Kulturë
Skënder R. Hoxha: Në fillimstine
E merkure, 04.07.2012, 06:33 PM
SKËNDER R. HOXHA
NË FILLIMSTINË
I. DIÇKA FRYN STUHISHËM
1.
Pas mjegullës
Dielli
Shiu
E pastaj
Ylberi
Unë –
Numëroj ngjyrat.
2.
Diçka fryn stuhishëm
Ajo diçka
Është koha e ligë
Është suferinë
Në heshtjen time
Në pritjen time
Të shkrirë
Në terrin
E të gjitha stinëve
Në ofshamën
E mjegullës
Në lotin –
Që s’u tha kurrë!
II. NË FILLIMSTINË
1.
Kujtimi
I moçmuar
Më shpalos dhembjen
Gjethet e këngës
Së re
Më ndizen
Në mendje
Në kraharor
I shtrëngoj
I afroj
Në parzmë.
2.
Lulet e Shëngjergjit
Në fillimstinë –
Stolisin
Ëndrrën time
Agsholeve
Në Mrizin e Zanave
Te Motër e Avdisë.
3.
Unë belbëzoj
Atë Këngën Tonë
Ti më vjen –
E veshur
Me rroba fieri
E veshur me vargjet
E poemës sime…
Akullin e liqenit
Shkrijmë
Në sqepa lejlekësh
Të harruar –
Që rrallë vijnë!...
4.
Në natyrë
Gjelbërohem
si gjethet
si bar i njomë
Vallëzoj
Me këngën e bilbilit
Me lulet
Që i desha
Gjithmonë!...
Kujtimi titanik
kthehet pas
Zogjtë
Ma sjellin
Prapë
Një letër
Të pashkruar…!
(30 prill, 2 maj 2012, Pejë)