E diele, 28.04.2024, 02:57 AM (GMT+1)

Kulturë

Përparim Hysi: Tipi i "ngjitur"

E diele, 08.07.2012, 08:23 AM


Për një mike të bukur

Nga Përparim Hysi

Për bukurinë tënde i dogja  gjithë imagjinatat
Dhe gjithë zilitë e grave,pothuajëse,i dogja
Se ti sikur vije nga baladat
Kështu mendova sa të njoha.

Se kishe një bukuri aq fine
Sa këdo që të shihte,e vije në ngasje
Oh,sa e bukur që ishe,moj mike!
Dhe të them të drejtën: më tramaksje.

Më tramaksje aq  sa e humba pusullën
Dhe kotesha e kotesha e vija vërdall
Të kërkoj tani e nuk ta gjej gjurmën
Mike e bukur ! Në ç'vise ke shkuar ?!

Ja,kështu pyes. Po nuk di kë të pyes
Dëshira ime e rrit amplitudën
Them me vete:-Vallë,do kem shpresë
Që mikes që njoha,mund t'i gjej gjurmën?!

Ja,kjo është dëshira.Nuk kam si e fsheh
Pak e nga pak m'u bë obsesion
O le t'më thotë dikush që e njeh
Se malli për të,po më përvëlon.

Tiranë , 1 korrik   2012


Mulatja

Kishte vënë kapele kashte
Edhe vath të mëdhenj
Dale-dale,moj mulate
Se s'të ndjek dot andej.

Porse buza aq mishëtore
Dhe vështrimi vezullues
Seç më çuan në kohë rinore
Në një kohë kur s'rrija "sus!"

Por më zë ajo me dorë
Dhe buzëlumi më tërheq
-Hë do tundësh më "këmborë?!"
A do shkosh mu në dreq ?!

Dhe më qesh apo s'më qesh
(ja sheshi,ja dhe mejdani!!! )
Mos mulatja më përqesh ?
Më mirë syri apo nami ?

Kohë nuk ka.Po hë,o burra !
"Ujku"para. E"vret" dot ?
Përparim,të humbi "vula"
Nam e erz,tregohen sot  !!!

E që thoni...gjëkafshë s'thatë
Tek mejdani,mu buzëlumi
Me mulaten s'e ha "thatë"
Ruaj ende unë "dufteburri".

Mbrostar-Ura ,pranverë  2012


Tipi i "ngjitur"

Tregim

Bardha me Ndinen qenë aq shoqe me njëra-tjetrën,sa nuk kishte intimitet që nuk e ndanin bashkë. Qenë,siç i quante jo pa shaka një kolegu ynë:si motralesbike.Ai ua thoshte troç dhe pa një farë drojtjeje. Ama dhe ato e prisnin këtë "batutë",ashtu si  duke qeshur,që mund ta merrje dhe ashtu,dhe kështu.Qenë apo nuk qenë lesbike,kush dreqin e di,por,ajo që duhet theksuar është fakti,se këto,veç nata i ndante. Epo dhe nata,natë është dhe jo të gjitha i sheh natën,-vazhdonte shpotinë,ai,kolegu.Kolegu e kish gjuhën pak të hidhur. E pranonte dhe vet,kur thoshte:-Jam si nusja unë.E bëj kulaçin të shtrëmbër.Ama gjithmonë them të drejtën.Ndaj dhe më rrahin. Gjithmonë më rrahin,-vazhdonte.Më kanë rrahur që të vogël.Dhe vazhdojnë të më rrahin deri sa të rritem. Deri sa të rritem !!! Po do rritem ndonjëherë,vallë ?!!!
Ne,të tjerët,tek dëgjonim që kolegu prrallte pa pritur mendimin tonë,veç qeshnim dhe aq. Të gjitha ia merrnim si shpoti dhe aq"shakaxhi" na dukej ky dreqkoleg,sa dhe kur tregonte ca të vërteta që bënin mu ,i pranonim me rezerva,se,gjasme,kështu e kishte ky"nusja që bënte kulaçin e shtrëmbër". Ky tregonte dhe nuk qeshte fare,kurse ne gajaseshim.
-Ore,po çfarë ka për të qeshur këtu?!- m'u përvesh një ditë.
-Po për të qeshur është,- fillova që të mbrohesha unë,- se ti sikur ke vënë dylbitë dhe sheh seç bëjnë të tjerët.Pastaj,- vazhdova unë,- shto ujë dhe shto oriz dhe gatuan një"pilaf" që askush nuk e ha.
-Ëhë,- e kuptova,- ma priti. Në këtë botë duhet të gënjesh,që të besojnë.Se,po the të drejtën siç bëj  unë,do zënë e të rrahin.Siç dhe më kanë rrahur xhanëm.
Për një çast,e preva të qeshurit dhe zura ta dëgjoja me vëmëndje.
-Hë,- i thashë,-fillo e më trego.

*         *      *
Pashë  Bardhën e Ndinen që po vinin drejt zyrave tona. Përbri tyre u shfaq  shkrimtari X... Bardha e përshëndeti  me një farë intimiteti dhe afrije që,po ta shihje mirë(jo me dylbi siç më thuaj ti ) , diçka linte për dyshim. Ndinja  (siç dukej,ajo as e njihte atë shkrimtarin X... ) as që e përshëndeti.Mua as që më kishin vënë re se qeshë pas tyre. Por,sa iku X... në punën e tij,dëgjova që"motrat" shkëmbyen këto replika me njëra- tjetrën.
-Moj ti,po mënd u theve dysh,para atij zdërhellit të gjatë,me ato flokët si gjëmbairiqi,-shpërtheu Ndinja.
-Ua,-po nuk e njohe ti sekush qe ai"flokëiriqi?!"
-Ta njoh?Apo nuk ishte për t'u njohur? Ai,si puna e asaj këngës:- O i gjati si hosten/ shul vajte/lloz vjen/ dhe Ndinja shpërtheu në të qeshur.
-Ndine,- foli Badha,gati serioze:si hosten,si hosten,po sikur ta dije se sa tipi i ngjitur që është !!!
Këtu kolegu ndaloi,sikur priste nga unë ndonjë ndihmë dhe unë,kurioz siç jam,ia prita:-Ama kaq qe  i gjithë ai muhabet?!
-Ore,-ma priti flakë për flakë,pse brënda një dite u zbulua bota?! Kur thotë një nga ata personazhet e të ndjerit Jakov Xoxa:-Mos më lini të gavnjej !!! Dardha e ka bishtin prapa.Po sherri do nge dhe davaja do para,kur thonë. Sa më thellë të rëmosh në këtë histori,aq më  shumë bujashka do nxjerrë lumi,-foli si me dykuptime kolegu.
-Domethënë,-ndërhyra unë,- do dru oxhaku që të ndizet zjarri.
-Ah,për kështu nuk ta ha qeni shkopin ty,-tha kolegu,duke e kapur ndërhyrjen time si një ftesë për ta"pjekur muhabetin" në një klub aty afër.

*     *    *
Hymë në klub dhe sa bëmë qokën e parë,kolegu filloi të më tregonte.
Me  Bardhën kemi qenë në një shkollë.Dhe në të njëjtin konvikt.Kemi qenë aq shokë,sa për rrethana  fare subjektive,nuk u martuam me njëri-tjetrin. Jemi ndarë se të tilla qenë rrethanat dhe,pse mora vesh një "tradhti" të saj,unë nuk e fala.Nuk e fala,por ama për të dashur e doja.Ç'është e keqja,se vazhdoj që ta dua akoma. Po a e di se me kë më tradhëtoi?Me atë që sot është ai,shkrimtari X...
-Pse në një shkollë kini qenë me shkrimtarin X... ?-pyeta unë
-Jo.Po ai vinte dhe recitonte poezitë e tij në mbrëmjet tona.Bardha po e dhënë shumë pas letërsisë dhe,një ditë prej ditësh,i gjeta tek putheshin.Atë ditë,e gjithë dynjaja m'u kthye përmbys dhe qeshë gati që t'ia shkulja ato gjëmbat prej iriqi,atij shkrimtarit. Dashuria shkoi u zhbë.Nga ai,qimeiriqi.
-Shkruan bukur,-thashë unë,duke mos e fshehur simpatinë për shkrimtarin.
-Shkruan bukur,-përsëriti me një far mllefi,po dhe dëbora e bukur është,po halli është  se mbi këtë bukuri,ndonjëherë,dhjesin dhe qentë. E,ta lëmë,këtë Bardhën dhe atë "qimeiriqin",dhe ta kthejmë dhe nga një. Pimë dhe gati u bëmë xurxull. Po unë as që do ta shkruaj këtë histori,në se mbaronte këtu. Se,kur thoshte kolegu im,të tjera bujashka po sillte lumi.

*     *   *
Shkrimtari X... kish kohë që ish bërë gjysh.Bashkëshorten e kish marrë me dashuri dhe nuk qe Bardha.Bardha qe veç një dashuri kalimtare dhe aq. Se kot nuk shkruante poezi dhe ,tek këndellte veten për shkrimet e tij,ndjente të njëjtën këndellje dhe për dashuritë e tij. Ato i quante si të merituara dhe,po të ndodhte që dikush t'i thosh jo, atëherë,siç mendonte ai,botës po i vinte fundi.Se ndryshe nuk kishte se si.
Kish shkuar me pushime,andej,nga vëndlindja e gruas dhe,tek vejvinte,si për t'u englendisur,pa që mu përbri tij kaloi një femër.Qe  (ai qe gjahtar sojli për femra ) aty rreth pesëdhjetave dhe shkrimtari,siç vuri re,pa që femra nuk ia vërshëlleu. Ne,në fshat,kësaj mos-sajdisjeje,i themi:as ma ngrënçë,as ta ngrënça! Shkrimtari mënd u hodh përpjetë nga kjo mossajdisje,kur protagonistja,sado kalimthi,po dukej që qe e bukur. Ai nga kjo mospërfillje ndjeu të njëjtën dhëmbje që ndjen dikush,kur e shkelin në kallo. Ah,-tha shkrimtari,- sikur qoft dhe njëherë po ta takoja,kishte për t'ma paguar shtrenjtë.
Në mbasdite,shkrimtari,vendosi të shkonte tek një kolegu i tij i sëmurë.Qe sëmurur nga një sëmundje e keqe dhe tek shkonte,mendonte se do ndahej me të. Shkoi dhe tek rrinin në një tavolinë,poshtë shtratit të një hardhie,ndjenë që u hap porta e avllisë. Si të gjithë,hodhën sytë për të parë sekush po vinte dhe shkrimtari sikur u gazëllye.Qe ajo.Ajo që nuk i foli. Tek vinte drejt tyre (ajo qe vëndase,qe gjitone me të sëmurin) ,dukej sikur sillte një kumt dhe,sa më shumë afrohej,aq më i plotë bëhej profili i saj.Shkrimtari po e studjonte. Sado aty nga pesëdhjetat,ajo i ruante ende linjat e një femre të bukur.Ovalja e përkryer e fytyrës,lëkura prej bruneje dhe sytë e zinj e të mëdhenj nuk ishin pak për të treguar se qe e hijshme dhe e lakmuar.Aq më shumë për shkrimtarin X...që jo vetëm qe gjahtar grash,por dhe se qe betuar për t'u hakmarr. Ai po  e studjonte: shikim të zjarrtë;qerpikët të gjatë sikur duan të të fshikin.Buzët si të harkuara sikur dikë do vënë në kryq! Shkrimtari lëpiu buzët sikur,për një çast,t'i kish vënë mbi të sajët.

*     *    *
E porsaardhura,erdhi dhe ul.Ballë për ballë me shkrimtarin.U bë dhe njohja. -Kam dëgjuar,- tha mospërfillëse ajo. Dhe pak desh tha:-Më ka folur Bardha,për këtë "hostenin" (tek mendonte kështu,mezi mbajti të qeshurit).
-Kjo është Ndine Çobani,mësuese dhe komshija jonë,-thanë.
Shkrimtari,si tip "i ngjitur",mbasi ia kish ngulur sytë të sapoardhurës,tha,si nëpër të:-Në shkollë të mesme kam patur një shok me këtë mbiemër.E quanin Stiri Çobani!
-Është im vëlla,- tha gëzueshëm Ndinja.
-Ou,-bëri sikur u habit shkrimtari,ti qenke motra e Stirit,epo më lërë të të përqafoj se aq mall kam për të,sa dua që ta zbutë paksa.Dhe papritur,e kapi Ndinen me të dy duarët dhe e përqafoi nxehësisht. Ndinja,ajo mospërfillsja e dikurshme,tani sikur u çlirua nga të gjithë komplekset dhe krijoi me shkrimtarin (epo mik i vëllait,de!) një afëri dhe intimitet sikur qenë njohur prej kohësh.
-Eh,Stiri,-e mori fjalën shkrimtari,sa bukur që këndonte! Se dhe unë këndoj,-tha sikur do t'i shtonte dhe ca pikë vetes,-po tjetër,tjetër qe Stiri.Sikur ta kisha dhe t'ia thërrisja si  dikur!
-Këtu e ke,po nuk e sheh,-tha i sëmuri. Këndon Ndinja dhe si burrë dhe si grua.
-Siiiiiiiiii?!-bëri të habiturin shkrimtari.Po,o burra ! ta provojmë. Dhe ia thirri si një ftesë për të dalë  në mejdan.

-Ke dalë e më rrii,-ia mori.
-Mbi një skëndëlli,-mbajti Ndinja.
-Seç t'u duk këmisha
-Lëkurë gjarpëri.
Zërat qenë si të kurdisur.Dhe kur qëllojnë zërat,është sikur qëllojnë zëmrat.Shkrimtari kështu mendonte dhe,sa më shumë ia thoshte këngës,aq më shumë bëhej intim zëri i Ndines.Po jo vetëm zëri bëhej intim.Ai,gjëmbiriqi,tani Ndines nuk i dukej më i tillë.Duke qenë mik i Stirit,pse mos ishte dhe i saj.Apo nuk më tha dhe Bardha:-Sa tip i ngjitur ! Thonë,vazhdonte ajo arsyetimin,se kush shkruan bukur dhe kush këndon bukur,dinë të dashurojnë dhe bukur. Tek pushoi kënga dhe po mbusheshin me frymë,shkrimtari (tani qe bërë delirant dhe i papërmbajtshëm ),zuri dhe tregonte të tjera "heroizma" dhe paravoli me mikun e tij,Stirin.  Sa herë që zinte Stirin me gojë,sytë ia ngulte fytyrës ovale të Ndines dhe sikur e ftonte për një flirt.Për një flirt apo këngë që ta këndonin qoft dhe nën zë,po vetëm për vetëm. Dhe  Ndinja nuk po e hante thatë.Ajo sikur po trapsite në të  njëjtën hulli dhe donte të provonte se sa i "ngjitur" qe ky tipi  për të cilën i kish folur Bardha. Ndënjën dhe ca dhe ikën,por për t'u riparë.

*    *   *
-Do shkoj andej nga  Lekoja,- i tha shkrimtari së shoqes, Dhe mund të vonohem,po pati njerëz.Lekoja qe i sëmuri dhe shkrimtari,një rrugë e dy punë,mendontese do e gjente prapë motrën e Stirit atje. Tek po i afrohesh shtëpisë së Lekos,ndjeu një zë:
-Në të ka marrë malli për Stirin,ktheu se  është brënda dhe po të pret. Shkrimtari hodhi sytë dhe pa  Ndinen.Pa atë fytyrën ovale aq të përkryer dhe pa e bërë dy,i ra pas. Ajo,sikur ta kish pritur çastin, i kish marrë masat. I shoqi,Trifoni,kish ikur tek i vëllai në Vlorë (vuante nga azma) dhe qe vetë fillikat në shtëpi.
-Sa hyri brënda,shkrimtari,sado që e dinte që pyeste kot,tha:-Ku është Stiri?
-Ja,- tha Ndinja,po vjen dhe,kur hyri pas tij,mbylli derën,hoqi robdeshambrin dhe i tha:-Tani t'ia themi këngës !!!

*   *   *
Sa tip i "ngjitur" që qe. Dhe sa bukur ia thoshte këngës. Po vetëm këngës... dhe  Ndinja ndjeu një si të shtriqur.Një si këndellje.Eh,Bardha!  Bardha !...

*    *   *
Për"bujashkat e tjera që solli lumi",i tregova unë kolegut.Dhe,me që goja nuk më ri rehat,e solla të plotë dhe për ju.

Tiranë, 4 korrik 2012



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora