DIALOG PËRSE!?
Nga Ymer
Halimi
Jam dëshmitar
i momentit kur një anëtari të Ekipit të Unitetit, në grupin parlamentar iu tërhoq
vërejtja për lëshimet e tepruara që po bëjnë në Vjenë, veçmas te Mitrovica. Ai u përgjigj thjesht:”Ne po na e japin pavarësinë,
pastaj gjerat që nuk na pëlqejnë i rregullojmë më vonë”. Përgjigje tepër naive
për një ministër shteti. Po atë ditë, Kuvendi i Kosovës ishte me plot shqetësim për
ata që e kuptonin thellësinë e pasojave politike. Për gjera të tilla, krejt miqësisht
bisedohej në pushim të seancës së Kuvendit, duke pirë kafe edhe në këmbë. Në një
çast, përball kisha tre politikanët më eminentë të angazhuar në procesin e
bisedimeve në Vjenë. Edhe sot dy nga ata janë përsëri në pikat më të larta të shtetit,
në ekzekutiv dhe kuvend. Lidhur me shqetësimin e deputetëve ata kishin përgjigje
edhe më të thjeshtë: Nuk e kanë lexuar materialin. Kjo ishte. Sinqerisht, jo për ta anashkaluar temën. Dhe kjo, në mënyrë
implicite tregon thellësinë e “përgjegjësisë” sonë politike.
Miqtë tanë
s’janë armiq të Serbisë
Sipas
atyre që njohin politikë, do të thonë, erdhi çasti i dialogut politik të drejtpërdrejtë
Serbi-Kosovë. Pa fije dyshimi Serbia do të ulet në bisedime me përparësi
të konsiderueshme. Politika e Prishtinës është e gozhduar me pozicionin e
veriut të Kosovës, dhe lëshimet substanciale që i ka bërë në Vjenë para bashkësisë
ndërkombëtare, që tani dalin të pamjaftueshme për orekset e pakicës serbe. Kjo
pakice ne veri po bën një luftë për një pashallëk te vetin. Fundi i fundit edhe sipas deklarimeve të vetë
politikanëve të Kosovës, problematikes serbe në veri të Kosovës i propozojnë “zgjidhje
evropiane”(!).
Prandaj,
të pashmangshme ishin edhe “bisedimet teknike” në Bruksel dhe parashikimi doli
siç pritej: Kosova e papërgatitur, dhe Serbia arriti të avancojë çështjen e saj
ndërkombëtare. Serbia e ka vënë në siklet politikën
zyrtare të Kosovës, duke mos zbatuar marrëveshjet nga të cilat Kosova ka fare
pak dobi. Zbatimin e këtyre marrëveshjeve Serbia e pengon me vetëdije për përfitime
të reja politike, e kohë. Këto nuk ndikojnë në frymëmarrjen e saj. Një e pengoi:
reciprociteti tregtar, dhe edhe atë e plotësoi. Por, të bisedimet në Bruksel,
po edhe në Vjenë, bashkësia ndërkombëtare vërtetoi se politika prishtinase është
ana e brishtë, në krahun e të cilës duhet lëvizur pikëmbështetja e llozit, për çështje
të pazgjidhura Kosovë-Serbi. Ndoshta shkak se Kosova është e kushtëzuar tej
mase nga bashkësia ndërkombëtare, apo politika prishtinase kënaqej e kënaqet me
një rezultat momental, pa i parë pasojat afatgjate, apo, do të ripërsëris se: Prishtina
nuk paraqet më një faktor politik te rëndësishëm, për shkak të gjendjes së brendshme
që e ka, në rrafshin ekonomik e politik. Bashkësia ndërkombëtare nuk bën
trysninë e duhur mbi Beogradin që t’i ndërpresë ndërhyrjet politike në Kosovë. Ndërsa
politika e Prishtinës po tregon komoditet duke mos e kuptua se miqtë tanë s’janë armiq të Serbisë.
Në të vërtetë Serbia është interes i tyre. Të gjithë miqtë
tanë e mbështeten gjashtëpikshin e Ban Ki Munit! Evropianët e thanë hapur se
shqetësohen nga “bashkimi i shqiptarëve”. Nga nënteksti i këtyre shihet diçka që
vështirë pohohet, aq me parë kur veprimet e politikanëve tanë, në emër të demokracisë,
u ngjasojnë veprimeve politike të mesjetës. Po e kthejnë fytyrën kah Perëndimi
duke zgjatur duart kah Lindja, që janë shenjat më të papranueshme në çastet e
historisë nëpër të cilën po kalojmë. Këtë duhet thënë hapur. Me shqetësim. Këtë
gjendje e kemi.
Proceset
historike pashmangshëm kanë çuar te liria e Kosovës
Prishtina
ka mjaft argumente dhe prapë humb kohë duke i dërguar sugjerime morale Serbisë dhe
Evropës. Këshilla të pacipa, bile këshillojnë
për ta ruajtur “pashallëkun e Beogradit” duke dalë tepër naivë përballë interesave
politike, apo qëllimit politik. Prishtina se kupton se për të realizuar qëllimin
politik, kërkohet formë duke u mbështetur edhe në virtualen, dhe se Serbia historikisht është e ledhatuara e
Evropës, edhe pse është shteti me problematik në Ballkan. Asaj, për një shekull,
iu la roli i ‘qetësuesit’ në Ballkan. Diplomacia e saj është çdoherë agresive,
edhe kur duket e fjetur. Nga ana tjetër, për asnjë çast Serbisë nuk i duhet parë
si mossukses humbja e Kosovës, sepse proceset historike pashmangshëm kanë çuar
te liria e saj, por duhet të brengosemi për suksesin e saj që në bisedimet po
arrin qëllimin maksimal në procese politike qe popullatës se saj i nxori
privilegje në Republikën e Kosovë, qe askush në botë s’i ka. E gjitha, ne
llogari të te tjerëve.
Zhargoni
qejfli politik se “Serbia po na njeh” me ulje në nivele të njëjta
bisedimesh, ndoshta ne nivel Kryeministrash, në politikë nuk plotëson atë që duam
ne në Kosovë. Njohja dhe mosnjohja e Serbisë, për ata që njohin procese, është
çështje kohe. Kryesorja, ne duhej të hiqnim, e heqim dorë nga Serbia, jo në mënyrë formale, por praktike,
se kjo kushtëzon korrektësinë e Serbisë ndaj nesh. Kështu si është vepruar deri
sot, me tepër se nga askush tjetër e kemi kthyer fytyrën nga Serbia, thua se mes nesh nuk ka ngjarë ajo
tragjedi njerëzore e përmasave biblike. Këtë e mundësuan politikanët për
interesa të tyre, e mbi këtë Serbia ka ndërtuar platformë politike
fituese.
Beogradi
nuk dialogon për zbatimin e pakos së Ahtisarit
Ulja ne
tavolinën e bisedimeve politike është e dhimbshme për Kosovën, aq më parë me këto
parakushte, por e pashmangshme. Bisedimet nuk bëhen për shkak të presionit ndërkombëtar
qe kemi, por për shkak se Serbia ka ndërhyrë tepër thellë në Kosovë,
gjë të cilën bashkësia ndërkombëtare dhe klasa politike në Prishtine heshturazi
e kanë lejuar. Dhe Kosova me këtë gjendje më nuk mund të mbijetojë. Dalja e saj
nga kjo gjendje, nuk është e thjeshtë. Bashkësia ndërkombëtare nuk do bej
veprime te një anshme. Kosova do të paguajë çmimin. Le të kujtojmë 25 Korrikun 2011,
një aksion ne dukje qëllimmirë, por naiv. Pushtetarët i thanë: luftë. (e humbur).
Shpallen hero. Eh... Legjitimuan paaftësinë shtetërore. Kjo ia rriti çmimin
Serbisë në bisedime kundruall Kosovës.
Serbia sot në pushtet ka klasën politike
radikale, fjala e së cilës ka peshë jo vetëm në Serbi. Ajo nuk ulet për te
zbatuar pakon e Athisarit, e do pamëshirshëm
të mundshmen në Kosovë. Kërkon marrëveshje të re, që sa shihet e ka mbështetjen
faktorit ndërkombëtar, duke u ngritur përtej të gjitha lëshimet që Kosova i ka
bërë deri më sot. “Beteja” do jetë e ndërmjetme,
mes shkëputjes (e pa besueshme), autonomisë, pakos se Athisarit dhe organeve te
dyfishta. Nikoliqi, dhe Serbia ne tërësi, e njohin fenomenin pse
gjarpri e ndërron lëkurën: për te ngadhënjyer.
Edhe në Kosove është në pushtet klasa
politike radikale, por e pa kredibilitet të mjaftueshëm. Po thotë: ‘Territori i Kosovës është
i pranuar’, ‘Nuk bisedohet për statusin
e Kosovës’. Po e thotë te thënmen. Por jo atë qe
duhet thënë: te konvertuarën. Prandaj kujdes, se sa shihet Kosova po hyn ne “amulli
te re” politike kundruall Serbisë.
*Profesor
në FM dhe ish-deputet i Kuvendit të Kosovës
Prishtinë, 16.08.2012.