Përjetësi » Kripa
Cikël poetik nga Reshat Kripa
E enjte, 19.07.2012, 07:45 PM
RESHAT KRIPA
IN MEMORIUM!
O sa shumë do të doja,
Që t’ju kisha gjithmonë pranë,
Këto vargje t’ju kushtoja,
Nga kjo zemër ndezur zjarr!
DJALOSHIT MIRDITOR
Kjo poezi i kushtohet djaloshit shtatëmbëdhjetë vjeçar që dha jetën, një natë janari të vitit 1955, i ngrirë në një shtyllë telefoni, i lidhur me urdhër të operativit të kampit Bulqizë.
Ishte dimër, binte borë,
Cingërima thante sytë,
Lidhur hekurat në dorë,
Të morën të fundit frymë.
Nuk u qave, nuk vajtove,
Nuk kërkove as mëshirë,
Si titan atje qëndrove,
Promete, njeri i lirë.
Ndjenim dhimbjen fare afër,
Kur morëm tënden mandatë,
Ah, o Zot, atë masakër,
Qysh durove atë natë!
Ju, o kriminel mizorë,
Ju çerberë egërsie,
Si e vratë atë të gjorë,
Yll i rrallë djalërie?
Tiranë, janar 2005
SIMBOLI I BURRËRISË
Kushtuar, Bujar Kaloshit, me rastin e dhjetëvjetorit të vrasjes, më 26 korrik 1996..
O Korab, fole kreshnikësh, o çati e Shqipërisë,
Përse e ke ulur kokën, o simbol i trimërisë?
Thellë në zemër më goditën, më goditën në Tiranë,
Në një ditë të nxehtë korriku, zemrën time dysh e ndanë.
Zemrën time dysh e ndanë, ata plumba të mallkuar,
Seç goditën zemrën djalit, trimit tim të paharruar.
Dhjetë vjet kam lëngoj, dhjetë vjet kam që po pres
Të vendoset drejtësia, të mos mbetem më me shpresë.
Si kushtrim buçet nga larg, zëri djalit që ushton,
Si një klithëm, si një britëm, nëpër shkrepa uturon.
Uturon nëpër shkrepa, zëri i djalit të ri,
Mos më lini në harresë, dua vetëm drejtësi!
S’dua llafe, s’dua përralla, s’dua vargje, s’dua këngë,
Ato le t’i lemë prapa, ato brezat le t’i nxënë,
Jam këtu mbushur me brengë, nuk po gjej dot rehati,
Dua, dua drejtësi, të prehem në qetësi!
Ngrihe kokën mal i lartë, mos qëndro i pezmatuar,
Biri yt ka fluturuar, lart në qiellin e amshuar!
Lart në qiellin e amshuar, engjëjt e kanë rrethuar,
Si simbol të burrërisë, përgjithmonë i paharruar!
Tiranë, korrik 2006
PRINDËRVE TE MI
Në njëzetepesëvjetorin e shuarjes së jetës të nënës time.
Kur i vogël isha, kur isha fëmi,
Isha djalë çapkën, një i ri rebel.
Dhimbje u shkaktova prindërve të mi
Dhimbje shpirtërore, peng seç më ka ngel.
Si nuk u mërzitën, si nuk më qortuan,
Për ç’ka bëra unë, ndezur nga furitë*?
Prapa seç më ndoqën, veten s’e lëshuan,
Deri sa më kthyen, përsëri në dritë.
Edhe kur u rrita, dhe u bëra burrë,
Ndjeja një respekt, kur i kisha pranë,
Një dashuri ndiej, s’do t’i harroj kurrë,
S’do t’i harroj kurrë, nënën dhe babanë.
Prindërit e mi, o prindër të rrallë,
Nuk e di në botë, mund të ketë të tjerë,
Sot në pleqëri, unë ndiej shumë mall.,
Përjetësisht pranë dua që t’ju kem.
Vlorë, qershor 1991
*Sipas mitologjisë, ishin xhinde që futeshin në shpirtin e njeriut dhe e xhindosnin.
VËLLAJT
Kushtuar vëllajt tim Besnikut
Çfarë të të kujtoj, i dashur vëlla,
Jetën që kaluam, tmerr dhe brenga plot,
Bashkë e përshkuam, bashkë të pandarë,
Mendja s’e kupton, pena s’e jep dot.
Nuk përshkruaj dot, dhimbjen e pamasë,
Për rininë e humbur, burgjeve të shkretë,
Burrërinë e vjedhur, zemrën në lëngatë,
Shpirtin copëtuar, rrjedhave në jetë.
Kurrë nuk u theve, kurrë nuk u mposhte,
Trimërisht qëndrove, në dallgë e stuhi,
Me fëmijtë gëzove, jetën e ndërtove,
Me vaj e mundime, por me dashuri.
Dhe tani që jeta, filloi të lulzonte,
Dhimbja mëkatare, ishte flakur tutje,
Tani që dhe zemra, filloi të gëzonte,
Përse u largove? Përse më nuk duke?
Oh, ky fat i hidhur, në shtrat të mbërtheu,
Por ti prapë qëndrove, si titan legjende,
Kokën nuk e ule, dhimbja nuk të theu,
I përhershëm mbete, simbol rezistence!
Tiranë, dhjetor 2006
MOTRËS
Kushtuar motrës sime Fatushes
Fëmininë kur mohova,
Kur në burg unë përfundova,
Kur gjithçka u shkatërrua,
Shpirti veç u ngushëllua .
Sepse ti më ndejte pranë,
Dhe në jetë dhe në hapsanë,
Në hapsanë kudo që isha,
Ty gjithmonë pranë të kisha..
Fjala jote, fjalë e urtë,
Fjalë e mirë, fjalë e butë,
Zemrën time qetësonte,
Shpirtin tim e ledhatonte.
Më dhemb zemra, më dhemb shpirti,
Dua që ky yll të ndriti,
Vit pas viti të ndriçojë
Përgjithmonë të rrezatojë!
Tiranë, janar 2007
VELIUT
Kushtuar shokut tim Veli Premtaj
Prej qelisë kur u lirova, ndjeja veten të vetmuar,
Nga shokët e fëminisë, që qëndronin të larguar,
Përmbi shpatullat e mia, hija e rëndë e mjerimit,
Porsi guri i Sizifit, rëndonte mali ndëshkimit.
Vallë s’kishin të mbaruar, brengat e hallet për mua,
Deri kur dënimi im, do më ndiqte prapa thua?
Nuk mjaftuan vuajtjet ferrit, brenda në kafaz i mbyllur,
Por dhe kur isha i lirë, shpirtin ta mbaja të ndrydhur?
Krejt papritmas ti u shfaqe, si kalorës i shpëtimit,
Zemrën time qetësove, me balsamin e shërimit,
Pranë meje ti qëndroje, nuk u ndave kurrë nga unë ,
E jetonim bashkë rininë, të dy bashkë shkonim në punë.
Por kur dielli rilindi, errësira u shpërnda,
Dhe kur shpresat ngrohën zemrat, zemra jote ne na la,
Nuk durove dot lirinë, fluturove lart në re,
Fluturove lart në qiell, më nuk do të jesh me ne.
Por do mbetesh pa mbarim, jetë për jetë do të kujtohesh,
si kujtim i paharruar, asnjëherë s’do të harrohesh,
Fjala jote, fjalë burri, do të mbetet thellë në zemër,
Fjalë e artë, fjalë hyjnore, fjalë e urtë, fjalë me emër.
Tiranë, maj 2005