Mendime
Idriz Zeqiraj: Alergjia e presidentes për Presidentin Historik
E premte, 10.08.2012, 08:26 PM
ALERGJIA E PRESIDENTËS PËR PRESIDENTIN HISTORIK
SHKRUAN: IDRIZ ZEQIRAJ
Sindromit
të marrëzisë të majtistëve stalinistë nuk i shpëtoi as presidentja Atifete
Jahjaga. Alergjia e saj karshi Presidentit Rugova është e dukshme. Në promovimin
e saj, si presidente e vendit, ajo renditi Presidentin Rugova (duke thënë veprimtaria
e I. Rugovës, pa e përmend emërtesën "president"), pas ushtarit Adem
Jashari. Citimi i dëshmorëve nuk mund të bëhet në njëjës, kur janë edhe ca të tjerë
të barazvlershëm në kontributin e dhënë. Politikanët matrapazë e hileqarë e kanë
keqpërdorur emrin e Adem Jasharit, në veçanti dhe të familjes të nderuar
Jashari në përgjithësi, bilëz deri në përmasat e alergjisë, me tendencën e
zhvlerësimit të skajshëm.
Presidentja
nuk doli nga klisheja e SHIK-ut, i cili investoi propagandë të pakursyeshme për
ta ngritur një figurë luftëtari për dy qëllime:
1.- Kundërvënien
e luftëtarit Adem Jashari - Presidentit Rugova dhe
2.- Me
ngritjen e këtij luftëtari në përmasat e legjendës, qëllimi ishte promovimi si "luftëtarë"
e "çlirimtarë" të disa figurave bredharake në Tiranë dhe Evropë, të cilët,
në fakt, nuk kishin asnjë lidhje me luftëtarin Adem Jasharin, madje ishin kundërshtarë
të tij dhe nuk ishin as pjesë e luftës!
Prekazi
mund të përmendet si masakra më e madhe familjare, e bërë ngeshëm dhe shumë dhimbshëm,
për shkak të ngujimit në shtëpi të burrave të armatosur dhe të uniformuar. Përndryshe,
masakra më numerike ka pasur edhe në mjedise tjera të Kosovës.
"Rruga
e Kombit ka qenë kërkesë e hershme e popullit tonë", - thotë presidentja
Atifete! Pasaktësi e qëllimshme e zonjës
presidente, kur dihet botërisht se parashikimi dhe kërkesa e parë është bërë nga
Presidenti Rugova, madje kur të tjerët zgërdhiheshin me këtë plan-projekt, përfshi
këtu edhe ndonjë akademik inatçor e shpirtzi. Mos, vallë, kaq kujtesë të dobët
ka presidentja jonë partiake?!
Në një prononcim
përkujtimor presidentja Atifete Jahjaga përmendi faktorët që sollën NATO-n në Kosovë,
duke e heshtur Presidentin Rugova!!? Por, të dy burrat botërorë, të cilët dhanë
viston për fluturimin e apaçëve bombardues në Kosovë, Serbi dhe Mal të Zi: Bill
Clinton dhe Tony Blear, me rastin e vizitave të tyre në Kosovë, fjalimet e tyre
i kanë filluar me referencën për Presidentin Rugova, me lutjen e Tij të madhe,
urtake e përvuajtëse: "Ndihmojeni popullin tim, të rrezikuar me asgjasim
fizik". Dhe, pranimin e kësaj lutjeje të madhe, të dy burrat më të fuqishëm
të botës, e shpërfaqen edhe njëherë zëshëm në sheshet e Prishtinës, në sallën e
Parlamentit të Kosovës, si thirrje shqetësuese: "Mos harroni shpëtimtarin
e Kosovës; mos harroni shtetbërësin e Kosovës - Presidentin Historik, dr. Ibrahim
Rugovën"!
Paraardhësi
i saj, Pacolli, ishte mjaft i rrëmujshëm në deklarime. Në vizitat e bëra, në marsin
e parë si president, ai "harroi" edhe heroin numër një të Kosovës,
Sali Çekaj, të rënë në luftën ballore, por, ama, ishte i vetëdijshëm se
Presidenti Rugova nuk mund të anashkalohet në asnjë rast e rrethanë dhe se është
figurë e parë e Kosovës, madje për të gjitha kohërat dhe krenohej e zotohej për
ta vazhduar rrugën dhe filozofinë rugoviane.
Dihet, 12
qershori 1999 është dita e çlirimit për tërë Kosovën. Rrejshëm e krejt
panevojshëm kanë filluar të kremtohen, në qytetet e ndryshme të Kosovës, edhe
ditë të tjera, kinse ditë çlirimi, një apo dy ditë para apo pas 12 qershorit 1999!
Kjo bëhet për t`u promovua disa "komandantë" të UÇK-së të SHIK-ut, të
cilët, në vend që të luftonin pushtuesin, ngujonin shqiptarët në në burgjet e
improvizuara rurale, kinse të dyshimtë në sjellje e raporte me armikun, shumë prej
të cilëve nuk janë parë më në jetë.
Për gjatë
kohë është menduar se këto burgje populloheshin vetëm me kuadro dhe anëtarë të së
djathtës. Por, më vonë u mësua se nuk janë kursyer as të majtët. Shembujt janë numerikë,
por, këtu po përmendim me emër kuadrotë e LPK-së: Behaudin Hallaçi dhe Shaban
Shala, të cilët, pikërisht në njërin nga
këto burgje "humben pa nam dhe pa nishan!" Edhe Ismet Jashari,
komandant Kumanova, atë fat ka pasur, edhepse ishte kuadër i parë i burgut të Kleçkës!
Ndërkohë që për të bërë tymnajë me tragjikën e tij, vrasëtarët oranizonin
demonstrime për të ngritur shtatoren e tij në një lokacion në Prizren, ku binte
ndesh me planin urbanistik të qytetit.
Zonja
presidente vazhdon të jetë konseguente në harresën e qëllimshme të Presidentit
Rugova. Ajo është e njëtrajtshme në anashkalimin e Tij, madje edhe atëherë kur
rasti e pamundëson këtë, siç është 12 qershori, dita e çlirimit të Kosovës nga
miqtë e dr. Rugovës.
Emërtesa
President Historik, është e bazuar mbi një kontribut enormë të dhënë nga dr. Rugova
për lirinë e popullit të Kosovës. Dhe, në saje të këtij kontributi faktik është
bërë vlerësimi dhe është aprovuar nga populli shqiptarë, madje jo vetëm në Kosovë,
por edhe jashtë saj. Këtë të vërtetë absolute hezitojnë marrëzishëm ta pranojnë
ndoca halabakë komunistë në numër të papërfillshëm.
Në përkujtimin
e përvjetorit të 12 qershorit të sivjem, dita e çlimit të Kosovës nga NATO-pakti,
ndodhi ajo që pritej: alergjia e presidentes të Kosovës, Atifete Jahjaga u shpërfaqë
shëmtueshëm, duke mos e përmendur fare sinonimin e çlirimit, sinonimin e lirisë
të Atdheut, Presidentin Historik, dr. Ibrahim Rugovën. Presidentja aktuale
rezulton më shumë se partiake, me nder SHIK-ase.
Bujshëm u
denoncua përpjekja për ta atentatuar, madje dy herë radhazi, Presidentin Rugova.
Presidentja aktuale heshti si peshku, sikur nuk ka ndodhur asgjë. Ne nuk e
akuzojmë zonjen Jahjaga për vrasjen e bashkëpunëtorëve, oficerëve dhe ushtarëve
të Presidentit Rugova. Por, ajo është bërë e pambrojtshme me përkujdesjen e
vazhdueshme për ta shtuar elektoratin e partisë në pushtet, e cila
identifikohet pikërisht me vrasjet e ushtarëve politikë dhe luftarakë të Rugovës,
duke bërë kalkulime qartësisht të lexueshme.
Manifestimi përkujtimor në prill të këtij moti, në Kosharën
e Sali Çekajt, Agim Ramadanit dhe të Rrustem Berishës mer shokë, dëshmoi bindshëm
se presidentja Jahjaga ka vartësi totale nga partia në pushtet. Mungesa e saj në
këtë ceremoni, ndonëse ishte ftuar nga organizatorët, oficerët heroikë të Kosharës,
të cilët, me rezistencën e tyre të pashoqe, legjitimuan luftën e Kosovës. Lidhjet
familjare që ka presidentja me Sali Çekajn, duhej të ishte një arësye më shumë për
pjesëmarrjen e saj në këtë ceremoni përkujtimore.
"Abandonimi"
i saj në favor të kryeministrit, duke e marrë ai rolin e patronatit, ishte një kinezëri
e cinizëm i skajshëm, sepse fletë-arresti i parë për arrestimin me qëllim
likuidimi, është lëshuar pikërisht për ushtarakun Sali Çekaj nga ata që sot bëjnë
sikur e vajtojnë!
Është përjashtuar arbitrarisht nga puna Komandanti i Kosharës, Rrustem Berisha, pse nuk pranoi librezën e partisë të krimit dhe të korrupsionit dhe megjithatë asnjë reagim për këtë turp e krim kombëtar nuk është bërë nga presidentja jonë!? Dhe, megjitatë, ajo ka fytyrë të flasë për Kosharen, për 12 qershorin, për çlirimin e Kosovës!?
Qeverisja më e keqe "prej se ka mbi lisi"
Infuzioni
sistematik që presidentja i jep partisë në pushtet, do të përligjej, në një masë,
nëse qeveria e kësaj partie do të ishte ideale. Por, pavarësisht reklamës të zgjyrosur
që i bën ekipit qeveritar kryeministri përlavdëraç dhe krejt i papërgjegjshëm e
aspak serioz në deklarimet e tij paushalle dhe pa fije mbulese, qeveria aktuale
është më e keqja që nga mbretërimi i Romës, Bizantit, Perandorisë Turke dhe
sundimet e tjera. Ka thyer çdo rekord në krimin e organizuar politik, thjesht,
vrasje masive mafioze prapa shpine të shqiptarëve, për ta marrë pushtetin me
dhunë; ka vjedhur e plaçkitur, dje dhe sot, pasuritë e Kosovës, në mënyrën më barbare,
herë ilegale dhe më shumë legale, siç janë tenderët dhe privatizimet e ndërmarrjeve
publike dhe të pasurive të tjera të Kosovës. Hiç më pak kriminal nuk është as
Parlamenti i sotëm i Kosovës, i mbushur me vrasës faktik dhe hajna klasik. Qëllueshëm
e tha një analist i njohur se "pushtetarët aktualë të mos e qajnë Ali
Podrimjen, i cili e dha shpirtin për popullin e tij, por ta qajnë veten që ia
morën shpirtin këtij populli".
Kjo
qeveri vazhdon të bëjë krimin e madh, duke e falur në paqe atë që NATO-ja e
fitoi me luftë, duke e çliruar Kosovën. Lëshimet e bëra në vijimësi Serbisë kriminale,
si rrjedhojë e presionit, të shantazhit nga miqtë e saj ndërkombëtarë, duke përfituar
nga dosjet voluminoze për krimet seriale të politikëbërësve aktualë, ndonëse
kanë ekzekutuar kundërshtarët politikë shqiptarë, gjatë dhe pas luftës, në dritë
dhe në errësirë, kanë vënë në luhajë edhe vet pavarësinë e Kosovës.
Pushtetarët
aktualë po i gëzohen fundit të pavarësisë të mbikëqyrur, edhepse një pjesë e
territorit mbetet i pushtuar. Dhe, marrja e këtij territori duket e pashpresë,
madje në kohë të pacaktuar, për arsye logjike - raporti i forcave me pushtuesin
vazhdon të jetë katastrofal për Kosovën. Dhe, duke e vjedhur zyrtarisht e
kriminalsht shtetin tënd, as që mund të arrihet ekuilibri i forcave me
pushtuesin.
Por, kjo
nuk i shqetëson pshtetarët tanë keqas të inkriminuar në krimin politik dhe
ekonomik. Çfarëdo shteti ligjor do t`i dënonte meritueshëm. Dhe, nëse gëzimi i pushtetarëve
për heqjen e mbikëqyrjes të pavarësisë është i natyrshëm, gëzimi për popullin është
paradoksal, i marrëzishëm, sepse asgjë nuk do të përfitojë, përveç se varfërisë
të skajshme, cinizmit të vrazhdët, plumbave dhe dajakut të bandës të kuqe majtiste
- staliniste. Mëkat për këtë popull mjeran, me një kujtesë tejet të dobët
historike. A nuk ishin këta pushtetarë të sotëm shefa të Qeverisë të Përkohëshme
të djeshme, të kompozuar në vilën nr. 31 të Bllokut të Tiranës, në pranverën e
vitit 1999?!!
Bilanci
fatal, për t`ua pasur zili edhe kmerët e kuq: 600 shqiptarë të listuar të vrarë
në pusi e prapa shpine brenda pak muajve. Mijëra shqiptarë të rrahur, të maltretuar,
të terrorizuar, të shantazhuar individualisht dhe familjarisht. Në shenjestër,
në krye të listave emërore ishin kuadrotë e LDK-së, përfshi këtu edhe
Presidentin Rugova, profesor Fehmi Aganin, Sabri Hamitin, Enver Malokun,
Xhemajl Mustafën, Smajl Hajdarin, Tahir Zemën... Nën çjerrjet histerike se "ne
jemi UÇK-ja", "ne e çliruam Kosovën" dhe broçkulla të tjera
mburravece, filluan uzurpimet e pasurive shtetërore, shoqërore dhe private,
duke ua nxirë faqen edhe atyre që, vërtet, ishin angazhuar në luftë me idealin
e madh të lirisë. Pushtetarët tanë po ngrisin kulla e vila-pallate, me lekë të hajnisë
zyrtare dhe reketit të përgjakur, për fëmijtë e tyre, në vend që të mendojnë për
lirinë, sigurinë dhe të ardhmen e tyre.
Opozita,
kryesisht e djathta e Kosovës po e bën lojën e vrasësve të saj, në vend që të kërkojë
protektorat nga një shtet i fuqishëm ligjor dhe ekonomik, p.sh. Amerika,
Anglia, Gjermania..., për ta konsoliduar shtetin e Kosovës, i cili, kështu siç
është, gjithçka mund të jetë, por vetëm shtet i mirëfilltë jo. Prania
konglomerate ndërkombëtare, me burokracinë e saj klasike, UNMIK-u dhe EULEX-i,
ishte kohë e humbur për Kosovën. Neutraliteti i tyre i deklaruar për statusin e
Kosovës, mosmarrja e asgjëje përsipër, ishin fataliteti ynë i tejzgjatshëm.
Atë çfarë
e tha në një intervistë në KTV, vajza e zgjuar e heroit Jusuf Gërvalla, Donikë Gërvalla
se Gjermania është e zhgënjyer në kastën - bandë politike të Kosovës dhe se është
e penduar për njohjen e pavarësisë të saj dhe po të ishte mundësia, do ta zhbënte
këtë njohje. Dhe, kur Gjermania, mike tradicionale e shqiptarëve, sëbashku me
aleatët e saj Austro-Hungarinë dhe Italinë, e gatshme të hynte në luftë me
grupimin armik të shqiptarëve: Rusinë, Anglinë, Francën, Serbinë, për Pavarësinë
e Shqipërisë, më 1912, shpërfaqë pendesën e njohjes të Kosovës si shtet, vallë,
çfarë mund të mendojnë shtetet tjera evropiane, tejet të dyshimta, dje dhe sot,
për mirëdashje ndaj kombit tonë?!? Shqiptarët e Kosovës duhet të turpërohen pse
i bëjnë hyzmetin kësaj katandije me votën foshnjore të tyre.
Si është e
mundur të bëhet shteti ligjor, kur që nga kryetari i Parlamentit, kryeministri
dhe e gjithë administrata e, herë-herë, edhe ndoca shefa të opozitës, për të mos
folur për një turmë akademikësh dhe intelektualësh, paragjykojnë vendimet e
drejtësisë, duke i nxjerrur turmat në rrugë, për të mbrojtur krimin dhe
kriminelët!?! Dhe, kur këtë e bën kupola e shtetit, çfarë shteti është ai?!
Kaq larg ka arritur degjenerimi dhe legenizimi i njeriut shqiptar, sa që nipi i kryetarit të LDK-së të komunës të Skënderajit, Idriz Rrecajt, i likuiduar nga bandat e kuqe, avokat Tahir Rrecaj i mbron këto banda vrastare të xhaxhait të tij! Të njëjtën gjë bëri edhe një zonjë e LDK-së, vite më parë, në mbrojtje të bandës kriminale të Llapit. Megjithatë, LDK-ja e heshti rastin, në vend që ta përjashtonte, të paktën, nga strukturat drejtuese të partisë.
Familja Rugova - familje simbol e Kosovës
Kosova ka
shumë heronj. Por, ka vetëm një familje simbol. Dhe, kjo është Familja Rugova. Andaj,
çdo vizitë, në raste përkujtimesh kombëtare, duhet nisur pikërisht nga Familja
e Parë, nga Familja Simbol.
Këtë kod
moral, zonja presidente, e keni shkelur keqas dhe reagimi i mediave, edhepse
shumica janë në pronësi të kundërshtarëve të Presidentit Rugova, ishte i drejtë.
Mendoj se nuk duhej ta prisnit këtë vërejtje, duhej të ishit kujtuar vet më parë.
Dhe, kjo nuk është assesi harresë, sepse Ju edhe renditjen e figurave
kontribuese kombëtare e sakatoset, duke cituar ushtarin para komandantit,
qytetarin para Presidentit. Të njëjtën gjë e bëjnë, artificialisht dhe qëllimshëm,
kundërshtarët xhuxha të Presidentit Rugova. Bilëz, vegla qorre e Paskal Milos
me shokë, Jakup Krasniqi, njëri nga sabotuesit e vrazhdët e luftës për liri,
nuk ka fytyrë t`ia përmend as emrin.
Mandati i
deritanishëm nuk është edhe aq premtues. Urojmë për pavarësi mendimi dhe veprimi!
Urojmë për këndellje, zonja presidente!
Konturet e të keqes po përvijohen vrazhdas në mendësinë e dyshimtë të presidentes tonë, të emëruar ad-hoc. Presidentja Atifete i ikën emrit të Presidentit Rugova "si djalli nga temjani"! Presidentin Historik dr. Ibrahim Rugova e duan, e vlerësojnë dhe e adhurojnë milionat e shqiptarëve, anekënd botës, si Shqiptarin më të madh; si çlirimtarin e Kosovës, si themeluesin e shtetit të Kosovës, të cilin vazhdojnë ta zhbëjnë pushtetarët profiterë, bashibuzukë dhe injorantë të sotëm. Andaj, pak rëndësi ka simpatia apo antipatia e presidentes emrake partiake të Kosovës. Por, e keqja e madhe qëndron në atë se kujt i duhet një presidente që politikën e bën me suflerë?!!