Mendime
Avni Klinaku: Rohrabaker i keqkuptuar
E enjte, 09.08.2012, 07:28 PM
ROHRABAKER I KEQKUPTUAR DHE I KEQINTERPRETUAR
(Edhe pse z. Dana Rohrabaker e quan “shkëmbim territoresh”, zgjidhja që ai propozon në përmbajtje është zbatim i parimeve themelore të vetëvendosjes së kombeve, e cila është zgjidhja më e mirë edhe për shqiptarët, edhe për serbët, edhe për të kombet tjera.)
Nga Avni KLINAKU avniklinaku@levizjaperbashkim.com
Shtypi i përditshëm në Kosovë, mediat vizive
dhe ato elektronike i kushtuan rëndësi mjaft të madhe deklaratës së anëtarit të Dhomës së Përfaqësuesve të
Kongresit amerikan, Dana Rohrabaker. Nuk munguan as “analizat” e deklaratat e shpejta për shtyp nga
shumë drejtime. Ashtu siç ndodh shumë shpesh tek ne, askush nuk u mor me
përmbajtjen e vërtetë të deklaratës së Rohrabakerit, por sulmet u koncentruan
në mënyrë joparimore në termin formal të deklaratës “shkëmbim territoresh”.
Fillimisht, në
qoftë se Rohrabaker (në këtë rast kushdo qoftë ai) thotë se “plagët e Ballkanit akoma nuk janë
shëruar”, ai e ka thënë të vërtetën. Presheva, Bujanoci, Medvegja, pjesa
perëndimore e Maqedonisë e banuar me shumicë shqiptare, shqiptarët në Mal të
Zi, veriu i Kosovës etj. janë pjesë të “plagëve të pashëruara të Ballkanit”.
Ato pashmangshmërisht sjellin tensione, konflikte, e në të ardhmen edhe
luftëra. Njerëzit me vullnet të mirë duhet të përpiqen t’i shërojnë këto plagë,
e jo t’i injorojnë ato apo të përpiqen të përfitojnë në kurriz të tyre.
Pastaj, Dana
Rohrabaker për pjesën “e plagëve të pashëruara” në mes të Kosovës dhe Serbisë
propozon një zgjidhje: shkëmbimin e territoreve. Ky është termi rreth të cilit
janë kapur fort “analistë” e përfaqësues të Qeverisë së Kosovës dhe njerëz të afërt
me ta. Tani filluan të dalin kundër këtij propozimi edhe personalitete me
ndikim në skenën politike ndërkombëtare, si Volfgang Petriç etj.
Në dukje të parë
ata kanë të drejtë, sepse vërtet shkëmbimi i territoreve nuk “i shëron plagët”,
por, çka është më e keqja, edhe mund t’i pezmatojë ato. Por kur Rohrabaker e
zbërthen parimin e tij për zgjidhjen e çështjes shqiptaro-serbe apo “shërimin e
plagëve”, ai na jep të kuptojmë se parimi i zgjidhjes së kësaj çështjeje në
realitet nuk është shkëmbimi i territoreve, por vetëvendosja e kombeve. Ai
thotë “ato rajone që janë
pranë kufirit dhe mbizotërohen nga një popullsi shqiptare, të bëhen pjesë e
Kosovës. Ndërkohë, ato zona në Kosovë që ndodhen në veri të lumit Ibër dhe
pranë kufirit me Serbinë e që banohen kryesisht nga serbë të bëhen pjesë e
Serbisë”. Kjo nuk do të
thotë aspak shkëmbim territoresh. Këtu në përmbajtje është përfillur dhe është
theksuar një parim tjetër. Përkatësia kombëtare, përbërja e popullsisë dhe
vullneti i tyre, si dhe vazhdimësia territoriale, - këto nuk janë komponente të
shkëmbimit territorial, por të vetëvendosjes së kombeve. Dhe kjo është
përmbajtja e vërtetë e deklaratës së Dana Rohrabaker.
Termi “shkëmbim
territoresh” në rastin e Kosovës Lindore dhe veriut të Kosovës edhe mund të
përdoret; madje në qoftë se aplikohet si i tillë do të sjellë “plagë të reja”,
por nuk e zgjidh çështjen mjaft të rëndë të këtyre territoreve dhe njerëzve që
banojnë në to.
Shkëmbimi i
territoreve bëhet duke pasur parasysh madhësinë e territoreve, rëndësinë strategjike
të tyre, pasuritë e territoreve në shkëmbim etj., por nuk e ka në qendër të
vëmendjes vullnetin e njerëzve që jetojnë në to. Madje, ai mund të përcillet
edhe me shpërngulje të pavullnetshme e të padëshiruar të popullsisë.
Vetëvendosja e
kombeve duke marrë parasysh vullnetin e popullsisë bazohet në parime tjera:
formimin historik të popullsisë (gjuha, kultura, formimi shpirtëror e psikik),
vazhdimësinë territoriale, si dhe kompaktësinë ekonomike.
Shkëmbimi i
territoreve pothuajse asnjëherë nuk “i shëron plagët”, ndërsa vetëvendosje e
kombeve sa herë që është aplikuar ka sjellë paqe, stabilitet e prosperitet.
Prandaj, shkëmbimi i territoreve nuk mund të barazohet me parimin e
vetëvendosjes. Janë njerëzit që vendosin për territoret dhe jo territoret për
njerëzit.
“Një
territor në vetvete nuk ka të drejta. Asnjë vend nuk ka të drejta mbi tokën.
Janë vetëm njerëzit ata që kanë të drejta. Dhe nëse shumica e një populli në
një territor të caktuar nuk dëshiron të jetë pjesë e një qeverie tjetër, ata
kanë të drejtën që ua jep qenia shumicë për të marrë vendim dhe për t'u bërë të
lirë e të pavarur. Mos po citoj këtu Deklaratën amerikane të Pavarësisë, apo
jam duke shpjeguar një parim të qeverisjes? Që të dyja. Mendoj se Amerika duhet
t’i kthehet përsëri këtij parimi, por ne druhemi shumë se mos bëhen ndryshime
të cilat pastaj mund të dalin jashtë kontrollit”, thotë Z. Rohrabaker.
Ne rastin tonë:
Presheva, Bujanoci e Medvegja në njërën anë, ndërsa Leposaviqi, Zubin Potoku e
Zveçani, në anën tjetër. Duket vërtet si shkëmbim territoresh, por parimet e
ngritura të z. Rohrabaker nuk kanë të bëjnë aspak më shkëmbimin e territoreve.
Ato janë parime të qarta të vetëvendosjes së kombeve. Shkëmbimi këtu është
vetëm dukja, ndërsa vetëvendosja është thelbi.
Z. Rohrabaker nuk
e ka përmendur çështjen e Mitrovicës veriore dhe fshatrave përreth, ku shumica
shqiptare u dëbua me dhunë pas luftës së fundit dhe ku akoma shqiptarëve u
ndalohet kthimi në pronat e veta, por këtë çështje parimi i vetëvendosjes do ta
vendoste padyshim në favor të shqiptarëve.
Përfundimisht, Z.
Rohrabaker ka konstatuar shumë drejt se “plagët e Ballkanit akoma nuk janë
shëruar”, ka propozuar
zgjidhjen e vetme të mundshme dhe njerëzore – “shkëmbimin
e territoreve” = vetëvendosjen e kombeve për të gjithë. Nuk është rastësi që z. Rohrabaker nuk
i ka përmendur fare serbët në Graçanicë, Shtërpcë apo gjetiu në brendësi të
Kosovës, sepse ata janë pakicë
kombëtare dhe nuk u takon e drejta e vetëvendosjes.
Kundër zgjidhjes
së çështjes shqiptaro-serbe me anë të “shkëmbimit të territoreve” –
vetëvendosjes së kombeve janë një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare (për
interesa të tyre), poltronistët në Kosovë (për shkak të servilitetit ndaj
ndërkombëtarëve) dhe ultranacionalistët serbë (për qëllime të njohura).
Përndryshe, e ardhmja do t’u tregojë të gjithëve se kjo është zgjidhja e vetme
e cila do të ofronte paqe më të qëndrueshme dhe premisa për “shërimin e
plagëve” edhe në Maqedoni dhe në krejt Ballkanin.
Për ribotim- Kadri Mani