E premte, 02.05.2025, 04:14 AM (GMT+1)

Mendime

Niko Kuri: Sheriati po troket tek dera

E enjte, 16.08.2012, 08:48 PM


Sheriati po troket tek dera

Jeta e mosbesuesve ose e atyre që zgjedhin të besojnë diçka tjetër në këtë vend është e cënuar çdo moment nga anëtarë të të ashtuquajturave vëllazëri islamike, të cilët për momentin operojnë kryesisht në internet dhe ky kërcënim sa vjen e amplifikohet çdo ditë e më shumë që feja forcon bazamentin e saj.

Nga Niko Kuri

E drejta e lirisë së të besuarit në trojet tona, dalëngadalë po kthehet në një formë tjetër mungese lirie, që quhet e drejta për të besuar tek shkenca dhe jo tek një qenie mosegzistente, fiksacion i atyre që për çdo pikëpyetje mbushin rradhët bosh të dijes se tyre me fjalën Zot, Perëndi apo Allah. Shumica e shqiptarëve nuk e dinë se çfarë është Sheriati dhe për këtë arsye, në xhami flitet arabisht dhe jo shqip, e mësimi i arabishtes u jepet falas vetëm atyre që kalojnë filtrat e të qenit i besuar dhe anti politikës amerikane nëpër botë.

Terrorizmi islamik dhe propaganda strategjike e instalimit të programeve mendore të ideuara në formën e besimit fetar, tashmë në vendin tonë kanë hedhur rrënjë të forta dhe paqja midis vetë popullatës shqiptare, tashme kërcënohet fare haptazi edhe pse e tëra kjo praktikohet nën petkun e të drejtës së të besuarit në një zot, si gjoja një e drejtë themeltare njerëzore… por unë ju parashtroj pyetjen: Cila e drejtë themelore qenka ajo, që të detyron të besosh në një justifikim të mungesës së dëshirës tënde për të kuptuar dhe asimiluar shkencën, ndërkohë që edhe pse njerëzit e ditur ty të lejojnë që të ekzistosh bashkë me ta, ti nuk lejon këtë gjë në krahun tjetër të medaljes?

Jeta e mosbesuesve ose e atyre që zgjedhin të besojnë diçka tjetër në këtë vend është e cënuar çdo moment nga anëtarë të të ashtuquajturave vëllazëri islamike, të cilët për momentin operojnë kryesisht në internet dhe ky kërcënim sa vjen e amplifikohet çdo ditë e më shumë që feja forcon bazamentin e saj.

Unë i bëj thirrje Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që të kontrollojë dhe të nxjerrë raporte edhe mbi të drejtën e të mosbesuarit ose të të besuarit në diçka tjetër dhe të kontribuojë ashtu siç ka bërë edhe më parë, që kjo e drejtë të jetë një e drejtë primare humane e të drejtat e atyre që cënohen nga vëllazëritë islamike të merren parasysh po aq sa merren parasysh edhe të drejtat e atyre që për mendimin e palës tjetër janë njerëz me mungesë të theksuar në njohuritë e tyre dhe ndoshta edhe më keq akoma, të infektuar nga viruse mendore me karakter sugjestionues, të kamufluara dhe të transmetuara nëpërmjet asaj që njerëzimi e quan besim fetar.

Çdo vit, Departamenti Amerikan i Shtetit publikon Raportin mbi Lirinë Fetare në Botë. Ky raport përpilohet nga Zyra Ndërkombëtare e Lirisë Fetare, e cila ka si mision promovimin e lirisë fetare si një princip themeltar të politikës së jashtme amerikane. Në këtë link në internet mund të gjeni pjesën mbi Shqipërinë në Raportin për vitin 2011.

http://www.state.gov/j/drl/rls/irf/religiousfreedom/index.htm?dlid=192777

Po për lirinë e të qenit i lirë nga detyrimi i të besuarit me pahir në diçka që për shumë individë, madje me status të lartë në shoqëri konsiderohet me shumë të drejtë një manifestim i injorancës në të tërë madhështinë e saj, çfarë bën Departamenti Amerikan i Shtetit? A e ka idenë shteti amerikan se në trojet e shtetit shqiptar dhe atij kosovar, kush nuk dëshiron të jetë mysliman kërcënohet me jetë?

Për fat të mirë, Amerika disponon organin e Sigurisë Kombëtare Amerikane NSA, i cili monitoron të gjitha aktivitetet e jashtëligjshme që lëvizin nëpër internet dhe jo vetëm, të cilat mund të cënojnë sigurinë kombëtare amerikane, ndërsa me sa duket Shërbimi Informativ Kombëtar i Shqipërisë (SHISH), nuk vihet kurrë në lëvizje për të tilla çështje, as edhe kur individët kryejnë të tëra procedurat e mundimshme dhe herë-herë edhe të rrezikshme për ata vetë, të atij kallëzimit të famshëm penal.

Edhe nëse një individ dëshiron të bëjë një kallëzim penal të kësaj natyre, këtu në Shqipëri, realisht jo vetëm që e ka në shumicën e rasteve pothuajse të pamundur që të arrijë të materializojë atë dreq kallëzimi me anë të së cilit do bëhej e ditur të paktën arsyeja e krimit të paralajmëruar nga individi që drejtohet në organet e rendit dhe të prokurorisë, por është vënë re në një numër të konsiderueshëm ankesash individësh që me sa duket organet e rendit dhe ato të prokurorisë praktikojnë një politikë të çuditshme të intimidimit të të drejtuarve në organet e lartpërmendura, në mënyrë që ata të stepen kur tentojnë të kërkojnë të merret parasysh e drejta e tyre për të bërë një kallëzim penal.

Për ta konstatuar këtë gjë, më është dashur ta investigoj edhe vetë personalisht. Në disa raste dhe në 100% të këtyre rasteve më rezulton se vërtetë organet e rendit fillimisht përpiqen ta bindin individin që të heqi dorë nga kërkesa për të bërë një kallëzim penal dhe e vetmja mënyrë për t’ja arritur ta materializosh këtë të drejtë legjitime si qytetar i këtij vendi ku paguajmë taksa e supozohet të na mbrojnë, është që të sigurosh ndihmën e mediave si mënyrë e vetme për të detyruar Policinë e Shtetit Shqiptar, që të kryejë detyrën e vet, për të cilën qytetari kërkon të respektohet e të merret parasysh e drejta e tij për të kërkuar ndihmë nga shteti.

Mjafton të hyni në internet dhe të shikoni kërcënimet dhe ofendimet jashtë çdo kufiri të të duruarit, që u bëhet jetëve të atyre që për shkak të injorancës së imponuar me ligjet e Sheriatit, detyrohen të ndihen të pasigurtë për jetët e tyre dhe të familjeve të tyre në trojet shqiptare, ekzaktësisht sot në vitin 2012, kur supozohet se liria e besimit do sillte edhe liri të tjera më të mëdha dhe bashkëjetesë, ndërkohë që frytet e besimit menjëherë sollën përçarjen dhe kërcënimin për jetën e tyre që nuk dëshirojnë të besojnë në Islam, Kishë apo edhe në Zot, sepse në fund të fundit të besosh, logjikisht duhet të jetë një e drejtë po aq e madhe sa edhe të mos besosh.

Serfoni në internet nëpër forume islamike dhe nën mijëra video me karakter islamik në gjuhën shqipe, gjeni kërcënimet e mijëra injorantëve kundër atyre që besojnë në diçka tjetër, apo nuk dëshirojnë fare të besojnë. Më duket se besimi, në vend që të na sillte paqen, na solli luftën. Kjo nuk duhet të kalojë në asnjë mënyrë në trojet e vendit tim dhe parashikoj se do këtë edhe përplasje të fortë me injorancën e imponuar nën petkun e besimit fetar, si gjoja një e drejtë primare. Besimet fetare duhet të respektojnë ata që nuk dëshirojnë të besojnë në një qenie që për ta është inegzistente, ose përndryshe këtu nuk ekziston as edhe një e drejtë minimale dhe kjo shkelje flagrante e kamufluar si e drejtë humane nuk mund dhe nuk duhet të kalojë në asnjë mënyrë në trojet shqiptare, e nëse lufta për largimin një herë e mirë të komunizmit gjoja u plotësua me sukses, ne shqiptarët tani kemi një luftë akoma më të vështirë e tinzare.  Atë të satanikes së kamufluar me petkun e së mirës absolute, me të mirën rreale që quhet brishtësi e vërtetë e sinqeritetit të qenies njerëzore dhe besim ndaj së vetmes gjë plotësisht të besueshme e të adhurueshme për logjikën e njerëzve, të painfektuar nga propagandat e filozofive të formave dhe mënyrave të ndryshme si ajo fetare, që gjoja sjell paqen e në fakt bashkë me paqen e rreme sjell Sheriatin, aty ku mezi shkulet qoftë edhe sipërfaqësorisht një tjetër formë dhune.

Nëse krijimi i një Agjensie të Sigurisë Kombëtare edhe këtu në Shqipëri ashtu si NSA-ja e Amerikës dhe Kanadasë është një necesitet i kohës dhe lufta kundër terrorizmit vërtet është kusht primar për hyrjen e Shqipërisë në Europë dhe më gjerë ashtu siç aq shumë trumbetohet atëhere vendi ynë duhet patjetër ti përgjigjet menjëherë kësaj nevoje, ashtu si kanë bërë edhe vende të tjera. Ideja e një organizmi të tillë edhe në vendin tonë është hedhur prej kohësh nga studiues të çështjes islame dhe shoqata të interesuara në ekzistencën e tij. Modeli amerikan rezulton të jetë më i miri i mundshëm dhe prania e një organizmi të tillë edhe në vendin tonë do të siguronte paqen dhe stabilitetin më parë brenda trojeve tona e më pas edhe më gjerë, duke mos lejuar krijimin e konflikteve të reja në Ballkan si dhe garantimin e një sigurie më të lartë për qytetarët e botës, atje ku udhëtojnë e gjenden qytetarë të Shqipërisë. Kjo, pa dyshim që do të ndryshonte edhe imazhin e shqiptarëve në botë.



(Vota: 8 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx