E merkure, 09.10.2024, 02:36 AM (GMT+1)

Kulturë » Berisha

Sejdi Berisha: 30 vjet krijimtari - Lulzim Logu

E enjte, 05.07.2012, 07:22 PM


Tridhjetë vjet krijimtarie të shkrimtarit dhe publicistit tropojan, Lulzim LOGU

KRIJUESI I CILI JETËN DHE NDIJIMIN SHPIRTËROR E PËRJETËSON ME MADHËSHTINË E VARGUT

Lulzim Logu i rri karshi jetës aq dinjitetshëm, sa që vargu i tij shndërrohet në ligjëratë historie, bëhet orë mësimi dhe edukatë që s’të lëshon dot nga detyrimi njerëzor...

Urat krijuese e kanë peshën e vet, e kanë dashurinë reciproke, të cilën dikur e kemi mbajtur të fshehur si mollën në gji, apo si flamurin në fund të arkave të nënave tona. Pra, është kjo një lidhje që veriun e atdheut e bënë më të “zhurmshëm” për shkrumbin që ka pasur, për etjen që e kishte Kosova, që tani të jetohet, të këndohet e të mendohet bashkë...

Dikush mund të thotë se kjo është vetëm një nismë. Por, jo! Ky është realitet, sepse, vlerat shpirtërore të kësaj ane, të cilat gjithmonë kanë qenë të nivelit por të ndrydhura, po mishërohen dhe po e marrin formën e një trungu të shëndoshë të kulturës kombëtare. Për të gjitha këto që i theksova, ishte provokim krijimtaria, jeta dhe ideja e Lulzim Logut, e këtij krijuesi i cili bashkon por edhe reflekton dashuri e njerëzi, e i cili, aktualisht është kryetar i Klubit të Shkrimtarëve të Tropojës.

Nga Sejdi BERISHA

Njerëzit të cilët i takon për herë të parë dhe krejt rastësisht, në të shumtën e rasteve, mbesin kujtim i ëmbël e shpeshherë edhe emblemë dashurie e njerëzie, i cili takim hapë rrugët e lumturisë dhe të krenarisë e të miqësisë së pashkëputshme. Rastësitë e tilla, pastaj kohën e shndërrojnë në një rrugëtim i cili e përqafon rrahjen e tik-takut të jetës si diçka që të detyron të rrish zgjuar edhe atëherë kur përpiqesh të bësh gjumë të ëmbël e rehatie.

 

Urat krijuese që lidhin e forcojnë qelizat e gjakut dhe të kombit

 

Për të mos e zgjatur, në një verë, para disa viteve, aty ku poezia ka ngritur murin dhe kalanë e mendjes, të diturisë dhe të këndimit për jetën nëpër decenie e shekuj, kalanë e dëshmisë së përplasjeve, të dhembjeve, të gëzimit dhe të etapave historike, pra, në Mitingun e Poezisë në Gjakovë, që tani e afro gjysmë shekulli i ka tubuar, i ka bashkuar krijuesit dhe vargjet e tyre të shkruara e të kënduara jo vetëm shqip, takoj një njeri, i cili kishte një moshë mesatare e që kishte një qëndrim prej njeriut të karakterit dhe të mendjes, që vinte nga Krahina e Tropojës. Kurrë nuk e kisha takuar as nuk e kisha parë më përpara. Ai, kujdesshëm m’u afrua në atë ditë vape duke më përshëndetur dhe duke më pyetur se a jam ai krijuesi për të cilin mendonte.

I thash se po. Unë jam ai. Dhe, për të ma afruar edhe më shumë çiltërsinë e vetë, më thotë: poezitë e juaja i kam lexuar qysh moti, kur isha student, dhe shumë më kanë lënë, mbresa e përshtypje të paharrueshme. E shikoj dhe nuk flas. Por, ai vazhdoi,... Ishte Lulzim Logu, një krijues i kujdesshëm , një poet i cili e do, por edhe shumë e çmon dhe e respekton vargun. Për atë, edhe tej mase është madhështues i ndijimit shpirtëror, të cilin kudo e mishëron me vargun poetik. Ky poet dhe lërues i vlerave shpirtërore dhe kulturore, i cili deri me tash ka botuar tetë vepra, dhe se to janë pasqyra më reale e rrugëtimit të tij nëpër kohën e përplasjeve e të engjëllit, por edhe nëpër kopshtet dhe ëndrrat magjike të fëmijëve, gjithnjë e ka pasur dhe e ka kujdes historinë e njeriut dhe të atdheut, për çfarë përmes krijimtarisë dhe veprimtarisë së tij kulturore na i kujton dhe na përballë me fenomenet jetësore si kujtime dhe kohë e cila, nëse nuk ndriçohet, ajo qan, vdes e pëlcet si zemra!

Ky është ai letërnjoftimi i brendisë së këtij krijuesi prej njeriut, i cili ecën vertikalisht, duke bërë përpjekje që të dëshmojë e të tregojë begatinë dhe madhështinë e njeriut nëpër periudha, gëzime e hidhërime, nëpër katrahura e përplasje, të cilat gjëra, edhe sot rëndojnë qepallat e shikimit të rrëfimit të shkëmbit, të ujit, të lisit shekullor, të urave e lumenjve, që janë edhe rrëfim edhe histori në vete, e që, as për së afërmi nuk është arritur të bëhet përjetësi, mendim e dëshmi e tërë ajo që është arkiv jete, që ka përjetuar njeriu.

Dhe, kështu prej takimit të parë, Lulzim Logu bëhet pjesë dhe krenari edhe e fjalës, e mendjes dhe e shpirtit tim, por edhe e rrugëtimit tim të çuditshëm. Andaj, tani, sa jemi në Bajram Curr, na “tretë” poezia në Tiranë, në Gjakovë e Pejë. Sa na sjellë në Lezhë e kah jo, e sa në shumë orë letrare, të cilat, bashkërisht filluan ndërtimin e një ure të re, e cila është përqafuese dhe bashkuese e mendjes,e krijimtarisë dhe forcë, që cilësinë e gjakut të njeriut tonë e ndriçon dhe e shtrëngon si një hallkë të vetme që lidhë qelizat e kombit, që lidhë e ndriçon rrugën dikur aq të errësuar të kombit.

Në Mitingun e Poezisë në Gjakovë, tani e sa vite, u zgjerua fryma shpirtërore, e cila tani tingëllon e thotë shumë edhe në Tropojë, besa edhe në Pejë, Gjakovë, Lezhë e në Tiranë. Kjo jehonë, shpërtheu si rreze mëngjesi nga Lulzim Logu së bashku edhe me krijuesit Gjon Neçaj, Asllan Bajrami e të tjerë, e që tërë kësaj i dhanë impuls edhe krijuesit nga Gjakova e Peja, por edhe nga Klina, Malisheva e nga Dacajt e Rozhajës. Këtë vringëllimë vargu e fjale, tani nuk mund ta ndalë askush, sepse, sikur është shndërruar në lumë me ujë të kthjellët, i cili nuk shteron kurrë, por i ngjanë damarëve të gjakut që ushqejnë trupin, respektivisht të gjitha tokat arbërore. Tani, kjo ndodhë në shumë qendra komunale dhe kulturore, si në Pejë, në promovime librash, në Takimet letrare “Azem Shkreli”, në manifestimin kulturor dhe promovues të librit “Për kombin, për demokracinë” të autorit Azgan Haklaj, me ç’rast ishin tubuar qindra dashamirë të fjalës së shkruar nga Peja dhe Krahina e Tropojës në sallën e Teatrit “Istref Begolli”. Kjo ndodhë në Mitingun e Poezisë në Gjakovë, në Orën Letrare në Bajram Curr, në Takimet letrare “Ora e Tahir Deskut” në Klinë, në Lezhën historike, në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë dhe Malishevë e gjetiu tjetër.

Dashuria, të cilën dikur e kemi mbajtur të fshehur si mollën në gji, apo si flamurin në fund të arkave të nënave tona.

E tërë kjo e ka peshën e vet, e ka dashurinë reciproke, të cilën dikur e kemi mbajtur të fshehur si mollën në gji, apo si flamurin në fund të arkave të nënave tona. Pra, është kjo një lidhje që veriun e atdheut e bënë më të “zhurmshëm” për shkrumbin që ka pasur, për etjen që e kishte Kosova, që tani të jetohet, të këndohet e të mendohet bashkë...

Dikush mund të thotë se kjo është vetëm një nismë. Por, jo! Ky është realitet, sepse, vlerat shpirtërore të kësaj ane, të cilat gjithmonë kanë qenë të nivelit por të ndrydhura, po mishërohen dhe po e marrin formën e një trungu të shëndoshë të kulturës kombëtare. Për të gjitha këto që i

theksova, ishte provokim krijimtaria, jeta dhe ideja e Lulzim Logut, e këtij krijuesi i cili bashkon por edhe reflekton dashuri e njerëzi, e i cili, aktualisht është kryetar i Klubit të Shkrimtarëve të Tropojës. Ishin shkak, edhe 52-vjet jete të këtij njeriu gojë-ëmbël e të urtë, i cili e ka kultivuar formën e vargëzimit edhe përmes haik-ut dhe tanka-s, duke na sjellë fragmente mbase edhe histori e periudha kohësh me vargjet e veta: “...Atëherë kishim mall/Si flaka në gjeth/Digjeshim në puthje...”!

Ky njeri, i cili, edhe bisedën e thjeshtë të bëhet se e ka varg e poezi, në librin e tij më të ri “Krisht i harruar”, i rri karshi jetës aq dinjitetshëm, sa që vargu i tij shndërrohet në ligjëratë historie, bëhet orë mësimi dhe edukatë që s’të lëshon dot nga detyrimi njerëzor. Ja, një konstatim i tillë, i cili, besoj se edhe juve do t’u detyrojë dhe do t’u fisnikërojë edhe më shumë për çdo gjë që lidhë me jetën, me njeriun dhe me tokën: “...Ai nuk ka shtëpi/Por një kasolle të vjetër/Ku pikon dashuria...”! Kujtoj se këto vargje janë edhe vetë pasqyra më e mirë e karakterit njerëzor dhe e vetë krijuesit, Lulzim Logu.

Nuk është lehtë të ngarkohesh me peshën dhe me përgjegjësinë e njeriut prej krijuesi, sepse, në kuptimin e plotë të fjalës, ai është udhërrëfyesi i jetës së lumtur dhe të bukur, ai është kronika e viteve, e decenieve mbase edhe e shekujve. Për këtë, ja edhe se çfarë ligjëron edhe prajshëm edhe qortueshëm: “...Ura e drunjtë ka humbur/Dhe shelgjet lotues/Lakohen të bëhen urë...”. Ja,

se çfarë metafore, ja se çfarë mesazhi sjellë?!...

Duke bërë vepra, apo duke provokuar kohërat e kaluara, e pse jo edhe historinë, Lulzim Logu, ligjëron: “...Të hënën hesht fyelli/Dhe ndalet çiftelia/Në vajin e gruas...”. Ose, “shfryrja” tjetër  shpirtërore, që i ngjanë faqeve të paçelura të historisë: “...Në varrin e babës gjej/Të njëjtin zog/Që nuk bëzan...”!

Poeti si kronist i ngjarjeve, të cilat i shndërron në kujtim, respekt e dhembje...

Lulzim Logu, pothuaj se në të gjitha veprat, pra edhe në “Krisht i harruar”, është edhe kronist i ngjarjeve, të cilat i shndërron në kujtim, respekt e dhembje, karakteristika këto të cilat duhet t’i disponojë secili njeri: “...Sa shpejt ike miku im/Mbahem prej fjalësh/Të hidhura.../Kodi yt qe fjala/Dhe besimi pafund/Në njeriun...”! Andaj, thjeshtë mund të nënkuptohet se poeti ka shpirt rebelues, sepse, atë e harlisin shumë gjëra të cilat kanë duhmë e veprim padrejtësie. Për këtë arsye, në asnjë moment nuk heziton për të kërkuar përgjigje, të themi nga jeta: “...Pse Zoti gjithmonë/I merr pranë vetes/Më të mirët?!”.

L. Logu, fuqishëm e respekton rregullin e ndërtimit të haik-ut dhe të tanka-s,, për atë edhe vargun e ka me peshë e të mbëltyer me bukurinë artistike: “...E lexoi poezinë e fundit/Si testament Din Mehmeti/Harroi të vdes’...”. Pra, duke vargëzuar, poetit, dot nuk i ikën nga mendja e shpirti, e bukura, dashuria dhe kështu, çdo gjë e shndërron në jetë dhe lumturi: “...Në ëndërr m’u fale krejt/Me trup e zemër/Dhe nisa të digjem”, dhe duke u përvëluar edhe ndryshe: “...S’të harroj dot/Dashuri e parë/Si gozhdë e ngulur...”! Ndërkaq, tërë këtë, sikur e “zbutë” në trajtë rrëfimi, të ëndrrës për kohën që ka ecur dhe ecën” “...Tamël e borë plot kusia/Ku lante sytë/Fëmijëria ime...”.

Është kjo një panoramë e ndrydhur dhe e shtrydhur në pikturë zjarrmie për ato kohëra aq të ëmbla, aq të dhembshme por edhe aq të arta. Për këtë arsye, poeti, Bjeshkët e Nemuna i konsideron si Rrokaqiejt e parë të botës. Por, gjatë ligjërimit, siç kemi theksuar gjithnjë, ai përpiqet që jetën ta bëjë realitet mbi të cilin njeriu del fitimtar: “...Sa mirë kur zgjohesh/Majëmali/Hallet janë poshtë...”!

Të gjitha këto i theksova nga ky libër, ngase autori, përveç se është i denjë për ta jetuar jetën, ai pasqyron edhe aftësitë e veta krijuese, por edhe vetitë si ndërtues i të së bukurës dhe të krenarisë njerëzore. Prandaj, edhe në tanka, vargun e shndërron në shtegdalje, hapje rrugësh, në shpresë për ditën e re e të veshur solemnisht: “...Harroj trishtimin e natës në agim/Harroj lodhjen e ditës në muzg/Harroj pendimin që vjen në puthje/Harroj lutjet dhe bie...”! Por, nuk përfundon dot pa këshilla, të cilat dalin nga brendia e zemrës: “Hej, kape diellin pa lindur se vonë është nesër/Hej, kape idenë që brofi, se vonë është nesër/Hej, kape buzëqeshjen që vjen, se vonë është nesër/Hej, kape dashurinë që ndjen, se nesër s’ndodh tjetër...”.

Andaj, të kalosh kohën duke lexuar dhe duke komentuar vargjet dhe poezitë e Lulzim Logut, të bëhet se je duke vrapuar drejtë kopshti me lule, kah drita, të bëhet se je duke ushqyer mendjen dhe shpirtin komplet me jetën e njeriut, me historinë e tij dhe të atdheut. Të bëhet se je duke rrugëtuar së bashku me krijuesin këtu e pesëdhjetë e dy vjet, që është periudhë e cila begaton rrëfimin për poetin, për ecjen aq të bujshme dhe të mrekullueshme të tij. E, për këtë ka se çfarë të thuhet dhe çfarë shkruhet edhe më shumë.

Me Lulzim Logun, kudo që ishim, e besoj fuqishëm, edhe kudo që do të jemi, ato vizita dhe ato që do të ndodhin, padyshim se e kanë peshën e veçantë, duke mos përjashtuar peshën dhe kontributin edhe të krijuesve dhe të miqve të tjerë, siç janë: Gjon Neçaj, Asllan Bajrami, Tahir Bezhani, Mujë Buçpapaj, Fatmir Terziu(Londër), Muharrem Kurti, Murat Gecaj, Azem Balia, Viktor Gjikolaj e shumë e shumë të tjerë.



(Vota: 9 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora