabartë si të gjithë qytetarët përpara ligjit.
Në Mbretërinë
e Bashkuar përdoret Westminster system, ku parlamentarët janë të mbrojtur nga e
drejta civile vetëm sa iu përket shpifjeve, ndërsa nuk gëzojnë asnjë privilegj
sa i përket ndjekjes penale. Mungesa e imunitetit sa i përket ndjekjes penale
derivon nga parimi kyç i Kushtetutës Britanike se të gjithë janë të barabartë përpara
ligjit. Kushtetuta Amerikane po ashtu nuk mbron asnjë ligjvënës në kushte të tilla.
Ligjvënësi Eliot Engel, duke i bërë thirrje parlamentit të Shqipërisë përmendte
se në SHBA „asnjë kongresmen apo senator nuk gëzon mbrojtje nga imuniteti“. Kaq do t’i kishte mjaftuar këta njëzet vjet që
deputetët e parlamentit të Shqipërisë të gjenin arsye për ta vendosur në kushtetutën
e Shqipërisë heqjen e imunitetit.
Kam dëgjuar
dje tek ABCNEWS Genc Pollon, (një nga xhonglerët më tipikë të politikanëve të Shqipërisë,
që herë i është hedhur në krahë Berishës dhe herë e ka gjuajtur me domate të kalbura,
sipas interesave personale), se si i përkëdhelej opozitës shqiptare duke e
konsideruar mosvotimin e djeshëm jo si xhest antipatriotik apo mosintegrimdashës,
por vetëm për arsye politike!
20 vjet lëngatë,
kënetë, moçal, mospërgjegjshmëri, kthim prapa më 1997, tentativa për të rrëzuar
shtetin e së drejtës, vonesa drastike për integrim, tmerr tranzicioni pa fund. Kjo
është sëmundja e Parlamentit të Shqipërisë!
Dhe këtë e
tregoi më së miri dita e djeshme kur iu arratis votimit të heqjes së imunitetit
një klasë politike e cila ka 20 vjet që ka uzurpuar politikën shqiptare, vetëm
për të fituar privilegje, por asnjëherë për të përmbushur detyrime; vetëm për të
vjelë përfitime, tendera, rroga të majme,vila e shtëpi nëpër plazhe, lluks të shfrenuar,
ndërsa më shumë se gjysmëmilioni e shqiptarëve pensionistë, nënat dhe baballarët
tanë, më të përvuajturit, më të lodhurit, më të sfiliturit marrin vetëm 100
Euro pension në muaj, kur këta zotërinj vetëm rrogat i kanë të paktën 20 herë më
të mëdhaja.
Ku po
shkon kështu Shqipëria, ku po shkojnë kështu shqiptarët.
Problemi
bëhet edhe më alarmant, sepse mungon njëra nga shtyllat kryesore të demokracisë,
siç është shtypi i lirë, pasi mediat e Tiranës janë të kontrolluara totalisht
djathtas dhe majtas dhe nuk mund të bësh as cicërimin më të vogël pa urdhërat e
bosëve, që janë lidërshipi politik djathtas dhe majtas, duke e vënë kështu në rrezik
të plotë sistemin.
Lajmet
makabre që vijnë nga kronika e zezë janë shprehja më e qartë e degradimit të sistemit
ligjor dhe politik, sepse në Shqipëri nuk njihet më faji dhe fajtori, as kultura
dhe detyrimi i ndëshkueshmërisë të fajtorit, për faj të klasës politike. Sot
jemi në këtë stad ku mungesa e shtetit të së drejtës e ka ka bërë shoqërinë shqiptare
që të përjetojë për çdo ditë horrorin jo si film, por si realitet.
Problemi
tjetër i madh është se shoqëria civile është derivat i klasës politike, janë njerëzit
e tyre të afërt, të klaneve dhe aferave të përbashkëta, me prejardhje që nga
koha kur përfitonin privilegje nga institucionet e superstrukturës staliniste.
E çfarë mbetet?
Mbetet ndërgjegjësimi i sovranit përmes mjeteve të reja të komunikimit masiv, përmes
forumeve sociale dhe zgjimit të ndërgjegjes qytetare për të mos toleruar më që të
sundohet nga një klasë e tillë mizerabël.
Tjetër e çfarë
mbetet, ndërgjegjësim të asaj pjesë me integritet të politikanëve, të cilët kanë
hyrë në politikë jo si klanorë, por me vullnetin e mirë për t’i kontribuar ndërtimit
të shtetit ligjor, pa të cilin, jeta e çdo shqiptari është në rrezik!
Tjetër çfarë
mbetet, zgjimi i elitës shqiptare, pa marrë parasysh distancat, në diasporë,
shtetin amë, apo atje ku jetojnë shqiptarët. Sot dejure jemi të çliruar nga
diktatura dhe nga pushtuesi, por de facto jemi të pushtuar nga një klasë politike
së cilës nuk i intereson shteti ligjor, që ka frikë prej tij, që kërkon të qëndrojë
përjetësisht në pushtet, duke iu arratisur detyrimeve ligjore, krejt në të kundërt
nga sa veprojnë kolegët e tyre në Britaninë e Madhe, SHBA apo BE.
Ne nuk
kemi nevojë për një klon të tillë të politikanit shqiptar, sepse përbën veç rrezik
për shoqërinë, të gjithë ne jemi për një politikan të ndershëm me integritet, i
cili të vijë në politikë për shkak të meritokracisë dhe integritetit, sepse është
më i mirë në garën ku maten vlerat, dhe ku politikani nuk ka frikë nga drejtësia!