Mendime
Ardian Ramadani: Liria e robit
E marte, 31.07.2012, 07:02 PM
Liria e
robit
Nga Ardian Ramadani
U bënë më
se 4 vite që mbi shqiptarët e Maqedonisë ka pllakosur e keqja, që na u servua
nga qeverisja e keqe VMRO DPMNE dhe BDI. Më se katër vjet shqiptari përbuzet,
rrihet, maltretohet, leckoset, varfërohet, kërkon azil nëpër vende të ndryshme
të botës mu si nomad, burgoset pa pikë faji….
Se deri
kur do të vazhdojë kjo e keqe këtë nuk e di askush. Nuk e di askush se përderisa
marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni janë të tensionuara aq shumë, sa që janë në
pikën kritike të vlimit dhe shpërthimit, marrëdhëniet mes partnerëve të koalicionit
janë të shkëlqyera. Krejt kjo ngase disa kleptomanë të partisë shqiptare në pushtet,
me bekimin edhe të liderit të tyre, u pasuruan dhe u zënë mat nga Gruevski, hynë
në hipoteka të mëdha, saqë ec e dil nga qeveria, kur dera e Gruevskit ua ka zënë
bishtin e s`i len as të hynë e as të dalin nga ajo. Sot qeveritari shqiptar, ka
më pak peshë se secila sekretareshë maqedonase me minifund dhe me syze. Sot
qeveritari shqiptar me të drejtë po mos tu shikoheshin fytyrat e zgjebosura, do
të ngjasonte në anëtarin më të devotshëm të VMRO DPMNE së, ndërsa BDI në filialë
të VMRO DPMNE së. Se deri kur kjo do të vazhdojë nuk e di. Por një gjë e di,
durimit është ka i vjen fundi. Ky durim i shqiptarëve, i cili mëton të shpërthejë
orë e cast ka një adresë, adresën e partisë shqiptare qeverisëse, e cila përmes
deklaratave të përfaqësuesve të saj ngjason në një degë partiake të VMRO DPMNE
së.
Sot edhe
më tej qytetari shqiptar i pafajshëm, mu sikursë në rastin e Smilkovcit,
maltretohet dhe rrahet pa kurrfarë preteksti. Ndërsa përfaqësuesi shqiptar në qeveri
kërkon argumente, ndërsa po lideri i kësaj partie krekoset me Maqedoninë kur
gjoja kjo e fundit do të hyjë në BE dhe NATO.
Duke u
marrë me rastet më të fundit, për të cilat nuk u la pa u thënë më asgjë, e
shohim një gjë, e shohim se më në fund po fillon fillimi i fundit të kësaj
qeverie të mbrapshtë. Por, përderisa shpresat e qytetarit shqiptar këtu, po
edhe të tjerëve, janë leckosur dhe venitur, a thua e mendojmë ndonjëherë se si
ndjehen dhe çfarë shpresash të pashpresa kanë të burgosurit shqiptar. Nga
biseda telefonike e përhershme me një të burgosur, Rexhail Qerimi, për të cilin
kam shkruar shumë herë, e të cilin rastësisht e kam bashkëfshatar, i dënuar nga
gjykatat maqedonase me burgim të përjetshëm për një (pa)faj që s`arriti kurrë ta
mësoj as ai, as familja e tij, as fshati i tij, as unë e as një shqiptar, mu
ashtu sikurse nuk arritën të kuptojnë fajin e tyre as të 130 pjesëtarët e
kryengritjes shqiptare që janë në burg, e as 13 shqiptarët e dënuar me burgim të
përjetshëm nga organet e këtij shteti, kur për këtë nuk çan kokën as zëvendësministri
shqiptar i punëve të brendshme, e as partia shqiptare në pushtet, edhe ai (Rexhaili)
më foli për shpresat e vdirrshme dhe të humbura titanike, nga ana e të burgosurve
shqiptarë, ose nga Shqipëria e vogël mu në zemër të burgut të Shutkës, ku ai
vuajti paraburgimin, si dhe në Idrizovë ku po vuan aktualisht burgimin.. O
tempora, o mores.
Duke i
ikur patetizmit dhe refrenizimit të gjërave, mund të shtoj se për këta të burgosur
shqiptarë, nuk ka asnjë shpresë përpos rënie e kësaj qeverie, ridefinim të marrëdhënieve
ndëretnike dhe lirim pa kusht, dhe marrje të rolit të duhur të shqiptarëve, ku
qeveritari dhe ministri shqiptar do të jetë qeveritar dhe ministër, e jo
hyzmetqar e blerës burekësh e gjivrekësh.
Deri atëherë,
Rexhail Qerimi dhe të tjerët si Rexhaili, do të duhet të mos i humbin shpresat,
të kenë besim të plotë tek Zoti dhe tek njerëzit e ndërgjegjshëm, dhe të tregohen
stoik. Ky kuietizëm, kjo omertë shqiptare, ky poltronizëm, ky maskarallëk, kjo
heshtje vrastare…… ky servilizëm i folësve shqiptarë në qeverinë Gruevski do të
marrë fund njëherë e përgjithmonë.
Jo rastësisht
nuk thuhet kot “Populli të bën vezir, populli të bën rezil. Ngase ata tanimë janë
duke shkuar teposhtë, duke iu ngjitur majave të Olimpit të rrejshëm, por kësaj
radhe të vetëdijshëm dhe duke mos pasur tjetër shtegdalje.
Mbase këtë e vërtetuan imazhet nëpër ekranet televizive, ku popullata që hiç më larg se para një viti, si dhe tre viteve i votoi, u ngrit masovikisht kundër tyre. Më kot lideri i tyre u mundua të krahasohet me ish kancelarin gjerman Kol. Ky i fundit bashkoi Gjermaninë dhe gjermanët, ndërsa ky i “yni” na ndajti dhe përçau edhe më shumë, ai e solli lirinë për gjermanët, ky i “yni” na solli burgosje, maltretime, vrasje të djemve të pafajshëm, eliminim të komandantave më të spikatur të luftës, varfëri ekonomike, migrime masive, varfëri intelektuale, krizë, rrahje të civilëve, dhe më në fund na e solli lirinë e robit dhe të skllavit.
(Autori është
profesor i gjuhës dhe letërsisë frënge, magjistër i diplomacisë dhe shkencave
politike, si dhe opinionist dhe kolumnist i rregullt)