E shtune, 18.01.2025, 11:00 AM (GMT)

Mendime

Gani Mehmeti: Kryetarit të Serbisë

E merkure, 08.08.2012, 06:58 PM


Kryetarit të Serbisë, Tomislav Nikoliq, përkitazi  propozimit të tij për autonominë substanciale  të Kosovës

TA SHOHIM ATË AUTONOMI SUBSTANCIALE NË KOSOVËN LINDORE!

Nga Gani Mehmeti

Kryetari i Serbisë, Tomislav Nikoliq, Kosova e kishte një autonomi, por ti je ai që me çdo kusht ke bërë përpjekje t’ ia heqësh, ashtu siç dihet që ia morët dinakërisht në vitin 1989! Ju, me Millosheviqin në krye, e copëtuat Jugosllavinë, e cila, jo se më dhimbset mua copëtimi i atij shteti, por më dhimbsen njerëzit që ranë për këtë copëtim të Jugosllavisë, sepse pa derdhjen e gjakut nuk qe i mundur ai copëtimi, sepse donit që të mbisundonit në tërë Jugosllavinë. E shtuat presionin, zullumin, deshët t’i shkelni të gjithë popujt e tjerë të asaj Jugosllavie, dhe tani, përpiqeni të na i mbyllni sytë sërish që të “jetojmë bashkë”!

Jo zotërinj, sepse edhe pse ne ishim më poshtë se ju në lumë, ua turbullonim ujin, e tani s’ ka më bashkë. Është ai tregimi shqiptar që thotë: Unë pa bisht e ti pa gisht e shokë të jemi, nuk mundemi më. Pra, gjarprit ia kishte hequr bishtin, pse kishte dashur t’i marrë të gjitha lirat përnjëherë, po edhe gjarpri ia kishte shkurtuar gishtin, që tani ishin armiqësuar, e ai “njeriu” për hir të interesit, donte sërish të vazhdonte shoqërinë me të. Por gjarpri nuk i zë besë më dhe i thotë fjalët e mësipërme: Unë pa bishte e djali yt pa gisht, s’ mund ta vazhdojmë më miqësinë. Pra, pas gjithë atij gjaku të derdhur, s’ ka më miqësi me ju, s’ ka më besim në ju.

Nuk ka arsye, mundësi e as nuk është e nevojshme që ne të bashkëjetojmë më me shtetin serb. Ju vazhdoni e ndërroni vendimet në parlament sipas qejfit  tuaj, si të doni e çka të doni për vete, përse ne të jemi pengesë e zhvillimit tuaj të sistemit shtetëror, të zhvillimit tuaj shoqëror e të ndryshimeve të vendimeve parlamentare. Nuk ka nevojë, madje nuk e kuptoj, pse ju e “doni” Kosovën aq fort! Si mund të thuash po i japim Kosovës autonomi substanciale aq të lartë sa që ju të mos mund të bëni as ndryshimet në parlament pa vullnetin e shqiptarëve! Do të bëni sërish udhëheqës të dëgjueshëm e të bëni sërish në parlamentin e Kosovës çfarë të doni sikur në vitin 1989,  e ta pastroni Kosovën nga shqiptarët sikur në vitin 1999! Më mirë të rrimë kështu siç jemi tani: Ju në shtëpinë (shtetin) tuaj, në Serbi dhe Ne në shtëpinë (shtetin) tonë, në Kosovë. Ne e përdorim një fjalë që themi: Më mirë e më të fortë e ndjej veten  vetëm se sa me ty!

E sa i përket autonomisë substanciale, sot ke shqiptarë mjaft në Serbi, duke filluar nga Presheva, Medvegja e Bujanoci e pastaj edhe në Beograd, aty, në mes të Beogradit. Çfarë të drejtash kombëtare kanë ata shqiptarë në Beograd? Atyre jepu  autonominë substanciale mbasi qenke kaq “i drejtë” A mësojnë shqip sot fëmijët e tyre? A guxojnë të deklarohen se janë shqiptarë? A guxojnë të flasin shqip? E di se këtë çështje nuk e ka ngritur askush deri sot nga shqiptarët e gjorë, sepse janë gojëkyçur në kërkesat e tyre për etnitetin e vet. Ndërsa, ju nuk pushoni duke kërkuar të drejtat për serbët edhe brenda në Kosovë, që i kanë të gjitha, ende, sikur në ditët e Millosheviqit, pasues i të cilit je. Serbët në Kosovë janë më të privilegjuar se vetë shqiptarët. Dhe, ju, prapë ankoheni, ankoheni, sepse është e vërtetë se keni shumë të zhvilluar trillimin në diplomaci dhe politikë. Juve nuk ju vjen turp të ankoheni edhe kur nuk keni të drejtë apo nevojë, ndërsa neve na vjen një farë lloj turpi të ankohemi, prandaj sikur nuk dimë as të kërkojmë, as të ankohemi edhe kur kemi nevojë, edhe kur na shkelën të gjitha të drejtat kombëtare, duke filluar nga ato më elementaret.

Zotëri kryetar, unë nuk kam dëgjuar shqiptarët të guxojnë të kërkojnë të drejtat e tyre në Beograd e gjetiu në qytete të Serbisë qysh nga fillimi i viteve të tetëdhjeta e deri sot! E di se ka pasur shkolla shqipe në Beograd deri në vitin 1981, por për më vonë, nuk e besoj dhe as që kam dëgjuar për to.

Prandaj, lëre Kosovën në hallet e veta, në korrupsionin e saj që është në lulëzimin më të madh të tij, që si për çudi, sa më shumë bëhet zhurmë për luftimin e tij, aq më shumë lulëzon e zhvillohet, sepse kurrgjë nuk luftohet vetëm me fjalë, por duhet me vepra,  masa ndëshkuese, në çka janë të përfshirë qeveritarët tanë, dhe shih për këtë, nuk guxojnë të flasin e as të kundërshtojnë për asgjë që vjen nga ndërkombëtarët, sepse edhe ata nuk e kanë gjithherë mirë. Kjo është më se e qartë. Madje, janë korruptuar edhe ata vetë (ndërkombëtarët), prandaj nuk guxojnë as ata ta luftojnë korrupsionin.

Zotëri kryetar, ju ndryshe flisni, ndryshe mendoni e krejt ndryshe veproni. Ju do të duhej të qani të rënët në të gjitha luftërat që i keni shkaktuar në truallin e Jugosllavisë, duke u nisur nga Kroacia, Bosnja e Hercegovina dhe Kosova, ku keni bërë kërdinë. Ju është dashur t’u kërkoni falje prindërve, fëmijëve vëllezërve e motrave që ua keni vrarë e masakruar të afërmit e tyre, e që, ende i keni duart e përlyera me gjak Do të duhej ta gjykoni periudhën e Millosheviqit dhe  bëmat e tij, pastaj, e jo të jepni propozime qesharake, se ne njihemi tani.

Ju, si pasardhës i Millosheviqit dhe përkrahësi e bashkëpunëtori më i afërt i tij, do të duhej të ishit në Gjyqin e Hagës, jo kryetar i Serbisë. Por, edhe kjo i shkon dikujt për shtati, prandaj je aty ku je.



(Vota: 2 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora